Pas gati 1 orë punime, ka përfunduar samiti në nder të Ukrainës, që po mbahet në Tiranë.
Pas daljes nga salla e Pallatit të Kongreseve, liderët bënë një foto familjare.
I pari që ka folur në samit ka qenë kryeministri Rama, i cili tha se lufta nisi nga një ëndërr e vjetër perandorake, ku presidenti rus Putin synonte fshirjen e Ukrainës nga harta.
Ndërkohë presidenti i Ukrainës Zelensky ka propozuar krijimin e një forumi të posaçëm për industrinë e mbrojtjes mes vendit të tij dhe Ballkanit.
Përditësim minutë pas minute:
13:08/ Mbi një orë punime, përfundon Samiti për Ukrainën në Tiranë
Pas gati 1 orë punime, ka përfunduar samiti në ndër të Ukrainës, që po mbahet në Tiranë. Pas daljes nga salla e Pallatit të Kongreseve, liderët bënë një foto familjare.
12:00/ “Po përcaktohet rruga që do ndjekë Europa në brezat e ardhshëm”, Zelensky në Samitin për Ukrainën në Tiranë: Regjimi i Putinit duhet të humbasë
Presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky ka falenderuar kryeministrin Edi Rama për ndihmën e tij personale dhe ndihmën e Shqipërisë që nga nsiaj e luftës nga Rusia.
Ai tha se kjo është koha kur po përcaktohet rrugëtimi që do ndjekë Europa në brezat e ardhshëm, ndërsa ka shtuar se regjimi i Putinit duhet të humbasë.
Sipas tij, presidenti rus kërkon që diktatet e vjetra të vendosin se çfarë duhet të bëjnë kombet.
Zelensky: Falenderoj Ramën për mbështetjen tuja personale dhe kombëtare. Është hera e dytë që takohemi në një format të tillë, i pari në Athinë. Vlerësoj mikpritjen dhe mundësinë për të diskutuar si mund të fuqizojmë të gjithë Europën. Tani po përcaktohet rrugëtimi që do ndjekë Europa në brezat e ardhshëm.
Putini, gjithçka që ai bën është një përpjekje që diktatet e vjetra të vendosin se çfarë duhet të bëjnë kombet. E rëndësishme për shtetet tona të lira që regjimi i Putinit të humbasë.
Vizioni ynë për Europën bazohet tek parimi i dinjitetit. Nuk duhet të ketë Europë me dinjitete të ndryshme në të.
Ne besojmë se respekti për çdo komb dhe e drejta për të pasur siguri duhet të jenë parime universale. Të gjitha këto përmes bashkëpunimit tonë. Ne besojmë se çdo shtet në BE që ruan parimet e komunitetit evropian dhe dëshiron të bëhet anëtar i komuniteteve meriton anëtarësimin e plotë. Ukraina mbështet përpjekjet tuaja për integrimin evropian dhe u jemi mirënjohës për mbështetjen që na jepni neve për integrimin evropian. Ne të gjithë meritojmë të jemi pjesë e komuniteteve evropiane dhe euroatlantike.
Gjatë kësaj lufte ne kemi vërtetuar se është e mundur t’i bësh ballë dhe të fitosh mbi një armik që duket si një nga më të fortët në botë. Çdo komb mund t’ia dalë përmes bashkëpunimit mes vendeve. Ne propozojmë që këto përpjekje tonat të gërshetohen dhe të fuqizohen. Jemi krenarë që kemi rreth 500 kompani në fushën e mbrojtjes që operojnë në Ukrainë, por kjo nuk mjafton të fitojmë mbi Putinin. Ne shohim probleme në ofertën sa i përket municioneve, ndaj jemi të interesuar në bashkëprodhimi ne municioneve me ju. Ekipi ynë do të prezantojë detajet dhe propozojmë që të organizohet një forum i posaçëm për industrinë e mbrojtjes mes Ukrainës dhe Ballkanit
12:00/ Nis Samiti për Ukrainën, Rama: Lufta nisi nga një ëndërr e vjetër perandorake. Putin donte të fshinte Ukrainën nga harta, por…
Kryeministri Edi Rama, si i zoti i shtëpisë, ka hapur sot punimet në samitin për Ukrainën që po mbahet në Tiranë. Kreu i qeverisë shqiptare foli për një të ardhme të përbashkët, ku fokusi është te paqja.
