Si po e shfrytëzon Serbia këtë rikthim të fashizmit modern në Europë përmes maskimit nën petkun e iliberalizmit, për të promovuar agjendën e saj kombëtare dhe për të forcuar pozicionin në politikën rajonale dhe ndërkombëtare?
Hyrje
Në prag të rënies së Murit të Berlinit [1989] gjithandej në Evropën Perëndimore, por më me theks në Evropën Qendrore, në atë Lindore e Juglindore kredo politike qe bërë sintagma e kalimit automatik të kontinentit të vjetër si tërësi në rendin demokratik.
Por qendra evropiane tranzite dhe ajo e Europës Juglindore kanë një traditë të gjatë dhe të fortë të “iliberalizmit”.
Historia na ka mësuar se edhe fuqitë qendrore shumëkombëshe, siç ishte Perandoria e Austro-Hungarisë ose ajo e periudhës më të re, Jugosllavia e Titos, tejmase e përkdhelur nga Perednimi, në një çast historik, u shembën shpejt duke u bërë shkas të shpërthimit të luftrave botërore dhe gjenocidit të ushtruar me theks ndaj popujve të vegjël. Si fuqi të mëdha ato dikur kishin fjalën kryesore në ndarjen e sferave të interesit, ndërkaq sot njëra është si tërësi gjeografike, por jo edhe si njësi politike e BE-së, ndërkaq bërthama e krijesës së Versajes, siç cilësohet me të drejtë trashëgitaria e ish Jugosllavisë – Serbia, po tundet në lavjerrësin mes BE-së dhe BRICS-it.
1. Roli i iliberalëve në rikthimin e fashizmit në Europë
Fituesi i zgjedhjeve të vundit me karakter nacional në Austri është Herbert Kickl, që hapur deklarohet si nacionalist “joliberal”, madje shumë më radikal se AfD-ja gjermane. Ai pretendon të jetë “kancelari i popullit” – vini re gjuhën e Hitlerit!
Ka kohë që në Serbin fqinje Brukseli dhe Perednimi në përgjithësi kanë toleruar të mbajë pushtetin iliberali Aleksander Vuçiq.
Midis Herbert Kickl-it që nuk e fsheh lidhjen e tij me Putinin dhe dy fqinjëve të tij – Viktor Orbanit në Hungari dhe Aleksndar Vuçiqit në Serbi, po shfaqet një front në rritje i kundërshtarëve ideologjik të Europës tradicionale.
Këtij boshti të treshes iliberale ndërkohë i është bashkuar Sllovakia dhe më pas, në vitin pasues, kur do të mbahen zgjedhjet nacionale, pritet t’i bashkohet edhe Republika Çeke. Ky do të jetë boshti i radikalëve iliberal që do ta godasin keq demokracinë liberale europiane edhe përmes krijimit të të çares politike në raport me sjelljet e Brukselit ndaj Moskës.
Tashmë mund të thuhet se ky rrezik i paralajmruar është vështirë të mënjanohet.
Shembja e komunizmit të tipit rus, fundi i Luftës së Ftohtë e me këtë edhe ribashkimi i Gjermanisë gjithandej në Perednim, kishin krijuar iluzione sa i përket rendit liberal, të ardhmes së Europës!
Por, nëse Perednimi ia kishte dalë që shkërmoçjen e BRSS-së ta përjetojë pa shumë trauma, meqë ai proces kaloi pa ndeshtrasha mes ish popujve të Rusisë komuniste, neglizhimi që ju bë procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë shkaktoi përgjekjen më të madhe të kontinentit pas Luftës së Dytë Botërore, duke mos logaritur këtë që po ndodhë aktualisht në Ukrainë, që do të përmbyllet me dy ndërmarrje gjenocidiale që ushtroi Serbia: të parën ndaj boshnjakëve në Bosnjë e të dytën ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Ilizioni i Perednimit mbi të ashtuquajturin proces të natyrshëm të transferit shoqëror nga komunizmi ala sovjetik-rus në demokraci liberale, rezultoi të ishte pjesë e një strategjie të dështuar të Brukselit. Rrjedha e ngajrjeve rezultoi të ishte krejt tjetër.
Leksioni që nxori udhëheqja politike ruse pas shembjes së Jugosllavisë dhe tolerimit që ju bë ekspansionizmit serb, i dha sinjal Putinit se edhe ai do të mund të bënte të njejtën gjë si bëri Milosheviqi dhe pasuesit e tij në Serbi në raport me revizionimin e harëts politike.
