E Premte, 06.27.2014, 11:05am (GMT+1)
Ishte më i shpejti, sot është i palëvizshëm. Në gjendje kome prej pesë muajsh, pas një rrëzimi banal tek bënte ski, legjenda e Formula 1 duket sikur po përmirësohet. A mendon diçka? A ndien ndonjë gjë? Një gazetar sportiv që e ka ndjekur prej vitesh, “flet” me Schumacherin, fuoriklasin e djeshëm dhe të sotëm
Dhoma me ngjyra të venitura. E gjelbër dhe krem. E kaltër dhe gri metalike, e satinuar. Lozana ashtu si Grenoble. Krevati si një trap lundrimi brenda një deti të panjohur. A janë të qetë ujërat? Nuk ka përgjigje. Nuk dihet moti, rruga, pak apo aspak për rrymat që shtyjnë këtë udhëtim të heshtur dhe të largët. Nuk dihet se ku ndodhet me të vërtetë Michael Schumacheri. Por me siguri në një pikë, në një jo-vend, një vozë me ujë…
Po, korridorë dhe dyer, tinguj të mbytur brenda dhomës. Zëra dhe fytyra, fjalë plot dhembshuri, veprime të mbushur me një dashuri të përpunuar prej ankthit. Shiringa. Një grua që rri zgjuar, shkon e vjen si një dallgë edhe ajo, e transportuar prej shpresave që rriten, e sprapsur prej një dëshpërimi të heshtur. Ne, që jemi më të largët, që imagjonojmë, hedhim hipoteza pa përmbajtje, të “rrahur” prej fantazive dhe gënjeshtrave për muaj të tërë. Kështu ka qenë që në krye të herës, që nga minuta e parë. Data, ajo po që është e sigurtë. 29 dhjetor 2013. Dita, mëngjesi, momenti kur një hakmarrje e fatit e bëri të rrëshkasë, të bjerë. E rrëmbeu. Me tradhëti, mendojmë ne që atëherë, siç ndodh kur mbërrin një kundërkohë, një shuplakë shumë kohë pas fundit të një zënke.
Tani, edhe ai rrëzim në dëborë, ajo goditje me forcë jo të madhe, nuk kanë më rëndësi. Nuk na duhen kartelat klinike kalimtare dhe të thata, nuk ka kuptim të rish këtu e të rendisësh fjalët, konkluzionet përpara përparimit të papërfillshëm, më të vogël se sa pritshmëritë, dëshirave për rikthim tërësor. Schumi udhëton, reziston dhe lufton. Por na mungojnë fjalët dhe gjestet, të bllokuara kushedi se ku, kushedi si dhe përse. Sytë janë hapur, gjë që jep siguri: lëvizjet janë minimale, gishtërinjtë që prekin çarçafët, vihen në lëvizje spiunët që monitorojnë trupin ashtu si dhe sensorët brenda një makine. Telemetri të ftohta edhe ato, një spital si një garë që nuk tregon finishin, kohët e xhirove, mesataren. Rehabilitim. Cfarë do me thënë? Fol, na thuaj, do të mjaftonte edhe vetëm një fjalë.
Udhëtimi i Schumit është një dënim që na përket, na tregon një fije pas të cilës jemi të gjithë të kapur, tëgjorë dhe të cënueshëm, mjafton një moment, një shpërqëndrim shumë i vogël. Fundi si një hije që vetëm e kemi prekur, gjendja e komës si një mister i pazgjidhshëm, truri si një rebus absolut. Ku shkojnë mendimet, si rendin ëndrrat, nuk mundemi ta themi aspak. Në shumë drejtime, janë jashtë vendi edhe termat, fjalët, bija të një perceptimi që tani duket i kufizuar, i pakapshëm. E megjithatë për mendime dhe ëndrra mund të flasim vetëm duke imagjinuar të tijat me ingredientët tanë.
