Të gjithë artikujt që janë shkruar në periodikët për Moikom Zeqon, i cilësojnë librat e tij si shumë të çuditshëm dhe disa herë të pakuptueshëm. Këtu kam parasysh sidomos autorë seriozë, si Alfred Uçi, Skënder Drini etj. Në fakt, këtu nuk ka asgjë të pakuptueshme e as të çuditshme po të kujtohemi që librat e Zeqos janë traktate, një gjini kjo, e kohëve klasike e moderne, që është e trajtuar edhe nga Lukiani edhe nga Erazmi i Roterdamit, edhe nga Blez Paskali, Dekarti, Ajnshtajni edhe nga Hajdenbergu. Sidomos iluministët francezë si Didëro, Volter, Monteskje, Furje, Simoni etj., kanë shkruar traktate me një rëndësi të jashtëzakonshme për kulturën mbarëbotërore. Vetë Zeqo nuk thotë asgjë për këtë. Ai nuk i emëron librat me asnjë gjini dhe asnjëherë.
Vepra e Zeqos një ndër më prodhimtarët e habitshëm të letërsisë shqipe a ndofta më i veçanti, është shumë e gjerë. Do të përmend disa libra kryesorë të kohëve të fundit si “Meduza”, “Tempulli i hënës”, Purgatori Shqiptar”, “Onufri”, “Meduza e dashuruar mban syze dielli”, “Mes Laokontit dhe Krishtit, Onufri II”, “Kështu foli Mona Liza”, “Syzet e thyera të Meduzës”, “Syri i tretë – Naim Frashëri dhe bektashizmi”, “Princërit e mistikës”, “Nostradami në 3 qershor”, “Tercinat e pasvdekjes së Dantes japonez”, “Zodiak”, “Jashtëtokësorët e Shqipërisë”, janë disa nga këto libra në hartimin e të cilëve, Zeqo ka përdorur një ndërthurje të shkathët me elementë të narracionit, monografisë, poezisë, historisë, filozofisë, teologjisë, arkeologjisë etj., etj. Ai e bën këtë hartimësi mendoj unë, për ta shteruar krejt temën, prandaj këtu kemi një autor, poet, historian, estet, arkeolog etj., etj. I referohemi librit që mbajmë në dorë “Syzet e thyera të Meduzës”, konstatojmë me lehtësi që më së pari ky është një libër poetik, por i ndërthurur me disa libra, që mund të veçoheshin po merret vesh s’mund të bëhet se që kjo nuk do të ishte një punë e mençur.
Në një shkrim të tij, Alfred Uçi, thotë që ne jemi mësuar të lexojmë libra të një gjinie të saktë, të përcaktuara nga rregulla strikte si zhanër më vete p.sh. roman, poezi, monografi, studim etj., etj. Sigurisht ky ka qenë një mendim i shpejtuar i z. Uçi, si një ndër njerëzit e zotë të letrave shqipe, sepse ai patjetër që ka lexuar Lukianin, Zhan Pol Sartrin, D’Anuncio, Markezin, Borgesin, Karpentierin, Skorcën, Alenden, Montenjin, Eliotin etj. Po e them që në fillim, që megjithatë, ka diçka të jashtëzakonshme dhe vërtetë të çuditshme te Moikom Zeqo. Dhe kjo nuk ka të bëjë fare me problemet teknike me përkufizimet stilistikore etj., por me kulturën e jashtëzakonshme dhe të gjithanshme, me talentin e madh dhe aftësinë vërtet befasuese për të punuar pa u lodhur. Kjo po. Këtu kemi vërtet një çudi.
