1.
… E, kësisoj, vetvetiu po i kthehem një rubrike të hershme time:
“MË TË MËDHENJTË: ata që bënë historinë e sportit shqiptar”.
U bë nxitje Kampionati Botëror i Atletikës së Lehtë që po zhvillohet në këtë Londër të vitit 2017. Dihet ndërkaq, garat e mëdha sportive të çojnë përherë te historitë e mëparshme të tyre.
Kështu pra, plot 22 vjet më parë, më 1995, Shqipëria guxonte dhe çonte në Kampionatin Botëror të Atletikës së Lehtë që zhvillohej në Goteborg të Suedisë një atlete nga Durrësi me emrin Mirela Manjani, e cila nuk i kishte mbushur ende 19 vjetët. Dhe kjo vajzë “e panjohur”, më 9 gusht 1995, do të bëjë atë që deri atë ditë dhe deri sot nuk e kishte bërë e nuk e ka bërë asnjë atlet apo atlete në krejt historinë e Shqipërisë. Me rezultatin 62.40 metra – rekord kombëtar i nivelit botëror për Shqipërinë – Mirela Manjani bëhej njeriu i parë nga Shqipëria që hynte në një finale të një Kampionati Botëror të asaj mrekullie që njihet si “mbretëresha e sporteve” – atletika e lehtë. Garë e bujshme, por që për fat kur mandej zhvillohet finalja, emocionet nuk e çojnë shqiptaren tonë më tej se vendi i 12-të në BOTË. Me kapitale pra. Sepse sensacioni shqiptar mbetej te 62.40 metrat që e kishin çuar në finalen e madhe botërore.
Katër vjet më parë, si kryeredaktor i gazetës “Sporti” kisha botuar në krye të faqes së parë një shkrim të trajnerit të saj të parë, Enver Mysja, njeriu që e zbuloi dhe i mësoi hapat e parë po aq sensacionalë. Sepse për asokohe të vitit 1991, medalja e saj e bronzit në turneun atletik të Ditëve rinore Olimpike në Bruksel të Belgjikës për moshën 15-vjeçare ishte vërtet sensacionale.
Po e ribotoj këtu në “Panorama Sport” pamjen autentike (frontespic) të këtij shkrimi mbas plot 26 vjetëve. Sa për kënaqësinë time profesionale që e vura në krye të faqes së parë, por më shumë për nder të trajnerit të saj të parë Enver Mysja, që pati guximin (po, po, guximin) të ulej e të shkruante këtë “editorial”, siç po më pëlqen ta quaj sot, përmes të cilit ai paratha se kjo 15-vjeçare e panjohur do të bëhej një atlete botërore. Duke parashikuar në mënyrën më të bujshme shkencore të ardhmen e ndritur botërore të durrsakes “së panjohur” Mirela Manjani.
Vështroni titullin:
“Është fjala për një talent të rrallë”!
Dhe vështroni nëntitullin:
“15-vjeçarja M.Manjani në elitën botërore për rezultatet e moshës”!
Të gjitha këto sot janë harruar. E jo më të mëtosh se rasti duhet të hyjë në leksionet e kulturës fizike të fakulteteve tona universitare. Zakoni i keq shqiptar i harresave të mëdha! Nuk di nëse e njeh sot dikush zbuluesin dhe përgatitësin e madh me emrin Enver Mysja, parashikimi i të cilit doli jo 100 për qind, por u tejkalua në përqindje të tjera të pambarim te titujt botërorë, olimpikë dhe europianë të Mirela Manjanit.
Dita e këtij parashikimi profetik ka qenë 9 shtator 1991 pra, dita e botimit të këtij shkrimi që sot merr një vlerë të papërshkrueshme për historinë e gazetarisë shqiptare, por më fort për historinë e atletikës së lehtë shqiptare.
