PRISHTINE – Paralajmërimet e kryeministrit Isa Mustafa për ndryshimin e formatit të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë nuk i kanë pëlqyer ministrit të Pushtetit Lokal, Ljumbomir Mariç.
Mariç gjatë një intervistë të tij për mediat serbe ka dalë kundër deklaratave të shefit të tij, duke theksuar se qeveria e Kosovës pjesë e së cilës është edhe vetë, nuk ka kapacitet që t’i zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel.
Deklarimet e Mustafës, për ministrin e Pushtetit Lokal janë vetëm blerje e kohës, dhe shtyrje të zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, shkruan “Koha.net”.
“Atë për çka është rënë dakord në Bruksel qeveria në Prishtinë e ka problem ta implementojë. Referimi në ndryshimin e formatit , përfshirjen e institucioneve të tjera si partitë opozitare, shoqërinë civile etj, janë vetëm justifikime që tregon se sa kanë kapacitet për t’i zbatuar këto marrëveshje. Nuk na interesojnë justifikimet. Mjaft kemi pasur durim dhe qeveria e Serbisë ka qenë e qartë se nuk ka më shumë vonesa dhe nuk ka më justifikime. Ne presim që të zbatohet marrëveshja”, ka thënë Ljubomir Mariç, Ministër i Pushtetit Lokal.
Ndonëse udhëheq një dikaster ministror në Kosovë, Mariç ka vazhduar të deklarohet kundër anëtarësimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.
Sipas tij, Kosova nuk ka kapacitete financiare për anëtarësim në këto organizata, e që tregon se këto janë vendime politike.
Komentet