Graz, me 7 qershuer 1958
Shumë i Ndershmi e i Dashtuni Zotní Mustafa Merlika-Kruja,
Qe se nuk po pres gjatë, por po vêhem mejherë me Ju shkrue. Ju falem nderës per leter të gjatë e per tfillime t’interesantshme qi më dhaet. Veçse keni harrue me më folë per patriot shqiptarë bektashjan. Ju më patët thânë nji herë – me gjasë ishte endè në ket qindvjetë – se do t’kishit per t’m’i numrue këta patriotë bektashjanë. Ket gjâ shpresoj se nuk keni me e harrue në letren e ardhshme, të cilën e pres njandej kah marimi i vjetit 1959, mbasi Ju thoni se kjo letra e tashme e gjatë vyen per 4 letra. E Ju per nji leter keni ngjatë 5 muej kohë per të m’i pergjegjë. Prá mbrenda 20 muejve shpresoj me marrë pergjegjen e ksaj letre s’eme dhe tfillimin e patriotvet bektashjanë. Ndoshta edhe letra e ême po del këso here e gjatë, por un e njehi vetem nji leter.
Po duel e gjatë kjo leter, arsyeja âsht te dy artikujt e Juej të publikuem nder dy numrat e SHÊJZAVET. Un do t’Ju lypi ndoj tfillim permbí disá gjâna qi thoni Ju nder këta artikuj.
Mâ parë e mâ dalë, nga vjen fjala Krue, mbasi Ju thoni, nga nji besim i pathemel i të huejve, kjo u besue e rrjedhun nga krojet e freskta qi pernjimend ka Kruja.
Ju shkrueni në faqe 8 (Nr. 1-2) këto fjalë: “Shkodren romake e ka pasë perfshim në të IV shekull provinça maqedone e Shqipnija tjeter quhej Epir e dahej nder dý provinça, njana Epir’i Vjeter me kryevend Prevezen (Nicopolis) e tjera Epir’i Ri me kryevend Durrësin”. Tashti Shkodren s’e ka pershî kurr provinça maqedone. Dy herët, në të cilat u perpjestue perandorija romake, kjén nen Augustin e nen Dioklecjanin. Në pjestimin e ndermarrun nga Augusti i tokoi tokës shqiptare të ndahej në trí pjesë: Që prej Leshit e perpjetë i perkitëte provinçës Dalmatia (ase edhe Illyricum); pjesa ndermjet Leshit e Vlorës i perkitëte provinçës Macedonia, qi shtrihej deri në Thrakje; prej Vloret e teposhtë deri në Gjiun e Korintit pershîhej në provinçën Epirus. Pra Shkodra nuk i perkitëte provinçës maqedone as në ket perpjestim as n’atê, qi ndermuer Dioklecjani. Ky e ndau kështû tokën shqiptare : nji pjesë e provinçës së perparshme Dalmatia u shkput e u fomue me tê nji provinçë në vedi me êmnin Praevalis ase Praevalitania, qi pershînte jo vetem Malin e Zí e Shqipnín deri në Lesh, por qi shtrîhej deri kthelltë në Kosovë (atëherë, natyrisht, jo me ket emën) Kryeqyteti i kësaj provinçe pat kenë në fillim Doklea; mbasi u rrenue kjo, e muer Shkodra vendin e saj si kryeqytet i Prevalitanís. Shqipnija e Mesme, qi perpara (në pjestimin e Augustit) perbânte pjesën prendimore të Maqedonís, quhet tash Epirus nova me qytetet kryesore Durrës e Oher. Shka perpara pat kenë quejtë Epirus, thirret tash Epirus Vetus (Epiri i Vjeter). Natyrisht, nuk mund të thohet qi Preveza të ketë kenë kryevendi i Epirit të Vjetër, pse kjo nuk âsht kenë kurr kryevendi i ksaj provinçe. Preveza âsht ngrehë mâ vonë nder rrenime të qytetit të vjetër Nikopolis shì atŷ (nel promontorio[1] di Azio) kû Oktavjan Augusti pat dermue Antonin e Kleopatren në vjeten 31 p. Kr. As vetë nuk e kuptoj pse Frangu i Bardhë thotë: “jam i dheut të Mates së donjesë i Shkodranë”. Matja i perkitëte sigurisht Maqedonís, por jo Shkodra. Ndoshta Frangu don me prû këtû shembuj të ndam. Prá dy shembuj : jam i dheut të Matës ; jam i Shkodranë. Ai po pat kenë Matjanë, s’ka muejtë me kenë njikohsisht edhe Shkodranë.
Tashti po dalim në numrin 3-4 te fjalët e arta, qi mue m’interesojnë fort. Veçse un po shof se shumë nder këto fjalë nuk janë shqipe, por janë të perkthyeme nga latinishtja, nga italishtja apor nga ndoj gjuhë tjeter. Nuk dij, prandej, pse thotë Frangu i Bardhë në titull: “Proverbia et sententiae Epirotarum”. Shumë nder këto fjalë nuk janë epirote, por të perkthyeme.