Ai tha se lufta si një ëndërr e vjetër perandorake dhe se Putin donte që të fshihte Ukrainën nga harta.
Rama: Jemi thellësisht të nderuar që Zelensky bëri udhëtimin në Tiranë mes punës dhe qëndresës ndaj luftës në Ukrainë. Kjo është një luftë që as Ukraina e as bashkësia e Kombeve nuk e zgjodhën, një katastrofë e ngjizur nga një ëndërr e vjetër e një ëndrre perandorake. Prania juaj këtu, kujtesë që ai nuk ia ka dalë, nuk ka shtypur vullnetin e popullit ukrainas të jenë të lirë. Putini donte të fshinte Ukrainën nga harta brenda disa ditësh, por sot ajo është më e pranishme se kurrë.
Sapo kemi kaluar përvjetorin e dytë të sulmit rus në Ukrainë. Duam të përtërijmë thirrjen tonë për Rusinë të ndalë këtë luftë dhe të angazhohemi për paqen. Një paqe që respekton Ukrainën dhe të drejtat e saj. Mblidhemi këtu për të konfirmuar se mbetemi të vendosur përkrahë Ukrainës përballë një kërcënimi real për rendin e Europës dhe atë global.
E them herë pas here, mikut tim të dashur, presidentit ukrainas, vetë nuk kemi kapacitetet për të ofruar mbështetjen financiare e ushtarake për Ukrainën, por I bashkohemi thirrjes për pjesëtarët më të mëdhenj të aleancës sonë se siguria jonë varet nga mbështetja e tyre, e cila nuk duhet të jetë peng i vonesave burokratike. Në këtë rajon, pas më shumë se një çerek shekulli brenga të lëna nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe dikaturës së fundit të Europës ende duhen shëruar.
E vetmja zgjidhje që kemi është të rezistojmë ndaj forcave që duan të shpërbëjnë atë që kemi ndërtuar deri tani. Duhet të vazhdojmë të gjithë të jemi së bashku dhe të mobilizojmë lidhjet dhe kapacitetet tona. Nuk duhet ta lëmë Ukrainën të humbasë dhe Rusinë të fitojë. Një rezultat i tillë do të ishte i papërballueshëm dhe ekzistenca e BE do ishte në rrezik.
11:50/ Bashkëdrejtues Rama dhe Zelensky, nis në Tiranë Samiti për Ukrainën
11:23/ Samiti për Ukrainën, Vuçiç mbërrin në Pallatin e Kongreseve, pritet nga Rama dhe Zelensky
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka mbërritur në Pallatin e Kongreseve, ku është pritur nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky.
Serbia është i vetmi shtet në rajoni që nuk pranon të vendosë sanksione për Rusinë, e cila prej dy vitesh ka pushtuar Ukrainën.
“Ne kemi disa propozime për deklaratën, do të shohim… E vetmja gjë që mund të them është se do t’i përmbahem parimeve të miratuara nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Republikës së Serbisë dy vjet më parë”, u tha Vuçiç gazetarëve
11:13/“Do të jemi këtu deri në fitoren e Ukrainës”, Vjosa Osmani para Samitit në Tiranë: Do të kërkojmë njohjen e Kosovës, përballje me Vuçiç për…
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka mbërritur në Tiranë për zhvillimin e Samitit për Ukrainën.
Osmani është takuar me Presidentin ukrainas Zelensky dhe kryeministrin Rama, ndërsa ka thënë për mediat se në samit do të shprehet mbështetja për Ukrainën duke folur për hapa konkretë.
Ajo u shpreh se do të kërkojë edhe njohjen e Kosovës nga Ukraina, por me mirëkuptimin se Ukraina është në një situatë lufte dhe se njohja do të vijë pas fitores së Kievit.
