Ja si e portretizon Milaim Zeka Mero Bazen:
“Në shkrimin e tij rreth portretit të Hashim Thacit, Mero Baze rren aq shumë dhe aq flliqtë, saqë ne të cilët kemi qenë gjatë gjithë kohës në vendin e ngjarjes, themi: More, a kemi qënë edhe ne aty? Ç’pjellë e halucinogjeneve janë këto deklarata? Si nuk ka turp ky njeri?!
Por nejse, ne do të bëjmë disa sqarime për publikun, jo për Meron dhe as për ata që pa u menduar, i besojnë atij.
Mero thotë që ka qënë një ‘kritik i vjetër i Thaçit”, kurse në fakt, ai kurrë nuk e ka kritkuar Thaçin, e as nuk ka pasur se si ta kritikojë, sepse kurrë nuk e ka njohur, deri në Rambuje.
Mero, gjithë jetën e tij ka qenë kundër UÇK së, dhe këtë punë e ka bërë: e para se ka qenë i rekrutuar nga sherbimi sekret serb, me qëllim dezinformimin sa më të madh rreth luftës të Kosovës. E dyta sepse ka marrë para shumë të majme nga kryeministri I Kosovës ne ekzil, Bujar Bukoshi. Dhe e treta, ai ka qenë tampon i gjithë qelbit berishian kundër luftëtarëve të lirisë së Kosovës. Ky njeri ka qenë jo vetëm afër Berishës, por edhe më afër me Gazideden, ish shefin e sherbimit sekret të Berishës, i cili po ashtu është paguar nga Bukoshi në kohën kur janë burgosur Adem Jashari, Fehmiu, Xheva, Ramush haradinaj, Hashim Thaci e Kadri Veseli etj, pikërisht prej njerëzve të Gazidedes.
Por të kalojmë prapë te shkrimi i publikuar në Express. Sipas Mero Bazes (pash Zotin veç lexojeni, degjojeni dhe analizojeni, sepse po dalin krejt rrena ato qe janë shkruar për Rambujen dhe Parisin deri më tani) njeriu i cili e paska vonuar firmosjen e marrëveshjes së Rambujes, na paska qenë “Rugova dhe të vetët”. Kështu na zbulon “të vërtetën” e tij Mero i famshëm, falsifikuesi i të gjitha ngjarjeve historike. Pra, deri dje është akuzuar Hashim Thaçi se e ka zvarritur nënshkrimin, tash po na del Rugova dhe të “vetët”, sepse, citojmë: “Hezitonin të hidhnin firmën në një dokument të brendshëm, që Thaçi pas Konferencës të quhej kryeministër”!!! Të vërtetat e tjera, thotë më tutje Mero, “janë legjenda urbane, dhe vlejnë për të treguar përralla për brezat e rinj”!!!
Mero Baze, në një pasues tjetër, për Hashim Thaçin thotë: “E keqja e tij e madhe është se rrugëtimi I tij politik përmes UÇK së, kaloi përmes kufomash të bashkëluftëtarëve të tij dhe kundërshtarëve politik”.
E para, sinqerisht habitem tek kolegët e mi gazetarë, se si ka mundësi që i japin hapësirë një njeriu të tillë, që përmes një portali të Kosovës te akuzojë rëndë dhe të gënjejë në mënyrë kaq të paskrupullt. Unë nuk e kam fare hallin pse ai rren dhe akuzon Hashim Thaçin, por brenga ime është tek gazetaria jonë, e cila dalengadalë po i merr ngjyrimet e asaj të Tiranës, ku klikimet janë më të rëndësishme se ajo që thuhet. Mero Baze mund të livadhisë në gazetën e tij, por akuzat e tij, për mendimin tim, nuk mund të përçohen përmes shtypit të Kosovës. Së pari sepse në Shqipëri edhe me ligj nuk dënohesh për shpifje nëpër gazeta, një peshqesh që Berisha ua bëri çiftit të Meros, që të shfryhen sa të duan pasi askush nuk i merr seriozisht. Por së dyti, dhe më e rëndësishmja, në Kosovë të gjitha këto shpifje e lajthitje merren shumë seriozisht nga ata që hartojnë e plotësojnë dosjet mbi të cilat po akuzohen luftëtarët e UÇK-së.
Ta analizojmë pasuesin e pare! Mero thotë se nënshkrimi qenka vonuar për shkak të Rugovës dhe pjesës tjetër të delagacionit të LDK-së. Asnjë njeri, dëshmitar në takim apo rastësisht jashtë, kurrë, ama kurrë nuk e ka përmendur ndonjëherë një gjë të tillë. Dhe krejt kjo, sipas Meros, qënka bërë për shkak të firmosjes së një dokumenti, ku Thaçi paska kërkuar që të njihej si kryeministër. Besoni që çdo fjalë është rrenë e kulluar. Le të flasin të gjithë ata që kanë qenë prezent. Le të flasin anëtarët e delegacionit.
Ajo që përrallis Mero i shkretë ka të bëjë me marrëveshjen për rrëzimin e kryeministrit Bukoshi, gjë që është diskutuar dhe është arritur pas hedhjes së nënshkrimeve në përfundim të Konferencës. Rugova, jo vetëm që ka qenë dakort, por ai vetë e ka iniciuar një gjë të tillë, pasi pjesa e UÇK së, ka patur raporte më të mira me Bukoshin në krahasim me njerëzit e Rugovës. Mirëpo në këtë marrëveshje, Rugova ka kërkuar që Jakup Krasniqi të ishte Kryeminister, dhe jo Thaçi. Për këtë gjë nuk është pajtuar Xhavit Haliti dhe Azem Syla, të cilët kanë kërkuar me ngulm që Kryeminister të ishte Hashim Thaçi. Dhe kjo është arsyeja që Rugova nuk e ka respektuar marrëveshjen.
Sa i perket akuzave të tjera që i bën Mero, se gjoja Thaçi ka kaluar mbi kufomat e kundërshtarëve të tij politik, kjo është një temë me të cilën do të merret Gjykata Speciale, e cila sigurisht që do ta thërrasë Meron në cilësinë e dëshmitarit, jo vetëm kundër Hashim Thaçit, po edhe kundër shumë të tjerëve, mbi të cilët Mero “shkep haptaz” .
Meron e njohin të gjithë si njeri paranoik, i cili përpara vetes sheh kercënime, vrasje, rrahje, e të tjera. Dhe ato gjëra që i shfaqen në paranojen e tij, i shkruan si të vërtetat e veta.
Kaq sa për sot për Meron….”
Komentet