Te proverbi 42 kam per të bâ nji vrejtje. “Molla nuk rrzohet larg mollet”. Molla e parë âsht kokrra dhe e dyta drûni. Mirë boll deri këtû. Por interpretimi qi i epni Ju, nuk âsht taman në rregull. Ket fjalë e ka taman njeshtu gjuha gjermane, qi thotë: “Der Apfel fällt nicht weit vom Stamm” qi gjermanisht don me thânë: fmijt u a gjasin prindvet. Un e kerkova ket proverb edhe në gjuhë tjera. Por as në fjalorin italisht as në atê frengisht nuk e gjeta. Ndoshta mund të jetë edhe në ndoj gjuhë slave ky proverb, por në gjuhen gjermanishte âsht krejt i kjartë me ket veshtrimin qi Ju thashë. Në fjalorin hingliz e gjeta të perkthyeme ket fjalë arit gjermane me “like father like son”.[2] Fjalorë slav nuk po kam, pse un endè nuk kam mujtë me studjue nji gjuhë slave. Jam okqidental! Por sigurisht veshtrimi i gjuhës gjermanishte âsht i kjartë e nuk mund t’i epet shqip veshtrimi qi pohoni Ju.
Aman mos e persritni fjalën e Meyer-it, qi pat pohue, tue bâ dam të randë, se gjuha shqipe i ka mâ se gjysen e fjalëvet të rrjedhuna nga latinishtja. Kúr pat shkrue Meyer-i Fjalorin e vet, nuk pat pasë veçse pak gjâ mâ teper se 5 mí fjalë në dispozicjon. Edhe këto fjalë ishin mâ e shumta e marrun nga Italo-Shqiptarët, pse aso heret nuk kishin dalë endè as Kristoforidhi as fjalorët e mâvonshëm. Se Meyer-i e tha atë fjalë, i falet, por na mos t’a persrisim, pse gjuha shqipe ka fort mâ teper se 5000 fjalë. E sigurisht nuk rrjedhë gjysa e fjalorit shqip nga latinishtja.
Po a njimend thohet Pòjani etj? Un nuk e kishem nxânë besë se gjuha shqipe po paska fjalë, qi e kanë theksen jo në të parambramen rrokë. Tirana, Gjinokastra, Elbasani etjera.
Prej artikullit t’Uej del në shesh se ené nuk e keni marrë Fjalorin e rí të Tiranës, qi âsht botue qysh në vjeten 1954.
Disá proverba Ju i spjegoni kjartë, disa tjera jo. P.sh. proverbin 80 Ju nuk e spjegoni se shka don me thânë. Por e spjegoni gjatë atê 86, qi nuk ka gjithaq nevojë per spjegim, pse kuptohet krejt lehtas. Edhe proverbin 94 un s’e kuptoj e Ju nuk e spjegoni. Mandej per proverbin 112 perfundoni me fjalen dokrra. Veshtrimin e proverbit e kuptoj, por pse thoni Ju dokrra? Per proverbin 113 ju shtoni në fund fjalen Gjepura. Ket fjalë e gjeta në Fjalorin e rí të Tiranës. Po vallë pse e thirrni ju proverbin 113 gjepura, në vend qi me dhânë spjegimin e proverbit, të cilin vetë nuk e kuptoj?
Un mbledhi pa dá proverba e fjalë arit, prandej m’intereson me dijtë perherë veshtrimin e tamantë të çdo proverbi.
Në proverbin 82, qi e nepni Ju latinisht, fjala e parë quo do të hiqet.
Se Hitler-i i ka pasë të parët çfuten e kam kndue shpesh herë nder gazeta e rivista, por krejt qind per qind nuk âsht endè e provueme kjo gjâ. Fakti âsht se në kohë të Hitler-it çdo gjerman do të kishte dokumentin, me të cilin u provonte se deri në të katërtin brez nuk kishte kurrnji prind çfut. E mirë, Hitler-i vetë nuk e ka pasë nji të tillë dokument kurr. Njimend ai nuk ka pasë nevojë me i a diftue kúj ket dokument, pse atij si kryetar shtetit nuk i a ka lypë kush. Por çudí âsht qi ai nuk ka lejue qi të shqyrtohet kjo gjâ e të zbulohet me saktësí origjina e tij. Hitleri ka mbytë jo qinda e mija, por miljona Çfutensh. Statistika zyrtare ep se Nazistat kanë farosë plot 6 miljona Çfuten. Por mue më duket se kjo statistikë âsht pak si e teprueme, pse kah erdhen gjithë këta çfuten, po kje se pernjimend Hitler-i i pat mbytë 6 miljon sish?