Nuk do të kalonin më shumë se 3 vjet, ai 1994, dhe Mirela Manjani e Shqipërisë fiton dy tituj njëherësh, Kampione e Ballkanit për të reja dhe Kampione e Ballkanit për të rritura. Deri atë ditë, Shqipëria kishte pasur vetëm tre Kampionë të Ballkanit: Donika Hanxhara (10.000 metra), Krenar Meçani (3000 m/p) dhe Alma Qeramixhi (dy herë në shtatgarësh). Mirela ishte e katërta shqiptare që ngjitej në këtë podium të Kampionatit më të vjetër shumështetësh në Europë. E viti 1994 për të do të jetë i pafund. Ajo shkon në Kampionatin Botëror të të Rejave dhe është finaliste – e 8-ta e Botës për Shqipërinë. Mbërrin ndërkaq viti 1995 dhe ajo i jep Shqipërisë titullin e dytë të Nënkampione së Europës për të reja mbas të famshmes Pavlina Evro më 1983 në 1500 metra.
Mirela Manjani nuk ka qenë një atlete spontane, por prodhim i laboratorit modest shqiptar të atletikës. Më 8 maj 1990 në Durrës, në një stadium me pedanë e pistë të një toke “virgjine”, atëherë 14-vjeçare, Manjani e kishte lëshuar shtizën e moshës së saj në largësinë 48.80 metra, një rekord kombëtar për 14-vjeçaret, që ekziston ende deri më sot. Ajo ishte një nxënëse e klasës së 8-të të një shkolle dhe ky ishte rekordi i parë i saj. Një vit më vonë 54.86 – rekord kombëtar për moshën 15-16 vjeç. Dhe dy vjet më mbas në Tiranë, rekord për moshën 17-18 vjeç me 54.86 metra. Ka qenë 2 maj 1993, dhe, më 2 korrik 1994 në Ankara, Mirela shpërthen me titullin e Kampiones së Ballkanit për të rejat, me 57.20, çka ishte njëkohësisht rekord absolut kombëtar për Shqipërinë. Dy muaj më vonë është Kampione e Ballkanit për të rriturat me 56.62 metra.
Më 1996 Mirela fiton medaljen e artë në Kupën e Europës “Bruno Zauli”. Duhej të ndërhynte shteti. Mirela Manjani duhej të stërvitej në kushte të tjera, të niveleve të tjera, të shkallës më të lartë botërore. Dhe ja, një bursë studenteje pikërisht në SHBA, do të përfaqësojë pa dyshim një tjetër çast përcaktues në jetën e asaj, e cila do të bëhej Kampione dhe Rekordmene e Botës, Nënkampione Olimpike, Kampione e Europës, por dhe bronz i Olimpiadës më 2004. Për asnjë sportiste deri atëherë shteti shqiptar nuk kishte bërë kaq shumë.
Ishte zbuluar dhe rritur në Shqipëri, ishte bërë këtu Kampione e Ballkanit, nënkampione e Europës për juniore, finaliste në dy kampionate botërore (juniore e të rritura) – të gjitha këto rezultate të drejtuara prej një trajneri shqiptar: Petrit Kërtusha, të cilin gjithashtu nuk di a e njeh sot dikush. Harresat e turpshme shqiptare, pra!
Petrit Kërtusha ishte njeriu, i cili do të fillonte me shtetin shqiptar një dialog jo pak të ashpër, duke kërkuar një ndihmë, një trajtim special për ta shndërruar Mirelën në atlete botërore. Autori i këtij shkrimi, në atë kohë anëtar i Këshillit Kombëtar të Sportit Shqiptar, është dëshmitar i një periudhe të një tensioni të lartë në kanceleritë e sportit në Tiranë me synimin për të krijuar një trajtim të paparë për një sportist në krejt historinë e Shqipërisë. Nuk ishte e lehtë. Shqipëria kishte vetëm dy vjet në demokraci dhe situata e re juridike, sociale, ekonomike e vendit ishte ende në hapat e para. Por më në fund trajneri i Mirelës triumfon dhe një vendim i jashtëzakonshëm, i posaçëm, arrin të bëjë të mundur trajtimin special për këtë margaritar të sportit shqiptar në tërësi. Ishte vërtet një përjashtim.
