Ilir Meta, ish kreu i LSI dhe Presidenti i Republikës i ka shtuar vizitat në vendin fqinj Maqedoni.
Kreu i shtetit e ka faktuar vetë se ndodhet në Maqedoni, teksa mëngjesin e sotëm ka postuar një foto me një shqiptar të Maqedonisë nga Vardari.
Përmes një postimi në faqen e tij të Facebook, Presidenti Meta uron për një ditë të mbarë.
“Mirëmëngjes të dashur miq! Bashkë me Besartin, ju urojmë nga Vardari një ditë të mbarë”- shkruan Meta në foton e publikuar në Facebook.
Njëherësh nënvizojmë se këto janë vizita shumë të shpeshta të Ilir Metës në Maqedoni, madje janë vizita pa protokoll, të palajmëruara, private.
Kështu, më pak se dy javë më parë dhe konkretisht më 6 dhe 7 prill, kreu i shtetit Ilir Meta ka qenë në Tetovë, ku ka zhvilluar takime private me perfaqesuesit fetarë shqiptarë dhe qytetarë tetovarë.
Mediat e shqiptarëve në Maqedoni lajmëruan se “Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Resul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepi të shtunën më 7 Prill 2018 u takua me Ekselencën e Tij, Presidentin e Republikës së Shqipërisë z. Ilir Meta.
Në një ambient të mrekullueshëm, ky ndërthuren rrezet e Diellit mbi sipërfaqen e bardhë të borës, në hotelin Scardus në Kodrën e Diellit në Tetovë, Presidenti i Shqipërisë z. Ilir Meta dhe Zonja e Parë e Shqipërisë Monika Kryemadhi, u pritën sipas traditës me bukë e kripë e zemër, nga familja e Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepit, ku të pranishëm ishin edhe mysafirë të tjerë të kësaj familje…”.
Pra lajmi merret vesh nga mediat shqiptare në Tetovë por dhe ndonjë postim tek- tuk i Metës në rrjetin social. Ndërsa burimi zyrtar vetëm hesht edhe kur e pyet.
Burimet bëjnë të ditura se dhe më 6-7 prill, për koncidencë përvjetorin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste në vitin 1939, Ilir Meta ka zhvilluar takime të rëndësishme.
Të njejtën gjë ka bërë kreu i shtetit Ilir Meta dhe në vizitën private të djeshme dhe të sotme në Maqedoni, ku mësohet se është takuar me figura me rëndësi për jetën politike atje.
Bëhet fjalë për figura kryesore politike, mes të cilëve dhe ato të opozitës dhe ish kryeministrit Nikola Gruevski.
Një sërë mediesh prestigjioze në Maqedoni kanë raportuar se më 6-7 prill, Ilir Meta ka bërë një vizitë të fshehtë në Maqedoni.
Sipas tyre, ai është takuar në Kërçovë me kreun e BDI, Ali Ahmeti dhe më pas në Shkup me kryetarin e BFI-së, Sulejman Rexhepi, por dhe me ish-kreun e Shërbimit Sekret maqedonas Sasho Mijallkovin, i cili është kushëri i Nikola Gruevskit dhe shërbeu gjatë qeverisë së tij.
Ndërkohë që në faqen zyrtare të Presidencës dhe në të nuk ka asnjë njoftim të vizitës së Metës në Maqedoni, duke lënë të nënkuptohet se kjo ka qenë një vizitë jo zyrtare dhe që në Shkup ka ngjallur mjaft dyshime.
Ndërkohë kandidati i LSDM për kryetar komune në zgjedhjet lokale, Hadi Osmani ka komentuar informacionet për qëndrimin e presidentit shqiptar, Ilir Meta, në Maqedoni si dhe informacionet për takime sekrete që ai ka realizuar me këtë rast.
Osmani ka deklaruar se Meta ka bërë negociata me VMRO-DPMNE për rrëzimin e qeverisë “Zaev”.
“Mickovski tha se të mërkurën prishet qeveria. Mos mbaj shpresa kot te Ilir Meta, por kshyr veten, përmirësoje nëse do me mbijetu në politikë. Kjo qeveri është zgjedhur nga qytetarët dhe nuk mund ta prishin marrëveshjet e natës”, ka shkruar Osmani.
Ndërkohë që janë ngritur shumë teori konspirative, mësohet se Ilir Meta ka qënë po në një vizitë private dhe në fillim të muajit mars në Maqedoni.
