Shumë autorë librash, gazetarë e studjues të ndryshëm, apo edhe qytetarë të veçantë nëpermes postimeve në portale apo në rrjetet sociale; kanë evidentuar dhe njekohësisht vlerësuar personalitete apo profesionistë të fushave të ndryshme që me punën e përkushtimin e tyre shumëvjeçar kanë dhënë një kontribut të çmuar jo vetem në Malësinë e Gjakovës por edhe në rang kombëtar. Një mision shumë fisnik ky,por edhe domosdoshmëri për të sotmen e sidomos për të ardhmen është ky evidentim, gjithnjë nëse bëhet bazuar në fakte reale, pa deformime apo simpatira personale, krahinore apo politike. Duke mos patur statusin e gazetarit,historianit, analistit apo shkrimtarit, por si njëri nga pjesëtarët e këtij komuniteti dhe si një specialist që prej 45 vitesh kam patur edhe një kontribut sado modest (janë të tjerë persona apo organizma që mund të vlerësojnë këtë), mendoj se nuk gaboj dhe aq më pak të konkuroj me asnjë prej kategorive të lartpërmendura,nëse sjell në kujtesë disa nga specialistët (inxhinjerë) e fushes së ndertimit, kolegë apo ish kolegë të nderuar që me profesionalizem të lartë dhe perkushtim maksimal kanë lënë gjurmë në historine e ndertimeve,studimeve e projektimeve dhe dokumentimit të shumë objekteve por edhe veprave të medha në Tropojë por edhe në gjithë vendin.
Në këtë shkrim do të perqendrohem në atë kategori të atyre që kanë perfunduar Fakultetin e Inxhinjerisë së Ndertimit në periudhën mes viteve 1970-1990, pasi është brezi që personalisht kam një njohje më të plotë nëpermjet jetes studentore por edhe marëdhënjeve e bashkëpunimit në punë , në objekte, ndermarrje apo institucione të ndryshme. Janë edhe shumë inxhinjerë të një brezi më të ri, të apasionuar e të talentuar që kanë kontribuar dhe vazhdojnë me sukses të punojnë kudo në mbarë vendin. Të gjithë këta , janë të nderuar e shumë të respektuar, por duke mos patur rastin e bashkëpunimt direkt , nuk mund të marr pergjegjësinë e njohjes së plotë e për pasojë të evidentimit apo vlerësimit korrekt të aktivitetit të tyre.
Demush Malaj,Prek Gjoka,Musa Goçi, Sabrie Logu,Zenel Koka e Kolë Braha janë brezi i parë i inxhinjerëve tropojanë të diplomuar në Fakultetin e Inxhinjerisë së Ndertimit në fillimin e viteve 70. Aktiviteti i tyre ka qenë i shumëllojshem e tepër i dobshëm; duke punuar si zbatues të suksesëshëm apo drejtues në disa objekte,ndermarrje dhe institucione të rëndësishme si NN HC Fierzë, N.Ndertmit B.Curri, N.Komunale Banesa, N.Ujësjellesit, Urbanistikë apo Byronë e Projektimit të Rrethit Tropojë.
Alush Buçpapaj,Ali Metaliaj,Sadri Isufi,Ramiz Kurtallari,Agim Sulaj, Selim Haxhiaj, Hasan Ponari,Zeqir Matoshi e Agim Berisha të diplomuar në vitet 1976-1980;me angazhimin e tyre në NN HC Fierzë,N.Ndertimit, N.Komunale Banesa, N.Bonifikimit, N.Ujëra-Sistemime, N.Gjeologjike dhe në institucione projektuese si Urbanistikë apo Byrone e Projektimeve të Rrethit; patën një impakt të rëndësishem në zhvillimin e industrisë energjitike , ndertimeve, sherbimeve, studimeve e projektimeve dhe infrastrukturës.
Arkitektët e talentuar Hazir Isufaj e Artan Baliaj, të parët specialistë të profilizuar për Arkitekturë e Urbanistikë,do hartonin studime dhe projekte të rëndesishme e vizionare, që i dhanë një zhvillim të veçantë e impresionues projektimit të objekteve nga më të ndryshmet dhe me vlera të padiskutueshme si në fushen e urbanizimit, ndertimit, turizmit e kudo.
Isa Gjongeci,Dashnor Mustafaj,Agim Dega, Xhevdet Mulaj,Xhem Kojeli, Ali Haziri, Sadri e Zenun Buçpapaj, Mereme Breçani,Mimoza Galanxhi (Baliaj),Bukurie Doçi (Demiraj), Klara Musaj,Riza Shpati, Mhill Qehaja, Pare Vatnikaj, Rudina Logu e Fatbardh Sokoli janë ai brez i të diplomuarve në vitet 1980-1990 dhe që u angazhuan krahas kolegëve të tyre në zbatimin e objekteve të rëndësishme në N.Ndertimit, N.K.Banesa, N.Ujëra-Sistemime, MM Rrugëve, apo Seksionin e Kadastres, me përkushtim e kujdes maksimal dhe me profesionalizëm.
