Zbardhet roli i drejtuesit të prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita, që akuzohet se bashkëpunonte shumë ngushtë me Behar Bajrin, duke i mbyllur çështje dhe duke e informuar për gjithçka ndodhte në prokurori.
BalkanWeb ka siguruar përgjime që i përkojnë kohës kur Lita ishte ende prokuror në Shkodër dhe nuk ishte transferuar. Në një moment të dosjes, Lita njofton Bajrin se Astmer Bilali ishte shpallur në kërkim; “Ka dalë në kërkim, me Shehu….se po ta kapin…deri në tetor kryn punë…”. Ndërkohë më datë 28.07.2020, prokurori njofton Bajrin që të shkojë te një lokal ku kishin drekuar së bashku: Kam lënë syzet aty…ku hëngra buk poshtë…”.
Po ashtu një tjetër përgjim që e implikon prokurorin është ai i datës 13.10.2020, ku flet me Bajrin për një dosje të ‘Drinit’ që do ta mbyllë ai. “Desha ta mbyll unë se mund të transferohem dhe ngel pastaj e nuk ta bën kush. Problemi është më shumë te ai që është në Itali se ai ka bërë aplikimin…se ty po ta kaloj…nuk është punë telefoni…duhet me dhënë deklarim…të shikojë mundësinë që të vij…”. Ndërkohë Bajri ia kthen; Nesër do e marri në telefon dikush dhe po ja pret biletën ‘Drinit’.
Sakaq në dosje, konkretisht më datë 17.10.202 Prokurorit Lita i ka ardhur një dosje ne emër të ‘Gent Vaso’, ndërsa pyeste Bajrin për faktin nëse e njihte apo jo. Ky i fundit i kthen përgjigje, ndërsa i sugjeron dhe se si të veprojë, duke ia kthyer masën e sigurimit ‘arrest me burg’ në ‘detyrim paraqitje’. Dyshohet se biseda e bërë nga Behar Bajri (Brajoviq) nënkupton që ofrohen para në rast të caktimit të masës së sigurimit ‘detyrim paraqitje’, ndërsa i sugjeron prokurorit që të takohet me vëllain e Vasos. Më pas prokurori i dërgon një mesazh Bajrit për rastin e ‘Drinit’. “Edhe këtë të atij përtej mos ta lë mbas dore t’i vihemi e ta bëjmë se nuk është e lehtë….ti pyesim njerëzit dhe të bëjmë siç duhet..se mund të lëviz pz dhe nuk e bën kush…”.
Më datë 19.10.2020 Bajri i dërgon një mesazh Litës, ku i kujton se do të marrë para për rastin e ‘Vasos’; “Kena me të dhan për pun të tij meja kry detyrim paraqitje. Më tha ky shoku si ike thon me dit caktohet gjyqi”. Ndërkohë, Lita i kthen përgjigje; “Ej mos i bëj këto gabime me mua…mos më thuaj ca këna me të dhënë se më ofendon…miku jotë është edhe miku im…”.BW