Fushata sensibilizuese për vajzat nga Zonja e Parë e SHBA, Michelle Obama, do të prekë edhe Shqipërinë. “Nëse vajzave nuk u jepet mundësia për të arritur potencialin e tyre e gjithë bota humbet prej kësaj”, ishte kjo motoja e zonjës Obama. Fushata e saj u iniciua nga Zonja e Parë gjatë Festivalit Global Citizen 2015, të mbajtur në Parkun Qendror të New York-ut .

Zonja e Parë shoqërohet në këtë fushatë nga Beyonce, Malala, Bono dhe disa personalitete të tjera të botës së artit. Fushata është mbarë botërore, por në vitin e parë do të përfshijë 11 vende si: Shqipëria , Benin, Burkina Faso, Kamboxhia, Gjeorgjia, Gana, Moldavia, Mongolia, Mozambimku, Togo dhe Uganda.
Fushata inkurajon këdo për të postuar fotot e tyre në “Instagram” dhe “Twitter” shoqëruar me mesazhin se çfarë kanë mësuar në shkollë, gjë të cilën shumë vajza në botë nuk e kanë mundësi. Fushata shoqërohet me një foto të Michelle Obama në “Twitter” me mesazhin: “Në shkollë kam mësuar të flas për veten, 62 milionë vajza nuk e kanë këtë mundësi”.
Sipas USAID-it, më shumë se 62 milionë vajza, gjysma e të cilave adoleshente, u mohohet e drejta për edukim. “Mungesa e edukimit zvogëlon mundësitë ekonomike të tyre duke i bërë ato më vunerabël ndaj HIV-AIDS-it, martesave me forcë dhe në moshë të vogël apo dhe formave të tjera të dhunës”, deklaron USAID.
Komentet