Ministres aktuale të Mbrojtjes Mimi Kodhelit i është përkëdhelur sedra, sipas fjalëve të saj, kur në një intervistë i sugjeruan si një kadaif në tabaka postin e Presidentes të Republikës. Përse jo! Deri sa të ketë Edi Ramën ajo bëhet edhe Presidente e vendit tonë, prandaj Shqipëria jonë e dashur nuk e ndal tatëpjetën, se njëshat kujtojnë se shtetin e së drejtës e bëjnë me enturazhin e tyre besnik. Mimi është e shumëbesuara e Edi Ramës por që kur listoi për dekorata ish-persekutorë dhe ish-ministren e diktatorit Hoxha, ajo s’ka më as sy e as faqe që ta ëndërrojë atë post, ajo duhej ta kishte dhënë dorëheqjen sikur i bëri thirrje Prof.Sami Repishti, e jo më të ketë pretendime për postin e komandantes të forcave të armatosura të një vendi anëtar të NATO-s sepse ajo bën injoranten dhe i ngatërron viktimat e komunizmit me persekutorët e diktaturës, ku ndahen dy sisteme që janë diametralisht të kundërt me njëri tjetrin. Po ju sjell këtë opinionin tim shkruar kur sapo u mor vesh skandali i zonjës ministre të mbrojtjes që tani memzi pret të bëhet presidente e vendit të shqiponjave, që tashmë ngjajnë me sorra.. 24 dhjetor 2016 Elida Buçpapaj
Me rastin e 70 vjetorit çlirimit të Shqipërisë nga okupatori fashist, që përkon me ditën e instalimit të diktaturës më mizore staliniste, qeveria e Shqipërisë vendosi t’i akordojë Vito Kapos ish-anëtare e Komitetit Qendror të PPSH-së, ish- Sekretare e Parë e Bashkimit të Grave komuniste të Shqipërisë, ish-Ministre e diktatorit Hoxha dhe bashkëshorte e Hysni Kapos, ish Nr.2 të regjimit komunist “Medaljen e Mirënjohjes”. Përveç kësaj të gjithë individët që u nderuan me medalje, qeveria u akordoi edhe nga një milionë lekë të vjetra.
Kryeministri Rama i cili tallet aq shpesh me fotografitë e diktatorit që i janë shfaqur nëpër skenografitë e ceremonive zyrtare, ku ai merr pjesë, kësaj here nuk e di se çfarë komenti mund të bëjë. Një gjë e kam të qartë se arroganca nuk ka kufij.
Fakti që Mimi Kodheli, një ministre e NATO-s, i ka akorduar Medalje Mirënjohje një ish-ministres së diktatorit Hoxha, përbën scoop dhe skandal së toku.
Nuk e di nëse ky haber është marr vesh në quartierin gjeneral të NATO-s në Bruksel. Aty ndodhet edhe përfaqësuesi ynë shqiptar. Të cilit i bie të mbrojë interesat e NATO-s përpara interesave apo çartjeve të qeverisë shqiptare.
Dekorimi i Vito Kapos apo i Arben Putos, kunatit të kriminelit Manush Myftiu dhe njërit prej historianëve më besnikë të diktatorit dhe diktaturës, që për 25 vjet tranzicion bëri mbrojtësin e regjimit që i shërbeu për gjysmë shekulli duke sulmuar kolaboracionistët dhe kuislingët e Shqipërisë, nuk ka si të jetë një lapsus sikur thotë Pandeli Majko për Vito Kapon. As fotot e diktatorit nuk janë lapsus. Sepse mund të pranohet vetëm një herë lapsusi, por kur bëhen seri lapsusesh, atëhere kjo hyn në strategjinë e shtetit i cili sfidon shqiptarët, NATO-n dhe Perëndimin, duke rehabilituar eksponentët e diktaturës.
Kjo është gjuha diplomatike. Mesazhi që përcillet: Mimi Kodheli nuk do të duhej ta pranonte që institucioni apo emri i saj të njollosej sikur e njollosi edhe Ministrinë e Mbrojtjes dhe po ashtu edhe Numrin Një të qeverisë. Dhe Mimi nga besnike i doli Edit çbesnike, për të mos thënë tradhëtore.
Kur mësova se qeveria shqiptare do të ndante dekorata me rastin e ditës të çlirimit të Shqipërisë, prita të dëgjoja që në këtë listë të përfshiheshin emra që kanë luftuar kundër pushtuesit italo-nazist. Ne e kemi parasysh se pushtimi dhe lufta kundër tij nisi më 7 prill 1939 ndërsa partia komuniste u formua gati tre vjet më vonë, por deri në Marrëveshjen e Mukjes mbajtur më 1-3 Gusht 1943, ku kërkohej formimi i Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë, lufta kundër pushtuesit dhe krijimi i Shqipërisë Etnike ishte ideal i përbashkët si për nacionalistët ashtu edhe për komunistët, të paktën si propagandë. Mugosha dhe Popoviçi e detyruan Enver Hoxhën që ta rrëzonte Marrëveshjen e Mukjes dhe prej këtu nis lufta civile, vëllavrasëse dhe ndarja e shqiptarëve e cila vijon edhe sot e kësaj dite.
Kur dua të them një nga tre fjalët e mira për Sali Berishën, natyrisht kujtoj anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, që përfaqëson Perëndimin dhe vlerat e demokracisë. Perëndimi ka vënë shenjën e barazimit midis krimeve të nazizmit dhe krimeve të komunizmit, duke i quajtur me emëruesin e përbashkët si krime kundër njerëzimit.