Dhe më 23 mars 1996, Mirela Manjani në një “meeting” në Alabama arrin rekordin shqiptar të shtizës me 62.46 metra! Shifër botërore natyrisht. Dhe shì në këtë çast magjik të saj, papritmas qe thënë që të mbyllej jeta sportive shqiptare, fama shqiptare e shqiptares Mirela Manjani.
I kishte lënë Shqipërisë së saj këtë skedë kaq të pasur historie:
MIRELA MANJANI
Lindur në Durrës (Shqipëri) më 21 dhjetor 1976 Historia e saj e pasur me Shqipërinë:
1990: 48.30 m. Rekord kombëtar NEN 14
1991: 54.86 m. Rekord kombëtar NEN 15-16
1993: 54.86 m. Rekord kombëtar NEN 17-18
1994: 57.20 m. Kampione e Ballkanit Juniore
1994: 56.62 m. Kampione e Ballkanit të Rritura
1994: 53.40 m. Finaliste (e 8-ta) e Kampionatit Botëror Juniore
1995: 55.56 m. Finaliste (e 12-ta) e Kampionatit Botëror (62.40 në kualifikim)
1995: 59.36 m. Kampione e Ballkanit Juniore
1995: 57.28 m. Nënkampione e Europës Juniore
1996: 59.90 m. Medalje Ari në “Bruno Zauli”
1996: 62.46 m. Rekord i Shqipërisë në Alabama
1996: 55.64 m. E 14-ta në Olimpiadën e Atlantas
Siç e kam thënë në kohën e duhur, nuk kam asnjë kompleks që të ashtuquajturës “tradhti” që i kanë bërë Shqipërisë sportistët e famës botërore Pirro Dhima, Luan Shabani e Mirela Manjani, t’i jap kuptimin nacionalist të tipit, “të izolimit të shkëlqyer” të Shqipërisë, siç ka përcaktuar dikur një historian i madh. Kjo, natyrisht, nuk më bën që nga ana tjetër, të mos jem kritik ndaj çdo mohimi nëse ata mund t’i bëjnë asaj çka bëri Shqipëria për ta. E, nga ana tjetër, si njohës i veprës së tyre falë profesionit që kam, nuk jam aq i ftohtë saqë arritjet e tyre të jashtëzakonshme të mos më emocionojnë, e madje si shqiptar, të më pengojnë për t’u ndier fort mirë e për t’i kujtuar përherë. Nëse bie fjala, shumë shqiptarë kërkojnë të përjetojnë krenari për shqiptarësinë e largët të Karl Gegës e të Arkitekt Kasemit, apo qoftë dhe të Aleksandër Moisiut, me emrin e të cilëve ka përkujtime të pashlyeshme, çka është me plotkuptim, ndihem më mirë kur këto ditë të nxehta gushti 2017, ditë të Kampionatit Botëror të Atletikës së Lehtë, t’u kujtoj shqiptarëve të mi, ngaqë e kanë harruar për bukuri, se atletika e Atdheut të tyre ka lindur, madje rritur një atlete të nivelit europian prej ku Greqia e ngjiti deri në Kampione të Botës, Nënkampione Olimpike dhe Kampione të Europës.
2.
Historia është vërtet kryefortë. Madje tejet. Kur më 8 gusht 2002, në Mynih të Gjermanisë, Mirela Manjani u shpall Kampione e Europës nën flamurin e Greqisë, pata shkruar këto fjalë:
“Askush, asnjë gazetë greke, as Federata Greke e Atletikës, nuk mund të më pengojnë të shkruaj se Rekordmenia e Shqipërisë, Mirela Manjani, u shpall më 8 gusht 2002 në Mynih, Kampione e Europës në hedhjen e shtizës për Greqinë, pjesëtare e ekipit kombëtar të së cilës është”.
