Mbiemri Schumacher do të dëgjohet sërish në botën e garave të shpejtësisë dhe bëhet fjalë për djalin e legjendës së Formila 1, Michael Schumacher.
Piloti adoleshent Mick Schumacher këtë fundjavë do të zbresë në pistën e Misanos për të nisur kampionatin e Formula 4 me skuadrën Prema Power Team, një ndër më të mirat në botë përsa i përket përgatitjes së pilotëve të rinj dhe qe ka lidhje me Akademinë e Ferrarit.
Mick Schumacher do të ketë si shokë skuadre në këtë kategori garash Juri Vips dhe Juan Manuel Correa. Piloti 17-vjeçar, që në vitin 2015 garoi në Formula 4 gjermane, këtë vit do të marrë pjesë në 2 kampionate të tillë pikërisht në Gjermani dhe në Itali.
Vëmendja do të jete e gjitha mbi të ashtu sikurse edhe mbrojtja e organizuar nga agjentja e të atit Sabine Kehm.
Mick Schumacher nisi të garojë në garat kart duke përdorur mbiemrin e nënës së tij, Betsch, sigurisht për të qenë sa më i qetë. Një lëvizje kjo që rezultoi e kotë pasi në pistë ai që e shoqëronte ishte babai i tij, Michael me këtë të fundit që preferonte te mos fliste shumë për të birin për ta mbrojtur sa më mirë nga ambienti jashtë garave.
Karriera e të riut Schumacher evoluoi dhe ai tashmë është pjesë e Prema Power Team ku janë formuar edhe pilotë të tjerë si Robert Kubica, Jacques Villeneuve e Valtteri Bottas.
Komentet