Hija e tij mbi dhe, tek përshkonte udhën vajtje – ardhje nga Shkodra drejt shkollës së fshatit, tek nxënësit e tij dhe, asnasjelltas, ishte e zezë e zezë, mu si një copë nate në mes të ditës, e prerë enkas në formën e siluetës së tij të zgjatur.
Por vërtet ishte hija e tij, apo ajo, fantazmë e nxirosur, pale ku kruspullosej skutash dhe, me ta pikasur, çmbështillej dhe i përngjitej ?
Jo jo; nuk ishte hija e tij. Hija e tij, ajo e njëmendta, ishte e lehtë e lehtë, tejdukëse dhe, ëmbëlsisht e shpërbërshme si hijedritat që krijohen shkathtësisht duke drithëruar ujërave shërues të gurrave; kështu, kështu…
Mbi biçkletë drejt shkollës
Skanderbeg në fshat,
Mbi biçikletë drejt Shkodrës së shtrenjtë,
Qiellin e së cilës e kishin ndarë dysh
Gjysmëhëna dhe kryqi
Të ngulitur
Mbi minaretë apo kambanoret
E pingulta si pushteti.
Por në tokë, për fat të madh, njerëzit kujtoheshin herë pas here se, Zoti i madhërueshmi, i plotfuqishmi, të cilin , ç’ishin të varfër, e bezdisnin shumë, i porosiste urtësisht të mos përçaheshin e të mos grindeshin mes vedi.
Mbi biçikletë vatje – ardhje
Në diell borë shi;
Shkulmet e tymta të korbave
Krrokatnin ngjethshëm
Në fluturim të rrafshët
Mbi ferrnajat e djerrinat
E nëmura nga mjegullat
Qorruese, të cilat ciknonin
Mbi to, e ktheheshin në
Prask bryme kërcitëse.
Vajtje ardhje ardhje vajtje;
Kur trishtonte i bëhej sikur
Vërtitej në një mizanskenë
Çoroditëse të një drame
Absurde…
Një ditë fundvjeshte, tek ishte nisur për në shtëpi, e humbi tradhtisht drejtpeshimin mbi biçikletë, aty mes udhës me gropa, por mundi të ndalë në kohë e s’u shemb përtokë, ndonëse i përmbytur nga një pikëllim helmues.
Ç’ishte?
Sa ashpërsisht qartë iu shfaq n’ekranin e mendjes gravura me atë nxënësin , që mbahej i anuar pas murit me gurë të shkollës, teksa rrekej të ngrohej nga rrezet e dielllit sarkastik, që ndriste verbueshëm, por s’nxehte !
Zhelet në trup dhe tollumbat e shqyera në këmbët e tij me lytha morthi të qortonin , t’akuzonin e ta bënin shpirtin thërrime !
Narrativa në gravurë, shtjellohej më tej me dy nxënës t’uritur , njeri djalë i heshtur, që i këputej kryet mbi syprinën e bankës, e tjetra, një vogëlushe flokartë e sykaltër, si mëngjesi i bjeshkës, e cila qeshej e ndrojtur, eh, më së shumti, e turpëruar.
Të dy dilnin nga shtëpia pa ngrënë dhe, mësuesi i ngratë e dinte këtë:
Pa ngrënë . Fëmijët…
Nuk ishte punë e paqme të sillje në klasë tre – katër racione buke çdo herë, ashtu të ndara e të mbështjella gjithë dhembshuri për t’unshmit, s’ishte punë e paqme jo, sepse nuk zgjidhje gjë, për më tepër, hapje dhjetëra komente mbarë e prapë dhe shkaktoje armiqësi te nëpunësit matufë të nënprefekturës, së cilës i përkiste vetë shkolla.
Institucionalisht, institucionalisht zgjidhej, ngushtësisht së paku, kjo kriza e kafshatës, duke caktuar një kujdestar babaxhan që do t’i viheshin në dispozicion për blerje dhe shpërndarje të krodhes së bukës ca metelikë…
Mësues Mësues !
