Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se autoritetet në Serbi i kanë refuzuar kërkesën për vizitë në Luginën e Preshevës.
Sveçla ka thënë se kërkesa i është refuzuar pa arsyetim dhe se “ky akt i Serbisë ndaj vizitës sime dëshmon qasjen destruktive dhe shtypjen e vazhdueshme të saj ndaj shqiptarëve të Luginës”.
Përmes një shkrimi në Facebook, më 4 janar, Sveçla ka thënë se për çështjen e vizitave të zyrtarëve shtetërorë do të veprojnë mbi parimet e reciprocitetit.
Ai ka thënë se përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës kishte përcjellur agjendën në zyrën ndërlidhëse të Serbisë për leje të hyrjes dhe realizim të vizitës, “në respektim të marrëveshjes së Brukselit dhe praktikave të deritanishme”.
“Ky refuzim pa asnjë arsyetim nga Serbia disa orë para realizimit të vizitës, nuk zbehë qëllimet dhe angazhimin tonë për shqiptarët e Luginës. Ndër të tjera, nuk do të zbehë as dëshirën dhe qëllimin tim për realizim të vizitës atje, për të ndarë me shqiptarët e Luginës shqetësimet e padrejtësitë me të cilat ata ballafaqohen dhe angazhimet e institucioneve të Republikës sonë për ta”, ka shkruar ai.
Sipas ministrit të Brendshëm, ai do të zhvillonte vizita në Preshevë, komunë e banuar me shumicë shqiptare, dhe në Medvegjë e Bujanoc, ku gjithashtu banojnë shqiptarë.REL