Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka deklaruar se dekoratat e dhëna për shumë prej anëtarëve të ish-Byrosë Politike duhet të anulohen dhe lista e dekorimeve duhet spastruar nga xhelatët.
Në një intervistë për emisionin “Tonight” të gazetares Ilva Tare, ministrja ka sqaruar mënyrën se si u mor vendimi për dekorimin e veteranëve dhe hapat që duhen zgjedhur për pastrimin e listave.
Mes emrave që ju keni dekoruar ka pasur nga ata që kanë dënuar emra si At Zef Pllumbi apo anëtarë të tjerë të ish-Byrosë, Vito Kapo apo edhe të tjerë. Si i keni bërë ato dekorime?
Qeveria ka marrë një vendim që të dekorojë veteranët e një kategorie të caktuar, që ishin veteranët e kategorisë së parë A. Ka marrë një vendim që, me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit, të mund të dekoronte këtë kategori të parë. Veteranët që sot e përfitojnë këtë status janë diku te 5000, por 1000 janë të kategorisë së parë. Dhe ka marrë një vendim dhe ka thënë të dekorohen veteranët e kategorisë së parë dhe veteranët e kategorisë së parë janë dekoruar. Është marrë lista nga Sigurimet Shoqërore, sepse kjo listë nuk ekziston në asnjë vend, përveçse në Sigurimet Shoqërore, ku verifikohet që veteranët e kategorisë së parë marrin këtë shumë ekstra. Është marrë lista dhe siç është lista, është dhënë kjo fleta e lavdërimit. Kjo është historia e kësaj gjëje.
Kaq për pjesën protokollare dhe për anën ligjore se çfarë ka ndodhur. Mund të flasim edhe për anën morale se çfarë ka ndodhur. Është dekoruar persekutori dhe i persekutuari, është dekoruar xhelati dhe viktima. Qëndron kjo, a keni bërë një lapsus zonja ministre që keni firmosur ata emra?
Unë nuk e di fare se cilët kanë qenë ata 1 mijë emrat. Kjo ishte një punë që duhej bërë, që listat të ishin ripasuruar, duhet të ishte bërë. Këta zotërinj gëzonin pagesë ekstra çdo muaj. Nuk është vetëm problemi i medaljes, po pagesa ekstra?! Kështu që kjo është një farsë, kjo është gjetur një kazus beli për të krijuar këtë situatë. Unë nuk e di fare kush janë 1 mijë emrat, sepse kam respektuar një vendim që daton 20 vjet të shkuara dhe kur them unë, them qeveria.
Pse nuk e bëtë ju rishikimin?
Nuk e bëja dot se duhej ndryshuar ligji.
Po ta kërkonit të ndryshonit ligjin?
Unë kam menduar që këta 1 mijë emra janë të pastër, janë të parë, të riparë. Nuk më ka thënë njeri që shiko zonjë se këta emrat… ose nuk na ka thënë njeri që këto emrat gjysmat e tyre janë xhelatë, sepse duhej të ishte bërë më parë kjo histori.
OK deri në fazën që nuk e dinit, por tani që e dini do të ndërmerrni ndonjë hap të tillë? Do të kërkoni t’ua tërhiqni?
Unë, po të më lejohet, sepse nuk është në tagrin tim, por besoj krejt moralisht, në emër dhe respekt të moralit, të mund të rishikohen, por jo vetëm këta. Janë shumë gjëra për t’u rishikuar, të cilat u bënë kauza. Një komisioni tjetër me ekspertë, që ndoshta bën një vlerësim më të detajuar… Jam dakord që t’u hiqen medaljet, dekoratat, t’u hiqen përfitimet, sepse ndonjëherë morali mund të jetë edhe mbi ligjin, por unë ju them se kategoria e parë ka gëzuar dhe e ka përfituar këtë në vitin ‘94, ’95, ‘96 dhe duhej që, që në atë kohë të bëhej rivlerësimi i të gjitha figurave që po flasim sot.
Statusi është diçka tjetër dhe mesa e shpjeguat ju, e kanë bërë kundërshtarët tuaj politikë se ata kanë qenë në pushtet. Por medalja është diçka honorifike, është gati morale. A mund të kërkohet zyrtarisht nga Ministria që ta kthejnë këtë medalje?
Ok, medalja është honorifike, por medalja është bazuar në një VKM që ka qenë e fokusuar te një kategori. Pra duhet parë kategoria, jo medalja, sepse mund të mos ishte i vetmi. Unë nuk e di sepse ka qenë e gjithë kategoria A. Kaq.
Dakord, nuk e dinit, por tani që e dini, do të ngrini një grup që të merret me ndryshimin një për një të emrave?
Nuk është në tagrin tim personal, por sigurisht që mund të merremi. Ne do të merremi me të gjitha gjërat që të tjerët nuk janë marrë, që duhet të ishin marrë. Se dhe ligjin për hapjen e dosjeve ne e bëmë dhe do të merremi që ta pastrojmë këtë histori njëherë e përgjithmonë. Unë jam vullnetplotë për të pastruar çdo listë nga e keqja, e cilësdo ane qoftë. Jam e ftohtë në këtë drejtim, sepse jam kundër dhunës, kundër xhelatëve. Janë me status edhe sot që po flasim. Por e vërteta është kjo. Shpresoj që në të ardhmen shumë të afërt të pastrojmë të gjitha listat nga xhelatët.
Shprehët vullnetin për një iniciativë që mund të merret dhe të bëhet diçka për t’ua hequr ato medalje?
Jo, jo, për të ndryshuar statusin.
Për të ndryshuar statusin fillimisht?
Po sigurisht.
Edhe për të ndryshuar medalje?
Po për rrjedhojë, vjen rrjedhimisht.
Dakord, do të ketë një iniciativë të tillë?
Pse të mos ketë?!
Do ta bëni ju?
Pse të mos e bëjmë?!
Kur do ta inicioni?
Ju intereson koha apo produkti?
Së shpejti, çështje ditësh, javësh…?
Më duhet të vlerësoj, unë jam pjesë e një qeverie dhe nuk marr vendime personale. Por do ta diskutoj dhe e kam diskutuar këtë gjë dhe besoj fort që do të ketë një përgjigje ashtu siç ka përgjigje edhe për shumë gjëra që, qëllimisht ose nga padituria, janë lënë, janë tërhequr zvarrë gjatë gjithë këtyre viteve dhe duhet të ishin bërë prej shumë kohësh.
Komentet