Sepse nuk kemi përse habitemi me format moderne e postmoderne, që zgjedh një autor i njohur në kulturën shqiptare. Vërtet që në një konkurs letrar ose shkencor librat e Moikomit nuk e di se si do të klasifikoheshin, por ndoshta me zemërgjerësi mund të quheshin monografi, ose thjesht vepra poetike. Rregullave që përcaktojnë gjinitë letrare, Zeqo nuk u jep fort rëndësi, përderisa pikërisht atje ai ç’vendos edhe kohërat, duke vënë p.sh. Narcizin përpara Adamit:
“Në botën me peizazhe llahtarisht të ndryshëm, me po aq qenie të pangjashme dhe hollësira të kundërta e kahe përjashtuese në këtë pështjellim kaosor, të paqëndrueshëm dhe vulgar, kur akoma nuk ishin krijuar hyjnitë prej Hiçit të Madh, ishte një njeri, që s’dihet, pse e quajtën (prej kujt?) Narciz. Mijëvjeçarë më pas do të krijohej një tjetër pasqyrim i rremë, ashtu kot dhe mjerueshëm nga balta (paraskulptura), Adami”.
Raste të tilla ka shumë, në këtë rast po shqyrtojmë faktin që Zeqo duket se i bën kohërat rrëmujë, vetëm për një trill poetik a filozofik. Por mua më duket se nuk është ashtu, thjesht për faktin se ai e njeh më së miri historinë dhe kjo gjë dihet, pasi është një ndër historianët tanë më të shquar. Rasti që cituam më lart, po sqaroj se mendimi i shkencëtarëve është se mitologjia greke është më e vjetër se ajo e judejve. Duke mos i sqaruar këto gjëra, pra del sikur Zeqo na shtron përpara paradokse të pafundme. Të tërë e dimë faktin, që ka vjersha prozaike e ka prozë poetike. Atëherë, mos vallë Zeqo i kthehet prozës kur lodhej si poet? Jo. Apo mos vallë për një trill poetik i ikën prozës? Jo. Në fakt ai lufton me shumë armë për ta marrë kështjellën që kërkon. Ai përdor gjithçka: vizaton më flamastër e me vaj, shkruan tercina dhe haiku, ode, esse, dialog, tregim; polemizon, filozofon, hulumton etj., etj.
Moikom Zeqo njihet si poet, prozator, gazetar, arkeolog, historian, politikan etj. Dhe mua më duket se e ka parë të arsyeshme të shfaqet pikërisht në një vepër kështu, në shumë plane njëherësh. Në letërsinë e sotme postmoderniste kjo është diçka e zakontë, por kërkon një personalitet të madh. Pra kjo është diçka moderne, por si shumëçka në këtë botë, e ka zanafillën në lashtësi. E thamë dhe më lart që si rregull vepra të tilla janë quajtur traktate, mirëpo duhet të jemi të vetëdijshëm se për Moikom Zeqon kjo është pak ta thuash, sepse në të vërtetë me njohjen që unë kam në mbarë letrat e botës, nuk e gjen një guxim kaq të gjerë dhe të suksesshëm. Vërtet që Lomonosovi shkruante vjersha në marxhinenë e artikujve shkencorë, por nuk i botonte bashkë. Bonaparti hartonte ligje mbi hartat ushtarake, madje Balzaku i shkruante edhe borxhet nëpër kapitujt e romaneve, Da Vinçi skiconte helikopterë mbi gruntin e telajove. Migjeni i madh te “Vargjet e lira” ka botuar së bashku poezi dhe tregime. Hemingueji bën ndryshe: mbledh dy tregime dhe i quan roman. Lukiani shkruan për shkencat e natyrës në vargje. Gogoli shkruan romanin “Shpirtrat e vdekura” dhe e quan poemë, kurse Pushkini bën poemën “Eugen Onjegin” dhe e quan roman. Piktorët japonezë i shkruajnë poezitë e tyre mbi akuarele e të tërë këta kanë bërë kryevepra. Pra veprat e Zeqos janë sa letrare aq edhe shkencore e brenda këtij përcaktimi gjithsesi me prioritet edhe mund të quhen thjesht vepra arti, pasi vërehet lehtë dhe qartë se si artisti Zeqo me veprat e veta është më i dukshëm. Por është një artist-shkencëtar dhe ne të tillë nuk kemi patur, veç ndoshta Naim Frashërin deri diku. Vepra e Zeqos nuk mund të ngatërrohet me veprën e Akimovit, Hajerdallit, Prustit, Sartrin, sepse kompozimi i veprave të tij të kujton emulsionin në kimi. Me perceptim, aty dallojmë qartë shtresat poetike, teologjike, historike etj.. Të paraqitesh kështu në shumë plane, si të thuash i veshur edhe në vjeshtë edhe në pranverë, bile në shumë stinë, duhet të pranojmë që është një mrekulli.
