Për të shmangur pengesat, gjarpëri lëviz zakonisht me dredha. Jo vetëm në mitologji ai përshkruhet si i rrezikshëm dhe me dy fytyra. Reptili gjatë jetës ka aftësinë që lëkurën e tij të vjetër ta ndërrojë dhe të duket si një person i ri. Gjatë konfliktit në Kosovë, lideri rebel Hashim Thaçi e kishte emrin e luftës “Gjarpëri”, sepse ai ishte i aftë të mos linte gjurmë. Tani, 16 vjet pas përfundimit të luftës, e kaluara e tij e errët i shfaqet përsëri.
Kryeministri për një kohë të gjatë dhe aktualisht Ministri i Jashtëm i vendit të vogël ballkanik është në shënjestër të drejtësisë ndërkombëtare. Ai pretendohet se ka kryer së bashku me udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës krime lufte kundër serbëve, romëve dhe “bashkëpunëtorëve shqiptarë”. Flitet edhe për tregti organesh.
Thaçi kërcënohet nga një aktakuzë?
Këtë javë ka filluar për Thaçin dhe Kosovën një epokë e re. Pas muajsh të gjatë të refuzimit, Kuvendi i Kosovës votoi me gjysmë zemre Gjykatën Speciale e cila do të hetojë për krimet e pazbardhura. Ndoshta në fillim të 2016 do të mbërrijnë aktakuzat e para. Tashmë në kafeteritë e Prishtinës kjo histori shihet si një film agjenturor. Pyetja kryesore në mesin e politikanëve vendas, diplomatëve dhe zyrtarëve të shërbimeve inteligjente është: A do të jetë edhe Thaçi, ish-komisari politik i UÇK-së, në mesin e të pandehurve?
Akuzat kundër tij janë të shumta, por deri tani nuk janë të provuara. Shërbimi Informativ Federal (BND) pohon se Thaçi ka dhënë urdhër për vrasje. Ish Kryeprokurorja e OKB-së Karla Del Ponte ka shkruar në kujtimet e saj, se UÇK-ja kishte terrorizuar pakicat. Në raportin e formuluar nga politikani zviceran Dik Martit për Këshillin e Europës, Thaçi ishte “bosi” i një organizate mafioze-si dhe ishte përfshirë në krimet e luftës dhe trafikun e drogës. Provat ishin të shumta sa BE-ja dhe SHBA-ja u detyruan të veprojnë. Ata porositën një hetues amerikan i cili duhej të hetonte në pretendimet. Ky hetues gjykoi se kishte prova të mjaftueshme për të paditur disa udhëheqës të rangut të lartë të UÇK-së.
Deri tani, as gjykata e OKB për ish-Jugosllavinë, as administrata e OKB-së dhe BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë nuk kanë mundur të hetojnë krerët e lartë të UÇK-së. Hetuesit ndërkombëtarë zakonisht japin dy arsye për dështimin e gjyqësorit: Muri i heshtjes është aq i padepërtueshëm sa i organizatës mafioze Cosa Nostra dhe fuqitë perëndimore kanë të bëjnë me elitën sunduese. Po si mund të shkohet më tej?
Që prej përfundimit të luftës Thaçi (PDK), hap pas hapi i gjithë sistemi politik dhe ekonomik është i infiltruar me Partinë e tij Demokratike – të afërmit, anëtarët e famëkeqit shërbimit informativ të UÇK-së SHIK-ut dhe ushtarët besnik të partisë. Në verën e vitit 1999, pasi NATO-ja e mori në dorëzim territorin e Kosovës, u kujdes për të lejuar kthimin e personave të zhvendosur dhe për të mbrojtur pakicat ndaj akteve të hakmarrjes nga shqiptarët. Thaçi me njerëzit e vet mori në dorë rrjetin e pikave të karburantit. Edhe sot, karburanti në Kosovë është rreth dhjetë për qind më i shtrenjtë se në Maqedoninë fqinje. Nga ky burim tani duhet të jenë derdhur në arkat e njerëzve të UÇK-së mbi 800 milionë euro.
Kompanitë kryesore në vend – posta, rrjeti i telefonisë celulare, miniera e Trepçës e pasur me plumb, zink dhe argjend, termocentralet – janë në duart e të besuarve të Thaçit. Dhënia e kontratave publike nuk është transparente, çka e lehtëson korrupsionin. Autostrada e re, e cila është ndërtuar nga kompania amerikane Bechtel që e lidh Kosovën me Shqipërinë, me sa duket kushton rreth një miliard euro. Për krahasim, buxheti i shtetit i Kosovës arrin në rreth 1.5 miliardë euro. Pavarësisht protestave nga shoqëria civile, qeveria refuzon edhe sot e kësaj dite për ta bërë publike kontratën për 120 km, edhe pse kjo kërkesë është legjitime.
Pasojat e kësaj politike në ekonomi janë fatale për të ardhmen e afërt të 1.8 milionë banorëve të vendit. Kosova, e pavarur prej 2008, ka popullsinë më të re në Evropë. Gati gjysmë milioni kosovarë nën 25 vjeç janë të papunë. Çdo vit, 30.000 të rinj janë të gatshëm për tregun e punës, i cili në princip zor se ekziston.