E nëse e keni harruar, po ju kujtoj se shqiptarja Mirela Manjani e Shqipërisë dhe e Greqisë, edhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë rekordmene kombëtare e Shqipërisë në hedhjen e shtizës. Paçka se mund të ketë ndryshuar “anatomia” e shtizës. Shkoni e shihni anuarin e Federatës Shqiptare të Atletikës së Lehtë, këtë të vitit 2016 dhe do të shihni se sot e kësaj dite pra, deri në këtë muaj gusht 2017, Mirela Manjani mban edhe tre rekorde kombëtare të Republikës së Shqipërisë në hedhjen e shtizës: atë të moshave 13-15 vjeç, 15-16 vjeç dhe 18-19 vjeç.
Kështu pra… Në fillim Durrës, e mandej Sevilje, Sidnei, Edmonton, Mynih, Paris, Athinë – tashmâ ky “koleksion” tejet i pasur gjeografik, përmbledh simbolet e të vërtetës së një historie sensacionale shqiptaro-greke në atletikën botërore. Mirela Manjani ia pat arritur që, në katër vjet radhazi, për të katërtën herë po radhazi, të ngjitej në piedestalin e botës. Kampione e botës, Nënkampione Olimpike, Nënkampione e botës, Kampione e Europës dhe Rekordmene e Kampionatit. Për një kohë të shkurtër madje, edhe Rekordmene e botës! Asnjë shqiptar deri më sot nuk ka këtë arritje fenomenale në atë ku është më zor se në çdo sport tjetër: në “mbretëreshën” atletikë.
Kjo është vajza fenomenale – e cila u rrit dhe u formua në stadiumet e Shqipërisë dhe që asokohe të saj u përcaktua si një nga tri hedhëset e shtizës më të mira të Shekullit 20 të historisë së njerëzimit.
Për fat, kam qenë në tribunën e shtypit të Stadiumit Olimpik të Athinës atë 9 gusht 1997 gjatë Kampionatit Botëror dhe, ndërsa kam parë për herë të parë Mirelën nën fanellën e Greqisë, doemos, kam ndier një hidhërim. Në atë ditë olimpike, rezultati i saj ishte nën rekordin shqiptar, vetëm 61.02 metra, vendi i 11-të për Greqinë, por unë, ashtu si dhe të tjerë, ishim të sigurt se Greqia me shkollën e saj të shkëlqyeshme të shtizës, me Mirelën, e cila ishte një talent i jashtëzakonshëm, do të mbërrinte në majë. Çka u përpoq ta bënte edhe me shqiptaren tjetër të shtizës, Vojsava Likën – gjithashtu e ardhur prej “shkollës shqiptare”, nëse do të guxonim ta quanim “shkollë” – me të cilën Greqia u përfaqësua në tri Olimpiada rresht: Athinë 2004, Pekin 2008, Londër 2012.
Mirela Manjani është një kampione e përbotshme e dy shekujve. Ka nisur më 1999, ka vazhduar më 2000, më 2002, më 2003, më 2004…
Kampione e Europës kur është vetëm 26 vjeç! 1.65 cm shtatlartësi, 60 kilogramë peshë trupore – një qëndrueshmëri e rrallë për një atlete fenomenale nga Shqipëria. Siç e kam pas thënë me kohë, emri është gjithnjë aty, i skalitur për jetë: Mirela Manjani, lindur në Durrës më 1976 dhe rritur e formuar si atlete e nivelit botëror shì në Durrësin shqiptar mbi Adriatik, qyteti i Klestonit – kampionit antik të Olimpiadës. Sot e kësaj dite mbajtëse e 4 rekordeve kombëtare në hedhjen e shtizës për Shqipërinë: nga mosha 14 deri te të rriturat. Ndoshta është e vetmja atlete në botë që, në të njëjtën kohë, është Rekordmene Kombëtare për dy shtete, për dy kombe: Shqipërinë dhe Greqinë!