Këtë duhet të bënte me kohë dhe duhet ta bëjë Shqipëria, që t’i njejtësojë dy diktaturat. Këtë duhet të bënte çdo qeveri shqiptare e pas ’92-it, përshi edhe qeveria e Edi Ramës, këtë duhet të bëjë edhe Parlamenti i Shqipërisë. Dhe jo të provokojë me dekorime të tilla.
Kur dëgjova se qeveria shqiptare do të dekoronte luftëtarë antifashistë, duke patur parasysh, reklamën si qeveri e Rilindjes, më shkoi mendja tek të gjithë prindërit tanë të dashur, të cilët iu bashkangjitën luftës çlirimtare me shpresë të madhe për liri dhe barazi ndërsa me kalimin e viteve, ata u kthyen në viktima të regjimit kriminal.
Edi Ramës i takonte që t’i nderonte këto figura. Më mirë të dekoronte Partizanin e Panjohur se sa të shkonte aq larg në fantazinë e tij të absurditizmit.
Prita që qeveria e Edi Ramës të dekoronte post mortum tim atë, Vehbi Skënderin dhe shokët e tij, si partizanë të thjeshtë, kur 14-15 vjeçarë, teenagera, morën armët për liri.
Kujton Edi Rama veten kur ishte 15 vjeç, çfarë bënte !
Im atë me një grup shokësh nga Medreseja e Tiranës lanë mësimet dhe leksionet e marra nga Vexhi Buharaja, Profesor Mehdi Bushati apo profesor Shaban Demiraj dhe iu bashkuan çetës së Haxhi Lleshit që në vitin 1943, ku babai im u plagos tri herë. Im atë na tregonte se Çeta e Haxhi Lleshit e çliroi Dibrën dhe vendosi aty flamurin shqiptar, por u detyrua ta hiqte menjëherë me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm. Duket Çeta e Dibrës ka vepruar në respekt të strategjisë së Marrëveshjes së Mukjes, strategji që do të rrëzohej nga diktatori Hoxha me urdhër të dy mentorëve të tij Mugosha-Popoviç.
Prita kryeministrin Edi Rama që në listën e dekorimeve të kishte përfshirë postmortum dajën im, Gafer Shyti, i cili 12 vjeçar braktisi një bursë studimi për në Itali dhe iu bashkangjit formacioneve partizane. Konkretisht luftoi në Brigadën e Parë dhe tregonin se pushka që mbante në krah ishte më e gjatë se vetë ai kur nisi luftën. Kjo shihet edhe nga fotot e tij që i takojnë asaj kohe.
Kur përmenda tim atë dhe dajën tim, këtë e bëra për të simbolizuar kategorinë e të gjithë rinisë shqiptare idealiste që u përfshi në luftë pa patur asgjë të përbashkët me diktaturën që do të instalohej në Shqipëri.
Pretendimet e mia ishin iluzione. Bile duke lexuar në shtypin e Tiranës, mbeta pa gojë, kur në një shkrim hulumtues të Tedi Blushit të datës 6 dhjetor 2014 lexova se “Gazeta Shqiptare” i kishte kërkuar prej dy javësh ministrisë së Mbrojtjes vënien në dispozicion të listës së emrave që janë dekoruar por përgjigjia ka qenë “nuk e japim”. „Kjo i shton edhe më shumë dyshimet, shkruan GSH dhe më tutje vazhdon „Madje edhe për rastin e Vito Kapos ky dikaster refuzoi të ishte transparent. Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli si edhe Shefi i Përgjithshëm i ushtrisë, Jeronim Bazo refuzuan t’i përgjigjeshin pyetjes së “GSH” nëse ishte dekoruar apo jo e veja e Hysni Kapos dhe për çfarë meritash. I vetmi reagim ka qenë i zëdhënëses së Kodhelit. “Janë dhënë medalje vetëm për veteranët e kategorisë “A” dhe kategorisë së Parë“, shkruan Gazeta Shqiptare.
E shihni prapë ndarjen, në Kategorinë A, në kategorinë e parë, ku bëka pjesë Vito Kapo, Arben Puto përfshi edhe ish-presidenti Alfred Moisu, ndërsa etërit tanë, bijtë e thjeshtë të nënave shqiptare nuk i takojnë asnjë kategorie ! Po natyrisht që jo! E qartë që emrat e luftëtarëve të thjeshtë nuk janë pjesë e Kategorisë A, sepse në këtë kategori janë përfshirë emrat që i kanë shërbyer diktaturës dhe jo luftëtarët e luftës anti-fashiste. Në Kategorinë A janë ministrat e ish-diktatorit, historianët e ish-diktaturës të cilët për mjerimin e saj i dekoron Ministrja e NATO-s Mimi Kodheli, që për arsye pushteti dhe kolltuku nuk do t’ia dijë fare as për integritetin dhe as për dinjitetin e saj dhe të institucionit që përfaqëson.
Natyrisht absurditete, scoope, skandale, monstruozitete të kategorive të tilla që mbajnë markën e qeverisë Rama janë të papranueshme për një shtet normal demokratik, nëse do të funksiononte shteti ligjor i vendosur mbi themelet e parimeve për liri dhe demokraci.
Nuk e di nëse Edi Rama e ka lexuar veprën e Honoré de Balzac ‘La Peau de chagrin’ – Lëkura e Shagrenit – është një roman i përkthyer edhe në shqip, që, i shtjelluar me elementët e një romani fantastik, ka si temë qendrore konfliktin midis etjes për pushtet dhe jetëgjatësisë së pushtetit. Sipas autorit të Komedisë Njerëzore, etja për pushtet që e bën Princin e Niccolo Machiavellit të justifikojë të gjitha mjetet, është ndërkohë armik i jetëgjatësisë së pushtetit, sepse konsumimi është i pakthyeshëm.
Komentet