Për hir të paqes sociale, autoritetet kanë mbështetur dhe autorizuar rreth 30 universitete private në mënyrë që të rinjtë të kenë të paktën një aktivitet për kohën e lirë. Por zor se pret diçka të mirë njeriu prej këtyre kooperativave të edukimit. Shëndeti publik është gati në kolaps, dhe kjo u krijon kushte mjekëve lokalë, apo mjekëve aventurierë e delikuentë turq e maqedonë për të hapur spitale private.
400.000 raste të bllokuara, të pashqyrtuara
Pothuajse e pashpresë është situata në sektorin e drejtësisë. Asnjë gjyqtar vendor nuk ka guximin për të ndërmarrë veprime kundër politikanëve të rangut të lartë nga partia e Thaçit. Drejtësia ndërkombëtare po përballet me një mal të madh të gati 400,000 rasteve gjyqësore të papërpunuara. Përveç kësaj, Misioni i EULEX vendosur për ta ndihmuar Kosovën për të ndërtuar policinë, gjyqësorin dhe administratën e sheh veten të konfrontuar me akuzat për korrupsion. Një prokuror italian në shërbimin e EULEX-i duhet t’i ketë kursyer politikanët kosovarë prej hetimeve në këmbim të shumave të parave.
Një temë e zymtë është ajo e mbrojtjes të dëshmitarëve. Janë të përsëritura në Kosovë rastet e vdekjeve misterioze dhe vrasjeve të dëshmitarëve që do të dëshmonin në gjykatë. Që nga viti 1999, shumë dëshmi janë shkatërruar. Ndërsa deputetët votuan javën e kaluar për krijimin e Gjykatës Speciale, Kryetari i Parlamentit Kadri Veseli, ish shefi i inteligjencës të UÇK-së, tha se ata do të zbulojnë shumë shpejt se “cilët do të jenë dëshmitarët kundër Thaçit”.
Asnjë diplomat perëndimor nuk protestoi kundër këtij kërcënimi flagrant. Thaçi konsiderohet ende si një partner i Perëndimit, që e mban situatën nën kontroll, që negocion me Serbinë për një normalizim të marrëdhënieve dhe bën lëshime që Kosova të bëhet një shtet funksional. Objektivi i ndjekur nga Prishtina, është afrimi me BE-në. Kjo përfshin edhe premtimin për pranimin e një rrjeti të komunitetit serbo kosovar në veri të vendit. Komunat serbe në Kosovë janë konsideruar si një nga blloqet më të mëdha penguese në rrugën për një relaksim të Beogradit. Ata do të vazhdojnë të financohen nga Beogradi dhe të mbështesin atje sigurinë e tyre dhe strukturat administrative.
Nisur nga kjo situatë konfuze, klientelizmi dhe korrupsioni i pajton njerëzit që t’i venë këmbën shtetit. Në dymbëdhjetë muajt e fundit rreth 100.000 kosovarë u larguan nga vendi i tyre si refugjatë ekonomikë në Evropën Perëndimore. Në Gjermani, shqiptarët e Kosovës janë aty bashkë me refugjatët sirianë që kanë ikur nga lufta civile. Ata janë grupi i dytë më i madh, dhe vetëm gjashtë muajt e parë të këtij viti 31.400 kosovarë kërkuan azil. Shans i miratimit të këtyre kërkesave është zero, sepse vendi ballkanik i origjinës në krahasim me Sirinë është relativisht i sigurt.
Nuk janë jo vetëm të varfërit që i kanë kthyer shpinën vendit. Edhe klasa e mesme nuk ndihet e sigurt. Baballarët të cilët kanë punuar nga viti 1999 për organizatat dhe misionet ndërkombëtare dhe deri tani nuk kanë fituar keq, nuk shohin ndonjë të ardhme për fëmijët e tyre dhe janë gati t’i paketojnë.
“Ne kemi kryer gabime të tmerrëshme pas luftës”, thotë një nga themeluesit e UÇK-së me tone vetëkritike. Shokët e tij të armëve tani janë financiarisht aq të fuqishëm sa që asnjë opozitë nuk mund të rrëzojë këtë demokraci si fasadë, për të ndërtuar mbi të një shteti funksional. “Duhet”, thotë, “një forcë e re politike që e do këtë vend, aq të pasur me burime të shumta natyrore, dhe që është e gatshme për ta çrrënjosur klientelën e vjetër.”
Kjo ditë duket të jetë larg për shumicën e kosovarëve. Ndërsa mijëra lënë vendin për në Perëndim, një pakicë e vogël udhëton në Siri për të luftuar për Kalifatin e ISIS. Dy duzina xhihadistë kosovarë kanë humbur deri tani jetën e tyre atje, nga rreth 200 sa janë gjithsejt sipas shërbimeve të sigurisë, që vazhdojnë të enden nëpër rrugët e Sirisë dhe Irakut./ E shqipëroi Elida Buçpapaj
Komentet