Le të flasim për poezinë e Moikom Zeqos. Që në vitet 70 ai fillon e shkruan ndryshe. Kjo gjë ka kaluar pa u kuptuar mirë, pa zhurmë, e megjithatë Moikom Zeqo është vlerësuar nga kritika dhe lexuesi si një ndër më të mirët poetë shqiptarë.
Karakteristika e parë e tij është ajo, që Zeqo ka një fantazi të çmendur dhe kjo fantazi e çmendur, e pasur dhe e pashembullt veç ndoshta ndonjë Ginsberg apo Janis Ricos, nganjëherë kthehet në karusel dhe kësisoj lexuesit të pamësuar me përshpejtësi marramendëse poetike i vjen lodhja. Veç kësaj kjo dhe e dëmton poezinë. Dhe ja përse: në vrap e sipër Zeqo të ngjan me një skulptor, që bën punën e 100 skulptorëve duke vrapuar nga njëri tors në tjetrin, duke hedhur një spatul argjil aty-këtu, duke daltuar diçka, duke bërë rrëmujë dhe duke lënë patjetër diçka përgjysmë në këtë atelie të çuditshme. Kësisoj shumë përfytyrime, figura, ide dhe imazhe mbeten përgjysmë. Shembull:
Romeo është mbreti i zi
e Xhulieta mbretëresha e bardhë
që duke u dashuruar
i humbin kuptimin shahut
që është vetëm ndarje dhe urrejtje,
divorc
dhe jo martesë.
Këto figura duheshin çuar më tej, duhej bërë e plotë ngrehina e përfytyrimit. Këndej ka lindur mendimi i përgjithshëm se nga një poezi e Zeqos mund të nxjerrësh 100 vjersha. Vërtet kjo tregon një pasuri të jashtëzakonshme, por nga ana tjetër tregon një shkujdesje , pasi lexuesi pyet: përse nuk u bënë këto 100 vjersha? Dhe është e habitshme, vërtet e habitshme dhe e pashpjegueshme, se si një punëtor i tillë i jashtëzakonshëm përton të ndalet me një poezi, në mënyrë tepër serioze për ta zhdërvjelluar dhe për ta çuar më tutje.
Ku është qimiteri i personazheve
që vdesin nëpër libra? Si s’është çmendur Shekspiri?
Ka lënë të pavarrosur një qytetërim të tërë!
Kush do të paguajë për funeralin tim të kotë?
Merrini, ju lutem, hua De Radës
nga honorarët, që kurrë s’ia paguan!
Degët e pjeshkës së lulëzuar
janë dejet brenda kurmit tim të plakur
Syri magnetik i busullës është i Mendimit Polifem.
Këtu ka një denduri të atillë imazhesh, saqë mua si profesionist më duhet t’ju kthehem edhe një herë derivateve për të kuptuar diçka. Natyrisht, këtu nuk është koha për të bërë të tilla trajtesa, pasi kjo gjë do një studim më vete. Sidoqoftë duhet thënë se Zeqo si poet i talentuar duhet të ndalet në shumë poezi, t’i çojë më tutje figurat dhe të bëhet më konstruktiv.
Tani do të sjell si shembull një poezi të mrekullueshme, pa shumë detaje e pa shumë rrëmujë.