E njëjta gjë ka ndodhur dhe në vizitën e sotme të Metës në Maqedoni, ku përpos një fotoje në adresën e tij në rrjetin social, nuk ka asgjë në faqen zyrtare.
Për më tepër që nuk është as e shtunë që Presidenti Meta të ketë shkuar për pushimin relaksues të fundjavës.
Por me sa dukjet zbardhja e fakteve për lobimin me para ruse dhe të ish kreut të LSI tashmë President i Republikës Ilir Meta ka bërë që ai të udhëtojë drejt Maqedonisë në këtë vizitë private të dytë dhe në më pak se dy javë.
Me sa duket janë një mijë e një fije që e lidhin Ilir Metën me ish kryeministrin maqedonas Nikola Gruevski dhe që investigimi i revistës prestigjioze amerikane “Mother Jones” që dyshon se kanë një financues të përbashkët, ka trazuar ujrat.
Aq sa Ilir Meta ka mbetur tashmë një javë në Shqipëri dhe një javë në Maqedoni, në përpjekje për të kopsitur faktet dhe provat që e mbrojnë nga akuzat që tashmë janë njohur dhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Jo pa qëllim lajmi u dha i zgjeruar në Zëri i Amerikës, bashkë me intervistën e fortë dhe të njërit prej autorëve gazetarë të artikullit.
Fijet që lidhin Gruevskin me financimin e LSI: Ja dyshimet e amerikanëve
Investigimi i revistës prestigjioze amerikane “Mother Jones”, në lidhje me financimet e paligjshme të fushatës së lobingut nga ana e LSI, hap një pistë tejet të dyshimtë, mbi mundësinë që Gruevski, ish-Kryeministri i Maqedonisë, i njohur për politikat e tij pro-ruse dhe anti-shqiptare, të jetë një prej “bamirësve” të fshehur të Ilir Metës.
Sipas investigimit, LSI nënshkroi në muajin janar 2017 një kontratë me vlerë 15 mijë dollarë në muaj me “McKeon Group”, një kompani lobimi e drejtuar nga një ish-senator republikan.
Megjithatë, kjo kontratë u prish vetëm një muaj më vonë. Por, marrëdhënia e LSI me McKeon nuk përfundoi këtu. Pak ditë pas përfundimit të bashkëpunimit, “McKeon Group” nënshkroi një kontratë me vlerë 50 mijë dollarë në muaj, plus shpenzime, me një kompani qipriote të quajtur “Dorelita Limited”.
Kontrata me “Dorelita”-n kishte si qëllim të vetëm të promovonte LSI-në në Uashington, një fakt i mbështetur ky në investigimin e “Mother Jones” nga prova dhe burime të shumta. Pronari i dyshuar i kësaj firme është një oligark rus, i quajtur Oleg Deripaska, me interesa në industrinë e aluminit, por i përfolur në media edhe si një eksponent i krimit të organizuar në vendin e tij.
Megjithatë, sikur kjo lidhje të mos ishte mjaftueshmërisht e dyshimtë për LSI-në, nga investigimi del në dritë edhe një lidhje tjetër e errët, me ish-Kryeministrin e Maqedonisë, Nikola Gruevski.
Të dhënat e deritanishme tregojnë se kontrata e “Dorelita”-s, me përfitues LSI-në është nënshkruar nga një avokat grek, i quajtur Iraklis Fidetzis. Lidhja me këtë person u sigurua nga Vangjel Tavo.
Prej shumë vitesh, Fidetzis punon njëkohësisht edhe për llogari të një miliarderi grek, të quajtur Dimitris Kontaminas, një manjat mediatik, i cili ka pasur probleme të shumta me drejtësinë duke u dyshuar për një numër krimesh ekonomike, ndonëse nuk është dënuar asnjëherë në vendin e tij.
Në vitin 2005, për llogari të Kontominasit, sipas provave të siguruara nga inteligjenca amerikane, Fidetzis negocioi me Gruevskin një marrëveshje korruptive, me përfitues “Magyar Telekom”, pjesë e “Deutsche Telekom”.
Kjo marrëveshje ndihmoi kompaninë hungareze që të futej në tregun maqedonas, në këmbim të një rryshfeti të majmë për Gruevskin dhe disa eksponentë të tjerë të qeverisë së tij.
Hetimi i zhvilluar në Amerikë përfundoi me një gjohë prej 95 milionë eurosh ndaj “Magyar Telekom” dhe kompanisë së saj mëmë, për korruptimin e zyrtarëve të huaj. Dy drejtorë të kompanisë u gjobitën gjithashtu me 400 mijë dollarë.
