Kuvendi i radhës i Federatës PanShqiptare Vatra ka zgjedhur si kryetar të ri, biznesmenin dhe aktivistin Elmi Berisha.
Si asnjëherë më parë, ky Kuvend është mbledhur në Michigan, me pjesëmarrjen e disa dhjetëra anëtarësh e përfaqësues të degëve të ndryshme që kanë udhëtuar drejt Detroitit dhe rrethinave për ngjarjen.
Agim Rexha, drejtues i përkohshëm i Vatrës dhe nënkryetar për shumë vite është zgjedhur Kryetar Nderi, një post që dikur e mbante ish-kryetari i ndjerë Agim Karagjozi.
Elmi Berisha, i cili sipas burimeve të ndryshme fitoi në mënyrë unanime do të ketë kryetari i parë i Vatrës në histori me origjinë nga Kosova. Ai zëvendëson në këtë post ish-Konsullin e Shqipërisë në New York, Dritan Mishto.
Kuvendi është denoncuar nga një grup vatranësh të vjetër, disa prej të cilëve kanë themeluar Komisionin e 5 Tetorit që kërkon rishikimin e veprimtarisë së Federatës në tre vitet e fundit, për shkak të shkeljeve statutore dhe rregullave të saj.
Pas një debati në media dhe rrjetet sociale si dhe thirrjeje të pafrytshme për pajtim, Komisioni deklaroi dje se ka nisur rrugën ligjore për ta zgjidhur konfliktin nëpërmjet gjyqit.
Kryetari i ri i Vatrës Elmi Berisha është aktivist me një veprimtari që shtrihet në tri dekada në komunitetin shqiptar. Në vitet e fundit ka shërbyer si Zëvendës-President i Rrjetit Ndërkombëtar të Diasporës Shqiptare që mbledh biznesmenë me origjinë shqiptare në SHBA e në botë.
Vatra është organizata më e vjetër shqiptaro-amerikane e themeluar nga figurat historike të komunitetit, Fan Noli e Faik Konica. Ndonëse nuk e ka fuqinë e dikurshme, federata mbetet nga pikat kryesore të referimit në komunitetin shqiptar dhe një emër që nderohet në atdhe dhe në diasporë. (Ruben Avxhiu)

Elmi Berisha, majtas, gjatë dekorimit të Senatorit Amerikan Bob Bole, nga Presidenti Ibrahim Rugova.
Komentet