Mjerë ai që plagoset vdekshëm nga vështrimet e syve të zmadhuar ! Dhe, ndihet fajtor, madje kriminel, në çaste meditimi dhe reflektimi !
Mësuesi
U trand në mes të udhës, tek u kollit e u kollit rëndë dhe, u shkreh në lot të përvëluar, të pandalshëm aqsa edhe dallgët kur shpërthejnë një pengesë; ah, vogëlushët e tij të mençur, të bukur dhe, mrekullisht të patrembur !
Megjithatë, në klasë, mësuesi i tyre kurrë nuk ishte ligështuar; e shpjegonte lëndën e gjuhës shqipe me përpikmëri dhe fytyrëçelur dhe, kur lëvizte bankë më bankë, midis rreshtash, për të kontrolluar detyrat e shtëpisë, ashtu i përthyer mbi fletoret me njolla boje dhe të mbushura me ato shkrimet gjithë rrumbullakosje naïve, prekej mbi prekjet e përparshme dhe, me gishtërinjtë e hollë vibrues ua përkëdhelte të zellshmëve flokët e artë si kallëza..,
Mësues, ç’energji iu përshkoje vallë ?
Dhe, përgjithmonë i veshur me sqimë dalluese: kostumi dopiopet, jaka e këmishës e dëbortë, këpucët llustrafin dhe, parfumi flladitës nuk i fyenin, nuk i mahitnin e nuk i injoronin nxënësit e tij. Përkundrazi, ata ngrinin kryet lart dhe e vështronin ngulshëm mësuesin e tyre poet, prej të cilit, kur e kishin mes tyre iu përndizej gëzimi e, bashkëtrupëzoheshin njësh me të, duke harruar ndërkaq mpirjet nga thëllimi dhe therjet e urisë…
Ata e donin fort mësuesin, madje e adhuronin; ja ja, kështu si mësuesi ynë do të bëhemi edhe neve, ja sapo të rritemi…
Por, disa nga prindërit e tyre e shihnin rrefkët mësuesin, kur e ndeshnin n’udhë, apo edhe në shkollë, kur çonin dru zjarri, gjymtyrët e prera të pyllit. Asqë mund ta dinin ata që mësuesi ishte i veçanti, ai i shenjuari për poezinë e madhe, të cilin, integriteti prej gjeniu, e shpëtonte çdo herë nga llumi i injorancës së provinces…
Prindërit. Të munduarit. Malësorë të çmitizuar.
Hija e tij.
Poshtërsisht e shkrumbtë
Që i bëhej sikur po e zgavëronte
E po ia shqiste copë copë
Organet, teksa për veten e saj
Sikur lëndëzohej,
Po fitonte dimension të tretë
E po animizohej !
Hija Hija …
Sa shumë mund të luaje e të sajoje variacione me të, veç për ta shkërbyer urrejtshëm. Për shembull: kur hollohej e zgjatej, a nuk të kujtonte një arlekin që sillej përqark arenës së cirkut , ashtu me kapelen me spreth të gjerë rrethues, rrasur kokës, hipur mbi një biçikletë me rrota elipsoidale të stërmëdha, të cilat, për habi as e hovnin përpjetë e as e zhysnin ?
Një arlekin që zgërdhihet e thumbon kë të dojë e si të dojë dhe, qesh e qesh, ku e ku më përzishëm se vajtimi…
Hija Hija
Një pasdite dimri, me një diell në një cep të qiellit, si i këputur prej strabizmit, ndali përsëri në mes t’udhës, gjithë hulli të gjata zigzage, si gjeoglife mistike; u kollit thellë e mbyturazi një herë të vetme dhe, shamia që e nxori nxitimthi nga xhepi, iu skuq nga gjaku. Nga gjaku i jetës së tij !