Sepse në dhembshurinë ndaj një shoku udhëtimi, lojërash, kaq i pranishëm për vite të tërë, mundemi të paktën që të gjejmë tani diçka të përbashkët, një mundësi mirëkuptimi mes nesh përmes emocioneve, paisoneve, bukurisë së jetës që reziston, edhe pse nuk ngjitet, nuk jep shenjë. Jeta, ja pra jeta na mban të bashkuar. Eshtë një lumë ndjenjash.
Për këtë arsye zëri i Korinës i shërben, do i shërbejë si një far, si një shtytje për të kuptuar se nuk është vetëm. Gina Maria, vajza e madhe 17-vjeçare nuk mundej ta shihte kështu. Por vjen dhe flet. Rrëfen. Tregon aventura të vogla, lajme si mesazhe brenda një shisheje që përshkojnë kanale të errët dhe prekin brigje, prodhojnë zhurma të vogla që janë si këmbana.
Mick është dy vjet më i vogël. Edhe ai ka përshkuar një stuhi, i tronditur prej atij fluturimi në dëborën e Meribel, me gjakun e të atit si një hendek që u zgjerua deri një metër, pamundësia për të kuptuar, për të folur për orë të tëra, ditë të tëra. Ka rifilluar të ngasë makinat në Kart. Bravo, i fortë si babai, me një dritë që i qëndron e pandryshuar tek sytë, një mënyrë e të qëndruari ndaj botës që e ka marë nga e ëma. Një gjallëri e marrë nga i ati, për të shkuar në pistë dhe për të duruar, në pistë, një referim kaq të pavolitshëm. Për garat e tij i flet, i raporton. Dhe është bukur të mendosh që e bën me një druajtje të vjetër, në pritje të një kritike, një këshille, ashtu si ndodhte deri një vit më parë. Schumi që këqyrte pistën, ndërkohë që Mick provonte t’ua kalonte një grupi të rinjsh që garonin mes tyre mbi asfalt. Ka trupin e dobët, ka humbur peshë edhe në “trapin” lundrues të Grenobles. Fjalët i vërtiten si helika, ai që tonin e fortë dhe “muskuloz” e kishte një avantazh.
Përmbledhja e talentit, dëshirës për të rrezikuar gjithmonë, edhe kur të tjerët i thoshin, Schumi, mjaft tani! Makina, motorrë, parashuta. Një seri e gjatë veprimesh qëllimisht të rrezikshëm, të zgjidhur me sigurinë e padronit. Të eleminuar të gjithë prej një shpërqëndrimi të vockël, gjatë pushimeve të Krishtlindjeve.
Por sigurisht, e di që ky Mercedes fiton gjithçka. Pas tij, ta hajë dreqi. E di që Ferrari nuk fiton më. Pas tij, aksidente. E di që bota e tij mbetet ajo. Brenda të cilës krijoi një seri mrekullish, mbi makina të mrekullueshme. Fotografitë mbeten, në kujtesë, në fantazitë tona, të tijat, të shpërndara mbi jastëkun e shtratit. Senna që i zhduket krejt papritur nga pamja, shkon të vdesë, zhduket në Imola 1994, duke e lënë të vetëm në qendër të skenës. Mbeturina që hodhi tutje një tjetër Uilliams, me brenda Damon Hillin, në ditën e titullit të parë botëror në Australi, po atë vit. Mbeturina që hodhi tutje atë vetë, kundër një Uilliams sërish, me brenda Jacques Villeneuve, kampion i atij momenti, Jerez 1997. Momente. Barrierat e Silverstone që i afrohen me shpejtësi në 1999. Goditja, fraktura e dyfishtë. Dhe pastaj një seri në dritë të diellit, dritë e kuqe, buzëqeshje, pesë tituj, pesë fluturime të përsosur brenda një lavdie që tashmë është vetëm e tija. Rubens Barrichello që qan, që do bakshishin, ankohet gjithmonë.