Po ashtu, e pyetur mbi ballafaqimin e mundshëm me delegacionin serb apo presidentin Vuçiç, ajo tha se gjithmonë ka pasur ballafaqime me palën serbe.
Osmani: Ka shumë rëndësi sepse do kemi mundësi që si aleatë në vlera të japim gjithë mbështetjen tonë për Ukrainën siç kemi bërë nga dita e parë e agresionit të paprovokuar rus. Këtë do ta bëjmë edhe më tej. Sot në samit do të flasim për hapa konkretë.
A do të kërkoni njohjen e Kosovës nga Ukraina?
Osmani: Këto janë çështje bilaterale, do ta bëjmë një kërkesë të tillë me mirëkuptimin e plotë se Ukrainë është në situatë lufte dhe jam e bindur se ai moment do të vijë me fitoren e Ukrainës.
A do të ballafaqoheni me presidentin serb?
Osmani: Gjithmonë kemi ballafaqime me ta.
11:05/Minutë pas minute/ Sot në Tiranë Samiti për Ukrainën, Rama dhe Zelensky në tapetin e kuq, presin mbërritjen e mysafirëve te Pallati i Kongreseve
Kryeministri Edi Rama pret para Pallatit të Kongreseve mbërritjen e liderëve për pjesëmarrjen në Samitin e Ukrainës. Së bashku me Ramën në tapetin e kuq është edhe presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky bashkëorganizator i samitit.
10:40/Samiti për Ukrainën, eskorta e Aleksandër Vuçiçi mbërrin në Tiranë
Pamjet që shihni tregojnë momentin kur në Tiranë vjen eskorta e presidentit Alekesandër Vuçiç.
Makina të shumta policie shoqërojnë eskortën e presidentit serb, i cili do të marrë pjesë në samitin në nder të Ukrainës.
09:23/ Rama dhe Zelensky firmosin Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Ukrainës
Në kuadër të Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore” dhe vizitës së Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky në Tiranë u nënshkrua sot “Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës”, nga Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky.
Traktati i shërben konsolidimit të miqësinë mes dy vendeve dhe popujve, përmes zgjerimit dhe forcimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë.
Në nisje të ceremonisë së nënshkrimit, Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky i dorëzoi Kryeministrit Rama Urdhërin e Princit Jaroslav i Urti, për kontributin e jashtëzakonshëm personal, gjithashtu edhe për mbështetjen.
Shqipëria është renditur që në krye të herës përkrah vendeve mbështetëse të Ukrainës dhe luftës së saj të drejtë në mbrojtje të popullit ukrainas, – duke luajtur një rol të rëndësishëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të fituar mbështetje diplomatike për Ukrainën, si dhe duke vendosur theksin te nevoja thelbësore për një veprim efektiv shumëpalësh, si metoda më e mirë për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta, në mënyrë të vecantë, të paqes e sigurisë.
09:03/ Nis takimi kokë më kokë mes Ramës dhe Zelenskyt
Kryeministri Edi Rama e ka pritur presidentin Zelensky në hyrje të Kryeministrisë, për të nisur një takim kokë më kokë mes tyre. Pasi kanë shtrënguar duart, Rama i ka uruar mirëseardhje Zelenskyt dhe më pas, bashkë me stafin që e shoqëron presidentin ukrainas, janë futur në Kryeministri.
08:49/ “Rama, mik i pakompromis i Ukrainës”, Zelensky për vizitën në Tiranë: Në samit do të flasim për rrugën e përbashkët drejt qëllimit euroatlantik
Teksa ndodhet në Tiranë, ku pritet të takohet pas pak minutash me kryeministrin Edi Rama dhe më pas t’i bashkohet samitit në nder të Ukrainës, vjen një mesazh nga presidenti Zelensky. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Zelensky thekson se është në Tiranë, ndërsa e cilëson Ramën një mik të pakompromisë të Ukrainës.
Postimi:
Sot ndodhem në Tiranë. Do të takohem me Edi Ramën, një mik të pakompromis të Ukrainës dhe do të marr pjesë në samitin “Ukrainë – Evropë Juglindore”.