Embrioni i kursit politik revizionus që Putini ndërmori në raport me Ukrainën mund të thuhet se kishte zënë fill që në Konferencën e Dejtonit, kur Serbia po impononte krijimin e entitetit serb në Bosnjë dhe më pas edhe në Konferencën e Rambujesë, kur Serbia gjithashtu po pretendonte të vinte themelet e një entiteti serb në Kosovë, që do t’i mundësonte aneksimin e veriut të saj.
Vetëm atëherë kur Vladimir Putin filloi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, edhe mbështetësit më optimistë të politikës së përafrimit me Rusinë, siç kishin bërë më heret me Serbinë pas luftës, do ta kenë të qartë rrjedhën e zhvillimeve politike. Por, nëse për dallim nga Rusia, Serbia nuk ka më fuqinë që t’i imponohet rendit botëror, ajo provokon fqinjët dhe po punon për krijimin e fakteve të kryera sa i përket realizimit të objektivit të saj strategjik që ndërlidhet me nocionin “Bota Serbe”, krejt ngjashëm me strategjinë e Putinit për “Botën Ruse”, që tashmë po e realizon hap pas hapi edhe me ndihmën e flakëve shkatërruese të lufëts në Ukrainë.
2. Tampon-zona mes Rusisë fashiste dhe demokracive liberale
Duke i marrë në konsideratë lëvizjet e reja politike në boshtin Beograd-Vjenë-Pragë, etablimin e pritshëm të iliberalëve edhe në shtetet tjera të ish hemisferës sovjetike në Europën Lindore e atë Juglindore, atëherë konkluzioni do të ishte i qartë: krijimi i një grupi shtetesh të përafërta me Putinin, si një tampon-zonë mes fashizmit modern rus dhe demokracive liberale të Brukselit.
Ky grupim ndërkohë po krijon identitetin e tij dhe po e shpërfaq me zë edhe në Parlamentin Europian.
Tampon-zona iliberale midis Evropës liberale dhe Rusisë autoritare po formohet në një kontekst të gjerë gjeopolitik dhe ideologjik, duke përfshirë vendet e Evropës Lindore dhe Ballkanit, të cilat janë gjithnjë e më të ndikuara nga rrymat iliberale që vijnë nga brenda dhe jashtë. Ky zhvillim është i lidhur me përplasjet e vlerave midis rendit liberal të përfaqësuar nga Bashkimi Evropian dhe forcave autoritare që promovohen nga Rusia dhe mbështetësit tjerë të një modeli të qeverisjes jo-liberale.
2.1 Shtrirja e ndikimit të Rusisë dhe anti-liberalizmi
Rusia ka ndjekur me sukses një strategji të ndërhyrjes dhe mbështetjes së forcave politike dhe ideologjive që promovojnë iliberalizmin dhe autoritarizmin në Evropën Lindore dhe në Ballkan. Kjo qasje i shërben disa qëllimeve:
Dobësimit të unitetit evropian: Përmes mbështetjes së lëvizjeve populiste, nacionaliste dhe anti-liberale, Rusia ka për qëllim të dobësojë kohezionin politik dhe të minojë rolin e Bashkimit Evropian si një aktor i fuqishëm global, veçanërisht në kufijtë e tij lindorë.
Ruajtjes së sferës së ndikimit: Rusia dëshiron të ruajë ndikimin në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe në Ballkan, duke krijuar një “tampon-zonë” politike dhe ideologjike që mbron kufijtë e saj nga ndikimi i Evropës liberale dhe i NATO-s.
2. 2 Përhapja e iliberalizmit në vendet e Ballkanit dhe Evropës Lindore
Në disa vende të Evropës Lindore dhe të asaj Juglindore [Ballkan], modeli i qeverisjes iliberale ka fituar terren përmes liderëve autoritarë dhe partive politike që ndjekin politika ultra-nacionaliste, kundër emigracionit, dhe anti-perëndimore. Disa shembuj:
Hungaria dhe Viktor Orbán: Një nga eksponentët kryesorë të iliberalizmit në Evropë është Viktor Orbán, kryeministri i Hungarisë. Më 25 prill 2010 filloi një epokë e re në politikën hungareze. Viktor Orbán dhe partia e tij nacional-populiste, Fidesz, triumfuan në zgjedhjet parlamentare me dy të tretat e shumicës. Që atëherë e tutje atë nuk e ndaloi asgjë në marshin e shndërrimit të Hungarisë në një demokraci iliberale.[1]
Orbán ka përqafuar një model qeverisjeje që përfshin centralizimin e pushtetit, kufizimin e lirisë së medias, dhe margjinalizimin e shoqërisë civile. Ai shpesh e ka përshkruar Hungarinë si një “demokraci iliberale”, duke sfiduar haptazi vlerat liberale të BE-së.
