Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme ku po merret në pyetje.
Balluku është thirrur nga Prokurori Dritan Prenci dhe po merret në pyetje për inceneratorin e Tiranës.
Kontrata për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve të kryeqytetit, me kosto të investimit të parashikuar prej 128 milion euro (pa TVSH) u firmos nga kompania “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k dhe Ministria e Mjedisit, në vitin 2017. Pas emrit të kompanisë qëndronte një tjetër me seli në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, e cila më pas ndryshoi emrin në “Geogenix B.V”, ndërkohë që zotëruesit e tyre mbetën të paqartë.
Sipas Prokurorisë, dy sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” dhe të impiantit të Tiranës, sikundër dhe në dy të tjerët në Elbasan dhe Fier. Nga hetimet ka rezultuar se, Zoto dhe Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare. Prokuroria shpjegon se “është evidentuar fakti se dy sipërmarrësit, janë personat që kanë udhëzuar dhe kanë marrë vendimet në lidhje me shoqërinë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k. apo dhe shoqërinë mëmë në Hollandë.
Sipas prokurorisë, dy sipërmarrësit kanë përfituar po ashtu afro 4 milion euro duke përdorur fatura të falsifikuara tatimore. “Zoto ka paraqitur dhe ka deklaruar fatura të falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij “Integrated Technology Services” sh.p.k., si nënkontraktor i shoqërisë koncesionare të Tiranës.. Në kohën e lëshimit të këtyre faturave të falsifikuara, provohet se aksionerë “de facto” kanë qenë Zoto dhe Mërtiri”, nënvizon Prokuroria.
Për këtë arsye, nën sekuestro, përveç shoqërisë koncensionare të impiantit në Tiranë, është vënë dhe kompania e Zotos, “Integrated Technology Services”, e cila ka një tjetër masë sekuestroje që prej vitit të shkuar, për rastin e Fierit.
Më herët, Prokuroria përveç sekuestros ndaj inceneratorit, u vendos edhe një sipërfaqe prej 611 m2 me vlerë 1 milion euro, e cila është në emër të shoqërisë “F.M.O”. Sipas prokurorisë “është evidentuar fakti se Zoto dhe Mërtiri zotërojnë në mënyrë indirekte shoqërinë “F.M.O.” sh.p.k”, dhe se blerja e pasurisë për llogari të kësaj kompania është realizuar përmes të ardhurave të siguruara nga përfitime të paligjshme.
Gjashtë vjet pas nënshkrimit të kontratës, në kryeqytet funksionon vetëm landfilli, ndërsa inceneratori nuk ka nisur as të ndërtohet. Vënia nën sekuestro është akti i parë i ndërmarrë nga drejtësia për rastin e Tiranës, ndërsa për Elbasanin dhe Fierin, hetimet janë mbyllur ndërsa ish-zyrtarë të lartë përfshirë Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon janë shpallur fajtor dhe janë dënuar. bw