Ne do të zhvillojmë negociata me Kryeministrin e Shqipërisë dhe ekipin e tij për bashkëpunimin në mbrojtje dhe politikë, mbështetjen për Formulën e Paqes dhe punën për marrëveshjet e sigurisë. Shqipëria është një nga vendet që iu bashkua Deklaratës së Vilniusit të G7, për të cilën jemi shumë mirënjohës.
Në samitin “Ukrainë – Evropë Juglindore”, i cili mbahet për herë të dytë, do të flasim për rrugën tonë të përbashkët drejt qëllimit euroatlantik. Unë ofroj të mbështes përpjekjet e Ukrainës për të siguruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, organizimin e Samitit Global të Paqes në Zvicër.
Do të zhvilloj takime dypalëshe me pjesëmarrësit e samitit.
08:35/ “1500 vite bukuri e pathyer”/ Posta Shqiptare nxjerr pullën postare në nder të Ukrainës, të ardhurat në ndihmë të luftës
Në nder të vizitës së presidentit të Ukrainës Volodymir Zelensky në Tiranë, pullën postare kushtuar Ukrainës. Në pulla paraqiten dy vajza Ukrainase, nën dixhiturën: Ukraina, bukuri e pathyer për më shumë se 1500 vite.
Të ardhurat nga shitja e pullave postare do të shkojnë për mbledhjen e fondeve me qëllim sigurimin e pajisjeve të demontimit.
08:24/ “Rroftë Ukraina”, ministri Kuleba përshëndet në shqip nga Tirana: Mirënjohës për mbështetjen! Rusia të mbahet përgjegjës për krimet e luftës
Ministri i jashtëm Igli Hasani po mban një konferencë të përbashkët me homologun e tij ukrainas Dmitro Kuleba.
Kuleba: Është mirë të jesh në Tiranë si pjesë e delegacionit që shoqëron presidentin Zelensky. Samiti tregon se sa vlerësim gëzon Shqipëria në rajon.
Sot diskutuam bashkëpunimin dypalësh, Shqipëria mike e mirë e Ukrainës, dua ta falenderoj për ndërmarrjen humantiare për rehabilitimin e fëmijëve ukrainas prindërit e të cilëve janë vrarë në luftë. Çdo mbështetje është e vlerësuar.
Më kujtohet me mirënjohje mandati i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe mënyra si keni marrë pjesë në diskutimet për Ukrainën.
Informova ministrin për situatën në front dhe sulmet me dronë e raketa. E rëndësishme që Rusia të mbahet përgjegjëse për krime te agresionit dhe krimet e luftës.
Pritshmëritë tona është që një nga rezultatet e samitit të Uashingtoonit do jetë që Ukrainë do të jetë një hap më pranë anëtarësimit.
Të dashur miq, rroftë Ukraina!
08:21/ “Mbështesim sovranitetin e Ukrainës”, Hasani në krah të homologut Kuleba: Po punojmë për hapjen e ambasadës shqiptare në Kiev
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka dalë sot në një deklaratë të përbashkët për media me homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba.
Hasani: Nder i veçantë të kemi sot mes nesh në Tiranë pranishëm Ministrin Kuleba, Ministër i Jashtëm i Ukrainës, në një moment kur vendi i tij është nën një sulm të paprecedentë dhe të pajustifikuar që prej dy vitesh nga Federata Ruse. Shqipëria mbështet sovranitetin, lirinë, pavarësinë, tërësinë territoriale të Ukrainës.
Shqipëria dënon me forcë agresionin rus ndaj Ukrainës dhe do të vijojë përpjekjet për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për krimet e kryera në Ukrainë. Shqipëria mbështet Planin me 10 Pika të Presidentit Zelenski, si mundësia më realiste për dhënien fund të luftës dhe arritjen e një paqeje të qëndrueshme. Së bashku me aktorë dhe vende të tjera, kemi marrë tashmë angazhimin për bashkëpunim në realizimin e Pikës 5 që Ka të bëjë me “Rivendosjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Ukrainës”, si një nga objektivat më imediatë të përfundimit të luftës.