Serbia dhe Aleksandar Vuçiç: Serbia, nën udhëheqjen e Aleksandar Vuçiçit, gjithashtu ka përqafuar një model iliberal qeverisjeje, me ndikim të madh të kontrollit të shtetit mbi mediat, dobësimin e institucioneve demokratike dhe një qasje të balancuar mes Perëndimit dhe Lindjes (veçanërisht lidhjet me Rusinë dhe Kinën).
Aleksandar Vuçiç, i cili fillimisht u bë kryeministër në 2014 dhe më pas president në 2017, ka luajtur një rol qendror në transformimin e Serbisë në një shtet iliberal.
Vuçiç ka krijuar një sistem ku pushteti ekzekutiv është i përqendruar në duart e tij dhe ku roli i parlamenteve dhe institucioneve të tjera demokratike është dobësuar. Kjo ka çuar në një zvogëlim të balancës dhe ndarjes së pushteteve.
Një nga tiparet kryesore të qeverisjes iliberale në Serbi është kontrolli i fuqishëm mbi mediat. Në mediat kryesore shpesh mbizotëron një linjë pro-qeveritare, ndërsa mediat kritike janë të margjinalizuara ose përballen me presion politik dhe ekonomik. Mediat e pavarura shpesh kanë vështirësi për të vepruar lirshëm dhe për të mbajtur një platformë të balancuar.
Edhe sistemi gjyqësor është nën ndikimin e qeverisë. Vuçiç dhe partia e tij kanë ndërmarrë reforma që kanë dobësuar pavarësinë e gjyqësorit, duke e bërë më të lehtë për qeverinë të kontrollojë proceset ligjore dhe të ushtrojë ndikim politik mbi vendimet gjyqësore.
Opozita politike në Serbi është e dobësuar dhe shpesh përballet me represione ose margjinalizim. Rasti i politikanit opozitar Nikolla Sandulloviq [2] është ndër më eklatantët, meqë ai u soll buzë vdekjes nga torturat e oficerëve të Shërbimit Sekret – BIA.
Partitë opozitare kanë hasur në vështirësi për të sfiduar seriozisht qeverinë në zgjedhje për shkak të manipulimit të proceseve zgjedhore dhe të medias pro-qeveritare.
Një tjetër element i qeverisjes iliberale të Vuçiçit është përdorimi i diskursit nacionalist dhe viktimizues për të mobilizuar mbështetjen popullore. Retorika e viktimizimit përdoret për të krijuar një ndjenjë të rrezikut të jashtëm dhe për të justifikuar qeverisjen autoritare si një mjet për të mbrojtur interesat kombëtare.
Ndërsa Serbia ruan marrëdhënie të ngushta me Perëndimin, veçanërisht për arsye ekonomike, Vuçiqi dhe qeveria e tij shpesh përdorin një diskurs kritik ndaj BE-së dhe SHBA-së për të forcuar ndjenjën e sovranitetit kombëtar dhe për të mbrojtur politikat iliberale. Serbia ka përqafuar një model të qeverisjes iliberale nën udhëheqjen e Aleksandar Vuçiçit. Ky model iliberal sfidon përpjekjet e BE-së për të integruar Serbinë dhe për të promovuar vlera demokratike në rajon, duke krijuar një situatë komplekse ku Serbia qëndron midis aspiratave për integrim evropian dhe lidhjeve me Rusinë dhe Kinën.
2.3 Marrëdhëniet mes iliberalizmit dhe nacionalizmit
Në të gjitha vendet e të ahtuquajturës “Zonë-tampon” mes BE-së dhe Rusisë, iliberalizmi shpesh shoqërohet me një rritje të nacionalizmit, që përdoret për të mobilizuar mbështetjen popullore dhe për të përforcuar narrativën e sovranitetit kombëtar mbi bashkëpunimin ndërkombëtar. Kjo retorikë ka një rezonancë të veçantë në rajonet ku ndjenjat historike të viktimizimit nga fuqitë e huaja janë të thella. Në këtë mënyrë përmes lidhjes me të kaluarën historike, në Hungari, Serbi dhe vende të tjera, iliberalizmi përdor nostalgjinë për periudha të mëparshme të lavdisë kombëtare dhe kritikën ndaj ndërhyrjes së Perëndimit si mjete për të justifikuar praktikat autoritare dhe për të ndërtuar një identitet të fortë kombëtar, shpesh në kundërshtim me idetë liberale dhe demokratike të BE-së.
