Zagreb
Ministri i Mbrojtjes së Kroacisë, Mario Banozhiç u takua me ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj përmes një video-konference, ku me këtë rast dënuan ashpër sulmin rus ndaj Ukrainës, duke rënë dakord se stabiliteti dhe prosperiteti i Ukrainës është në interesin strategjik të të gjithë në kontinentin evropian.
Të dy ministrat konfirmuan edhe një herë marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale ndërmjet Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kroacisë.
“Republika e Kroacisë, si një nga anëtarët e NATO-s, e cila vetë ishte viktimë e agresionit tre dekada më parë, shpreh solidaritetin dhe mbështetjen e plotë. Ne qëndrojmë fuqishëm me Ukrainën dhe pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial”, tha ministri Banozhiç, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Banozhiç dhe Mehaj diskutuan edhe për situatën e sigurisë në Evropën Juglindore. Ministri Mehaj falënderoi për përgatitjen dhe profesionalizmin e ushtarëve kroatë, të cilët përmes pjesëmarrjes së tyre në operacionin e NATO-s, KFOR në Kosovë kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. AA
Komentet