Sá per ipeshkvin jabanxhí, nuk ka aspak randsí fjala e Gurakuqit, pse ai nuk âsht aspak kompetent në ket materje. Derisá mos t’a shoh të shtypun ndokund ket fjalë, un nuk e xâ besë kurr se e ka thânë ket fjalë Fishta. Por, po e pat thânë, atëherë do t’epet i njajti gjykim, qi në ket rasë epet per nji njeri tjeter, po t’a thotë ket fjalë. Po të çohej nji katholik hingliz (e per mâ teper meshtar e frat) e të thote se Shen Augustini me 40 misjonarët e parë, qi i pat dergue atje Shën Gregori i Madh per të perhapë religjonin e krishtênë, i kanë prû dam e jo dobí Ingliterrës, atëherë ai veç do t’ ishte maturo per il manicomio.[3] Prá! Ergo!
Per mue Amerikanët nuk kanë prû deri tash kurrnji qytetní shpirtnore. E pám nder kta vjetët e mbasluftës, se çë qytetní i prûnë Europës. E edhe në teknikë po shkjepojnë boll, megjithse prá kanë krejt ndimen e Europjanvet. Merrni vetem bumben atomike e keni me pá se bumben atomike e kanë ndertue Europjanët e jo Amerikanët. Të tanë dijetarët mâ të mdhajt, qi bashkvepruen në ndertimin e bumbes atomike, kanë studjue në Gjermaní. Si e dini, në kohen ndermjet vjetës 1924 deri në 1933 (kur muer Hitleri sundimin në dorë) ishte universiteti gjerman i Göttingen qandrra e parë e botës per fizikë e matematikë. Këtû e ka marrë lauren Oppenheimer, çfut amerikan, qi kje kryetari i komisjonit të bumbës atomike per vjetë e vjetë, deri sa e paditen se âsht mik i komunistavet, shka u provue mâ vonë si e pa-vertetë. Sido kjoftë ky thirret baba i bumbeve të para atomike, qi u hodhen mbí Japan. Baba i bumbes hidrogjenike âsht prap nji europjan e thirret Eduard Teller, qi tash âsht taman 50 vjetësh. Ky gjení matematiket âsht çfut nga Ungerija. Por n’Ungerí nuk e kishin lejen Çfutent të studiojnë n’universitet. Due me thânë ishte numerus clausus.[4] Atëherë Teller çohet e hikë e del në Gjermaní e shkon dogrí e në Göttingen e kryen atje studjimet e mandej, kúr Hitleri merr sundimin në dorë, hikë e del n’Amerikë. E Einsteini vetë kje nji çfut gjerman. Kur ky pat lanë Berlinin, nji fletore franceze pat shkrue: “Hika e Einstein-it nga Berlini, âsht barabar si të kishte braktisë Vatikani Europën e të kishte dalë në Kanadá. Shum nder dijetarë në ket lâmë kjenë çfuten. E kúr Hitleri e muer sundimin në dorë, Çfutent u ritiruen ase hikën të gjithë e atëherë e buer rândsín e vjetër Göttingen, qi perpara ishte si Meka e fizikës e e matematikës. Edhe Enrico Fermi, mâ i madhi fizikant italjan, pat kenë nji vjetë në Göttingen per perfekcjonim. Mâ vonë edhe ky hiku e duel n’ U.S.A. Tash ka Gjermanija prap fizikantë të permendun, por këta janë mâ fort Fiziko-filozofë, si p.sh. Heisenberg e Weiszäcker ase edhe Jordan. Edhe po të merrni i missili ase raketat, si i thrrasin Gjermant, gjêni krejt Gjermant e hikun mbas luftet n’ U.S.A., qi e kanë në dorë ket degë të fizikës. Kryetari i tyne von Braun âsht krejt i rí. Ky ka zotsí të madhe si organizator e si propagandist e sidomos din me gjetë fondet per shoqnín qi drejton. Mjesá nji gjerman tjeter, njifarë Stuhlinger, âsht edhe mâ i zoti se von Braun per shka i perket fizikës së këtyne missilavet. E janë nji morí e madhe gjermanësh tjerë qi punojnë në ket armë të ré. E mjerisht fabrikën, ku punojshin von Braun e shokë, e kanë shtî në dorë krejt të paprekun Rusët. Kndej kuptohet pse ata janë përpara Amerikanvet në ket degë. Arsyeja tjeter, pse endë po janë Amerikant mbrapa, âsht pse të trija degët e forcave ushtarake, d.m.th. Marina në vedi, Ushtrija toksore në vedi e Flota ajrore në vedi duen me punue krejt pamvarsisht njana prej tjetres në ndertimin e ktyne misilave. Mjesá Rusët punojnë vetëm në nji qanderr e nuk i shkaperderdhin forcat. Por nuk po shkoj gjatë. Deshta vetem me Ju thânë se as në teknikë nuk po janë Amerikanët all’ altezza della loro richezza.[5] Arsyeja e kthelltë pse Amerikanët janë endè mbrapa në dije e kulturë, don kerkue në mentalitetin, qi mbretnon në U.S.A. Atje, në shkallën e naltë të shoqnís rrin ai qi ka dollarë mâ shumë. Prá, puno shka të duesh, mjaft qi të grumbullojsh dollarë. Profesori e shkencëtari nuk e ka randsín qi ka n’Europë. Se mâ po i lâmë artistat e muzhiktarët. Zoti i Amerikanvet âsht dollari : kjo mâ âsht nji gjâ e njoftun. Por n’ Europë nji profesor ka rândsí të madhe, edhe po nuk mujti me fitue gjithaq. Profesori âsht profesor e çmohet. Bile e kupton gjithkushi se nji profesor nuk do të shikjojë me u bâ i pasun e me grumbullue pare. Per mos me shkue mâ gjatë : intelektuali n’ U.S.A. rrin krejt në shkallën e fundit t’shoqnís. Ai qi fiton dollarë me çdo punë, ai rrin në shkallën e parë. Materjalizmi në shkallën e naltë.