Paraqitja grafike e kësaj vjershe për mua është e papranueshme, por ama poezia në vetvete është vërtet një kryevepër. Pak e shumë vjersha është kjo: Një piktor merr një letër dhe vizaton disa zogj, kaluan disa kohë e zogjtë ikën dhe fluturuan tutje, pasi letra nuk mund të bëhet kafaz i zogjve të lirë. E gjëra të tilla mund të përmend shumë si: “Rebelimi”, “9 janar 1996”, “Vdekja kristalore”, “Shtëpia”, “Fytyrat e vajzave” etj. Që në librin “Qyteti Feniks” në vitet 70, Zeqo del me një poezi të re, ku dukshëm ka kapërcime para të cilave Pindari duket një fluturues i thjeshtë. Bie në sy një kuptim metafizik i gjithësisë, që të kujton disa Rembo. Ka përmasa kozmike në hapësirë dhe në kohë dhe përfytyrime të paperceptuara deri aso kohe në letërsinë shqipe, por që bota i ka njohur te Remboja, Blejku, Valeria, Ginsbergu e pse jo që më përpara te Konfuci dhe te Du Fu. Kështu aso kohe pata shkruar në shtyp se Zeqo ishte poeti më me fantazi deri në lodhje, dhe këtë ky e ka çuar më përpara, megjithatë kjo mbetet një poezi e re në letrat shqipe, megjithëse e njohur nga bota edhe pse në këtë plan ka diçka krijuese. Këtu do të ndeshemi me qytetërime, ide, përkufizime, kapërcime, hapësirë, kohë, fantazi e pafund, një vrap i lodhshëm nga një tablo në tjetrën nga një ide te tjetra, nga një cep i kozmosit te tjetri.
Në një vend Moikomi mrekullohet para fjalëve të Homerit: “Anije të shpejta si mendimi”. Kjo ka bërë që të thuhet se është shumë vështirë të shkruash për Zeqon. Sigurisht është shumë më e vështirë se sa të shkruash për atë mori librash që dalin përditë. Nga këto libra Moikom Zeqon e ndan një hon. Kapërcejeni këtë hon dhe atëherë do të shkruani lehtë dhe me kënaqësi për këtë autor. Po s’do mend për këtë duhet kulturë, pasi Zeqo njihet si ndër shqiptarët më të kulturuar të të gjithë kohërave. Në një shkrim për Kadarenë kam thënë që të hysh dhe të kuptosh diçka nga Luvri duhet kulturë. Gjë për t’u çuditur, siç thuhet në prozën popullore dhe që nuk është kapur nga asnjeri, është fakti që Moikom Zeqo në tërë veprimtarinë e tij është i pari teolog shqiptar që nga Bogdani e këtej, por një teolog i llojit të vet, disi volterian dhe e them këtë sepse në tërë veprat e tij me gjithë dashurinë për mitet e Lindjes etj., del ideja socialiste që kjo botë me tërë këto dhimbje, padrejtësi shoqërore dhe vuajtje nuk ka sesi të jetë vepër e një hyjnie mëshirëmadhe e mëshirbërëse. Katër fetë që praktikohen në Shqipëri, por edhe fetë e tjera të hyra tani së voni, pa përjashtim e kanë origjinën te Bibla, pra mund të thuash fare mirë, që Zoti i shqiptarëve është një dhe quhet Jahova (JHVH), Sabat ose Allah (formë e islamizuar e Elisë), por që vetëm në një rast është në Bibël edhe si fjalë direkt. Përgjithësisht morali i këtyre feve buron nga Tabelat e Moisiut dhe nuk kanë ndonjë karakter teologjik, magjik apo dhe hyjnor, por është një tërësi rregullash për të ruajtur kolektivitetin, marrëdhëniet shoqërore. Këtë Zeqo e jep më së miri pa blasfemuar, pa fyer kërkënd, sepse ai është i dashuruar pas mitologjisë kristiane dhe asaj mistike, por më tepër si estet, pasi lehtë kuptohet se Zeqo është një ateist modern i mësuar me konceptin e Zotit si “qenie supreme” (Hegel), si “intelekt i përsosur” (Ajnshtajn). Është e para herë që në Shqipëri shkruhet për një demiurg mbi kategoritë filozofike, larg konceptit patriarkal të miteve të Lindjes.