Ajo ajo shamia e parfumosur, tash e tutje nuk i përkiste më aksesorëve delikatë të veshjes së një djaloshi shik, qytetar i dorës së parë; ajo do të shërbente thjesht që të priste e të fshinte gjakun, rrjedha e beftë e të cilit mund të të shkaktonte asfiksi në rrethana nga më të paparashikueshmet dhe do t’i alarmonte ata që mund të qëllonin pranë…
Ngriti kryet dhe, tek zgjati shikimin, Shkodra, për herë të parë iu duk e largët e largët dhe flu mu si një fotografi pa fokus.
Do të mbërrinte vallë atje, në qytetin që e dashuronte gjer n’amëshim ?
Do të mbërrinte, do të mbërrinte dhe, do të qetësohej e do të përmblidhej me të përshkuar rrugicat dredhuese si kapriçiot, mes mureve të lartë fshehës, me gurë të shtrënguar si grushte, por që hijeshoheshin përsipër butësisht me shermashekun përngaherë të gjelbër.
Atje në shtëpinë e tij të rehatshme, pastaj, që ndodhej përballë kishës së fretërve françeskanë, do të ulej te tryeza ku krijonte, por në këtë rast, ndoshta, jo për të nisur një poezi t’ekzaltuar, apo një novelë analitike, me deduksione konceptuale, por për të gjykuar thellësisht dhe ftohtësisht mbi jetën, ashtu si një filozof i vetëpërmbajtur, traktatet doktrinale të të cilit, mbi ringjalljen, nëpërmjet transferimit zinxhir të shpirtit eternal n’organizma embrionalë, mbi ekzistencën e engjëjve lajmëtarë, mbrojtës e mësimdhënës, e të tjera çështje teiste ngushëlluese si këto, i trajton me një logjikë fluide metafizike, ndonëse i përballur çdo hap nga agnosticizmi kufizues, i pranuar sipas definicionit që i dha vetë biologu Hakslej këtij termi, kur e krijoi…
Po çfarë; edhe ai si shumë e shumë të tjerë në këtë botë tashmë do të bëhej një besimtar praktikant, i trembur keqas, me ta frustruar vdekja ? Në rutinën e përditshmërisë së tij, do të futeshin paskëtaj edhe oraret e lutjeve, kështu ?
Interesan; në çaste të tilla, të gjykimit kritik mbi çështjet thelbësore për t’ardhmen, që lypnin zgjidhje të principta dhe të shpejta, librat nëpër raftet e bibliotekës së tij, të cilat e rrethonin ngado : Dostojevskit, Monteskjës, Konfesionet e Augustinit, eh, Niçes, e të kujt jo, i bëhej përnjëmend sikur e vështronin me sy të menduar zhbirues, në pritje të cilësisë së vendimit që do të merrte ai.
Po, në pritje të vendimit që do të merrte !
Çfarë sysh të hatashëm, vështirësisht të përballueshëm !
Mësuesi i kishte lexuar e studiuar këta autorë, disa edhe në gjuhët e tyre amtare ; kishte nxënë dije e kulturë të gjerë dhe, tash me personalitet të formësuar, vendoste vetë, në përputhje me statusin e një të pavaruri. Të pavaruri.
Jo ! Ndonëse Seminari Ortodoks i Shën Jan Theollogut, në Manastir të Dibrës së Madhe, me të drejtën publike, i lëshoi dëftesën e pjekurisë dhe, e shpalli t’aftë për të dhënë mësim feje , apo të shërbente gjëkundi si prift, ai nuk pranoi asnjëherë të punësohej si zëdhënës i perëndisë, ashtu me kamillaf të lartë mbi kokë dhe, me një petrahil të artë hedhur qafës, i përhumbur në mjediset e ndonjë kishe të tymëzuar nga qirinjtë, metafora me flakë regëtitëse e shpirtrave, nën qiejt e ciflosur t’afreskave, ku shfaqen shënjtorët me aureola të praruara rreth fytyrës.
Jo ; përpara besimtarëve, që bënin e bënin kryqin, a thua se, zbatonin metodën e akupunturës, për t’u shëruar, duke prekur me majat e gishtërinjve të ngjitur si majë pjesët e trupit që iu dhembnin më tepër: zemrën, ballin, stomakun etj, ai nuk do të psallte paragrafët e ungjijve një e nga një.
