Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, iu përgjigj vendeve të QUNIT-it dhe KFOR-it duke thënë se Kosova dhe Serbia kanë diskutuar më 2016 për urën e Ibrit dhe janë pajtuar për hapjen e saj.
Ndërkombëtarët janë shprehur kundër hapjes së urës që bashkon Mitrovicën jugore me atë veriore me shqetësimin për rritje të tensioneve. Një protestë kundër hapjes u mbajt edhe nga serbët në veri.
“Kjo çështje është mbyllur më 2016, nuk është çështje e dialogut fare, është çështje e të drejtës për t’u hapur dhe është çështje e vendimit që është publik”, tha Sveçla.
Kompania e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës për matjet e Urës së Ibrit ka vijuar punën edhe gjatë së mërkurës për të konfirmuar nëse duhen bërë ndërhyrje para se të hapet për qarkullimin e veturave.
Inspektimi do të jetë në dy faza dhe hapja e urës do të varet pikërisht nga raportet e kësaj kompanie.
Për shqetësimet e banorëve serbë për hapjen e urës Qeveria ka organizuar një takim paraditen e së enjtes.
“Është momentum shumë i mirë të diskutojmë për të gjitha brengat që qytetarët i kanë nga mundësia e hapjes së urës për shkak se ura është sot e hapur për këmbësorë, kjo duhet të jetë e hapur në kapacitete e plotë të saj dhe nesër do të mund të përgjigjemi në secilën brengë që qytetarët e kanë për çështjen e sigurisë dhe raporteve ndër etnike”, u shpreh ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi.
Në lidhje me protestën e serbëve, Sveçla tha se është e drejtë demokratike por përfaqësojnë të gjithë qytetarët, edhe ata që sot nuk kanë qenë në sheshin e Mitrovicës veriore.
“Ata kanë të drejtë të protestojnë, është e drejtë demokratike, nuk ka asnjë telashe”.
Përmes një komunikate për media, KFOR paralajmëroi përsëri të mërkurën se është i gatshëm t’i ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal, pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës. sn