3. Marrëdhëniet mes BE-së dhe Rusisë përmes tampon-zonës
Përderisa disa vende, si Hungaria dhe Serbia, mbajnë marrëdhënie të ngushta me Rusinë, ato njëkohësisht përfitojnë nga anëtarësimi ose lidhjet e ngushta me BE-në. Kjo krijon një situatë ku këto vende formojnë një tampon-zonë ideologjike dhe politike, e cila ndodhet mes presioneve nga BE-ja dhe ndikimit të Rusisë:
Pozicioni i dyfishtë: Serbia, për shembull, ndjek një politikë të balancuar që e vendos atë në një pozicion për të përfituar si nga Rusia ashtu edhe nga BE-ja. Ajo ka lidhje të ngushta ekonomike dhe strategjike me BE-në, që i ka mundësuar ta shfrytëzojë për më shumë se një dekadë BE-në si një bankomat real, ndërkaq njëkohësisht ka forcuar lidhjet me Moskën dhe Pekinin.
Orbáni dhe Putinizmi: Viktor Orbán shpesh ka lavdëruar modelin e Vladimir Putinit për qeverisje autoritare dhe përdorimin e “demokracisë së menaxhuar”, ndërsa ndjek politikat që kufizojnë ndikimin e BE-së brenda vendit të tij.
3.1 Dobësimi i institucioneve të BE-së dhe NATO-s
Në vitin 2013 Kroacia do t’i bashkohej BE-së, pas aderimit të Sllovenisë si ish dy republikat veriore të ish Jugosllavisë. Procesi i integrimit të Ballkanit Perendimor po hynte pastaj në një pauzë të gjatë!
Pa u finalizuar mirë procesi i integrimit të Kroacisë, kreu i atëhershëm i komisionit shpalli publikisht “ndalimin e marshimit” të BE-së! «Erweiterungsmüdigkeit» [“Lodhje nga zgjerimi” ]ishte fjala e ditës. Kjo shprehje nuk është larguar nga rendi i ditës ende.
Në vitin 2014, kancelarja gjermane Angela Merkel, e inicioi të ashtuquajturin “Procesi të Berlinit”. Me idenë për të kultivuar tutje shpresat për integrim të rajonit.
Berlini duket se e kishte më të qartë se qendrat tjera të BE-së se, stagnimi ekonomik dhe politik që po i shoqëronte këto marrëdhënie me vendet kandidate, duhej të kapërcehej. Qëllimi i Procesit të Berlinit ishte dhe mbetet megjithatë: mirëmbajtja e fasadës!
BE ka kohë që ndodhet në rrethin vicioz të krizës së brendshme. Berlini dhe Parisi e kanë bërë të qartë se, para çfardo zgjerimi të mundshëm të radhës, BE-ja duhet t’i nënshtrohet një procesi të brendshëm reformues. Ata kanë shprehur hapur qëllimin për shfuqizimin e parimit të unanimitetit në vendimmarrjet e Këshillit Europian. Por, ky hap është tejet i vështirë, sidomos për vendet e vogla. Kështu ato – vendet e vogla, do të humbisnin peshën e tyre dhe do të shndërroheshin në vasale të fuqive europiane. Ato, pra vendet e vogla, nuk duan asesi të heqin dorë nga e drejta e vetos.
Një dekadë më vonë Procesi i Berlinit mezi shpëtoi nga një fiasko publike.
Ky trend i procesit të integrimit sikur i ka dhënë zemër iliberalëve brenda BE-së, e mbi të gjitha atyre të Ballkanit Perendimor, që të thellojnë bashkëpunimin mes vete për të “konsoliduar” të ashtuquajturën “Tampon-zonë” të iliberalëve, duke koketuar gjithnjë e më shumë me Rusinë dhe Kinën.
Tampon-zona iliberale ndikon gjithashtu negativisht në përpjekjet për integrimin e vendeve të Ballkanit në BE dhe NATO, duke krijuar një hendek midis vlerave të promovuara nga Perëndimi dhe praktikave autoritare të këtyre vendeve. Për BE-në dhe NATO-n, kjo zonë përbën një sfidë të madhe në disa drejtime:
Pengimi i procesit të integrimit evropian: Vendet që ndjekin politika iliberale ngadalësojnë procesin e zgjerimit të BE-së dhe rrisin tensionet brenda bllokut, pasi këto vende shpesh refuzojnë të zbatojnë standardet demokratike të kërkuara nga BE-ja.