Për çudi, sot askush nuk guxon në Shqipëri t’i nderojë këta kampionë. Ndonëse nuk ka lënë të huaj pa nderuar, pa dekoruar. Deri dhe “qytetarë nderi” mû ku s’të shkon assesi ndër mend. Guxim shpeshherë i shfrenuar për disa të huaj, të cilët nuk kanë bërë asgjë madje për Shqipërinë. Ndërsa për kampionët që i kemi lindur, zbuluar e formuar ne vetë, asgjë! E, kjo më ngjason me rastin e kohës së izolimit komunist kur Riza Lushta e Naim Kryeziu, as që mendohej se mund të shkelnin një herë në Shqipërinë komuniste. Por sjellja e sotme është vërtet dramatike.
Dhe mendohet se e gjitha kjo ka të bëjë me një lloj qëndrimi të rreptë atdhetarie! Do ta quaja “pseudoatdhetari”. Atdhetari do të thotë të njohësh e të dish të përfitosh nga arritjet botërore të bijve tuaj. Në rastin tonë gjithçka është specifike. Siç e shihni, sportistë të shumtë po kalojnë në shtete të tjera, po i përfaqësojnë ata dhe po u japin lavdi atyre, pa asnjë kompleks. Shihni Zvicrën e futbollit. Një shumëkombëshe e tanë. Shihni dhe Gjermaninë “kombëtariste” e vjetër, edhe me futbollistë që vijnë prej kombësisë së Turqisë. Ndiqeni Kampionatin Botëror të Londrës 2017 dhe shihni se çfarë mpleksje e çmpleksje kombësish që ka.
Kësisoj, askush as mua (dhe askënd) nuk mund të më pengonte që të shkruaja fjalë për fjalë këtë përkufizim lakonik që kam rreshtuar më 2003:
“Rekordmenia e sotme e Shqipërisë, Mirela Manjani, u shpall më 30 gusht 2003 në Saint Denis të Parisit në Francë, Kampione e Botës për herë të dytë në hedhjen e shtizës për Greqinë, pjesëtare e ekipit kombëtar të së cilës është”.
Do ta përmbyllte podiumin e saj madhështor me këtë vit 2003, ndonëse një vit më vonë ajo do të ishte edhe bronzi i Olimpiadës së “Athinë 2004”. Pak e kishim dëgjuar për Mirelën gjatë vitit 2003, ndonëse në Kupën e Europës më 21 qershor ajo kishte mbërritur në 63.13 metra. Duket se punonte në heshtje për muaj tanë, për të shpërthyer në kohën e duhur në garat e mëdha. Ndonëse, siç thoshte asokohe komenti i IAAF, “asgjë nuk duket ta pengoje atë në një arenë të rëndësishme kampionati – një disiplinë që ndoshta buron prej profesionit të saj të oficeres detare”. Ishte fjala për profesionin “e jetës” që shteti grek ua blatonte përherë sportistëve të tij të mëdhenj.
Kujtoj ndërkaq, se qysh nga hedhja e parë, në garën e Saint Denis ajo ishte shkatërruese për kundërshtaret e njohura Shikolenko, Narius, Menendez, madje “madhështore” siç përcaktoi atë ditë komentatori i IAAF, duke mos u lejuar atyre as edhe një çast kryesimi. Kjo qe psikologjia e Mirela Manjanit, shpërthyese në hedhjen elegante të një stili të formuar qysh në Durrësin e Shqipërisë nga Klubi Sportiv Teuta e Durrësit dhe trajneri i saj shqiptar Petrit Kërtusha, ata që e lindën dhe formuan këtë margaritar të atletikës dhe sportit të botës së sotme moderne së cilës ajo sapo i rrëmbente edhe një triumf tjetër, atë të titullit botëror 2003: Manjani 66.53 metra, Shikolenko e Rusisë 63.28 metra.