Jo; ai do të vazhdonte të shkrepte vjershat e protestës kundër mjerimit dhe padrejtësive shoqërore, që po e çartnin racën dhe, njëherësh edhe kundër frymës së tradicionalizmit të ngurtësuar fanatik, i cili proklamohej si vlerë e vyer morali, që e paskësh shpëtuar kombin nga tretja, ja duke këmbëngulur në respektimin e dokeve dhe zakoneve, jo të ligjit …
Ai do të ishte apostulli i dashurisë së lirë dhe i fjalës së lirë !
Ç’gjuhë e pashmangshme sloganore, megjithatë, sa frymëzuese dhe, e vërtetë, siç ishte vetë mësuesi, që nuk shtirej kurrë.
Sakaq, sa e padenjë, sa e turpshme dhe, sa hipokrite ishte t’i ktheheshe Zotit sapo të provoje tmerrin e vdekjes !
E pra, ai nuk mund të mbante dot në trup të njëjtën rrobë dhe, ajo e njëjta t’ishte diviza e zezë e klerikut.
Ky qëndrim nuk shfaqte aspak një sakrilegj dhe ai, as kishte lëshuar dhe as kishte për të lëshuar ndonjë blasfemi radikale, apo edhe retorike qoftë.
I respektonte religjonet me vetëdije të sinqertë, cilëtdo të ishin ato dhe, shokët e tij më të ngushtë i përkisnin familjeve me besime fetare të ndryshme. Megjithatë, edhe shokët edhe ai vetë, e harronin ç’feje i përkisnin, kur takoheshin e bisedonin lirisht.
Mesa dukej duhej ta shprehte herë pas here këtë respekt, madje në mënyrë deklarative me zë të lartë, sepse të liqtë ziliqarë kishin filluar ta sulmonin tinëzisht, duke e damkosur si ateist e doradorës edhe si heretik të rrezikshëm. Të hutuar dhe të tronditur nga suksesi shpërthyes i vjershave dhe novelave të tij, të shkruara me një gegnishte të ndritshme e gjithë tingëllima dinamike, të cilat botoheshin pandërprerje në periodikët e Shkodrës, Korçës apo edhe të Tiranës, kryeqytetit të Mbretërisë, ata e dinin se mjaftonte ta shpallje mësuesin heretik dhe, dëmi ishte bërë !
Nga ana e tyre, të paaftët harbutë do të vijonin të thurnin vargje panegjirikë për mbretin dhe, le të merrej ndokush po të donte me ta …
Por mësuesi nuk ishte as ateist, as heretik, apo ndonjë lloj tjetër armiku i fesë; nëse do t’ishte, karakteri i tij i çiltër dhe fuqia intelektuale që zotëronte, do t’ia nxisnin kurajën t’i shpallte bindjet e tij pa hezituar. Eh, të paaftët marifetçinj që pandehnin se e shmangnin disfatën e tyre n’letërsi, duke mënjanuar e asgjësuar të talentuarit !
Ai e ndiente Zotin sipas botëkuptimit të tij dhe nënqeshej trazueshëm sa herë i kujtohej ajo çka iu thoshte studentëve të tij Pavllovi, shkencëtari që krijoi teorinë e reflekseve të kushtëzuara : dëgjoni, ai që nuk beson në Zot, s’është inteligjent dhe i mungon fantazia…
Shkencëtari shkencëtari…
Sa arketipë të mësuesit, të dëgjuar e të padëgjuar, që ndonëse u diplomuan në shkolla të rrepta teologjike, nuk e ushtruan detyrën e njëmendtë të misionarit të fesë, por u angazhuan në jetën civile, duke punuar, fjala vjen, si pedagogë filologjie, si përkthyes etj, teksa ata të përlindurit artistë, u bënë vjershëtorë.
