VOAL

VOAL

Mikullovci është mirë – seancën e vazhdimit e thërret në orën 15:00

August 3, 2017

Komentet

Presidenca: Asnjë nga vendimet e deritanishme të Trumpit nuk e afektojnë negativisht Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e fotografuar pranë flamurit amerikan dhe atij të Kosovës në SHBA.

 

Presidenca e Kosovës tha se i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, ka konfirmuar se asnjë nga vendimet e deritanishme të presidentit amerikan, Donald Trump, “tani për tani, nuk e afektojnë negativisht Kosovën”.

Këshilltari për media i presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani, Bekim Kupina, tha për Radion Evropa e Lirë se këtë konfirmim Kasanof e ka bërë gjatë takimit që ka pasur në Uashington me shefen stafit të Osmanit, Learta Hollaj.

Kjo deklaratë nga Presidenca e Kosovës vjen pasi Trump në ditën kur mori mandatin e presidentit nënshkroi një urdhër ekzekutiv që pezullon përkohësisht të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për 90 ditë, derisa të shqyrtohen nëse ato janë në përputhje me objektivat e tij politik.

Radio Evropa e Lirë më 21 janar ka pyetur Ambasadën amerikane në Prishtinë dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), nëse ky vendim do të ndikojë në ndonjë mënyrë në ndihmat e parapara për Kosovën, por nuk ka marrë përgjigje.

uebfaqen e USAID-it thuhet se, që nga viti 1999, mbi një miliard dollarë janë shpenzuar për zhvillimin e Kosovës.

Aktualisht, USAD-i financon një sërë aktivitetesh në Kosovë, që përfshijnë mbështetje të reformave legjislative, përmirësimin e gjithpërfshirjes dhe llogaridhënies, ndihma për adresimin e sfidave të korrupsionit, ndihma për përmirësimin e konkurrencës tregtare e të tjera.

Ndihmat e tilla kanë vazhduar edhe gjatë kohës kur SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian e kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për vendime që kryesisht kanë të bëjnë me jetesën e serbëve në komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, si heqja nga përdorimi e dinarit serb, shpronësimi në veri të Kosovës për ndërtimin e bazave policore, mbyllja e institucioneve paralele që funksionojnë sipas sistemit serb, etj.

Ndërkaq, në njoftimin për media të lëshuar nga Presidenca e Kosovës lidhur me këtë takim është thënë se Kasanof ka deklaruar se është e rëndësishme që të vazhdojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky proces, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara, synon normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Zyrtarë të lartë amerikanë më herët kanë thënë se shpresojnë që ky proces të përfundojë me njohje të ndërsjellë, gjë që Kosova e kërkon. Por, Serbia ka kërkuar një lloj kompromisi, ku asnjëra palë nuk do të ishte fituese absolute apo humbëse absolute.

Hollaj, sipas njoftimit, me Kasanofin ka diskutuar edhe për dialogun strategjik Kosovë-SHBA, pritjet nga ky proces dhe fushat që do të mbuloheshin nga ky dialog.

Më 10 janar, Osmani kishte deklaruar se Kosova dhe SHBA-ja shumë shpejt do të finalizojnë një marrëveshje për dialog strategjik mes dy vendeve, i cili, sipas saj, do të përfshijë fusha të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës.

Dialogu strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera është nivel i lartë diskutimi për thellimin e partneritetit.

SHBA-ja udhëheq dialog strategjik me një numër vendesh, me qëllim të avancimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Ndër vendet me të cilat SHBA-ja ka dialog strategjik janë: Maqedonia e Veriut, Lituania, Mbretëria e Bashkuar, Rumania, Austria, Polonia, Sllovenia, Moldavia, Greqia, Lihtenshtajni, Katari, Omani, Bahreini, Egjipti, etj. REL

“Loja e ndërprerë” – Muzeu i Fëmijëve të Luftës në Kosovë

VOA Edlira Bllaca

Çlirimtare Januzaj lindi në kohë lufte në vitin 1999 në një kamp refugjatësh në Shqipëri, ku familja e saj ishte strehuar pas ikjes nga Kosova.

“Më kanë treguar se si kanë dashur që emrin tim ta shohin si simbolikë të çlirimit të Kosovës. Jam rritur me rrëfime të njerëzve që më kanë thënë çika e luftës, na ke çliruar Kosovën dhe kjo më ka bërë të ndihem e veçantë por në të njëjtën kohë edhe shumë konfliktuoze me veten se si mund të jesh një individ në mes të konfliktit dhe rezistencës”, thotë ajo.

Në një bisedë me Zërin e Amerikës, Çlirimtarja thotë se kjo situatë e ka nxitur të merret me dokumentimin e krimeve të luftës. Sot një antropologe me profesion, Çlirimtarja ka intervistuar rreth 50 persona që e kanë përjetuar luftën në fëmijëri, rrëfimet e të cilëve janë pjesë e Muzeut të Fëmijëve të Luftës.

