Në raportin e Këshillit të Evropës të botuar më 27 prill për mbrojtjen e lirisë së mediave nga kërcënimet, paditë SLAPP shihen si taktikë e zakonshme kundër mediave të pavarura the thekohset se “Zakonisht, prokurorët i kërkojnë gjykatës që të detyrojë gazetarët dhe mediat të heqin publikimet, të kërkojnë falje, të publikojnë korrigjimin dhe të angazhohen që të mos raportojnë për një temë të caktuar në të ardhmen.”
Është karakteristike se, përgjithësisht, zyrtarët socalistë, njerëzit e politikës në biznese, nuk parapëlqejnë të bëjnë përgënjeshtrime ndaj kritikave që iu bëhen në media. Ata i bien shkurt, drejt e në thelë, ngrenë padi ndaj autorëve të kritikave.
Gazetarët Likmeta dhe Bogdani e fituan në shkallën e parë gjyqin ndaj Mërtirit, dy vjet pasi ai e kishte bërë padinë. Nuk jam në dijeni nëse Mërtiri e vazhdon gjyqin në shkallët e tjera. Por është e kuptueshme se në vendimin gjyqësor për gazetarët ka ndikuar fakti që Mërtiri prej muajsh ishte në kërkim nga drejtësia shqiptare pikërisht për incineretorët. Në të tjera rrethana, ka shumë mundësi që ata do të vazhdonin edhe për vite të tjera në përballje me SLAPP-in e incineratoristit.
Mërtiri nuk është vetëm përdorues i SLAPP-eve ndaj gazetarëve. Ai është edhe organizues i fushatave denigruese ndaj mediave që publikojnë fakte për rolin e Mërtirit në këtë skandal me pasoja të mëdha.
Hashtag.al shkruan se Mirel Mërtiri “zhvilloi një fushatë agresive në media vitin e kaluar kur paralajmëroi se do të kallëzonte për shpifje median Reporter.al dhe CNA, pasi këto të fundit publikuan disa të dhëna mbi implikimet e tij në biznesin e inceneratorëve në Shqipëri si dhe mbi një skandal prokurimesh në kontinentin Afrikan.”
I cilësuar si “oktapod i interesave”, Mirel Mërtiri konsiderohet në media si një mjeshtër i ndërthurjes së interesave, sidomos në trekëndëshin Qeveri-Biznes-Gjyqësor. Sipas Hashtag.al, nga mesi i viteve 2000, kur nga Fieri ai erdhi në Tiranë ku njihej me nofkën ‘Klodi i internetit’.
Mireli del diku ortak me një shtetas italian nëpërmjet bashkëjetueses së tij, nënës së fëmijëve, Stela Gugallja. “Mirel Mërtiri ka operuar në ministrinë e Energjetikës në periudhën 2013-2018 si një Zot i saj. Të vëllanë e kishte drejtor në Albpetrol në drejtorinë kyçe të Tranagatit. Shokun e ngushtë Endri Puka e kishte drejtor të Albpetrolit, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Energjitikës, shtetasi Koli Bele, ishte një tjetër aset i afërt dhe në dispozicion të Mërtirit,” shkruan më tej Hashtag.al. Kështu, krahas emrit Mirel Mërtiri, del emri i vëllait Ervin Mërtiri, emri i prokurores Mariola Mërtiri, kunatë e tij. (“Në vitin 2009, Mirel Mërtiri u lidh fort me Dritan Priftin dhe të dy u dyshuan për bashkëpunim në një tender të majmë për matësat elektronikë të ujësjellësit të Fierit. Kur drejtori pasardhës i ujësjellësit vendosi anulimin e këtij tenderi, ndaj tij u hap çështje penale. Dhe cili ishte prokurori që do hetonte drejtorin problematik? Ishte zonja Mariola Mërtiri, kunata e Mirel Mërtirit. E njëjta prokurore dy vite më parë, hapi një tjetër procedim penal ndaj biznesmenit Isuf Berberi, ndërsa ky i fundit ishte në gjyq me Albpetrolin në konflikt me klanin ‘Gjiknuri’ dhe sidomos me ish-drejtorin e Albpetrolit, Endri Puka.” citim nga Hashtag.al)
Sa më shumë të thellohesh në enigmën Mirel Mërtiri, aq më shumë zbërthehet skema nepotike e tij (vëllai, kunata, ish gruaja, bashkëjetuesi italian i ish-gruas) dhe më tej skema e personazheve, një pjesë e madhe e të cilëve, si vetë Mërtiri, me në krye ish zëvendëskryminiestrin, ish ministrin e Ekonomisë, ish ministrin e Financave Arben Ahmetaj, janë larguar nga Shqipëria kryesisht pak përpara se të shpalleshin në kërkim. Dhe ndodhen në Diasporë.
Kjo skemë shkon deri te Edi Rama. Kur Kryeministri deklaronte, si gjithë të tjerët, se nuk ka lidhje dhe se nuk i njeh Klodian Zoton dhe Stela Gugallen, gjatë ballafaqimit me Komisionin Parlamentar Hetimor për Incineratorët, Belind Këlliçi ia nxori videon që e tregon Ramën mes tyre.
Madje, opozita, në një deklaratë të zëdhënëses së saj, më 16 nëntor 2022 theksoi se SPAK i shërbeu sot publikut fiaskon e radhës, të cilën u mundua ta mbulonte me 11 urdhër-arreste, pasi kokat e vërteta janë Engjëll Agaçi, Erjon Veliaj, Arben Ahmetaj dhe Edi Rama, duke e quajtur Mirel Mërtirin presta nome të Edi Ramës në aferën e inceneratorëve.
Skemat nëpërmjet të cilave përshfaqet figura e inceneratoristit Mirel Mërtiri na i zbërthen skemat e gjithë emërtesës së sotme të Edi Ramës, kudo që ai shtrin pushtetin dhe na i kujton skemat e dikurshme të emërtesës së Enver Hoxhës.
Edhe prapa SLAPP-eve të Mirel Mërtirëve qëndron Edi Rama.
Por si përballet sot shoqëria perëndimore me dukurinë e SLAPP-eve?