Ministër! Dyshoj nëse e dini që regjistrimi i muzikës polifonike tradicionale shqiptare në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jolëndore të Njerëzimit në UNESCO është bërë me kosto antishkencore, antihistorike e antikombëtare. Për lehtësinë tuaj, ju referoj se, në faqen zyrtare të UNESCO, linku “Albanian folk isopolyphony”, shkruhet: “Iso-polifonia folklorike shqiptare. Regjistruar në vitin 2008, në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jolëndore të Njerëzimit (origjinalisht shpallur në vitin 2005), muzika polifonike tradicionale shqiptare mund të ndahet në dy grupe të mëdha stilistike të kënduara nga Gegët në Shqipërinë e Veriut dhe Toskët e Labët që jetojnë në pjesën jugore të vendit. Termi ‘iso’ është i lidhur me ‘ison’ e muzikës së kishës Bizantine dhe i referohet isos (anglisht: ‘drone’) që shoqëron të kënduarit polifonik. Isua (drone) performohet në dy mënyra: te Toskët, ajo është gjithnjë e vijueshme dhe këndohet me rrokjen ‘e’, duke përdorur frymëmarrje të lëkundshme, ndërsa te Labët, isua (‘drone’) ngandonjëherë këndohet si një ton ritmik, i performuar në tekstin e këngës. E ofruar kryesisht nga këngëtarë meshkuj, tradicionalisht muzika shoqëron një varg të gjerë ngjarjesh sociale, si dasmat, funeralet, festat e të korrave, kremtimet fetare dhe festivalet…
Iso-polifonia shqiptare karakterizohet nga këngë që përbëhen nga dy pjesë ‘solo’, nga një melodi dhe nga një kundërmelodi me iso (‘drone’) korale. Struktura e pjesëve ‘solo’ ndryshon sipas mënyrave të ndryshme të interpretimit të isos (‘drone’), e cila ka një larmi të madhe strukturash, veçanërisht në stilin popullor të adoptuar nga të gjitha grupet që performojnë këtë muzikë…”.
Ju referoj se, po në këtë faqe zyrtare të UNESCO-s, tinëzisht, pas klikimit mbi fotografinë ku duket një grup prej shtatë këngëtarësh, shkruhet në tri gjuhë të huaja (anglisht, frëngjisht, spanjisht) se: “Iso-polifonia shqiptare, e prejardhur nga muzika e Kishës Bizantine, është një formë e sofistikuar e të kënduarit në grup…”.
Mund të vërehet se, UNESCO ka shpallur “Trashëgimi Kulturore Jolëndore të Njerëzimit” edhe 20 këngë polifonike nga popuj të tjerë, përkatësisht: nga Bullgaria, Greqia, Maqedonia e Veriut, Italia, Kroacia, Franca, Gjeorgjia, Estonia, Lituania, Portugalia, Ukraina, Algjeria, Kina, Republika e Afrikës Qendrore dhe Tonga. Shumica e tyre e kanë “ison” pjesë integrale të tyre, por të gjitha janë emërtuar “Polifoni”, jo “Iso-Polifoni”, sepse ‘iso’ nuk është gjë tjetër veçse një nga zërat që përbën këngën shumëzërëshe, zëri përforcues në kuadër të zërave të tjerë, zëri që, siç shprehet në gjuhën e popullit, “mban”, ose “mbush” këngën.
Përkundër kësaj të vërtete shkencore, kënga shumëzërëshe folklorike shqiptare është emërtuar “Iso-polifoni”! Nga vendet e përmendura më sipër, Bullgaria, Gjeorgjia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Ukraina, dikur, kanë qenë nën pushtetin administrativ të Perandorisë Bizantine (330-1453). Nga këto vende, në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jolëndore të Njerëzimit të UNESCO-s, janë shpallur: “Të kënduarit shumëpalësh Visoko, nga Dolen dhe Satovcha, Bullgaria Jugperëndimore”; “Të kënduarit polifonik gjeorgjian”; “Kënga polifonike Karavan, e Epirit, Greqi”; “Të kënduarit dypalësh meshkuj Glasoechko, në Dolni Polog, Maqedonia e Veriut”; “Këngët e Kozakëve të Rajonit Dnipropetrovsk, Ukrainë”. Institucionet shtetërore të këtyre vendeve, me dinjitet shkencor, kanë referuar në UNESCO se origjina e këngëve përkatëse është e lashtë dhe buron nga tradita popullore. Asnjëra prej tyre nuk referohet ta ketë origjinën nga muzika e Kishës Bizantine. Për më tepër, institucionet e Gjeorgjisë, me argument shkencor, kanë referuar zyrtarisht se “Himnet liturgjike Bizantine kanë marrë nga tradita polifonike gjeorgjiane…”.