Ky ishte apogjeu i Mirela Manjanit, e cila, siç asokohe përcaktoi IAAF, “ka një krah hedhes të shpejtë e të fuqishëm, por edhe flokë të gjatë të verdhë dhe tipare helenike prej një perëndeshe të Olimpit, përveç vendlindjes shqiptare. Personifikim i forcës dhe bukurisë”.
Nuk e harroi IAAF tejet i vëmendshëm, shqiptarësinë e saj.
Mû në këtë çast parisien të saj të Saint Denis përmblidhej dhe historia e saj e lavdishme greke:
MIRELA MANJANI: historia madhështore me Greqinë:
1999, Sevilje: 67.09 m. Kampione e Botës (Rekord Botëror)
2000, Sydnei: 67.51 m. Nënkampione Olimpike
2001, Edmonton: 65.78 m. Nënkampione e Botës
2002, Munich: 67.47 m. Kampione e Europës
2003, Paris, S. Denis: 66.52 Kampione e Botës
2004, Athinë, 64.29 Bronz në Olimpiadë
Kjo “histori greke” përfaqëson një nga historitë më të rralla të kësaj gare të Greqisë së lashtë, e cituar deri prej një Homeri dhe Taciti. Ishim dëshmitarë të një qëndrueshmërie të rrallë për një atlete fenomenale nga Shqipëria.
M’u desht kështu, të bëj edhe një herë detyrën përkujtuese të kësaj rekordmeneje aktuale të Republikës së Shqipërisë, detyrën e fiksimit të kësaj historie. Edhe ngaqë dihet se nuk bëj pjesë në turmën e gazetarëve të vendit tim, të ri apo të vjetër qofshin, të cilët kurrë nuk e kujtojnë këtë fenomen të atletikës botërore, pra as në ditët e Kampionatit Botëror të Atletikës së Lehtë “Londra 2017”, ku Shqipëria nuk ia arriti të marrë pjesë.
Historia nuk bëhet me nacionalizma të sëmura, as me krenarina boshe, as me pasione e urrejtje çfarëdoqofshin ato, por bëhet me shpirt atdhetar, me besnikërinë e tregimit të ngjarjeve, me data e emra, me episode e të vërteta si këto të Mirela Manjanit, që u bënë disa vite bukur të mira, për të cilën askush në Shqipëri nuk ia përmend emrin.
Dihet, njëanshmëria është armike e gjykimit të vërtetësisë historike. edhe për këtë rikujtova këtu si bashkim me Kampionatin Botëror “Londra 2017”, historinë e harruar në Shqipëri të Mirela Manjanit. Sidomos për shqiptarët e sotëm 20-vjeçarë a më të rinj, të cilët sapo kishin lindur apo nuk kishin lindur, kur më 1999 ajo u bë për herë të parë Kampione e Botës…
O Mister Besnik Dizdari!
cfare Petrit Kertusha thoni you ketu ne artikullin tuaj?
Une nuk kam stervitur vetem Mirela Manjanin por kam stervitur
dhe Vojsava Liken nga e cila ka mesusr shume dhe Mirela per hedhjen e shtizes.
Mos harro se Vojsava ka dale ne vend te peste ne bote per te rritura ne Japoni
me rezultatin 63m48cm.
Petrit Kertusha ishte ne Itali gjoja per te ngritur nivelin e hedhjes se shtizes
per femra atje ku ai pergatiti dhe vajzen e tij Bjanken qe nuk e hodhi shtizen
as ne kufirin e 36m. Po keshtu dhe vajzat e tjera Italiane e hodhen shtizen me pak se Bjanka.
Une kam shume respect per nje hedhese te talentuar Italiane Ms. Anna Stropolo
nga Udineze ku ne vitin 1991 Une i kam derguar nje leter dhe nje fotografi timen
me nje pozicion te shkelqyer te hedhjes se shtizes.
Kisha shume deshire qe te shkoja ne Itali bahske me Mirela Manjanin
qe te stervitja dhe Ana Stropolon e cila ne ate kohe ajo ishte 16 vjece
dhe e hidhte shtizen ne nivelin e 57m.