Në botë ekzistojnë qindra fe dhe hyjnitë e tyre janë krijuar mbi bazën e kulturave përkatëse, prandaj këto hyjni tingëllojnë disi të vonuara dhe nuk mund të përqasen me kulturën e sotme teknike, Zeqo i dashuron ato më tepër si estet dhe poet, pasi këtë përkufizim që unë bëra më lart, ai e di mirë. Personalisht nuk kam ndonjë mallëngjim të tillë për kurrfarë kulti, por e pranojmë ashtu si Moikomi se fetë janë kulturë, përfshi edhe fetë e vdekura të grekëve e asketëve etj.. Kam përshtypjen se Zeqo e ka mohuar ateizmin komunist, që e paraqet materien të pafundme në kohë dhe hapësirë, ç’ka i bie ndesh ligjeve shkencore (Lavuazje). Në besimin e tij, Zeqo është më tepër poet dhe hulumtues. Ka ca tregime jashtëzakonisht të bukura nga bota e fesë, por që nuk mund t’u thuash tregime fetare. Filozofia moderne nuk e pranon konceptin e Zotit, siç e japin fe të ndryshme dhe u ka bërë kritikë tërë miteve mbi hyjnitë. Por nga ana tjetër, ajo nuk rresht së kërkuari një koncept të ri të “supermitetit” (Hajdeger), ç’ka siç duket është e parakohshme ose ndoshta fare e pamundur për arsyen njerëzore. Megjithatë, thotë me të drejtë Zeqo, fetë kanë bukurinë e tyre, moralin e tyre ndaj duhen dashur e respektuar. Mua më duket se jo vetëm për mitologjinë greke, por për të tëra fetë në tërësi ka ardhur koha që të shikohen thjesht si mitologji ose siç i përcaktojnë francezët – legjenda të bukura. Në fakt ky është besimi (dini) i një ateisti demokrat. Është e çuditshme se si në Shqipëri ka intelektualë me famë, që besojnë horoskop, magji, dorën e Zotit apo kultet amatore. Mirëpo kjo ngjet kudo. Jam skandalizuar kur kam lexuar në shtypin e huaj që Klintoni mbante në Shtëpinë e Bardhë dy horoskopistë dhe konsultohej çdo mëngjes me ta, në mënyrën më serioze. Është fat që Zeqo në tërë veprimtarinë e tij si burrë me kulturë, nuk merret me këto gjëra si me kiromansi, fallin e letrave e budallallëqe të tjera, pasi është në shkallën më të lartë si filozof dhe poet i teologjisë. Mua vetë nuk më vjen doresh të shkruaj për Qerbelanë. Por do të shkruaja me dëshirë për Urën e Qabesë dhe për Taxh Mahallin, pasi jam më popullor se miku im i vjetër, por edhe si teolog Zeqo më pëlqen aq sa Thomas Akuini dhe mistikët e Persisë. Sidomos është interesant fakti që Zeqo bën krijim duke paraqitur idetë moderne mbi eternitetin, kohën, hapësirën, Big Bengun, demiurgun; dhe këto të tëra janë paraqitur në poezi në një stil tepër modern e të shkëlqyr. Përmasat në veprën e Zeqos janë të mëdha e kjo dihet, por unë u ndala vetëm në disa pika. Sigurisht nuk mund të rri pa thënë diçka rreth arkeologjisë, pikturës, ashtu siç i koncepton së bashku Zeqo.
