Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta përdori tone të forta sot ndërsa komentoi situatën e krijuar në vend për vendimit të opozitës për t’u tërhequr nga parlamenti duke dorëzuar në grup mandatet e deputetëve të saj. Zoti Meta, dhe më parë, ka përsëritur disa herë se sipas tij vendi ndodhet në një “krizë jo vetëm politike, kushtetuese, institucionale por tashmë edhe përfaqësimi”. Ai u shpreh sot se kjo nuk është një krizë e re, por “që në vlerësimin tim është e qëllimshme, dhe e cila ka rrezikuar rendin kushtetues në Republikën e Shqipërisë dhe po kështu, jo vetëm të gjitha garancitë demokratike, por edhe të drejtat e qytetarëve dhe të grupeve të caktuara të interesit”.
Sipas Kreut të Shtetit, “kriza është thelluar dhe është rënduar edhe më tej pas veprimit të paprecedent të opozitës shqiptare, që është një veprim i papranueshëm dhe i dënueshëm nga ana ime, që ka thelluar seriozisht krizën e përfaqësimit të Kuvendit të Shqipërisë si institucioni kryesor përfaqësues i Republikës së Shqipërisë dhe i qytetarëve shqiptarë”.
Zoti Meta nuk e konsideron të pranueshëm zëvendësimin e deputetëve të tërhequr me emrat e kandidatëve në listat e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. “Në vlerësimin dhe në bindjen time institucionale Kuvendi i Shqipërisë ka 82 deputetë të ligjshëm, përfshirë edhe 3 deputetët e opozitës, të cilët nuk pranuan të djegin mandatet sipas vendimit politik të partive përkatëse.
Çdo numër tjetër përtej këtij, jo vetëm që thellon këtë krizë, por sigurisht që nuk ndihmon as kapërcimin e kësaj situate, pasi çdo numër tjetër është i kontestueshëm në të gjitha planet. Si në planin kushtetues, në planin ligjor, në atë procedurial dhe politik, në planin moral”, u shpreh zoti Meta duke shtuar se një veprim i tillë “as nuk e fsheh këtë krizë të thellë përfaqësimi, dhe njëkohësisht as nuk e garanton, përkundrazi e minon, çeljen e negociatave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian”.
Sipas Kreut të Shtetit “nuk mund të ketë zgjidhje për këtë krizë, as në mënyrë ultimative apo përmes retorikave që nxisin veprime të dhunshme, as me metoda policore, as me metoda financiare, por vetëm me një dialog politik të shpejtë, serioz dhe të përgjegjshëm, që garanton rivendosjen e jetës politike në normalitet, duke respektuar Kushtetutën, duke respektuar ndarjen e pushteteve. Çdo ditë që shtyhet ky dialog, çdo ditë që nuk ka përpjekje nga secila palë, përkundrazi kriza, jo vetëm që nuk tejkalohet, por përshkallëzohet, dhe mund të ketë pasoja të paparashikueshme, të cilat janë të papranueshme për qytetarët shqiptarë pas tridhjetë vitesh përvojë”, tha zoti Meta duke paralajmëruar se përshkallëzimi i situatës “mund të sjellë dhe konfrontime”.
Presidenti i vendit theksoi se prej kohësh ai ka bërë përpjekje “për të parandaluar këtë krizë. Të gjitha këto përpjekje deri tani, për fat të keq, kanë dështuar, jo për përgjegjësinë time, por për faktin se aktorë të caktuar nuk kanë dashur të marrin përgjegjësitë e tyre dhe në këtë mënyrë kemi ardhur deri këtu”. Ai shtoi se do të ishte i gatshëm “të sakrifikojë” për kapërcimin e situatës “që nga dorëzimi i mandatit tim si President pasi të sigurohem që vendi ka një zgjidhje politike parimore, kushtetuese, solide që e çon përpara, e deri tek sakrifikimi i jetës sime si Salvador Alende për të ndaluar instalimin e një junte që mund ta kthente Shqipërinë 30 vite pas”, u shpreh Kryetari i Shtetit duke lëshuar kështu një akuzë të fortë ndaj Qeverisë.
Komentet