Shikjoni vetë e kerkoni qytetet në U.S.A qi kanë Opera ase sala koncertit. A thue ka atje qytete qi kanë mâ se 1 miljon banorë e qi nuk kanë kurrnji Opera? Se mâ po i lâm muzejt, se kta nuk ngrehen ashtu mejherë.
Ndoshta Ju mendoni se kultura amerikane permbahet në jazz e në film. Sá per muzhikën amerikane, atê e kemi pasë na në Shqipní te maxhypët tash sá qinda vjetësh. Filmi âsht mâ fort gjâ tekniket se sá kulturet. E vetmja gjâ qi po e ka Amerika para Europjanësh âsht qi Europjanët, nga luftat e teperme e nga persekutimet çohen e lânë Europën e dalin n’Amerikë. Lirija âsht ajo qi mund të merret per shembull nga Europjanët në U.S.A. Por vendi i madh e banorë pakë. Ndoshta, kúr të shtohen edhe në U.S.A. aq sa n’ Europë, kanë me fillue edhe atje me u kacafitë njani me tjetrin, sikurse Europjanët. Sido kjoftë, per tash njiherë Amerikant po janë shembulli i mirë per Europën. Por sa per kulturë, teneqe krejt puna e Amerikanvet. A ndoshta Music boxs janë kulturë amerikane? Por edhe këta sikurse jazz.
Edhe Amerikant vetë e njofin vedin se janë krejt mbrapa kundrejt Europës. Kndej vjen qi Amerikant, në luftën e mbrame perherë dijshin me u rá muzejve e kishave me bumbe, por rrallë herë dijshin me i gjetë fabrikat. Inadi qi kishin kundra kulturës Europjane i shtyni me e bâ ket gjâ. P.sh. n’Italí gjithkund rrenoheshin kishat, por rráll herë u rrenoshin fabrikat ase objektivat tjerë ushtarakë.
Por u darme gjatë.
LAHUTA gjermanishte ka dalë mrekullí, veçsè janë shtypë pak kopje: vetëm 800 copë. Lambertz-i e ka perkthye krejt me të njajtin meter sikurse âsht në shqip. E besoj se kurrnji gjuhë tjeter nuk mundet me e krye ket gjâ. Slavishtja ndoshta po, por un fola per gjuhët e okqidentit, d.m.th për gjuhë me të cilat deri dikund më duhet me u marrë per studime të mija. Këto janë katër gjuhët e okqidentit: gjermanishtja, frengishtja, hinglizshja e italishtja. Edhe botimi shqip i LAHUTËS duel mrekullí. Per vjet e vjet ndêjtën tue u shamatue Shqiptarët njani me tjetrin, perpá bâ kurrgjâ qi jet. Erdh nji frat e per gjashtë muej kje i zoti me krye botimin e dytë të Lahutës. Pse ky P. Daniele Gjeçaj âsht taman frat nga Thethi i famshem. Pra burrë Shalet. Mana per 4 muej rresht e ka xânë ora dy mbas mjesnatet tue punue në ket LAHUTË. Pse nji liber mâ se 700 faqesh âsht punë jo e vogel me e botue në vend të huej e mos me bâ gabime. Na po i shofim Shqiptarët, qi nder fletushka e shufla qi po botojnë, nuk po kanë veç gabime shtypi sá uji. Mbas LAHUTËS do të dalin edhe vepra të tjera po nga i njajti frat. Due me thânë ky kujdeset per shtyp të tyne, pse komentimin kanë me e bâ tjerët. Vetem në LAHUTË e bâni frati. Pse mâ LAHUTA E MALCĺS âsht prodhim i malevet e jo kushdohi mund t’a kuptojë si duhet.