Megjithatë, në Maqedoni nuk pati asnjëherë ndonjë hetim për këtë çështje.
Që prej atëherë, Fidetzis ka mbajtur marrëdhënie të ngushta me qeverinë e Gruevskit, duke shërbyer si ndërmjetës i tij në disa marrëveshje të tjera.
Kjo pistë ngre mundësinë që financuesi i fshehtë i LSI të jetë pikërisht ish-Kryeministri i Maqedonisë, e nëse kjo vërtetohet, LSI duhet të japë shpjegime se cilat janë interesat e përbashkëta me këtë lider të njohur për politikat e tij anti-shqiptare dhe për promovimin e qartë të axhendave ruse në Ballkanin Perëndimor.
Lidhjet Meta- Gruevski me lobistin misterioz rus, prapaskenat e takimeve në Kinë
Dalja në dritë e operacioneve të lobistit ruso-hebre, David Zaikin, nga ana e gjigandit mediatik amerikano-gjerman politico.eu, ka zbardhur vetëm një pjesë të aferës që përbashkonte në interesa politike Ilir Metën dhe Nikolla Gruevskin.
Një histori që është bërë publike nga ana e mediave maqedonase që në qershor të vitit të kaluar.
David Zaikin është njeriu që përfaqësonte interesat e kompanive energjetike ruse jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por në radhë të parë në Europë dhe Ballkan.
Politico shkruan se Ziakin është lidhur me LSI-në që kur Ilir Meta ka pasur probleme serioze në Departamentin e Shtetit, pra që në vitin 2015. Ishte koha kur në Maqedoni kishin shpërthyer “bombat” e Zoran Zaev.
Kontakti me njeriun misterioz ka ndodhur në Stamboll, ku si ndërmjetës kanë qenë njerëz shumë të fuqishëm në financat rajonale, por që janë në kundërshtim të fortë me qeverisjen e Presidentit Rexhep Taip Erdogan. Pikërisht në Stamboll janë takuar së bashku krerët e LSI-së dhe VRMO-DPME-së.
Siç mësohet, Ilir Meta nuk ka qenë prezent në takim, por është përfaqësuar nga një sipërmarrës shumë i rëndësishëm, i cili nuk është pjesë direkt e politikës, por qëndron shumë afër Ilir Metës.
Pikërisht takimi i Turqisë ka qenë edhe lidhja e madhe e konsorciumit të përbashkët të Metës dhe Gruevskit, duke pasur si fije të përbashkëta lidhjet dhe interesat ruse në Ballkan.
Vitin e shkuar, Ilir Meta, si kryetar Kuvendi, gjatë një vizite zyrtare në Pekin, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me konsorciumin kinez që ka blerë më pas kompaninë kanadeze të naftës Banker Petroleum, e cila ka të drejtat e zonës naftëmbajtëse në Patoz -Marinës.
Edhe pse Meta shoqërohej nga një grup shumë i madh deputetësh në Kinë, takimin me konsorciumin që bleu më pas Bankers-in e ka zhvilluar vetëm për vetëm.
Pjesë nga delegacioni i deputetëve që shoqëronin kanë pasur dyshime që atëherë në lidhje me takimin misterioz të Ilir Metës.
Por mësohet se në atë takim ka qenë prezent dhe “njeriu i një mijë pushteteve dhe një mijë mistereve”, David Ziakin. Ky i fundit ka sjellë propozimin që në në Patoz- Marinëz të kishin një rol menaxherial kompanitë ruse Gazprom dhe Lukoil.
Që këtu nisin më pas një sërë zhvillimesh të vrullshme në Shqipëri dhe Maqedoni, të cilat lidheshin në një pikë: interesat e përhapjes në Ballkan të influencës energjetike ruse.
E gjithë kjo lojë e madhe mori shpërthimin e fuqishëm kur në SHBA fitoi Donald Trump, kandidati që kishte lidhje me qarqe ruse dhe që vetë David Ziankin arriti të gjente fije periferike.
Gjithsesi, këto fije nuk arritën kurrë që të hynin në brendësi të establishmentit të Trump. Por Ziankin tentoi që të lobojë për LSI dhe VRMO-DPMNE në një grup kongresmenësh republikanë që të sulmonin ambasadorët e SHBA në Tiranë dhe në Shkup.