Dobësimi i sigurisë së NATO-s: Duke qenë se disa nga këto vende janë anëtare të NATO-s ose kandidatë për anëtarësim, prania e qeverisjeve iliberale brenda kësaj zone mund të minojë unitetin dhe efektivitetin e Aleancës në trajtimin e kërcënimeve të përbashkëta, veçanërisht në lidhje me Rusinë.
4. Mekanizmat e përhapjes së iliberalizmit
Përhapja e iliberalizmit në tampon-zonën midis Evropës liberale dhe Rusisë autoritare mbështetet edhe nga disa faktorë të tjerë:
Mbështetja mediatike dhe ndikimi i informacionit: Rusia dhe vendet e tjera autoritare përdorin propagandën dhe mediat për të përhapur mesazhe anti-liberale dhe për të polarizuar opinionin publik në vendet e Evropës Lindore dhe Ballkanit. Mediat që mbështesin iliberalizmin shpesh theksojnë rrezikun e “degjenerimit perëndimor” dhe promovojnë “vlerat tradicionale” si një kundërpeshë ndaj modernizmit liberal.
Influenca ekonomike: Rusia dhe Kina, nëpërmjet investimeve strategjike dhe projekteve të mëdha infrastrukturore, rrisin ndikimin e tyre në vendet e tampon-zonës, duke krijuar varësi ekonomike që dobësojnë përpjekjet e këtyre vendeve për t’u integruar plotësisht në BE.
Tampon-zona iliberale mes Evropës liberale dhe Rusisë fashiste po krijohet përmes një kombinimi faktorësh politikë, ekonomikë dhe kulturorë. Ndërsa Rusia përfiton nga përhapja e iliberalizmit për të mbajtur ndikimin e saj në rajon, disa vende në Ballkan dhe Evropën Lindore ndjekin modele qeverisjeje autoritare që sfidojnë rendin liberal demokratik të BE-së. Kjo zonë është një fushë e hapur për përplasjen e vlerave midis Perëndimit dhe Lindjes, duke e bërë të vështirë për BE-në të ruajë kohezionin e saj.
Së fundmi, në raport me Rusinë Viktor Orban gjithnjë e më zëshëm flet për doktrinën e tij të “neutralitetit ekonomik”, pak a shumë siç bën sivëllai i tij Aleksander Vuçiq me të ahstuquajturin “neutralitet ushtarak”.
Në kulmin e luftës në Ukrainë, me ta marrë presidencën e radhës të BE-së, madje pa mandat për të negociuar në emër të BE-së, Orban udhëton për Moskë. Para takimit me Putinin ai kishte postuar në rrjetin e tij social këtë deklaratë: “ne nuk mund të rrimë duarlidhur dhe të presim që lufta të përfundojë mrekullisht. Ne do të jemi një instrument i rëndësishëm për të hedhur hapat e parë drejt mbylljes së paqes. ” [3]
Sipas shkrimtarit suedez Riçard Shvarc [Richard Swartz] këto përlogaritje flagrante të iliberalëve europian, që në thelb janë veprime anti-europiane, kanë dëmtuar rënd edhe solidaritetin me Ukrainën. Një pjesë e gjermanëve [AfD-ja etj.], austriakët, serbët…proklamojnë si gjakim të tyre neutralitetin fare shqeto, ndërkaq sllovakët dhe çekët e ëndërrojnë pa e pranuar hapur. Llandet [gjermane SR] qendrore vazhdojnë të ruajnë traditën e një pozicioni të veçantë të Habsburgëve, e cila prej kohësh ka qenë një dhimbje fantazmë pothuajse e pavetëdijshme, dhe sot tashmë kanë grupin e vet parlamentar në Parlamentin Evropian, i cili ka gjasa të fitojë edhe më shumë
anëtarë.[4]
Këtë veprim të Orbanit e kishin gjykuar si përfaqësuesit e BE-së edhe ata të NATO-s, duke e cilësuar si shqetësuese.
Kjo vizitë e iliberalit Orban, shqeto, kishte minuar dhe minon interesat e Bashkimit Evropian.