Se shpejti isha ne Durres dhe takova me professor Rauf Kazazin po aty
takova dhe me hedhesit e shtizes si me Esat Kryeziun. me Llesh Vuksnain,
me Nevruz Sheshin te cilet po interesoheshin per nje pension si sportiste kampione
dhe rekordmene te gares se bukur te heshjes se shtizes per meshkuj Ne Shqiperi.
Pyeta Lleshin edhe per ju dhe i thashe qe te coje te fale prej meje
qe si gazetar mirefillte sporti me ka lavderuar dhe me ka permendur per te mire ne artikuj e tij.
Mos harroni se se une Veri kam qene nje sportiest i talentuar shume
ku kam thyer dhe pase rrekordet e moshave 15-16vjec per djem ne garat
e hedjes se shtizes, ne garen kercim se gjati dhe ne garen Decathlon (dhjetegaresh).
Urimet me te mira prej meje te gjithe shokeve te mi si dhe sportisteve, atleteve,
trajnereve te sportit.
Gjithashtu urimet me te mira Shqiperise dhe Shqiptareve kudo ku jane ne Shqiperi dhe ne bote.
Ju Faleminderit.
Me Respekt,
ENVER *MYSJA
P.E TEACHER AND COACH IN THE USA!
TEL: !-615-883-9022
Ndihem i fyer nga ky shkrim i Besnik Dizdarit.
Historia e Pirro Dhimes, Luan Shabanit dhe e Mirela Manjanit jo vetem nuk eshte madheshtore por eshte e turpshme. Keta sportiste u pergatiten per ato nivele nga trajneret shqiptare dhe shkuan te konkurrojne per nje shtet qe jua nderroi emrat , kombesine dhe medaljet e tyre jane jo medalje kompionesh por medalje tradhetaresh. Pirro Dhima thote eshte grek kur te gjithe e dine qe nuk eshte i tille por eshte shqiptar gjakprishur sic eshte Vasil Bollano apo Stavri Marko nipi i Petro Markos. Luan Shabanit nuk i mjaftoi sherbimi qe i beri Greqise si sportist por komplotoi duke futur doping ne dietat sportive te peshngritesve te vendit te tij te lindjes shume vite me vone kur ishte harruar si sportist. Daniel Godelli eshte shembull i gjalle qe ka vuajtur nga ky gjakprishur. Mirela Manjani u be sportiste e atij niveli ne Shqiperi po iku duke nderruar emrin. TURP
Une respektoj vendimin e shqiptareve qe jane bere sportiste ne vendet ku kane lindur apo jane rrite te garojne per ata vende se jane ne te drejten e tyre dhe te Zotit ta bejne nje gje te tille apo ja fal edhe Sait Prizrenit se ka konkuruar me emrin e tij pa e mohuar per asnje çast origjinen dhe kombesine e tij.
Keto historite e tyre qe permendni ju jane histori qe neve shqiptareve na bejne per te vjelle. Imagjino çfare shembulli gazetarie duhet te marrin gazetarèt e rinj sportive.
Shkrimi juaj te them zhgenjyes eshte shume pak ta thuash….
Arber,
Mirela nuk ka bere ndonje gabim sepse
asaj atje ne Greqi i doli fati qe te martohej me Jorgo Xhelilin.
Po te tregoj kuptimin e fjales Arber qe do te thote *MYSJA
ose ne Greqisht do te thote MYSIA!
Mysja ose Areberia (sot Albania) ka qene siperfaqe toke shume e madhe
e cila shtrihej ne Serbi, ne Greqi dhe ne Itali.
Mysja apo Arberit e atehershem kane cilivizuar dhe Europen.
Me Nderime
Veri!
Eshte me mire qe zoti Besnik Dizdari ti bej edhe nje interviste Mirela Manjanit
ku te shohim se cfare do te na thote ajo vete.