Një ndër kulmet e krijimtarisë së tij është studimi serioz mbi Onufrin, një piktor i jashtëzakonshëm, që ka bërë epokë jo vetëm në pikturën shqiptare, por në mbarë atë bizantine. Me një gjuhë të një stili të përveçëm ai bën një analizë shkencore të veprimtarisë së Onufrit, por si lexues, ndoshta më tepër mua më bën përshtypje figura e këtij prelati të ngjyrave që e pasuron më shumë kulturën tonë.
Ai bën një analizë të shumanshme dhe ka në dispozicion një dokumentacion të habitshëm historik dhe etnik dhe mbi këtë bazë është zbërthyer fryma e krishterë e kësaj pikture, që është një klithëm që jehon dhe do të jehojë gjatë nëpër shekuj, mënyra e konceptimit të botës nga ana e Onufrit për të parën herë thuhet këtu se del nga tradita e ngurtë e pikturës dhe e ikonografisë bizantine. Po kështu, me interes janë dhe elementët shqiptarë në pikturën e Onufrit, ngjyra e tij, e kuqja e famshme, bota e brendshme që del me dridhjet e vogla të penelit, luhatjet mes teologjisë së ngurtë dhe një farë bektashizmi, pasi në pikturën e Onufrit, pas një analize të hollësishme dalin mjaft elementë thjesht laikë.
I parë në këtë prizëm ashtu si Borgesi, Zeqo lidh epokat duke fshehur perin. E pra fare mirë konstatohet lidhja mes Onufrit dhe bektashianëve. Duket diçka e çuditshme sesi Onufri është i pari bektashian. Po Zeqo merret me gjëra të çuditshme. Është një punë e pafundme kjo analizë dhe unë nuk pretendoj të bëj hulumtime të plota për arsye kohe dhe vendi, por u ndala në disa pika kryesore që më tërhoqën vërejtjen. Jam dakord plotësisht me shkrimet ku thuhet që librat e Zeqos kanë një autonomi të brendshme dhe madje ata mund të lexohen duke hapur çdo faqe, tamam si Bibla. Por kjo është një Bibël e Re, moderne dhe e besueshme. Ashtu si dhe Kadareja i madh, Moikom Zeqo përbën një fenomen në letrat shqipe dhe jo më kot, por i përqas këto dy figura madhore dhe autoritare. Në një vend Unamuno thotë që “Servantes para shekujve ka shkruar për mua”. Sa do të desha që këta dy burra të mençur që unë i çmoj mbi të gjithë në letrat shqipe të shkruanin për mua, por, unë e di se një Unamuno do të vijë më vonë. Fenomeni Moikom Zeqo është koncentrimi i një intelektualiteti të lartë, etapë e re e letërsisë dhe e kulturës shqipe. Nuk është e vështirë ta dimensionosh, më saktë dimensionimi hierarkik i librave të Zeqos është një çështje kohe dhe të kuptuari. Askush nuk mund të thotë se gjoja nuk paska aftësi për të kuptuar librat e mëdhenj. Një kritik i plogët na pengohet nëpër këmbë. Jemi shpesh aq budallenj sa t’i referohemi gazetave dhe t’i besojmë ato, si shënimeve farmaceutike të ilaçeve të skaduar. Duke u strukturuar në një libër, shkrimtari s’është asnjëherë i mbyllur, por vetëm i hapur në të gjitha librat. Është elegante dhe magjike që të thuash se çdo shkrimtar i vërtetë shkruan vetëm një libër gjatë gjithë jetës. Ky libër mund të ketë disa faqe paradoksesh gjeniale dhe metaforash tekanjoze si te Rembo apo Uitmani. Të mos harrojmë dhe skicat e jashtëzakonshme me përtëritje fuqish me një emancipim të përhershëm të Migjenit. Kush tha se Homeri ka shkruar librat e trashë? Epose të mëdhenj, karakterizohen