Ideja për t’i dhënë fund atëherë kur nuk kishte aspak dëshirë t’i jepte fund. Vendimi për t’u rikthyer në gara. Kundër Ferrarit, kundër ndjesisë për t’ua lënë të tjerëve dhe pikë. Cilin moment, fotogramë, detaj, duhet të ketë tani në vështrimin e tij? Mund të lundrojmë me Schumin, për t’i bërë shoqëri, për të vazhduar ta ndjekim si kemi bërë gjithmonë. Të mbërthyer nga një nxehtësi e fortë, dëshira e marrë e një të riu që kishte vetëm një pistë kart-i për të luajtur dhe fusha të shkreta, trishtimin e një province gjermane të quajtur Kerpen. Një shtëpi prapa një ujësjellësi, një gjë me motorr si një tapet fluturues mbi të cilin duhet shtyrë, duhet gjetur drejtimi i erës. Skorubutik, por sigurisht i pranuar ashtu si ishte prej famës së tij. Egoist, egocentrik, i pangopur. Lënda e parë që tregon zakonisht kush është fuoriklas. Gjeste madhështorë dhe sjellje të pahijshme. Kthesa të përsosura dhe gënjeshtra më se të përsosura. Por edhe diçka më pak e parashikuar, aspak e pritur.
Pepi Cereda ishte një gazetar i destinuar ta intervistonte përditë. Gjithmonë i pranishëm, ashtu si shumë të tjerë. U sëmur krejt papritur dhe sëmundja ishte e rëndë, shumë e rëndë. Schumi kishte vënë re mungesën, kishte pyetur dhe marrë përgjigje. Në fillim ndonjë lajm, më pas verdikti. Kërkoni numrin e telefonit. Në fund të provave, në fund të garës, u mbyll diku: i telefonoi Pepit, i rrëfeu atë që kishte ndodhur në pistë, bëri shaka, e përkëdheli pak. Asgjë e sajuar, asnjë veprim që bëhej sepse duhej bërë. Thjeshtë, një njeri pranë një tjetër njeriu, më pak fatlum se ai. Këta janë gjeste të vegjël dhe shumë të mëdhenj. Zbulojnë një tipar të fshehur, por aspak të humbur. Aftësia për të pranuar dhe kujtuar se ke qenë një fëmijë i vetmuar. Që duhet të kesh detyra përtej të drejtave të të qënurit kampion, me shtatë tituj, me të gjithë rekordet. Perceptimi i aromës që lëshon një qenie njerëzore kur çdo gjë tjetër, çdo lojë, çdo bukuri fluturon tutje dhe mbetet vetëm një nyjë për t’u zgjidhur në vetminë shkatërrimtare. Kështu, tani kur çdo ditë shohim vetëm qiellin, presim që era të na risjellë këtu Michel Schumacherin, me të vazhdojmë të flasim, të imagjinojmë dhe ta imagjinojmë, duke ruajtur një mirënjohje të mbushur me dashuri. Në karrierën e tij, ka momente që bartin edhe jetët tona. Ai moment kur lindi vajza, teksa ai fitonte në Indianapolis. Dita kur vdiq një baba, ndërkohë që ai luftonte në monza. Ajo pasdite e fundit kur ai parakalonte në Spa. Së bashku, për vite të tërë, kemi udhëtuar.
Vazhdojmë ta bëjmë, rë prekur prej një afërsie që tashmë është vetëm bark, zemër, njerëzillëk i thjeshtë, pa gjeste madhështorë, pa shampanja në podium. Njerëz në udhëtim, me të, ashtu si ai, që së bashku pyesim për domethënien e ekzistencës sonë, vlerën e mundit tonë, që masim hapa të ngadaltë, me vetëdijen se nuk kemi qenë kurrë kaq të ngjashëm, kaq pranë. / bota.al
www.voal-online.ch
Komentet