Ndërkohë, etno-muzikologë të shquar të nivelit botëror si: çekët Ludwik Kuba, Bruno Nettl; austriakët Erich Moritz von Hornbostel, Siegfried Nadel, Gerald Florian Messner, Rudolf Brandl, Gerhard Kubik; gjermanët Marius Schneider, Curt Sachs, Hans Hickman, Anne Draffkorn Kilmer; polakët Joseph Yasser, Bozena Muszkalska; amerikanët Charles Seeger, Erich Stockman, Alan Lomax, William H. Tallmadge; holandezi Jaap Kunst; francezët Yvette Jeanne Grimaud, Simha Arom; belgu Paul Collaer; sllovenët Oscar Elschek, Alica Elschekova; ganezi Kwabena Nketia; suedezët Ernst Emsheimer, Jan Ling; hebreu Edith Gerson-Kiwi; kroati Cvjetko Rihtman; bullgari Nikolai Kaufman; letonezët Karl Brambats, Martin Boiko; gjeorgjianët Nino Tsitsishvili, Joseph Jordania; shqiptarët Ramadan Sokoli, Beniamin Kruta e Spiro Shituni, e shumë e shumë të tjerë, kanë vërtetuar se kënga shumëzërëshe (polifonia) tradicionale është e lashtë sa vetë popujt bartës të saj, se ajo ka shoqëruar formësimin dhe zhvillimin e popujve dhe se kjo polifoni është burim i çfarëdo muzike polifonike kishtare dhe i çfarëdo muzike polifonike profesionale.
Kjo do të thotë se shpallja, sipas së cilës kënga shumëzërëshe (iso-polifonia!) shqiptare buron nga muzika kishtare bizantine, është e pathemeltë, pavërtetë. E vërtetë, shkencërisht dhe historikisht, është e kundërta. Padija në çështjet fetare mund të jetë padjallëzi, por në këtë rast është edhe mëkat.
Një absurd akoma më i paimagjinueshëm që le të nënkuptohet nga pasqyrimi i këngës shumëzërëshe (isopolifonisë!) në faqen zyrtare të UNESCOs, është se populli shqiptar paska qenë një popull shëtitës (nomad), i cili paska ardhur në trojet ku është sot, pikërisht në kohën e identifikimit të kishës Bizantine (në vitin 1054 të erës sonë), çka e ka detyruar popullin shqiptar të shkojë në kishë dhe të mësojë iso-polifoninë! Sa kundërshkencore e kundërhistorike, aq edhe fyese e poshtëruese!
Pastaj, si për t’iu vënë kapakun këtyre absurditeteve, po në faqen zyrtare të UNESCO-s, populli shqiptar – bartës i këngës polifonike, është ndarë në Gegë, Toskë dhe Labë! Një ndarje e tillë mund të jetë çdo gjë, por vetëm etno-muzikore nuk është! Kombëtare jo e jo!
Pothuajse të gjithë etnomuzikologët e shquar të botës e kanë referuar këngën shumëzërëshe shqiptare si unike në llojin e vet, si për nga shtrirja gjeografike, ashtu edhe për nga muzikaliteti. Është kjo arsyeja që kënga shumëzërëshe shqiptare, me këtë term, e meriton të jetë në Thesarin e Trashëgimisë Kulturore Jolëndore të Njerëzimit. Por, jo me koston antishkencore, antihistorike e antikombëtare me të cilën është pasqyruar në faqen zyrtare të UNESCO-s, çka, me siguri matematike, është ofruar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë dhe “ekspertët” e saj. (Është absurd më vete fakti që, të gjitha interpretimet e mësipërme në faqen zyrtare të UNESCO-s, nuk janë nënshkruar nga institucionet përkatëse shqiptare, por nga një individ!) Ministër i Kulturës!
Nuk është përgjegjësia juaj që regjistrimi, në vitin 2005 apo në vitin 2008, i muzikës polifonike tradicionale shqiptare në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jolëndore të Njerëzimit, në UNESCO, është bërë me kosto antishkencore, antihistorike dhe antikombëtare. Por kombi shqiptar, Shqipëria dhe kënga shumëzërëshe shqiptare, nuk janë të ministrit të atëhershëm. Nëse vijoni të mos jeni të informuar, të mos ju bëjë përshtypje dhe të mos veproni për ta hequr këtë njollë, atëherë përgjegjësia është e juaja dhe, këtë herë, në shkallën e fajit të një përmase kombëtare.
Prandaj, Ministër, hiqeni këtë njollë! Është një nga arsyet pse jeni aty.