Çlirimtare Januzaj

Çlirimtare Januzaj

“Ka qenë gjithmonë proces i ndjeshëm për mua, nuk e kam kuptuar as ndjesinë personale pa i intervistuar njerëzit që kanë qenë fëmijë gjatë luftës. Ka qenë një lloj reflektimi me veten për të parë se ku është pozicioni im në kontekstin e luftës dhe përse është krijuar si një thirrje personale që unë të vazhdoj të punoj me temën e luftës”, thotë ajo.

“Loja e ndërprerë” është emri i këtij muzeu i cili përmban dhjetëra rrëfime të gërshetuara me fotografi e objekte të tjera që sipas drejtuesve të tij paraqesin një udhëtim të fshehjes, ikjes në kushte ekstreme, përballjes traumatike me humbjen dhe vdekjen si dhe të situatës së krijuar pas përfundimit të luftës.

Marigona Shabiu

Marigona Shabiu

“Muzeu si i tillë e ka qëllimin e shërimit kolektiv, e çlirimit prej asaj barre emocionale që fëmijët e kanë përjetuar në atë kohë e që tash janë të rritur mirëpo pasojat e traumat e asaj kohe vazhdojnë t’i përcjellin edhe sot. Edhe unë kam qenë fëmijë 5-6 vjeç gjatë luftës dhe kam shumë kujtime prandaj edhe në nivel personal e ndiej dhe e kuptoj se sa me rëndësi është krijimi i hapësirave të tilla”, thotë Marigona Shabiu nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.

Ajo thotë se ky muze synon të shërbejë edhe si një hapësirë e edukimit të brezave të rinj mbi ngjarjet e luftës por edhe të nxisë pajtimin.

“Edhe të sigurohemi që këto tmerre, kjo ndërprerje e fëmijërisë në mënyrë të dhunshme nuk iu ndodhë atyre dhe asnjë fëmije tjetër në Kosovë e kudo në botë”, thotë ajo.

Dokumentimi i përjetimeve të fëmijëve në luftë dhe pas saj do të vazhdojë, thotë zonja Shabiu dhe muzeu do të përditësohet në vazhdimësi me rrëfime e objekte të tjera që kujtojnë atë periudhë.

Lufta në Kosovë, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, la pas vetes mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një mijë e 24 fëmijë janë në mesin e të vrarëve, ndërkaq ende nuk dihet asgjë për fatin e mbi 100 fëmijëve që mbeten pjesë e listave të të zhdukurve gjatë luftës.

Rilindja shkatërroi bujqësinë- Për shkak të tokave djerrë, vitin e shkuar u importua drithë si kurrë më parë

Për shkak të tokave djerrë, vitin e shkuar u importua drithë si kurrë më parë. Pavarësisht se në nivele të papërfillshme, Shqipëria arriti vitin e shkuar të eksportonte 152 tonë grurë e misër me vlerë 24 milionë lekë.

Kryesisht grurë e misër, për të bërë bukë apo makarona… gjatë vitit të shkuar u importuan më shumë se 335 mijë tonë drithë. Sasia e drithit të hyrë gjatë 2024-ës u zgjerua me më shumë se 48 mijë tonë në raport me 2023-it.

Image

“Rritja e importeve vjen për shkak të mungesës së prodhimit vendas. Kemi reforma, por jo akte konkrete. Nuk ka financime për bujqësinë”, u shpreh Zef Gjeta, pedagog për bujqësinë.

Ndryshimet në gjeografinë e tregtisë së jashtme, reduktimi i kostove të transportit dhe forcimi i lekut bënë që çmimi i drithit të importuar të ishte më i ulët. Ndonëse u importuan gati 50 mijë tonë më shumë grurë e misër, vlera e paguar për blerjen e tyre ishte gati e njëjtë me 2023-shin, vit në të cilin u shpenzuan rreth 10 miliardë lekë.

Image

“Tani drithi po vjen kryesisht nga Serbia. Më herët vinte nga Rusia e Rumania. Kostot rrjedhimisht janë më të ulëta”, theksoi Andi Haxhiymeri, administrator i një kompanie.

Pavarësisht se në nivele të papërfillshme, Shqipëria arriti vitin e shkuar të eksportonte 152 tonë drithë me vlerë 24 milionë lekë. Në raport me 2023-shit, vit në të cili prodhimi vendas rezultoi i mbarë, eksportet u tkurrën tkurrur me mbi 4 herë.

Image

“Kudo në botë prodhimi i grurit subvencionohet. Në Serbi, Kanada, Francë etj, prodhimi i grurit subvencionohet. Nuk mundet fermeri të marrë përsipër të gjithë procesin”, shtoi Haxhiymeri.

“Shteti ynë ka dështuar në drejtim të subvencioneve, ndaj jemi në këtë gjendje ku nuk prodhojmë, por importojmë”, shtoi Gjeta.

Përfshirë arat, kopshtet, livadhet, lëndinat, kullotat apo moçalet, në Shqipëri ka rreth 875 mijë hektarë tokë. Nga kjo, hapësira që përmban humus e lëndë minerale, thënë ndryshe toka bujqësore, vlerësohet në gati 700 mijë hektarë.