5. Rikthimi i fashizmit modern – agjenda nacionaliste serbe
Serbia po shfrytëzon rikthimin e fashizmit modern në Evropë, i maskuar shpesh si iliberalizëm, për të promovuar agjendën e saj kombëtare dhe për të forcuar pozicionin në politikën rajonale dhe ndërkombëtare. Lëvizjet iliberale në Evropë janë karakterizuar nga tendenca nacionaliste, autoritariste dhe anti-perëndimore, të cilat janë në përputhje me disa aspekte të politikave të Serbisë, veçanërisht në raport me çështjen e Kosovës, marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe lidhjet me Rusinë. Serbia përmes koketimit me Rusinë po përpiqet të ushtrojë presion ndaj BE-së dhe të gëzoj koncesione pas koncesionesh.[5] Në raport me Kosovën, gjatë një dekade dialogu të imponuar, ajo, pra Serbia, ia ka arritur këtij qëllimi.
Këto zhvillime kanë krijuar një terren të favorshëm që Serbia ta përforcojë pozicionin e saj dhe të mbajë një rol të rëndësishëm në lojën gjeopolitike të Ballkanit.
***
Termi demokraci iliberale [joliberale] i referohet një sistemi qeverisjeje që ka disa tipare demokratike, por në të cilin esenca e lirive liberale nuk janë të garantuara, respektivisht shkelen me të dy këmbët. Termi demokraci iliberale kohët e fundit është përdorur për të përshkruar një tip autoritar të demokracisë përfaqësuese, në të cilën politikanët legjitimohen de jure në mënyrë demokratike, por popullsia është e kufizuar në ushtrimin e të drejtave themelore; në këtë kuptim, Fareed Zakaria ndoshta e përdori për herë të parë shprehjen ë revistën Foreign Affairs në 1997.
Nga ana tjetër, një demokraci joliberale kuptohet në rrafshin klasik si një sistem që plotëson kërkesat institucionale të një demokracie, duke përfshirë liritë politike, por në të cilin sistem shumica politike përkatëse nuk angazhohet të ruajë liritë e përgjithshme në vendimet e saj.
Mendimtarët klasikë si John Stuart Mill (On Liberty, 1863) theksuan këtë rrezik të shndërrimit të demokracisë në tiraninë e shumicës dhe për rrjedhojë paralajmruan për rrëshqitje drejt fashizmit modern, siç paralajmronte M. Albright.
Sipas politologëve si Wolfgang Merkel, Hans-Jürgen Puhle, Aurel Croissant, Claudia Eicher dhe Peter Thiery, demokracia joliberale është një lloj demokracie me defekte – krahas demokracisë ekskluzive, demokracisë së enklave dhe demokracisë deleguese.[6]
Mënyrat kryesore se si Serbia po shfrytëzon këtë kontekst:
Forcimi i nacionalizmit dhe iliberalizmit në politikën e brendshme: Në Serbi, qeveria e Aleksandar Vuçiqit ka përqafuar elemente të politikave iliberale, duke përfshirë kontrollin e medias, dobësimin e institucioneve demokratike dhe mbështetjen e një lloj autoritarizmi të butë. Ndërsa ideologjitë iliberale përhapen në Evropë, Serbia ka gjetur një hapësirë për të ndjekur një linjë të ngjashme, duke përdorur nacionalizmin dhe populizmin për të fituar mbështetje të brendshme dhe për të forcuar kontrollin politik.
Marrëdhëniet me Hungarinë dhe Turqinë: Shembjt më plastik në këtë kuadër paraqesin raportet e Serbisë me kryeministrin hungarez Viktor Orbán dhe presidentin turk Recep Tayyip Erdogan,[7] që të dytë lider të njohur për promovimin e iliberalizmit në Evropë dhe më gjerë. Orbán ka krijuar një partneritet të ngushtë me Vuçiqin, duke ndihmuar në mbështetjen e agjendës nacionaliste dhe anti-perëndimore të Serbisë.
Ndërkaq bashkëpunimi midis Serbisë dhe Turqisë në kontekstin e iliberalizmit serb mund të perceptohet si një thikë pas shpine për Bashkimin Evropian (BE) për disa arsye komplekse, që përfshijnë tensionet gjeopolitike, sfidat për rendin liberal demokratik dhe marrëdhëniet e Serbisë dhe Turqisë me BE-në.