Mue më duket se e ka mjaft. Prá, mbasi Ju doni me nxânë letren e mbrame t’Uejen per 4 letra e mbasi un do të pres edhe 20 muej (4 herë 5 = 20) per të marrë edhe nji leter tjeter, atëhere qysh tash po Ju a uroj vjetin e rí 1959. Sá per vjetin e rí 1960 po presim, se ndoshta e marr letren tuej para se të mbarojë vjeti 1959, e atëherë mund t’Ju shkruej prap.
Shum shndet e mos u merzitni atje në botë të ré! Në mbretnín e Zotit Dollar!
I Jueji me nderime të mdhaja.
- P. Margjokaj O.F.M.
Shum shndet e urime edhe motres s’Uej e djalit
Idem
Postuem me 4- VII- 1958
Shum’ i ndershmi e i dashuni Atë Paulin Margjokaj,
Edhe un pra po ju ndjek: Ju shpejt e un shpejt. Me letrën t’Uej (7/6/58) tri faqesh e gjymsë të dênduna m’a keni lamë t’emen qi pata dashun t’a zâ… për katër letra.
Nga vjen emni Krú? Nuk dij. Jam i bindun qi dij vetëm se nuk vjen nga fjala krue, siç e kam thânë shumë herë e shkruem. E qe argumentet e mija:
- a) Sami Frashëri (Shemseddin Sami) shkruen në fjalorin e tij tyrqisht (gjeografí e historí) 6 volumesh: “AKÇA HISAR. – … Tue qênë se qyteti ka shumë fort ujna të rrjedhshëm e kroje, emni origjinal i tij âsht Kruja, qi shqip don me thânë çesme...” Samiu e ka shkruem këtë vepër në 1306 tyrqisht, qi bie në 1890 e aty-pari. S’përmênd asnji burim, pra mund e duhet t’i a zâmë si nji pohim të tij. Kemi mbasandej te kapitulli “Zwei Urkunden aus Nordalbanien”[6], f. 125-152 të librit”Illyrisch- albanische Forschungen”, përkthyem shqip prej meje, siç e din edhe ti qi ke shqipnuem do tekste latine: “Kruja qëndron ndër malet ndërmjet Elbasanit, Mates e Ishmit … Ndërtuem mbi nji shkâmb të përpjetët, mâ të shumtën thik,… me kroje të plotujëshme mbrênda fortifikatavet…” Në 1553 Gjustiniani nga Venediku përshkruen positën e naltë të saj tue shkruem: “nel mezzo una fontana freschissima”[7]… Nji përshkrim i vjetër prej qv. XVI thotë se Kruja qëndron… “sopra un diruppo di sasso vivo”[8] e forcueme me mure të hershme dhe e pajosun me “fontane vive”[9]; se në medis të qytezës (kalasë) ishte nji “taverna” e mbrênda ksaj nji gurrë, ujët e së cillës mbandej rridhte jashtë në qytet e mûjte me sjellë mullîj…” Emni i vjen prej krojesh. Byzantinët e shkruejshin Kroaí në formë shumsi. Banorët quheshin kroit, Trajta latine e emnit të qytetit ishte Croia ase Cruja …” Këtë vepër, Ju ndoshta edhe mund t’a gjêni në ndonji biblijothekë të Grazit. Nënvizimet janë të mijat e qeshë tue shkuem deri në funt ashtu, por mbrapa përtova. Tash si mund të çuditem un nëse ndonji studjues, si ju po zâmë, ka kënduem ose këndon këto përshkrime të mrekullueshme si përrallat e së Bukurës së Dheut, me “acque vive” sgorganti da un “sasso vivo” qi i kanë dhânë emnin qytetit t’em e un s’po due me e besuem atë burim përralluer ; si mund të çuditem un, po thom, në se ndonji studiues ka për t’u çuditun nga kjo shqeptiqizëm e ime? Jo, aspak nuk do të çuditem në se shqeptiqizma e ime mbi etymologjinë qi tjerë, dijetarë madje, kanë dhânë për Krunë t’eme, do t’a habisë ndokênd, kushdo qoftë.
- b) Por un, veç, piknisht si bir i atij qyteti, rritun deri në moshët 15-vjetshare atje pa pamë tjetër vênd veçë Tiranës, Shjakut e Durrësit, kthyem me ndêjtun prap në tê shum’ e shumë herë, aqë sa mundem me t’a vizatuem topografinë e qytetit edhe me emnin e çdo vêndi gati, qi e ka nji emën, të çdo kroi e të çdo përroske, kam të drejtë pikë së pari me dyshuem nëse përshkrimtarët e qytezës së Krusë kanë qênë përnjimend edhe kanë pamë me sŷt’ e vet ça kanë përshkruem apo e kanë pamë në ândërr! Apo ndoshta, mbas datës qi kanë shkruem ata ka ndodhun në vênt t’em ndonji kataklizëm qi, për mrekullí, askush nuk e mban mênd a s’e ka mbajtun mênd për me va lânë si gojdhânë edhe tjerët?