Image

Por nga viti në vit, sipërfaqja e mbjellë me grurë, misër, tërshërë, elb apo kultura të tjera bujqësore po rrudhet, ndërsa  po zgjerohet hapësira e tokave të djerra./A2 CNN

Tusk bën thirrje për një Evropë të ‘armatosur’ dhe kundërshton Marrëveshjen e Gjelbër

Në një fjalim të fuqishëm para Parlamentit Evropian, Donald Tusk bëri thirrje për një rritje të konsiderueshme të shpenzimeve ushtarake në Evropë dhe një rishikim kritik të Marrëveshjes së Gjelbër, duke paralajmëruar për sfidat e mëdha të sigurisë dhe energjisë që kërcënojnë kontinentin.

“Europa duhet të armatoset”
Në fjalimin e tij, Tusk tha: “Evropa ishte, është dhe do të jetë gjithmonë e mrekullueshme,” duke theksuar nevojën që kontinenti të mos mbështetet më në ombrellën e sigurisë së Amerikës. Ai argumentoi se vetëm një Evropë e armatosur mund të mbijetojë në një botë të trazuar.

“Kjo nuk është zgjedhja jonë,” tha Tusk, duke shtuar se, si kryeministër i Polonisë, një vend që ka vuajtur rëndë gjatë konflikteve të kaluara, e kupton rëndësinë e forcimit të mbrojtjes. “Për të shmangur përsëritjen tragjike të historisë, ne duhet të jemi të fortë, të armatosur dhe të vendosur.”

Duke iu referuar pushtimit rus në Ukrainë dhe krizave të emigracionit të instrumentalizuara nga Bjellorusia, Tusk i bëri thirrje BE-së të trajtojë sigurinë me seriozitet. Ai propozoi mënyra të reja financimi për rritjen e shpenzimeve ushtarake, përfshirë emetimin e borxhit të përbashkët të BE-së, një propozim që ka ndarë vendet anëtare.

“Ne nuk duhet të na interesojë shumë se çfarë metode do të adoptojmë për të financuar mbrojtjen. Nuk ka alternativë: Evropa duhet të fillojë të mbrohet dhe të shpenzojë paratë e saj për këtë qëllim,” theksoi Tusk.

Trump dhe thirrja për shpenzime më të mëdha në NATO
Tusk iu referua kthimit të mundshëm të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke paralajmëruar se kjo mund të shënojë fundin e kohës së rehatisë për Evropën. Trump ka kërcënuar më parë se do të inkurajonte Rusinë të vepronte kundër vendeve të NATO-s që nuk arrijnë të shpenzojnë 2% të PBB-së për mbrojtje, dhe ka sugjeruar rritjen e objektivit të NATO-s në 5%.

“Mos pyesni Amerikën se çfarë mund të bëjë për sigurinë tonë. Pyesni veten se çfarë mund të bëjmë ne për sigurinë tonë,” tha Tusk, duke perifrazuar John F. Kennedy.

Marrëveshja e Gjelbër dhe çmimet e energjisë
Tusk e zhvendosi vëmendjen në Marrëveshjen e Gjelbër, duke argumentuar se disa rregullore mjedisore të BE-së janë përgjegjëse për çmimet e larta të energjisë që po dëmtojnë konkurrencën e bllokut në raport me SHBA-në dhe Kinën. Ai e cilësoi situatën si një kërcënim për stabilitetin dhe mirëqenien e Evropës.

“Evropa nuk mund të humbasë konkurrencën globale. Nëse falimentojmë, askush nuk do të kujdeset më për mjedisin,” paralajmëroi Tusk. Ai bëri thirrje për një rishikim të thellë të Marrëveshjes së Gjelbër, duke përfshirë një vlerësim të ndikimit të zgjerimit të Sistemit të Tregtimit të Emisioneve, i cili pritet të rrisë çmimet për transportin dhe ndërtesat nga viti 2027.

Paralajmërimi për destabilitet politik
Tusk paralajmëroi se çmimet e larta të energjisë mund të provokojnë pakënaqësi popullore që mund të rrezikojë stabilitetin demokratik në Evropë. “Ne duhet të heqim dorë nga doktrinat dhe të përqendrohemi te arsyeja e përbashkët,” tha ai, duke kërkuar një qasje më pragmatike.

Reagime të ndara
Propozimet e Tusk shkaktuan duartrokitje nga eurodeputetët konservatorë, ndërsa progresistët shprehën mosmiratim. Ndërkohë, Komisioni Evropian dhe OJQ-të mjedisore kundërshtuan idenë se Marrëveshja e Gjelbër është fajtore për çmimet e larta të energjisë, duke theksuar se varësia nga lëndët djegëse fosile është problemi kryesor.

Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, mbrojti Marrëveshjen e Gjelbër dhe tha se objektivat e saj nuk mund të ndryshojnë për shkak të krizës klimatike. “Ne duhet të ulim çmimet e energjisë dhe të largohemi nga karburantet fosile ruse, duke ndjekur të dy objektivat njëkohësisht,” deklaroi ajo.