Por ajo që bëri bujë, ishte pikërisht burimi apo qendra nga ku u paguan paratë për lobim në SHBA. Ishte e njëjta pikë, e cila u arrit të zbulohet nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së, i cili regjistron të gjitha pagesat e bëra për lobim.
Ky informacion iu referua direkt autoriteteve shqiptare nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe u bë publike nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në emisionin Top Story, në fillim të këtij viti, pa hyrë në çadër Partia Demokratike.
Në atë kohë u mendua se bëhej fjalë për Lulzim Bashën dhe lobime të nxitura nga PD-ja. Megjthatë, edhe pse publikisht nuk u tha se ishte LSI burimi i lobimit të përbashkët me Nikolla Gruevskin, Ilir Meta e mori mesazhin se i gjithë operacioni i tij ishte zbuluar, dhe kështu nisi luftën frontale me Edi Ramën.
Por gjithçka u bë e qartë pikërisht kur qarqe mediatike pranë LSI-së mbështetën hapur një koalicion mes Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit.
Dhe në Tiranë u zhvillua lufta më e madhe. Ku portali i Berat Buzhalës “Express” që tashmë njihet si portali mediatik i LSI-së dhe e ka përkrahur hapur atë që prej një viti.
Nga ku portal doli kërkesa e hapur Metës për të përkrahur Nikolla Gruevskin, pikërisht kur Edi Rama thirri në Tiranë partitë politike shqiptare në Maqedoni ku dhe u vendos “Platforma e Tiranës” dhe bashkimi në një front për t’i thonë “Jo” Gruevskit dhe për të krijuar një aleancë me Zoran Zaev.
Presidenti i Maqedonisë Gjeorgje Ivanov e refuzoi mandatimin e Zaev, duke refuzuar të gjithë kërkesat e Bashkimit Europian. Ndërkohë në Uashington, lobisti i përbashkët i Metës dhe Gruevskit bëri përpjekjet e fundit për të bindur Departamentin e Shtetit të SHBA që të mos pranonte Zaevin si kryeministër.
Por Sekretari i Shtetit në atë kohë, Rex Tillerson nuk e pranoi kërkesën që i erdhi nga një grup konferesmenësh dhe mbështeti ambasadorin amerikan në Shkup. Pikërisht në këtë çast, Vladimir Putin thirri në Moskë Gjeorgje Ivanov dhe u bënë gati trazirat e 27 prillit ku u tentua të likuidoheshin fizikisht Zoran Zaev dhe Zijadin Sela.
Pikërisht kur gota u derdh, Tillerson dërgon në Shkup Hoyt Brian Ye, i cili i bën të ditur Ivanovit se Uashingtoni është në dijeni të lidhjes me rusët e David Ziakin dhe lobimet që ishin paguar me para shumë të dyshimta.
Mësohet se zyrtari i DASH ka folur edhe për origjinën e parave, gjë që mbetet një informacion shumë, shumë sekret. Të njëjtin dokument Hoyt Yee e solli edhe në Tiranë, ku brenda natës bindi Lulzim Bashën të firmosë paktin me Edi Ramën, duke mënjanuar përfundimisht LSI-në nga pushteti i pas 25 qershorit.
Edhe zhvillimet e tjera që lindën, e kanë burimin pikërisht nga kjo aferë e cila ka brenda involvimin e fuqishëm të rusëve në Shqipëri dhe Maqedoni.
Madje sa për kujtesë, në ditët e çadrës dhe tensionit të lartë në Tiranë, ambasada ruse në Shqipëri kërkoi një personel sigurimi shtesë që u refuzua kategorikisht nga Edi Rama, i cili vendosi forcat RENEA në shërbim 24 orë për të mbrojtur diplomatët rusë.
Por publikimi i gjithë kësaj afere nga një media shumë prestigjoze siç është Politico dhe gazetari Isaac Arnsdorf, që ka burime shumë të rëndësishme në Departamentin Amerikan të Shtetit, hapi shumë “petët e lakrorit” në politikën në Tiranë, sa që pritet të shkaktojë një tërmet të vërtetë në LSI.
Pasojat nisën të jepen më pas kur u shkarkua Petrit Vasili, kryetari që aq shumë u përkrah nga Ilir Meta, për ta “blinduar” LSI me një zgjidhje familjare, siç është katapultimi i Monika Kryemadhit, bashkëshortes së Metës në krye të partisë.
Një lëvizje që nuk ishte aspak politike por që paralajmëroi bunkerizimin e kësaj force drejt interesave të familjes Meta./Pamfleti.com
Komentet