Intervistë me gazetaren Adelheid Wölfl për gazetën austriake “Der Standard”
Ministrja e Jashtme e Kosovës: “Perëndimi nuk dëshiron as të dëgjojë e as të shohë”
Donika Gërvalla-Schwarz kërkon që Perëndimi të ndryshojë strategjinë e tij, të dërgojë të tjerë diplomatë në Ballkan dhe të mbajë një qëndrim më të fortë ndaj Serbisë.
Intervistë me Adelheid Wölfl
21 qershor 2023, 18:30
Që nga fundi i majit kur katër kryebashkiakë të zgjedhur – shqiptarë – tentuan të marrin detyrën e tyre në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, tensionet janë rritur dukshëm. Kriminelët serbë kanë lënduar rëndë ushtarët e KFOR-it. Perëndimi kërkon nga qeveria kosovare hapa de-eskalimi.
STANDARD: BE-ja kërcënon Kosovën me masa, nëse Forca e Policisë Speciale Rosu nuk tërhiqet nga veriu i Kosovës. Çfarë do të thotë kjo?
Gërvalla-Schwarz: Ky është një gabim i rëndë strategjik. Paralajmërimet ndaj një shteti aleat demokratik, një shteti ligjor, i cili mbron ligjin dhe përfaqësuesit e zgjedhur nga ata që përdorin dhunë dhe granata me cifla kundër ushtarëve të KFOR-it, janë një sinjal fatal. Kjo ndjell eskalim të ri – dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç po vazhdon të eskalojë: Forcat speciale serbe kanë hyrë në brendësi të vendit tonë dhe kanë rrëmbyer tre oficerë të Policisë së Kosovës. Ky agresion i hapur është një sinjal alarmi: ish-presidenti serb Slobodan Milošević kështu i ka nisur luftërat e tij në vitin 1991. Kemi kohë që paralajmërojmë se do të mund të ketë edhe të vdekur nëse nuk ndalet Vuçiçi. Ky shembull do të lërë gjurmë përtej rajonit, sepse, siç dëgjojmë edhe nga pjesë të tjera të botës, vë në pikëpyetje në rrafshin global parimet dhe kredibilitetin e Perëndimit.
STANDARD: Në cilat kushte tërhiqet Rosu?
Gërvalla-Schwarz: Ashtu siç ndodh në Vjenë, Graz ose Linz, policia tërhiqet atëherë kur ekstremistët e gatshëm për dhunë nuk e kërcënojnë më shtetin ligjor dhe kryetarët e komunave. Asnjë shtet i ligjor nuk duhet të tolerojë dhunën dhe hapësirat ku nuk sundon ligji.
STANDARD: SHBA dhe BE kërkojnë që kryetarët e komunave të të punojnë jashtë zyrave të tyre komunale.
Gërvalla-Schwarz: Kosova nuk mund të bëjë vetëvrasje politike, madje as edhe për hir të miqve të saj më të ngushtë. Të gjithë ne që e shohim veten si pjesë të Perëndimit në përgjithësi nuk duhet të lejojmë që disa diplomatë problematikë, në aleancë të pasinqertë me satelitin e Putinit Vuçiç, ta shtyjnë rajonin drejt një lufte. Ne do të mbrojmë vendin tonë, sepse mbrojmë shtetin ligjor dhe demokracinë. Vuçiçi nuk mund të ndalet as me para dhe as me akomodim, por vetëm me një qëndrim të fuqishëm dhe të qartë si kristali, të cilin nuk e ka BE-ja, sepse nuk është e bashkuar.
STANDARD: Çfarë roli luan Kremlini në situatën e tanishme?
Gërvalla-Schwarz: Kremlini po luan me një Perëndim, i cili po sillet si i topitur. Ne kemi kohë që tërheqim vëmendjen/kërkojmë ndihmë, por shumë partnerë perëndimorë, përfshirë këtu edhe Austrinë, nuk duan as të dëgjojnë dhe as të shohin vërtet. Duan të flasin, të japin këshilla. Kështu që, për fat të keq, Kremlinit po i ecën.
STANDARD: Në cilat rrethana mund të votohet përsëri në katër komunat me shumicë serbe në veri?
Gërvalla-Schwarz: Një gjë e tillë vendoset nga Presidentja duke u bazuar në ligj, e jo në fjalë. Fillimisht Perëndimi duhet të parandalojë ndërhyrjen e sërishme me dhunë dhe kërcënime të Vuçiçit në një vend të huaj për të detyruar votuesit të bojkotojnë zgjedhjet. Më 17 mars Perëndimi pati garantuar që nuk do të ketë bojkot të zgjedhjeve të prillit. Rezultati po dihet dhe nuk duhet të përsëritet.
STANDARD: Çfarë ndikimi kanë ngjarjet e fundit në dialogun me Serbinë?
Gërvalla-Schwarz: Eskalimi është rezultat i një strategjie të gabuar. Përfaqësuesi i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, shpesh prezanton pozicionet e Vuçiçit. Kjo jo vetëm është vdekjeprurëse për ndërmjetësimin, por edhe e inkurajon Vuçiçin për të eskaluar më tej. Situata është shumë e rrezikshme, ka madje edhe forca Wagnerit në vend. Nevojitet urgjentisht një strategji e re, edhe personel i ri, nëse dëshirohet të ndalet e eskalimi.
STANDARD: Qeveria juaj ka premtuar të luftojë korrupsionin dhe keqperdorimin e detyrës zyrtare. Cilat rezultate keni deri tani?
Gërvalla-Schwarz: Lufta jonë kundër korrupsionit ka treguar efekt. Kemi përmirësuar pozicionin tonë në indeksin e antikorrupsionit. Gjithashtu, kemi parë një rritje në perceptimin tonë si shtet ligjor. Përveç kësaj, kemi arritur të ardhura rekord në të hyrat nga taksat dhe doganat. (Adelheid Wölfl, 21.6.2023)
Shënim i gazetës: Donika Gërvalla-Schwarz (51) është rritur në Prishtinë. Në vitin 1980 është vendosur në Gjermani së bashku me babain e saj Jusuf Gërvalla, një kritik i regjimit. Pas vrasjes së babait të saj në vitin 1982 në Gjermani, familja u transferua në Tiranë. Gërvalla studioi muzikë dhe drejtësi dhe për një kohë të gjatë ishte anëtare e partisë konservatore LDK. Në zgjedhjet e vitit 2021, ajo kandidoi në një listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje. Që nga marsi i vitit 2021, ajo është ministre e Punëve të Jashtme.