Fjalimi i Tusk, i cili synonte të përcaktonte prioritetet e Polonisë gjatë presidencës së saj të Këshillit të BE-së, solli në vëmendje ndasitë e mëdha mbi sigurinë dhe klimën në Evropë, duke ofruar një vizion të guximshëm, por të diskutueshëm për të ardhmen e kontinentit./ Euronews – Syri.Net

‘Paratë e zeza vërshojnë lumë’- Buxhuku: Ekonomia shqiptare e ‘shqyer’, bujqësia dhe industria në alarm, importi po bën ligjin

Kreu i Konfindustrias, Gjergj Buxhuku i ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në SYRI TV, tha se e vetmja gjë që po zbatohet në vendin tonë porsa i përket ekonomisë, është rritja e taksave. Dhe kjo sipas tij, është një barrë e cila godet qytetarin, e në fund, çon deri në falimentin e një biznesi.

Këto janë pasoja të prodhuara nga sistemi i qeverisjes theksoi Buxhuku, ndërsa rendit edhe disa arsye se pse nuk përmirësohet situata ekonomike në vend.

Problemi është që po përsëritim gjëra që janë thënë prej vitesh. Ne kemi dy dekada që i ngremë këto çështje në mënyrë të njëpasnjëshme. Nuk shikojmë ndonjë përmirësim të gjendjes, përkundrazi, shohim rëndim të saj. Këtu është një sistem i ndërtuar keq. Dhe ky sistem, këto gjëra do të prodhojë. Nga një anë të uljes së prodhimit vendor, rëndim të taksave të vazhdueshme të bizneseve dhe këto të fundit do t’ia transmetojnë aq sa munden qytetarit, deri në momentin që biznesi të mos mbajë më dhe të falimentojë. Pra, goditjen finale e ha gjithmonë qytetari që është dhe konsumatori final.

Strategjitë ndërtohen por e vetmja gjë që zbatohet është rritja e taksave. Nuk është bërë ndonjë analizë për këto strategji të zhvillimit afatmesëm e afatgjatë për të kuptuar se çfarë arritjesh kanë prodhuar. E vetmja gjë që është serioze dhe e kuptueshme është rritja e taksave.

Ky sistem këto gjëra do të prodhojë, janë pasojat e tij. Unë mendoj që shpresat janë zero që të përmirësohen. Kërkohet një vendimmarrje politike shumë e fortë, por kjo e fundit në kushtet në të cilat ndodhet Shqipëria, ka kapur në dy drejtime kryesore ekonominë. Nga njëra janë paratë e zeza që vërshojnë ‘lumë’, dhe kuptohet që këto para godasin biznesin formal. Dhe nga ana tjetër janë paratë e derdhura po ‘lumë’, që janë ato të korrupsionit. Pra, jemi futur në një vorbull që nuk kemi të bëjmë me një sistem ekonomik të tregut të lirë, nuk ka të bëjë aspak me një sisteme që i takon një shteti demokratik, por flukse të tilla që unë e quaj të vështirë të rregullohen nga brenda”, tha kryetari i Konfindustrisë.

Por çfarë po ndodh me defiçitin tregtar në vend, ku në fund të vitit 2024 u arrit rekordi për 5.2 miliardë euro. Në vend ra eksporti me 15 %, e rrjedhimisht duke mos lënë boshllëqe në treg, u rrit importi.

Problemi është që në Shqipëri, kanë rënë dhe po bien me shpejtësi dy kolonat e ekonomisë. Industria dhe prodhimi bujqësor. Këto dy kolona po bien dhe goditen ashpërsisht. Prodhimi industrial në vend ka rënë 12-13 %, që është një alarm i madh për një vend normal. Por që në Shqipëri e merr si një diçka që nuk ka problem. Të gjitha politikat e shteteve të mëdha me në krye SHBA, kanë filluar të japin alarme të mëdha konservatore.

Qëllimi i tyre është të mbrojnë prodhimin e tyre vendor. Trump me politikën e tij ka dhënë sinjalet e qarta që përpara fushatës zgjedhure, për të mos thënë që ky ishte ‘kali’ më i rëndësishëm i luftës ose betejës së tij.

E gjithë bota ka hyrë në një cikël proteksionist. Ndërkohë, në Shqipëri është politika e dyerve të shpartalluara. Politika tregtare në mbrojtje të prodhimit vendor, mungon. Është një fushë e shqyer ekonomia shqiptare ku importet bëjnë ligjin, importuesit bëjnë ligjin. Kanë kapur gjithçka dhe prodhuesit dhe industritë janë në duart e tyre.

Gjithashtu, politikat e flukseve të pakontrolluara të zeza kanë forcuar lekun në mënyrë të panatyrshme, duke i dhënë një goditje fatale industrisë dhe prodhimit vendor dhe duke inkurajuar nga ana tjetër importet. Praktikisht, Shqipëria është një vend që mund ti takojë ndonjë republike “të bananeve të para 100 viteve”. Duhet ngritur sinjali i alarmit për ata të cilët kanë mend dhe kuptojnë.

Kjo situatë do të vazhdojë kështu, pa dashur të jem pesimist por këto që po them janë realiste”, tha më tej Buxhuku.

Shqipëri- Mungesë prodhimi vendas, importet e zarzavateve dhe mishit të kafshëve u rritën me mbi 30% më 2024

Mungesa e prodhimit vendas dhe zhvillimi i turizmit është duke nxitur rritjen e shpejtë te importeve, sidomos në disa grupe ushqimesh ku sasitë u rriten me mbi 30 për qind në vitin 2024.

