Asnjëherë nuk më ka shkuar mendja se kufiri mes miqësisë dhe armiqësisë është aq i hollë! E kam dëgjuar të thuhet se “miqësia e interesit është sikurse vesa e mëngjesit”, por, nuk kam dashur të besoj se është kaq i ngushtë dallimi mes miqësisë dhe armiqësisë!
Sa më afër që i afrova aq më fuqishëm më goditën “miqtë e mirë”
Asnjëherë nuk ia fali vetes gabimin që i kam pranuar aq lehtësisht disa njerëz në jetën time! M’u paraqiten si miq dhe si dashamirë, por, vërtetë qenka e vështirë t’i shohësh “miqtë” për një moment të dalin në anën e kundërt apo kundër teje!
Miku i interesit në momentin që i humbet ajo që kishte planifikuar për të realizuar përmes teje, të largohet sikur të mos kishte ekzistuar fare.
Kam heshtur edhe atëherë kur nuk është dashur të heshtë, vetëm e vetëm për t’a ruajtur miqësinë! Kam heshtur edhe kur më kanë gënjyer miqtë pa pikë fyre dhe pa fijen e turpit!
Megjithatë unë kam luftuar me veten time që t’i mbajë afër njerëzit duke besuar që janë të mirë!
Por, sa ja vlejti mirësia ime ndaj tyre?
Përgjigja është, aspak dhe asgjë!
Tani e tutje do ta kem të vështirë t’i besoj dikujt pa e njohur mirë.
Nuk kanë thënë kot të vjetrit, “pa e hëngër një thes krypë bashkë me dikë mos i thuaj mik”!
Pse është thënë kështu, sepse të pakët janë ata njerëz që i qëndrojnë besnik miqësisë!
Pas tradhtisë që më bënë disa “miq të mirë” virtual, e konsideroj që më mirë është të qëndrojë vetëm 24 orë sesa t’i besoj çdo kujt!
Në këtë moment po më dalin përpara fjalët e gjyshës sime të ndjerë: “besnik banu e besë mos i nxënë çdo kujt, se jo të gjithë ata që të paraqiten si dashamirë i ke miq në jetë”.
Jeta është e shkurtër për të vrapuar pas të tjerëve, dhe tani kam filluar të eci me hapa akoma më të sigurt drejt të ardhmes e jo drejt njerëzve të pavlerë. Ne që jemi mësuar të ecim vetëm e kemi të lehtë të vazhdojmë rrugëtimin, kurse ata që janë mëuar të vrapojnë pas të tjerëve, do të mbeten duke vrapuar tërë jetën sikurse dhelpra pas k… të dashit!
Miqësia dhe armiqësia janë dy binar paralel që nuk përputhen asnjëherë!