- c) Sepse, në qytezën e Krusë as shênji nuk i duket kund qoftë edhe nji kroi të vetëm, e jo mâ shumë. Ka, po, dý kroje, përjashta qytezës, njâni afër portës s’epër e tjetri nën të poshtrën. Kroje të vogla, por të pashterrëshme. Mbrênda diktohen vetëm muret e nji hamami tyrqisht e ky don specjalistin e pak gërmime për me na thânë se ku e merrte ujin, të ftohët e të ngrohët. Banorët e kalasë, do kanë pusa, e pakta pasanike, relativisht, sepse duhet me gërmuem mjaft thellë e prandej me shpenzue mjaft pare për me nxjerrë nji pus atje n’atë majë; tjerët mbushin në njânin a në tjetrin krue përjashta.
ç) Un besoj se përshkrimet e vjetra të Krusë i përkasin vetëm qytetzës, por edhe sikur të jenë për të gjithë qytetin… modern, s’ndryshon asnji send. Kruja s’âsht nji qytet i madh për numër banorësh : ka gjithsej nja pesmijë shpirtë. Por për me i dalë prej nji skânji në tjetrin, duhet me ecun jo mâ pak se nji orë të mirë e aty-këtu edhe mâ tepër. Me hypun mbë majë të qytezës e shikuem sa të merr sŷni anembanë, lagjet të duken si katunde të vogla, aqë largas prej shoshoqes. Eh, mirë pra, e dini sa kroje gjinden në këtë alamet hapsine? S’i kapërcejnë 10! Prej këtyne, nji âsht i madh, ku në verë të madhe lanë ndërresat ndoshta gjymsa e Krusë tue i bajtun gratë me boça në majë të kresë e deri me gomarë ndër thasë. Kisha me e vûmë me kusht se 90% Krutanët pijnë ujë pusash. Qe, këto janë gjithë fantasitë e përshkrueme mbi ujnat, fort shumë ujnat e rrjedhshëm e krojnat e Krusë qi, hajsmi, kanë krijuem kët’ emën me famë.
- d) Un nuk dj qi të ketë shkruem ndonji albanolog, linguist i njohun mbi kët’ argument, kurrgjâ. Ndoshta po, e un s’e dij. Por un pyes gjuhëtarët albanologë, pyes të huejtë, sidomos, mbasi sa për vete e Shqiptarë tjerë duhet të pranojmë se “nemo propheta acceptus est in patria sua”[10]! E ç’pyes? Them se nji popull qi ka ruejtun të pandryshueme fjalën krua-kroi = krue-kroi = krû-kroni me gjininë mashkullore, si bâhet qi e ndryshoi këtë fjalë vetëm si emën të qytetit e e bâni kruu-Kruja (si e ka shkruem Bardhi, i cilli mb’anë tjetër ka për ujin krue-kroi si sod) Krujë- Kruja e Krû-ja? E, nota bene [11] qi ky ndryshim po e dijmë se ka qênë qysh ditën qi njihet emn’ i Krusë! E pse pra ky ndryshim i gjithëhershëm ndërmjet formavet e gjinive të dý fjalëve po qe se edhe emn’ i qytetit âsht ai i ujit?
- e) Me keqardhje po më duhet me shtuem edhe njekëtë paragrafë: Ju a keni pimë vetë në “krojet e freskta qi përnjimênd ka Kruja”, apo e dijni prej librash? Sepse, në qoftë se e keni këtë besim kaqë të fortë për krojet e Krusë prej këndimesh, kujtoj se tash mbas sa po Ju shkruen nji i vêndit, do të keni arsye me e ndërruem atë besim. E në qoftë se keni qênë vetë në Krú, nuk dij se ku Ju ka ramë me pimë ata ujë të freskët, mbasi edhe ato kroje qi thashë se ka, janë shpërdamë nëpër lagje jashta deret, posë njiu qi gjindet afër portës së madhe të qytezës, në krah të mângjët t’atij qi shkon me hymë. Sa për ujët e cillit do krue t’ atij qyteti, të freskët âsht sigurisht, si ata të çdo kroji përgjithsisht, por Ju a them për të vërtetë se do pusa të thellë të Shkodrës e kanë mâ të ftohtë të vetin. Vetëm nji ujë ka Kruja – për me folë disi metaforisht -, të cillit për të ftohët nuk dij se ku i gjindet shoqi : e ky âsht në shpellën e Sarisalltekut në majë të malit përmbi qytet (prandej thashë metaforisht në Krú). Prej këtij uji, i dashuni Atë, njimênd s’und e mbarojsh të tânë nji kupë përnjiherë, se t’a thanë gojën.