Ri-zgjimi i kanaleve të importit po e bën edhe më të vështire konkurrencën e prodhimit vendas dhe po ul vlerën e mbetur në vend nga prurjet e turizmit.

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT në vitin 2024 importet e kafshëve të gjalla shënuan rritje me 35.5 për qind, në sasi. Rreth 32 mijë tonë kafshë të gjalla u importuan nga rajoni dhe më gjerë nga 22 mijë tonë në vitin 2023. Rritja e importeve të kafshëve po vjen për dy arsye kryesore.

E para, si rrjedhojë e rënies së numrit të bagëtive, nga plakja e popullsisë dhe pakësimi i popullsisë në fshat. Numri i bagëtive në vendin tonë është përgjysmuar në dekadën e fundit.

Së dyti konsumi i mishit ka pësuar rritjen prej zhvillimit të turizmit. Kuzhina shqiptare ka në themel të saj mishin dhe bulmetin. Në njërën anë numri i vizitoreve dhe njësive të agro-turizmit po rritet dhe nga ana tjetër numri i bagëtive në vend po pëson rënie duke bërë që hendeku të plotësohet në import.

Përveç kafshëve edhe importet e në sasi zarzavateve pësuan rritje me 29 për qind vitin e kaluar. Gjatë 2024 u importuan 61 mijë tonë zarzavate nga 47 mijë tonë më 2023.

Pavarësisht se prodhimi në sera po rritet vit pas viti, ai është destinuar për eksport, teksa falimenti i ngastrave të vogla i ka kthyer në konsumatorë fermerët e vegjël edhe në fshatra. Gjithashtu sektori i turizmit ka rritur kërkesën për zarzavate duke nxitur rritjen e importeve.

Në total importet e ushqimeve në sasi janë rritur me 15 për qind vitin e kaluar. Rritja me shpejtësi e vizitorëve të huaj në vendin tonë është një mundësi e artë për të nxitur më tej ekonominë dhe mirëqenien në vend.

Përvojat e vendeve të tjera mesdhetare na tregojnë se, nga turistët nuk përfitojnë vetëm hotelet dhe restorantet, por të shumë sektorë të tjerë që lidhen me prodhimin dhe sidomos bujqësia dhe i gjithë zinxhiri i furnizimit që i nevojitet turizmit. Kjo lidhje e bën turizmin gjithëpërfshirës dhe zgjeron përfitimet tek më shumë njerëz. Apo ecën në këtë trajektore Shqipëria.

Të dhënat tregojnë një prirje të kundërt. Teksa numri i turistëve është duke u rritur në rekorde, sektori i prodhimit, bujqësia, industria dhe eksportet në përgjithësi po bien me shpejtësi. Bujqësia, sektori kryesor i ekonomisë shqiptare që kontribuon me shumë se 18% të PBB -së shënoi rënie me 2.5% në tremujorin e tretë 2024. Kjo ishte rënia më e fortë që nga tremujori i katërt i vitit 2022 kur prodhimi u dëmtua nga ngrica.

Mungesa e lidhjes së turizmit me sektorët e tjerë po bën që një pjesë e madhe e fitimeve që vijnë turizmi të dalin jashtë për importin e mallrave që na duhen për turistët. Gjatë vitit artikujt lidheshin me furnizimet e hoteleve pësuan rritje në sasi deri në 50%, duke ndikuar negativisht deficitin tregtar./ Monitor

Osmani: Kosova e përkushtuar të punojë me administratën e presidentit Donald Trump

VOA Leonat Shehu

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, shprehu të martën përkushtimin e plotë për të punuar me administratën e presidentit të ri Donald Trump dhe rritjen e bashkëpunimit për të mirën e të dyja vendeve.

“Siç e dini, unë tashmë kam pasur mundësi që ta uroj personalisht presidentin Trump, gjatë vizitës në Paris dhe jo vetëm që ta uroj por njëkohësisht të kem edhe një bisedë përmbajtjesore me të, lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajonin tonë dhe rreziqet të cilat i kanosen këtij rajoni. Kam shprehur besimin e plotë në lidershipin e tij për ta ruajtur paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe me gjerë dhe për ta thelluar bashkëpunimin dhe jam e kënaqur dhe shumë optimiste pas asaj bisede që kam pasur me presidentin”, tha ajo.

Presidentja Vjosa Osmani përmes një letre, uroi Presidentin Donald Trump për inaugurimin e tij si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara ndërsa theksoi se Kosova qëndron si aleate dhe partnere krenare e Shteteve të Bashkuara, e udhëhequr nga një vendosmëri e përbashkët për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt e paqësore.

“Udhëheqja dhe përkushtimi juaj për të avancuar rrugën e njohjes së ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është diçka që ne e vlerësojmë dhe e mbështesim me vendosmëri”, thuhet në letrën e presidentes Osmani, në të cilën nënvizohet se kjo do të kontribuojë edhe për paqen e qëndrueshme dhe afatgjatë në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë kontinentin evropian.