Këto marrëdhënie kanë kontribuar ndjeshëm në konsolidimin e pushtetit autoritar në linjën Ankara-Beograd-Budapest. Të tre liderët kanë minuar lirinë e medias, kontrollojnë tërësisht institucionet shtetërore dhe kanë margjinalizuar opozitën politike. Këto politika janë në kundërshtim me vlerat themelore të BE-së, që promovojnë demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.
Të tri vendet mbështesin politika që favorizojnë sovranitetin kombëtar mbi integrimin dhe angazhimet ndërkombëtare, një qëndrim që i afron ato me njëra-tjetrën në dëm të rendit të bazuar në rregullat e BE-së.
Ky bashkëpunim me një sfond të tillë iliberal ndikon negativisht në përpjekjet e BE-së për të promovuar demokracinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Për BE-në, zgjerimi i ndikimit të iliberalizmit serb dhe lidhjet me një Turqi gjithnjë e më larg nga vlerat demokratike, krijojnë një sfidë të dyfishtë.
5.1 Serbia dhe Turqia si aktorë të pavarur gjeopolitikëNë një klimë ku BE-ja po përpiqet të rrisë ndikimin e saj në Ballkan dhe të promovojë reforma demokratike, bashkëpunimi strategjik midis Serbisë dhe Turqisë shërben si një sfidë për këtë ndikim. Të dyja vendet ndjekin politika të jashtme të pavarura që ndonjëherë janë në kundërshtim me interesat e BE-së.
Turqia ka rritur rolin e saj në Ballkanin Perëndimor, duke përfituar nga ndarja e interesave të BE-së në rajon. Përmes investimeve ekonomike, lidhjeve kulturore dhe ndihmës ushtarake, Turqia ka forcuar marrëdhëniet me Serbinë dhe vendet e tjera të Ballkanit. Ky bashkëpunim thekson rolin e Ankarasë si një aktor i pavarur gjeopolitik që mund të rishkruajë balancën e fuqisë në rajon.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë [më 11 tetor 2024] se Turqia dhe Serbia kanë vendosur të punojnë së bashku për t’i zhvilluar industritë e veta të mbrojtjes.
Gjatë vizitës së tij në Beograd, lideri turk njoftoi gjithashtu se pjesë e bashkëpunimit të tyre do të jenë edhe dronët turq që do t’i dhurohen Serbisë.
“Turqia dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa së bashku, por këta hapa janë formimi i përbashkët i një industrie të mbrojtjes, për të garantuar paqe”, tha Erdogan në një konferencë të përbashkët me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.[8]
Serbia, duke balancuar marrëdhëniet e saj me Turqinë dhe Rusinë, sfidon përpjekjet e BE-së për të forcuar ndikimin e saj dhe për të arritur stabilitetin në Ballkan. Për BE-në, një Serbi që ndjek politika iliberale dhe që forcon lidhjet me vende jashtë bllokut evropian, është një pengesë për integrimin dhe përmbushjen e standardeve evropiane.
Serbia ka përdorur retorikën iliberale për të forcuar qëndrimin e saj kundër pavarësisë së Kosovës. Iliberalizmi shpesh lidhet me mbështetjen për “vlerat tradicionale”, sovranitetin kombëtar dhe një retorikë kundër ndërhyrjeve të jashtme, që përkon me qëndrimin e Serbisë në raport me njohjen e Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet ndërkombëtare. Në këtë kuadër Beogradi nuk ka se si ta fsheh as pozicionin e saj real anti-perednimor.
Serbia përfiton nga lëvizjet iliberale anti-perëndimore në Evropë për të sfiduar ndikimin e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara, që janë mbështetësit kryesorë të Kosovës. Ky kontekst i ofron Serbisë një platformë për të forcuar lidhjet me vende të cilat nuk janë entuziaste për zgjerimin e BE-së apo NATO-s, duke dobësuar mbështetjen për Kosovën.
5.2 Mbështetja e Serbisë nga Rusia dhe Kina
Serbia ka përfituar nga partneriteti i saj strategjik me Rusinë dhe Kinën, vende që gjithashtu promovojnë politika iliberale dhe autoritare. Rusia dhe Kina, përmes mbështetjes diplomatike, ushtarake dhe ekonomike, i japin Serbisë një platformë më të gjerë për të sfiduar rendin liberal demokratik në rajon. Rusia mbështet jo vetëm shtetet autoritare si Serbinë, Hungarinë… por edhe lëvizjet iliberale dhe nacionaliste në Evropë. Serbia e përdor këtë partneritet për të forcuar pozicionin e saj në çështjet rajonale, duke përfshirë Kosovën, por edhe në funksion të realizimit të platformës ekspansioniste të saj që tashmë njihet nën siglën e “Botës Serbe”. Ndërkohë, Rusia përdor Serbinë si një pikë kyçe për ndikim në Ballkan, një rajon me rëndësi gjeopolitike për Moskën.