Jemi në koordinim të plotë me të gjitha vendet tona partnere dhe aleate për përballimin e situatës në mbështetje të plotë për Ukrainën. Për më tepër, Shqipëria e ka vendosur si përparësi të punës së saj trajtimin e situatës në Ukrainë dhe dënimin e agresionit rus, në të gjitha forumet ndërkombëtare, siç kemi bërë gjatë periudhës dy-vjeçare në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, siç po veprojmë në kuadër të anëtarësisë tonë në KDNJ, apo edhe organizmat rajonale, ku këtë vit kemi edhe kryesimin e nismave të BSEC, CEI, Karta e Adriatikut. Pas përfundimit të detajeve ligjore e financiare, jemi në fazën e përgatitjeve teknike për hapjen e Ambasadës së Shqipërisë në Kiev, duke mbajtur në vëmendje edhe situatën e sigurisë në kryeqytetin e Ukrainës, por shpresojmë që inaugurimi të ndodhë në Pak muajt e ardhshëm.
Kemi zhvilluar bisedë të sinqertë e konstruktive për marrëdhëniet e mira e pozitive që ekzistojnë midis dy vendeve tona, si edhe kemi folur për rrugët e mënyrat e çuarjes së tyre përpara, me qëllim forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Ukrainës. Më lejoni të nënvizoj disa aspekte në këtë drejtim: Kemi folur për ndihmën ekonomike e financiare që Shqipëria mund të ofrojë për përballimin e situatës në Ukrainë, por edhe për rindërtimin e saj, që shpresojmë të ndodhë sa më parë, pa asnjë vonesë; Kemi diskutuar për mënyrat e rritjes së bashkëpunimit ekonomik, pasi këto marrëdhëniet duhet të ngrihen në nivelin e atyre marrëdhëniet të shkëlqyera politike që ne kemi. Ekzistojnë mundësitë që shkëmbimet tregtare, edhe pse në të tilla kushte të jashtëzakonshme, të marrin një dimension të ri në rritje;
Jemi të lumtur për avancimin e Ukrainës në rrugën e saj pro-evropiane dhe urojmë që vendimi i Këshillit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të shtrojë rrugën për nisjen e tyre sa më parë. Jemi të gatshëm që të ofrojmë edhe përvojën tonë të deritanishme në këtë proces. Shprehim bindjen se me rrugën e saj euroatlantike, Ukraina është e vendosur që e ardhmja e saj të jetë në krah të demokracisë, lirisë dhe vlerave evropiane. Dhe së fundi, uroj që Samiti i përbashkët midis vendeve të Evropës Juglindore dhe Ukrainës që fillon pas pak çastesh, i pari i këtij formati dhe që kemi nderin ta zhvillojmë në Tiranë, të jetë frytdhënës dhe të ofrojë perspektiva të reja për të ardhmen e Ukrainës dhe popullin të saj.”, tha Hasani.
AGJENDA
E mërkurë, 28 shkurt
09.00 – Presidenti Zelenskyy do të mikpritet nga Kryeministri Rama, në Kryeministri.
Mediat do të kenë akses në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Këshillit të Ministrave.
09.05 – Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Presidentin e Ukrainës Zelenskyy.
9.30 – Takimi bilateral mes dy delegacioneve.
Pamjet dhe fotot e takimeve do të shpërndahen për median në kanalet zyrtare të komunikimit dhe platformat e tjera sociale.
10.10 – Firmosja e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Ukrainës
Transmetim i drejtpërdrejtë në kanalet zyrtare të komunikimit dhe në platformat sociale
11.00 – Doorstep dhe mbërritja e liderëve ( Pallati i Kongreseve)
Akses të gjithë mediat, përpara Pallatit të Kongreseve
11.30-Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy do të mbajnë fjalët hapëse të Sesionit.
Transmetim i drejtpërdrejtë në kanalet zyrtare të komunikimit dhe në platformat sociale
13:00 – Foto Familjare
Të gjitha mediat
13.30 – Kryeministri Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy do të mbajnë një Konferencë të përbashkët për shtyp.
(BalkanWeb)