“Jam dheut cë Mecedonjesë, i shkodërjanë” (transkriptim’ i im i ndrequn) shkruen Frangu i Bardhë.( v. faqe 7 të Shêjzave 1-2, II), qi ad litteram në librin e tij âsht njashtu si e ke në faqe 8. Pra ai nuk âsht tue thânë se âsht dheut të Mates”, siç e paski marrë vesht Ju gabueshëm, por “dheut ze Matte se doniese”, qi duhet me e kënduem “dheut cë (cë, mbas nji emni qi mbaron me t, për së) Macedonjesë” Âsht tue thânë, pra, Frangu, si me thânë un: jam dheut së Shqipnisë, i kruetanë. E kështu âsht tue thânë, i bekuemi, edhe se Shkodra ishte nji qytet i Maqedonisë. E këta mû në gjymsën e parë të qindvjetës XVII mbas Krishtit. Duhet me marrë shënim e me komentuem si të na duket neve e drejta, po të kemi interesë. Ai, Bardhi, ka folë për Shkodrën e un shtova edhe pjesën tjetër të Shqipnisë me përgjegjësinë e pashënueme të veprës 12 volumesh, nja 10.000 faqe, Histoire Générale, shkruem prej nji tube historjanësh frëngj nën drejtimin e Ernest Lavisse-it. Në pastë gabuem edhe kjo vepër, shëndosh të tjerat, si ato qi keni konsultuem a studjuem Ju. Për me qênë sa mâ mirë në rregull me Jue, po shtoj edhe këtê, qi shënimin t’em e kam pasë gati ndër do copa letrash, mbasi disa volume të mëdhá qi nuk më duhen shpesh nëpër duer, i kam në nëndhesë të përbashkët të tri pateve të shtëpisë ku rrij, sepse jemi shumë ngusht me banesë.
Athue njimênd s’u dashka thânë kurrqysh Preveza për Nicopolis? Ju m’a qortoni këtê e edhe un e kam dijtun se s’isha tue premë aqë hollë në sa shkruejsha ashtu. Por mendova se mund t’i biesha për shkurt në nji shkrim qi s’kishte për subjekt as gjeografí as historí. Ju, tue më shkruem mue, mund të më thoni, siç më keni thânë, kujtoj un, për bukurí Azio, me gjithë qi kur qytet’i ynë ishte Nikopolis edhe ai ballamal (kështu e kam quejtun un heraherë shqip promontorio-n) e kishte emnin Actium. Un i rashë për shkurt me emnin a qytetin e sodshëm Prevezë, se kjo âsht nji e Nicopolis numrohen në gjeografinë e motshme nja katër e m’ishte dashun me e bâmë të njohun atë t’emen me fjalë tjera suplementare e do të më nxitte zekth’i nacjonalizmës me kallzuem qi, para se të mûjte Oktavjani (mbas logjikës rigoroze të subjektit qi jemi tue rrahun Octavianus Augustus) Antonin e t’a pagzonte atë qytet me emnin e ri të përkthyeshëm shqip Qytet’ i Ngadhnjimit, ai quhej Berenike-ja (ngadhnjimprûse), n’emën të mbretneshës s’Egjyptit, e cilla u ka lânë nji kujtim edhe astronomëvet me Berenices crinis, aqë të bukura i kishte balluket, mbasi kjo mbretneshë bukuroshe pat pasun fatin me qênë edhe e vjehërra e Pyrrhus-it qi themeloi atë qytet me emnin e asaj.
Pak fjalë qi më duhej me thânë për proverbat i bâna nji pjesë mbë vete të ksaj letre. Edhe un i transkriptova e i botova vetëm si tekst shqip të Bardhit, se sa për vlerën e tyne ashtu si kanë titullin, mana jo aspak.
Ju sigurisht do t’a keni ose do t’a gjêni aty tekstin e fjalëvet të shkrueme prej G. Meyerit për gjuhën shqipe e do t’Ju a dijsha për nderë të madhe në qoftë se mund të m’ i dërgoni të transkriptueme ase të përkthyeme ashtu njipërnji si i ka lânë ai, mbasi prej burimeve të mija nuk më del qi ai të ketë shkruem ashtu si po më thoni Ju, dmth. “se gjuha shqipe i ka mâ se gjysën e fjalëvet të rrjedhuna nga latinishtja”. Mbasi të m’a keni dërguem këtë tekst të vogël, kam ndër mênd të shtoj edhe un komentimet e mija mbi dâme e dobina qi i janë bâmë pa i a damë gjuhës s’onë. Sa për atë dâm qi i pasksha bâmë un, simbas mêndes s’Uej, tue përsritun pohimin e Meyerit qi po thoni, për nji gjâ jam qysh tash krejt i sigurtë e prandej edhe i qetë: qi kur do të vijë dita me e gjykuem kompetentat veprën t’eme për këtë gjuhë historikisht, dmth. pa afshe pro ase kundra nji persone qi rron, në ballancimin e dâmeve edhe dobivet qi mund t’i kem bâmë, kam për të dalë shumë mâ tepër për të marrë se për të dhânë. Ka 46 vjet qi kam filluem të shkruej shqip e për shqipen nëpër fletore e rivista t’asaj Shqipnije të shkretë; kam shkruem nji fjaluer qi ndoshta e ka kalbun lagështina a e ka grimë tenja, por qi âsht pamë, njohun e çëmuem prej shumkuj ; kam nja nji duzinë vepra në dorshkrim të shkrueme shqip, të gjitha për dashuninë qi më ka vluem në zêmër për këtë gjuhë, e të më kishin lânë rrethanat, shumë mâ tepër do të kisha prodhuem gjatë jetës s’eme. Prandej e ndiej, e çëmoj e e dij mâ mirë se kushdo tjetër, Shqiptar i gjallë, se si i bâhet dâm e si nuk i bâhet gjuhës shqipe.