Ndërkohë, sa të tjerë, të cilët, edhe pse mbajtën mbi supe rrason e famullitarit të përkushtuar, më shumë sesa për biblën, iu flisnin besimtarëve për zgjimin kombëtar, edukatën qytetare, apo edhe për zbulimet dhe shpikjet më të reja të shkencës…
Dhe, s’ishin heretikë, asnjëra palë, ashtu siç nuk ishin dogmatikë. Kisha duhej të zhdogmatizohej, e të reformohej, duke përvetësuar mendësinë e jetës së re urbane…
Kësisoj, edhe audienca e mësuesit në një meshë të së dielës, do të ishte dinjitoze, pikërisht sepse përkora e tij ishte mësuesia dhe kulti i tij poezia !
Ai gjaku i ngrohtë, i ngrohtë mbi shaminë si dëborë lëbyrëse, apo si fletët mbi të cilat shkruante, vulosi fillimin e kalendarit të vdekjes së tij, të ngadaltë ndoshta , por me një afat kohor të paracaktuar dhe të shkurtër që, do të thoshte, fundi i fundit se, nuk do të vononte …
Eh, ai që në vegjëli ishte përfshirë nga psikologjia melankolike e vdekjes ; ia mori turbekulozi të afërmit njeri pas tjetrit e mbi të gjithë, humbi nënën, vdekja e së cilës dihet që të jetimon e për çudi, të veçon edhe nga bashkëmoshatarët, që të shmangen si një të gjymtuari…
Pastaj, nga një mallkim i ulur mu si shpend nate mbi kulmin e shtëpisë së tyre, humbi radhazi babanë vëllanë dhe, gjyshin leshrabardhë si rapsod epik, i cili ushqente dhe mbante lidhur nyjë pjesëtarët e mbetur të familjes !
Një kronikë funebre e gjatë dhe e pambyllshme, por ai s’u shemb. Ai u mbajt…
Ajo hija ajo hija
Dhe,
Ajo rrjedha e gjakut
Me ngrohtësinë e jetës së tij.
Hehe, hija e tij
Thua, do t’ushqehej me atë gjak ?
Sidoqoftë, realiteti është
Realitet.
Dili përballë…
Në botë ishte dhe Bojka ! Bojka Bojka …
E si mund të të lejohej të pezmatoheshe e t’i dorëzoheshe mizorisë së vdekjes , duke pasur Bojkën me hire në krah ?! Puthjet e saja të forconin e t’i shkëndijonin sytë, po aqsa edhe tamli i zanave të malit, kur e thithte ethshëm Muji ! Stafeta e shkrumbuar e vdekjeve familjare nuk do ta prekte dorën e tij, por do të binte përdhe dhe, do të vërtitej si një gjilpërë busulle e prishur, po po …
Por, sa rrezikohej Bojka, e adhuruara , nga sëmundja e mushkërive të tij të shpërbëra ? Kështu do të vazhdonin të dashuroheshin, marrëzisht ? Apo do t’i propozonte Bojkës të ndaheshin, domethënë, ta humbisnin njeri – tjetrin gjer në harrim ?
Kështu kështu, ndonëse ai tashmë kishte nevojë më shumë se kurrë për dashurinë e Bojkës, me bukuri të pafajshme si Shën Mëria !
Njeriu vuan për aq kohë sa nuk ka marrë një vendim, sa nuk e ka ndarë mendjen, siç thuhet rëndom.Prandaj, dhe ai atë do të bënte: do të merrte një vendim ! Të prerë. Të pakthyeshëm. Sado të viktimizohej.
Vërtet ishte i tëri një filigranë e brishtë si ajo foleja e shthurshme lehtësisht e zogut këngëtar, megjithatë arsyeja dhe e drejta e bënin të palëkundur në rrethana sublime. Egoizmi dhe, pasoja e tij, mëdyshja, të shëmtonin dhe të çmoralizonin.