Gjigandi energjitik, HC Fierzë ishte vepra më madhore shqiptare dhe Malësia e Gjakovës ndjehet krenare me përfaqësimin e saj në ndertimin e tij nga 7 inxhinjerë nga të lartpërmendurit, të cilët kontribuan me sukses me nga 2 deri në 6 vite në objekt, deri në perfundimin e plotë të tij. Një pjesë nga këta për disa vite kanë patur edhe detyrën e Kryespecialistit në Degën Teknike të kësaj Ndermarrjes Nacionale, më të madhes në shkallë kombëtare. Pothuajse të gjithë këta inxhinjerë që kontribuan në ndertimin e HC, kanë qënë pjesë e stafit pedagogjik të Shkollës së Mesme të Ndertimit në Dushaj.
Ndermarrja e Ndertimit B.Curri kishte në zbatim e drejtim shumë nga këta inxhinjerë gjatë gjithë viteve të aktivitetit të saj të ndertimeve të objekteve të banimit,objekteve industriale,ekonomike, turistike e infrastrukturore duke përballuar volume të mëdha pune dhe realizim me saktësi të lartë të parametrave tekiko-ekonomikë të tyre.Të ballafaqur me vështersi të panumërta tekniko-organizative,planeve të pastudjuara e të fryra, kushteve të papërshtateshme klimaterike dhe presionit të ashpër të organeve drejtuese të kohës; ata me karakterin e vetmohimin e tyre arritën të jenë triumfues krenarë dhe profesionistë shembullorë. Urbanistika e Rrethit dhe ajo e Bashkisë, Byroja e Studimeve e Projektimeve të Rrethit,si institucione që kanë patur detyra për studime dhe hartim projektesh nga më të larmishmet për planifikimin dhe zhvillimin urban,ojekteve të banimit, industrisë, turizmit e infrastrukturës kanë patur në përbërjen e tyre 12 inxhinjerë nga lista e mësiperme,që me ndjenjë të lartë perkushtimi e talent profesional,janë kontribues të suksesëshëm të zhvillimit e ndryshimeve befasuese në trevën tonë. Studimet urbanistike jo vetem për qytetin B.Curri por edhe për shumë qendra të banuara sipas standarteve dhe kritereve bashkëkohore zënë një vend të rëndesishem në kuadrin e planifikimit e zhvillimit urban. Ishte ky grup që filloi studimin dhe projekt idenë për dy nga objektet më të rëndesishme të Tropojës: Ujësjellësin e Valbonës dhe Rrugën B.Curri-Qafë-Morinë dhe më vonë disa prej tyre ishin edhe bashkautorë të projekt-zbatimit të tyre.
Sektorët e Kadastrës dhe Regjistrimit të Pasurive të Paluajtëshme si organizma të rëndësishme të evidentimit,regjistrimit dhe administrimit të dokumentacionit tekniko-ligjor për të drejtën e pronësisë për pasuritë e paluajtëshme, janë përfaqësuar denjësisht dhe me një angazhim tepër serioz e korrekt me punën e tyre shumëvjeçare nga 4-5 prej këtyre inxhinjerëve në periudha të ndryshme kohore.Në vitin 1983 filloi procesi i rilevimit,hartimit dhe regjistrimit mbi kritere rigorozisht shkencore ne gjithë rrethin, dokumentacion i cili do sherbente për procesin e regjistrimit fillestar të pasurive i aplikuar nga viti 1994 e në vazhdim me krijimin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajteshme (Hipoteka).
Ndermarrjet Komunale Banesa,MM Rrugëve,HC Fierzë, N.Gjeologjike,N.Bonifikimit, N.Ujësjellesit, N.Ujëra-Sistemime, në ushtrimin e funksioneve të tyre , janë mbështetur në aktivitetin e çmuar e shumë profesional të një pjese të konsiderueshme të këtyre inxhinjerëve të talentuar. Duhet theksuar se një pjesë nga këta specialistë të talentuar përveç kushteve aspak komode ekonomike,teknike,humanitare etj, duhet të përballonin edhe presionin,intrigat, provokimet e deri tek kërcënimet e vazhdueshme për shkakun e luftës së çmendur të klasave, të “njollave” në biografinë e tyre familjare.Ata me dinjitet e vendosmëri absolute,nuk u përkulen apo nënshtruan dhe dolën faqebardhë e maksimalisht të nderuar e të respektuar kudo që kontribuan.