Presidentja Osmani bashkë me diplomatë perëndimorë në Prishtinë i bënë nderime ish presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova në përvjetorin e 19-të të vdekjes së tij, duke vënë theksin te qasja e tij ndaj aleancës me Perëndimin.

“Presidenti Rugova jo vetëm që bëri bashkë të gjithë qytetarët e Kosovës rreth kauzës për liri, pavrësi dhe demokraci, por njëkohësisht u bë edhe zëri i Kosovës në botë duke ndërtuar aleanca të rëndësishme që na u deshën më së shumti në ato kohë të vështira”, tha ajo.

Presidentja Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kohët e fundit janë përballur me mospajtime posaçërisht rreth marrëdhënieve të Kosovës me aleatët perëndimorë.

Mandati i parë i Presidentit Trump u karakterizua nga marrëdhënie të tensionuara me qeverinë e parë të kryeministrit Albin Kurti.

Kryeministri Kurti tha në nëntor të vitit të kaluar pas fitores së zotit Trump në zgjedhjet presidenciale se qeveria e tij është e gatshme dhe interesuar të vazhdojë bashkëpunimin me administratën e re të Shteteve të Bashkuara.

Marrëdhëniet e qeverisë së tij nuk panë ditët më të mira as me administratën e ish Presidentit Joe Biden. Diplomatët amerikanë disa herë kanë tërhequr vërejtjen se veprimet e autoriteteve të Kosovës në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe, kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit dhe kanë paralajmëruar Prishtinën se mospajtimet pengojnë angazhimin e tyre për të ndihmuar përparimin e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.

Osmani dhe diplomatët e huaj kryejnë homazhe te varri i ish-presidentit Rugova

Presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova.

 

Në 19-vjetorin e vdekjes së presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugovës, presidentja aktuale, Vjosa Osmani, dhe diplomatët e huaj në Kosovë kanë bërë homazhe dhe nderime te varri i Rugovës, në lagjen Velania në Prishtinë.

Në mesin e pjesëmarrësve në këtë ceremoni ishin e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane, Anu Prattipati, amabasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, dhe ambasadorë të tjerë të huaj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e quajti Rugovën “atin themeltar të shtetit tonë” pasi tha se ai kishte dhënë “kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e themeleve të forta të shtetit tonë”.

“Presidenti Rugova jo vetëm që bëri bashkë të gjithë qytetarët e Kosovës rreth kauzës për liri, pavrësi dhe demokraci, por njëkohësisht u bë edhe zëri i Kosovës në botë duke ndërtuar aleanca të rëndësishme që na u deshën më së shumti në ato kohë të vështira”, tha Osmani.

Ajo e lavdëroi Rugovën për vizionin e tij, që tha se tani shërben si udhërrëfyes dhe shembull jo vetëm për liderët shtetërore të Kosovës, por për liderët kudo në botë.

Rugova kishte shërbyer si president i parë i Kosovës dhe ishte lider i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe njihet për rolin e tij në lëvizjën paqësore për pavarësinë e Kosovës nga Serbia gjatë viteve të 90-ta.

Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me forcat tjera politike shqiptare në Kosovë, më 2 korrik të vitit 1990 kishte shpallur Kosovën Republikë dhe më 7 shtator të po të njëjtit vit kishte miratuar edhe Kushtetutën e saj.

Në Kosovën e para luftës, ai ishte zgjedhur kryetar i Republikës së Kosovës në zgjedhjet presidenciale, që nuk janë njohur ndërkombëtarisht, të cilat janë mbajtur më 24 maj të vitit 1992 dhe më 22 mars të vitit 1998.

Më vonë, Rugova fitoi edhe në dy garat e përgjishme zgjedhore të njohura ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës.

Më 27 gusht të vitit 2005, Rugova kishte udhëtuar për në spitalin ushtarak në bazën amerikane në Landstuhl të Gjermanisë dhe qëndroi aty deri më 3 shtator për trajtim mjekësor. Dy ditë më vonë, më 5 shtator të vitit 2005, presidenti i Kosovës, Ibrahim njoftoi se vuan nga kanceri në mushkëri.

Ai vdiq më 21 janar të vitit 2006, në moshën 62-vjeçare. REL

OECD: Shqipëria me shpenzimet më të ulëta shëndetësore për frymë në Europë

Në vitin 2022 Shqipëria kishte shpenzimet shëndetësore për frymë (publike +private), prej vetëm 734 euro. Ky ishte niveli më i ulët në Europë sipas raportit të fundit të Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) mbi gjendjen shëndetësore në Europë më 2024.

Shpenzimet për frymë për shëndetësinë në Shqipëri janë gati 5 herë më të ulëta se mesatarja e BE-së prej 3,533 euro.

Në rajon, shpenzimet më të larta për shëndetësinë i ka Mali i Zi, dy herë më shumë se tek ne (1593 euro), e ndjekur nga Serbia (1517), Maqedonia e Veriut (1142 euro), Bosnjë-Hercegovina (1072). Edhe nëse bëhen llogaritjet me popullsinë e fundit të CENs prej 2.42 milionë banorë, sërish shpenzimet për frymë mbeten më të ulëtat në Europë, teksa nuk i kalojnë 820 euro, ose 4.3 herë më pak se në Europë.

