Ministri i brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri, hodhi poshtë akuzat e një ish-punonjësi policie se me automjetin e tij ka bërë trafik narkotikësh jashtë vendit në bashkëpunim me familjarë të vet, dhe pranoi se e ka përdorur atë makinë për nevoja familjare edhe pasi ia kishte shitur atë “disa kushërinjve mjaft të largët”.
Ministri Tahiri tha se akuzat ndaj tij janë ngritur nga Dritan Zagani, një ish punonjës policie, i cili u arrestua për dekonspirim të operacioneve të policisë, fshehje të krimit me pasojë vdekje dhe shpërdorim detyre. Zoti Tahiri i bëri këto deklarata në mbrëmje gjatë programit Top Story të televizionit Top Channel.
“Gjykata e Fierit e vendosi në arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje, por ai u largua në Europë, duke kërkuar strehim, duke bërë këto deklarata kundër ministrit të brendshëm. Opozita po bën politikë me një ish-polic të akuzuar për bashkëpunim me trafikantët. Këto janë shpifje, baltosje të opozitës” – tha zoti Tahiri.
Sipas zotit Tahiri, blerësit e makinës së tij janë kushërinj të tij mjaft të largët, të cilët nuk kanë qenë kurrë të proceduar, as nën hetim, as të arrestuar apo të dënuar për trafik droge. Ai ka shkuar vetë në prokurori dhe ka deklaruar se është i gatshëm të hetohet për dyshime të mundshme.
Makina u shit më 5 nëntor 2013, dy muaj pasi ai u emërua ministër i brendshëm, afkt që figuron në dokumentat e ministrisë së drejtësisë prej akteve noteriale. Megjithatë automjeti i shitur figuron ende në pronësi për shkak të një dënimi kur ishte në opozitë, i cili i bllokoi pasuritë dhe numrat e llogarisë.
“Meqenëse makina figuronte ende në emrin tim, ua mora kushërinjve, shkova me pushime me familjen time jashtë vendit në Greqi dhe ua ktheva prapë. Këtë e bëra për të mos përdorur makinat e shtetit dhe të mos merrja makina me qera” – deklaroi ministri Tahiri, duke theksuar se publikimi i të dhënave të sistemit TIMS për automjetin e tij është shkelje ligjore nga opozita.
Ai shtoi se ndërkohë po drejton policinë në një operacion pa kompromis kundër narkotikëve, duke e rritur shkatërrimin e bimëve narkotike nga 27 mijë në 700 mijë rrënjë, ose baraz me 700 ton canabis sativa. Ndërkohë është rritur nga 1 milionë në 27 milionë euro sekuestrimi i pasurive kriminale.
Partia Demokratike e opozitës ka kërkuar shkarkimin e ministrit të brendshëm Saimir Tahiri si bashkëpunëtor në trafikim narkotikësh me kushërinj të tij pas akuzave që ka shfaqur në media një ish-drejtues policie, Dritan Zagani.
Ai ka deklaruar në media se makina e ministrit Tahiri ishte shfaqur disa herë gjatë ndjekjeve që u bënte grupeve kriminale, që trafikonin bimë narkotike. Ish-punonjësi i policisë pohoi se makina e ministrit të brendshëm ishte e paprekshme për forcat e rendit, ndonëse në të hipnin shpesh persona të dyshuar për trafikim narkotikësh.
Komentet