Serbia përdor këtë mbështetje nga Rusia dhe Kina tok me iliberalizmin si ideologji dhe retorikën nacionaliste për të ndikuar te serbët në Bosnje dhe Hercegovinë, në Mal të Zi, Në Maqedonin e Veriut dhe në Kosovë, duke synuar destabilizimin e këtyre vendeve dhe rajonit në tërësi. Për shembull, mbështetja për Republika Srpskan dhe qëndrimet nacionaliste e seperatiste të Milorad Dodikut janë pjesë e një strategjie më të gjerë të Serbisë për të përdorur lëvizjet iliberale në përpjekje për të destabilizuar Bosnjën. Ndërkaq në veri të Kosovës, Serbia mbështet struktura paralele dhe grupe që i shërbejnë axhendës së saj për të minuar autoritetin e Prishtinës, duke përdorur narrativat iliberale për të mbajtur ndikim në këtë rajon.
Serbia në njërën anë sfidon hapur integrimin evropian duke thelluar bashkëpunimin me Rusinë dhe Kinën, nëdrkaq në anën tjetër, e shfrytëzon rritjen e iliberalizmit në Evropë për të vonuar ose minuar përpjekjet për integrim në BE. Ndërsa disa vende evropiane po përqafojnë politika më nacionaliste dhe po distancohen nga vlerat liberale, Serbia po përdor këtë moment për të negocuar pozita më të favorshme në procesin e saj të integrimit evropian, duke kundërshtuar disa nga kriteret e rrepta të BE-së për reforma demokratike.
Përfundim
Rikthimi i fashizmit modern dhe iliberalizmit në Evropë i ofron Serbisë një kontekst të favorshëm për të promovuar axhendën e saj nacionaliste dhe për të forcuar pozicionin e saj në politikën rajonale dhe ndërkombëtare. Përmes retorikës nacionaliste, partneriteteve me vende që promovojnë politika iliberale, dhe sfidimit të institucioneve demokratike perëndimore, Serbia shfrytëzon këtë klimë për të vazhduar strategjitë e saj në rajon, veçanërisht në lidhje me Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën, por pa përjashtuar penetrimin në Malin e Zi dhe Maqedonin e Veriut. Ndërkaq ajo, pra Serbia e përdor retorikën e viktimizimit historik, një tipar i zakonshëm në lëvizjet iliberale, për të ndërtuar një narrativë ku prezantohet si viktimë e padrejtësive historike të Perëndimit, veçanërisht në lidhje me shpërbërjen e Jugosllavisë dhe pavarësinë e Kosovës. Kjo narrativë e ndihmon Serbinë të selitë tutje mbështetjen e brendshme për politikat e saj dhe të bashkojë grupet nacionaliste.
___________________________________________
1. https://www.diepresse.com/18706212/so-funktioniert-orbans-illiberale-demokratie
2. https://twitter.com/Sandulovic_N?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1765693420725534952%7Ctwgr%5E491f3aa0035c746cd0feb46f017cb05746de37b8%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.gazetaexpress.com%2Fsandulloviq-poston-fotografine-e-femijeve-te-vrare-ne-prekaz-u-mbyten-me-urdher-te-millosheviqit%2F
3. https://www.tagesschau.de/ausland/europa/orban-putin-moskau-100.html
4. Richard Swartz: https://www.nzz.ch/meinung/der-bund-der-illiberalen-demokraten-die-transiteuropaeische-mitte-waechsder-bund-der-illiberalen-demokraten-die-transiteuropaeische-mitte-waechst-und-arbeitet-an-der-schaffung-einer-eigenen-identitaet-ld.1851907
5. https://www.nzz.ch/international/eu-erweiterung-warum-der-westbalkan-weiter-hingehalten-wird-ld.1852824
6. Wolfgang Merkel, Hans-Jürgen Puhle u.a.: Defekte Demokratie. Band 1: Theorie. Leske+Budrich, Opladen 2003, f. 69–70.
7. Madelieine ALBRIGHT, Faschismus – Eine Warnung, Koeln, 2018, f. 161
8. https://www.evropaelire.org/a/erdogan-ne-beograd-per-takime-me-vuciqin-dhe-nje-forum-biznesor/33154810.html