Të dhënat tregojnë se Zvicra kryeson Europën për nivelin e lartë të shpenzimeve shëndetësore për frymë me 5630 euro në vit e ndjekur nga Norvegjia me 5,376 euro.

Midis vendeve të BE-së, shpenzimet shëndetësore për frymë ishin të larta edhe në Gjermani me 5,317 euro frymë ose 50% mbi mesataren e BE-së. Shpenzimet shëndetësore në Austri dhe Holandë ishin gjithashtu të paktën 25% më të larta se mesatarja e BE-së.

Në anën tjetër brenda BE, shpenzimet shëndetësore për frymë ishin më të ulëtat në Hungari, Kroaci, Bullgari dhe Rumani, me më pak se 1900 euro për person. Po në disa vende jashtë BE-së, shpenzimet shëndetësore ishin shumë më pak.

Për shembull, Turqia shpenzoi vetëm rreth 1000 euro për frymë, ndërsa në Shqipëri kjo shifër ishte më pak se 800 euro. Gjithashtu shqiptarët janë më të shqetësuarit në Rajon për kostot e larta të shërbimeve shëndetësore, sipas anketës së fundit të “Security Metër”, të zhvilluar në 6 vendet e Rajonit nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC).

Rezultatet treguan se 24% e shqiptarëve ishin shumë të shqetësuar, pasi nuk ishin në gjendje të përballonin kostot financiare për kujdes mjekësor rutinë dhe mjekim. Ky shqetësim ishte i pranishëm në një përqindje më të ulët ndër qytetarët e Bosnjës 16%, Kosovës 9%, Maqedonisë së Veriut 16%, Malit të Zi 20% dhe Serbisë, 20%.

OECD vë re se shpenzimet shëndetësore në vendet e Europës Perëndimore dhe Veriore ishin mbi pesë herë më të larta se në disa vende në Evropën Qendrore, Lindore ose Jugore.

Në periudhën e rritjes së ngadaltë pas krizës financiare globale në 2008/09, rritja vjetore e shpenzimeve shëndetësore për frymë arriti në 3.4% mesatarisht në vendet e BE-së midis 2015 dhe 2019. Me fillimin e pandemisë COVID-19 në fillim të vitit 2020, qeveritë akorduan burime të paprecedentë financiare për sektorin e shëndetësisë për të luftuar COVID-19 dhe për të trajtuar pasojat.

Rritja mesatare e shpenzimeve shëndetësore arriti gati 6% në terma realë në vitin 2020 dhe u përshpejtua në 9.6% në 2021 në vendet e BE-së për të zhvilluar opsionet e trajtimit të pandemisë.

Mirëpo pas luftës në Ukrainë që nxiti krizën e energjisë dhe rritjen e kostove të jetesës, financimet për shëndetësinë u dobësuan.

Si rezultat, shpenzimet shëndetësore për frymë ranë ndjeshëm në vitin 2022 në të gjithë BE-në. Vlerësimet paraprake për vitin 2023 tregojnë për një tkurrje të mëtejshme të shpenzimeve shëndetësore në rreth gjysmën e vendeve të BE-së. Trajektorja e shpenzimeve të sistemeve shëndetësore po kthehet në nivelet para pandemisë./Monitor

Osmani uron Trumpin: Kosova përjetësisht mirënjohëse

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, uroi Donald Trumpin pas betimit si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara.

Në një letër drejtuar atij, Osmani tha se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë me të, me zëvendëspresidentin JD Vance dhe me gjithë administratën e re, “për të forcuar marrëdhëniet tona të posaçme, për të promovuar vlerat tona të përbashkëta të lirisë dhe për të adresuar sfidat e kohës sonë”.

Osmani përmendi, gjithashtu, përkushtimin e Trumpit për të avancuar rrugën që çon në njohjen mes Kosovës dhe Serbisë dhe tha se si presidente e Republikës së Kosovës, ndan bindjen se kjo do t’i kontribuojë edhe paqes së qëndrueshme dhe afatgjate në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë kontinentin evropian.

“Lidershipi dhe përkushtimi juaj për të avancuar rrugën e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, është diçka që ne e vlerësojmë dhe e mbështesim me vendosmëri”, tha Osmani në letrën e shpërndarë në X.

Aty, po ashtu, theksohet se “Kosova do të ketë përjetësisht një ndjenjë të thellë mirënjohjeje për rolin historik që Shtetet e Bashkuara kanë pasur në mbështetjen tonë, në disa prej kapitujve më të errët të historisë sonë”.

“Përkushtimi i vendit tuaj për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin njerëzor, e ka shpëtuar popullin tonë nga një regjim gjenocidial”, tha Osmani dhe shtoi se Kosova mbetet me krenari “populli më proamerikan” në botë.

Trump u betua më 20 janar si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në këtë detyrë, ai shërebu edhe gjatë viteve 2017-2021.