jo nga fletët e shumta të shkruara. Te Zeqo mund të ishte hapja e një epoke të re. Të shkruarit tradicional nuk do të thotë që nuk ka modernitet. Moderniteti është më tepër një esencë e konceptimit dhe e formës. Por në epokën postmoderniste Zeqo me një të menduar të ri krijon një gjuhë të re. Të habit, por edhe të krijon shpesh vështirësi pafundësia e paradokseve. Di paradoks është fillesa e filozofisë. Këtë e dinte Herakliti i thinjur, me sa duket Borgesi e përcolli letërsinë e paradokseve si korridat spanjolle, ku toreadorët ndeshen me demat. Edhe Zeqo parapëlqen spektaklin e ideve, por preferon disa përplasje më të fshehta. Ndaj i pëlqen mistika e bektashianëve si një formë e re e zarathustrizmit. Një kapërcim i nivelit poetik që në vitet 70 i Zeqos drejt emancipimit të metaforave dhe të shtjellimit tematik e çoi edhe te një kapërcim i veçantë i prozës në vitet 90. Kështu, poezia dhe proza e Zeqos janë e njëjta gjë. Ne na mahnit uniteti i tyre dhe biem në mendime për gjërat e veçanta apo për motivet me një ambiguitet të shumëfishtë.
Si mik i vjetër i Moikom Zeqos e kam ndjekur krijimtarinë e tij. Por vetëm në këtë kohë sukseset e tij janë më të lexueshme, ai na afron kode të reja leximi. Nuk është vetëm kultura që krijon simfonizmin letrar Moikomian. Një lëvizje nebuloze, që ka të bëjë me gjenezën e tij është kudo e pranishme në librat e tij, ashtu siç është vetë jeta. Autori gati ironizon formulat absolute, por relativizmin moral e shikon me shpoti, nuk ka droje edhe ta satirizojë. Të habit lirika e brendshme e fjalës, ndonëse shkujdesja poetike flet më tepër për një thyerje të qëllimshme të rregullave, gjë që vjen nga përvoja e gjatë.
Dendësia e ideve është kaq e madhe në një fletë libri, sa të tjerë shkrimtarë me të njëjtën lëndë mund të shkruanin dhjetëra faqe. Kjo dashuri intelektuale për sintezën është e rrallë dhe deri diku mund të them që ky shkrimtar është i vetmuar. E pra kështu në këtë mënyrë, ai kërkon të na ç’mitizojë vetminë e tij dhe të botës. E di që aktet e vlerësimit janë aktet më të vështira. Balzaku përmendet jo vetëm për veprën e tij madhështore, që me përvujtmëri e mbiquajti “Komedi Njerëzore”. Ai përmendet se qe i vetmi në Francë që zbuloi talentin e fshehur nga buja e opinionit publik të Stendalit. Këtë gjë nuk e bëri Sent Bëvi as kritikët dhe estetët e shquar të Francës. Ndershmëria e Balzakut në këtë rast pati një karakter historik. Nuk dua të heq asnjë paralel. As nuk dua të them se ky shkrim ka thjesht karakterin e një zbulimi. Zeqo gjithnjë ka qenë një figurë publike tepër e njohur. Për arsye që nuk mund t’i kuptoj dhe pra as dua t’i shpjegoj gjithmonë, ky njeri dhe krijues nuk është kuptuar siç duhet. A nuk ndodh kështu edhe me poetin e mrekullueshëm Ndre Mjeda? Si dreqin në të gjitha kohërat, Mjeda qenka “i panjohur”, “i pakuptueshëm”? Shkrimi im është padyshim një ftesë diskutimi. Kështu duhet të kuptohet. Për të shkruar për librat e veçantë të Zeqos duhet kohë, kujdes, tendosje dhe padyshim shumë dashuri. Sepse ai e meriton këtë dashuri. Ai vetë ka dhënë dhe jep dashuri.
*(Gazeta “Albania”, 9 gusht 2001)
Komentet