Bojka e çliruar nga deliri i dashurisë së parë ( po, dashurisë së parë !) ashtu shëndetplot e gjithë vesk, do të gjente dashurinë e dytë, domethënë, atë të çmendurën më pak dhe, do të jetonte ( përse jo ? ) e lumtur…
Ajo hija e zezë dhe ai gjaku i kuq i cili sikur synoi të përthithej prej saj dhe ta gjallëzonte, hë ?
Bojka ! Kur nuk ishin bashkë, imazhi i saj nuk i shuhej e nuk i shqitej kurresi. Ah, kofshët e saja të bardha, gjiri i saj i gufosur si fryt i arrirë ah, ah sytë e qielltë, flokët si natë fshehëse ah, buzët përcëlluese ah ah !
Të gjitha: sytë gjinjtë leshrat e lëshuara kofshët, i ngjesheshin marramendshëm në një kompozim të vetëm, duke krijuar një lloj tjetër anatomie, përsëri harmonioze, ndonëse trillane dhe jo simetrike. Këtë pikturë me densitet erotik, mund ta realizonte ndoshta veçse Pikasoja…
O, por do të dilte nga shtëpia, që nuk po e mbante dot brenda. Po ç’ishte ajo ora mbi tryezë, e ndalur siç ndalet edhe zemra ? Po ai stilograf pa bojë pranë saj, si venë pa gjak ? O, duhej kurdisur në çast ora dhe duhej mbushur stilografi!
Do të dilte; e ç’e lidhte atë me vdekjen ?
Do të vishte kostumin e ri, do të vendoste me një gjest sportiv kapelen republikane mbi kokë ( fesin otoman, të rinjtë si ai, e kishin hequr…) dhe, në thilenë e xhaketës do të vinte çapkënrisht shaminë e mëndafshtë. Të parfumuar.Sensualisht…
Eh, Shkodra, ku ditët ritmoheshin nga rrahjet e rotativëve printues të shtypshkronjave që botonin librat, gazetat dhe revistat përparimtare në gjuhën shqipe të përtërirë. Po, në gjuhën e përtërirë shqipe . Shkodra me imam, me pop dhe kardinal; me dyqanet e reja gjithëfarsoj në të dyja anët e rrugëve, me studion e famshme fotografike Marubi, Shkodra, që komunikonte me Zotin nëpërmjet tri linjave të pandërprershme, të cilat konvergjoheshin diku larg e lart, Shkodra, me afishet e kinemave, nga ku të vështronte Charlie Chaplin , Greta Garbo, fatalisht e ylltë, apo Jeanette MacDonald me partnerët Chevalier e Nelson Eddy. Shkodra me jaret e trëndafilta, plot erë mali dhe deti, zbardhëllimë liqeni e lot psherëtimash. Shkodra me fenomenin Fishta. Shkodra me lypësa të pathyeshëm dhe pasanikë, të cilët ( këta të mbramët, ta prêt mendja ) sillnin në rezidencat e tyre dimërore çifte balerinësh nga Scala e Milanos, që të argëtonin veten e t’i festonin kërshëndellat paksa alla frënga…
Shkodra që e shqetësonte dhe e dehte me dëshira !
Do të dilte. Kështu, ishte pra: kundër vdekjes ai kishte poezinë !
Te Kafja e Madhe, me vazot gjithë lule dekorative, të rreshtuara përgjatë trotuarit, do t’iu thoshte shokëve të tij të mirë, me t’i përmbyllur debatet e nxehta për politikën dhe letërsinë ja, atje te tryeza pranë dritareve të larta, nga ku ndiqnin edhe lëvizjet në rrugë: a e dini me sa vrull e hare dalin çdo herë fëmijët nga klasa, sapo mbaron mësimi? Ç’pandehni, se tingujt e ziles shuhen shpejt ? Ato vazhdojnë te brohoritjet dhe shkëlqimi i syve të tyre ! Askush s’do t’i ndalë nesër këta nxënës në ditët e reja. O, do të shkruaj shumë. Si kurrë më parë !
Hija hija, ai arlekini shpotitës që zgërdhihet mbi biçikletën me ato rrotat e çuditshme të stërmëdha elipsoidale, hahaha…
Komentet