Në fjalimin e parë pas betimit, Trump u fokusua kryesisht në çështjet e brendshme, duke thënë se “epoka e artë e Amerikës fillon tani”. REL

Zelensky përgëzon Trumpin për betimin e tij si president i SHBA-ve: Sot ditë shprese për të zgjidhur shumë probleme!

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përgëzoi Donald Trumpin për betimin e tij si president i 47 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke thënë se pret me padurim një “bashkëpunim aktiv dhe reciprokisht të dobishëm”.

 

“Presidenti Trump është gjithmonë vendimtar dhe politika e paqes përmes forcës që ai shpalli ofron një mundësi për të forcuar lidershipin amerikan dhe për të arritur një paqe afatgjatë dhe të drejtë, e cila është prioriteti më i lartë”, tha ai ndër të tjera në postimin e tij.

Postimi i plotë i Zelenskyt

Përgëzoj Presidentin Trump dhe popullin amerikan për inaugurimin e Presidentit të 47-të të Shteteve të Bashkuara. Sot është një ditë ndryshimi dhe gjithashtu një ditë shprese për të zgjidhur shumë probleme, përfshirë sfidat globale.

Presidenti Trump është gjithmonë vendimtar dhe politika e paqes përmes forcës që ai shpalli ofron një mundësi për të forcuar udhëheqjen amerikane dhe për të arritur një paqe afatgjatë dhe të drejtë, e cila është një përparësi kryesore.

Ky shekull po formohet pikërisht tani dhe ne të gjithë duhet të punojmë së bashku për të siguruar që të jetë një shekull i madh dhe i suksesshëm për demokracitë dhe jo për ata që duan që ne të dështojmë.

Ju urojmë fat, President Trump! Ne presim një bashkëpunim aktiv dhe reciprokisht të dobishëm. Ne jemi më të fortë së bashku dhe mund të sjellim siguri, stabilitet dhe rritje ekonomike më të madhe për botën dhe për dy kombet tona.

Donald Trumpi bëhet presidenti i 47 i Shteteve të Bashkuara

VOA

Donald Trumpi u kthye në presidencën amerikane të hënën me një ceremoni inaugurimi në Uashington, që e bëri atë presidentin e parë i cili do të shërbejë në mandate jo të njëpasnjëshme që nga vitet 1890.

Miliona amerikanë po e ndjekin në televizion ndërsa 78-vjeçari Donald Trump filloi një mandat të ri katërvjeçar në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa Presidenti Joe Biden, 82 vjeç, largohet nga presidenca pas një mandati të vetëm.

Ceremonia e inaugurimit po zhvillohet në një rreth më të ngushtë për shkak të motit të ftohtë, me rreth 600 pjesëmarrës janë dëshmitarë të ndryshimit të pushtetit brenda Kapitolit, në vend të ngjarjes tipike në mjedis të hapur për të cilën 250,000 veta kishin siguruar biletat.

Parakalimi tradicional i inaugurimit përgjatë rrugës Pensilvania nga Kapitoli në Shtëpinë e Bardhë është anuluar gjithashtu për shkak të motit. Zoti Trump pas betimit do të shfaqet më pak se tre kilometra larg Kapitolit në një pallat sporti dhe koncertesh me kapacitet prej 20,000 personash.

Zoti Trump u zotua të dielën vonë të “veprojë me shpejtësi dhe forcë historike dhe të zgjidhë çdo krizë me të cilën përballet vendi ynë”, ndërsa u foli mbështetësve të tij në Uashington.

“Nesër në mesditë, bie perdja mbi katër vitet e gjata të rënies amerikane dhe ne fillojmë një ditë krejt të re të fuqisë dhe begatisë amerikane”, tha zoti Trump.

Ai është zotuar të nënshkruajë një mori urdhrash ekzekutivë pas marrjes së detyrës, përfshirë ato që zhbëjnë politikat e administratës së Presidentit Biden. Ndër zotimet e tij të spikatura gjatë fushatës elektorale ishte ai për dënimet masive të atyre që ndodhen ilegalisht në vend.

Zoti Trump është zotuar gjithashtu se do të vendosë shpejt tarifa të larta ndaj partnerëve kryesorë tregtarë, përfshirë Kanadanë, Kinën dhe Meksikën.

Presidenti i zgjedhur thotë se ka në plan të falë shumë nga 1500 mbështetësit e tij që sulmuan ndërtesën e Kapitolit më 6 janar 2021, në përpjekje për të bllokuar Kongresin që të vërtetojë se zoti Biden fitoi zgjedhjet e vitit 2020. Zoti Trump i ka quajtur të arrestuarit dhe të dënuarit “patriotë” dhe “pengje” të përndjekur gabimisht.

Akuzat se republikani Donald Trump u përpoq të përmbyste në mënyrë të paligjshme rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, u hoqën pas fitores së tij në zgjedhjet e vitit 2024, për shkak të një politike të Departamentit të Drejtësisë kundër ndjekjes penale të presidentëve në detyrë.

Zoti Trump u zotua për muaj të tërë t’i jap fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës përpara se të marrë detyrën, por ditët e fundit ndihmësit e tij kanë thënë se synimi tani është të përpiqet të arrijë një armëpushim në 100 ditët e para të administratës së tij.


Send this to a friend