Në këtë ekspozim të shkurtër,pa paraqitjen e CV-ve të asnjërit nga të evidentuarit (faktikisht CV-ja e secilit prej tyre është mjaft dinjitoze dhe e pasur me aktivitet brilant shumëvjeçar);mundet që për arësyen e vetme të harresës,të mos kem permendur ndonjërin dhe duke i kërkuar falje, e ftoj të pronocohet, pasi do të më nderonte mua,por më shumë do shtohen vlerat e zonës në të cilën jemi angazhuar në përmbushjen e detyrimeve tona si specialistë.
Pjesa më e madhe e këtyre specialistëve aktualisht vazhdojnë me përkushtim dhe pasion të punojnë në profesionin e tyre,në Kompani private apo Institucione Shtetërore në qytete të ndryshme të Shqipërisë por edhe jashtë vendit. Fatkeqësisht disa prej tyre nuk jetojnë si Demush Malaj,Musa Goçi,Kolë Braha,Agim Sulaj, Selim Haxhiaj,Klara Musaj e Hasan Ponari,për të cilët lutem që shpirti i tyre të pushojë në Parajsë.
I shkrova këto dy radhë zemre në kujtim të kolegëve e miqve tanë të mrekullueshëm , të veçantë e të paharruar në forme homazhi e mirënjohje,falenderimi e respekti për gjithçka të mirë që për vite me radhë i dhanë sektorit të ndertimeve e projektimeve por edhe qytetarisë së nderuar tropojane,qytetarë model të së ciles mbeten deri në çastet e fundit te jetes së tyre.Po sot që na mungojnë kaq shumë e kaq fort të gjithëve ne,çfarë po bëhet për t’i kujtuar,sepse jeta e kariera e këtyre specialistëve model e të dorës së parë për nga kualiteti;vërtet që vlen të nderohet e të respektohet tjetërsoj dhe ashtu siç e ata e meritojnë.Çfarë i pengon Këshillin apo administrtën e Bashkisë për organizimin e një akademie modeste perkujtimore në respekt të punës shumëvjeçare dhe vlerësimin e kontributit të dobishëm të tyre?
Në perfundim nuk mund të mos theksoj një shqetësim aspak personal, por një konstatim të kahershëm të kolegëve apo bashkëqytetarëve tanë:
-Pothuajse në asnjë liber të botuar, media të shkruar apo vizive,portale të ndryshme etj (me perjashtime tepër të rralla që mund të numërohen me gishtat e njërës dorë), nuk ju është kushtuar asnjë lloj dedikimi apo thjesht evidentimi ose pasqyrimi jo vetëm të aktivitetit e kontributit të këtij brezi të spikatur inxhinjerësh, por as të asaj që ata kanë përfaqësuar. -Me aq sa unë kam informacion, asnjëri nga 35 të cituarit nuk është vlerësuar qoftë edhe me një mirënjohje minimale që të mos pretendojmë deri në akordimin e titullit “Qytetar Nderi”, nga organet e Pushtetit Vendor që e kanë jo vetëm kompetencë ligjore por edhe detyrim moral. Realisht nuk mund të quhet rastësi apo harresë pasi në mënyrë të vazhdueshme me këtë titull janë vlerësuar ish drejtuesit e ndermarrjeve e institucioneve, pothuajse pa asnjë përjashtim, periodikisht, duke përfunduar me nderimin e herëpashershëm të ish drejtuesve të sistemit diktatorial dhe në kerkim të ndonjë tjetër “të harruari”.
Duke shprehur keqardhjen time për mosimpenjimin serioz të gazetarëve apo botuesve tropojanë në mediat e portalet e shumta ku ata kanë akses (fatmirësisht janë një komunitet i madh),për grupimet apo shoqatat e shumta (të cilat pretendojnë se janë përfaqësuese të komuniteteve të konsiderueshme si Tropoja,Bytyçi, Shipshani,Nikaj-Merturi,Luzha etj) dhe portalet e shumta “perfaqësuese” me emra “të mëdhenj” si dhe për organet vendimmarrëse të pushtetit lokal; i ftoj miqësisht që me ndjenjë qytetarie, pergjegjësie morale por edhe institucionale të ndermarrin nismën e pasqyrimit objektiv të punës e aktivitetit të specialistëve,profesionistëve e kontribuesve të gjitha fushave, të vlerësimit të rezultateve përkatëse bazuar në dokumentat arkivore dhe mediatike.Asnjëherë nuk është vonë për të reflektuar,analizuar e pasqyruar me vërtetësi ngjarjet, fenomenet dhe personazhet që lidhen me to duke shprehur konsideratat dhe vlerësimet respektive.
Mundësitë janë të pafundme,mbetet vetëm përkushtimi me objektivitet dhe heqja dorë prej pengesave demode joracionale si egoja ,klientelizmi apo vlerësimi selektiv sipas porosive e detyrimeve individuale ose grupimeve të caktuara.