“Librin e kuq”, për këtë besë, nuk e dij fare se ku me Ju a gjetun. T’a kisha pasë vetë nji copë të dytë, pa pikë dyshimi do t’ishte i Jueji. Por nuk e kam, qe besa. E më vjen fort keq.
Po Ju diftoj se kam bâmë krushqí me Pukën : im bir, i dyti, i internuem me familjen në nji kamp të Lushnjes, âsht fejuem me të bijën e Pashuk Bibë Mirakut prej Iballje, edhe ajo e internueme me familjen e vet në të njâjtin vênd. Vajzën po e quekan Klora. Ju lutem, ç’emën âsht ky? Ç’emni të huej i përgjigjet?
Me kaqë po e mbyllim edhe ksi shtegu kuvêndin. Djalë e vajzë me nderim Ju a kthejnë shëndetet e urimet qi u keni dërguem. Edhe vetë un, gjithashtu nënshkruhem si gjithmonë
Miku besnik i Juej
M.Kruja
PROVERBET E FRANGUT TË BARDHË
- 42. Për fat të keq, pa asnjanin prej atyne fjalorëve qi po më citoni, un paskësha gabuem n’identifikimin e tij me proverbin shqip me të cillin e kam krahashuem.
- 80. Kur gjindesh ndër të padijshëm a të verbuem prej afshesh qi s’duen me hângër arsye, bânu edhe ti i verbën a nemose mbëshil njânin sŷ e mos e tier tepër gjatë me ta.
- 94. Kusari nuk hjek keq me kërkuem pale ku ka shumë e gjâ të panjehun për me ushtruem mjeshtrinë e vet; ai vjedh edhe aty ku i zoti mund të kujtohet menjiherë.
- 112. Paj po; ç’ ka mujtun me i u dashun kuj dhelpna, e gjallë a e coftë, posë me i marrë lëkurën? E sa për lëkurën, edhe gjallë n’e zânsh, do t’a mbytsh nji herë, prap se prap, e mbrapa ke për t’a rjepun. Për kështu, pra, tuk e ke gati luânin e coftë mâ mirë, ripe e ké lëkurë luâni. Prandej… për vete mendova se komentimi mâ i bukuri e mâ ekonomiku qi mund t’i bâhej atij proverbi ishte : dokrra! Kuptimi i çdo proverbi âsht fytyruer, këta dihet; por edhe çdo kuptim fytyruer duhet të ketë për bazë nji kuptim të përvetshëm, me të cillin ai do të ketë nji lidhní të qartë e logjike.
- 113. Se un – flas gjithnji për vete, due me thânë mbas mendimit e shijes s’eme – as ndonji farë mendimi të bukur a të hijshëm a të kândshëm a të thellë a të gjânë a të naltë, kurrfarë sendi qi hŷnë disi në punë nuk e gjêj në tê. Prandej: gjepura, për me mos përsritun dý herë rresht dokrra! Sa për kuptimin, kujtoj se âsht nji si: “la lingua batte dove il dente duole”; “ubi dolet ibi manus adhibemus”; “wo es schmerzt, da greift man hin”.[12] Të tânë e kanë lânë të qetë plakën e shkretë, posë Bardhit t’onë.
- S. Latinishtja e proverbit n. 82 âsht e Auktorit, jo e imja; se Ju e dijni se un latinisht nuk dij.
[1] It. : term gjeografik : gjuhë
[2] Ang. : si baba dhe i biri
[3] It. : gati për çmendinë
[4] Lat. : numur i kufizuem, i mbyllun
[5] It. : në naltësinë e pasunisë së vet
[6] Gjerm. : “Dy dëshmi prej Shqipërisë së Veriut”
[7] It. : “në medis nji krue shumë i freskët”
[8] It. : “mbi nji rrëmore gurësh të gjallë”
[9] It. : “kroje të gjalla”
[10] Lat. : “Askush nuk pranohet si profet në Vendin e vet.”
[11] It. : Shënim në mbarim të letrës. Fig. : mba parasysh !
[12] It., Lat,. Gjerm. : “Ku dhemb dhâmbi , aty shkon gjuha”
Komentet