Për shkak të imunitetit që politikanët kanë fituar ndaj akuzave publike, janë gjithnjë e më të paktë artikujt e mediave që shkaktojnë zhurmë. Por një publikim i agjencisë ballkanike për investigim, BIRN, që aludonte apo akuzonte Ilir Metën se ka marrë ryshfet miliona euro nga kompania borxhmbledhëse e mikut të tij Kastriot Ismailaj, për ta mbështetur të merrte kontratën nga CEZ për mbledhjen e parave të energjisë së papaguar, nuk iku në heshtje. Bëhej fjalë për një shumë nga 200-250 milionë euro, që kompani private, institucione shtetërore dhe konsumatorë familjarë i kishin pa paguar kompanisë CEZ. Sa i përket çështjes, kjo ishte një nga vjedhjet më flagrante dhe publike. CEZ po dështonte në mënyrë skandaloze në administrimin e sektorit strategjik kombëtar, me bekimin e qeverisë shqiptare. Në kushtet kur nuk mblidhte dot paratë e energjisë dhe në kushtet kur debitori më i madh ishte vetë shteti e qeveria, lindi profesioni i sekserit privat që ua merrte paratë institucioneve qeveritare, ia jepte CEZ-it dhe mbante 50% të shumës. Dhe këta sekserë, njëri pas tjetrit, ishin këmbë e kokë klientë të qeverisë. Opozita e asaj kohe, sot në qeveri, u çor duke bërtitur se përse ministritë debitore ndaj CEZ-it, nuk ia jepnin paratë direkt CEZ-it, por duhej t’ua kalonin më parë klientëve të drejtuesve të qeverisë, Sali Berisha e Ilir Meta, ku ngecte gjysma e shumës, e më pas pjesa tjetër të kalonte në arkën e CEZ-it.
Deri këtu nuk ka asgjë të re. Janë aty në arkiva të gjitha, mjafton vetëm një “click” për të dëgjuar e lexuar ç’është thënë e ç’është shkruar për këto histori nga viti 2010-2012. Unë nuk kam asnjë fije besimi apo shprese se një ditë do të hidhet dritë juridikisht, pasi publikisht nuk ka çfarë të hidhet më, mbi këto afera dhe ata që morën paratë do të ndëshkohen. Ndaj sot lajmi nuk është përmendja e emrit të Ilir Metës për një aferë, por fakti se kanë ndërruar rolet Berisha dhe Rama dhe si po sillen ata sot ndaj tij.
Rama është në hall, sepse i duhet të bëjë strucin përballë partnerit kryesor në qeverisje, për të cilin dje në opozitë desh i vuri flakën Kryeministrisë. Ndërsa Berisha, të cilit nuk i ka mbetur më fije turpi në politikë, del e bën thirrje për revolucion demokratik për të rrëzuar qeverinë e korruptuar “Rama-Meta”, për vjedhjet, që Ilir Meta paskësh bërë kur ishte në qeveri bashkë me të.
Lulzim Basha i bën thirrje prokurorisë që të hapë hetim dhe Ilir Metës që të japë dorëheqjen për t’i hapur rrugë hetimit. Por as njëra e as tjetra nuk ka për të ndodhur. Tashmë e gjitha kjo histori është vetëm politikë. Ose më saktë, është dëshmia apo prova më e fortë e ndryrësisë së politikës sonë.
Sali Berisha iu bë krah Metës, duke ia dalë mbanë ta nënshtronin drejtësinë për episode edhe më flagrante se ai i borxheve të CEZ-it. Por kur Ilir Meta e kuptoi se qeveria e Berishës nuk kishte më të ardhme si pasojë e gërryerjes nga korrupsioni, ku ai kishte një kontribut të konsiderueshëm, ndërroi tren. Dhe ishte pikërisht ai që vetëm një muaj pasi kishte lënë koalicionin qeverisës, filloi ta akuzonte atë si të korruptuar, më ashpër se vetë Rama që kishte qenë në opozitë. Edi Rama, i frikësuar se i vetëm nuk e mundte dot Berishën, i kapërdiu të gjitha, mes të cilave edhe “ngjarjen e bulevardit” dhe viktimat e saj, dhe iu gëzua fitores që nuk vonoi. Parashikimet e shumë analistëve se Rama do ta paguante në zgjedhje marrëveshjen me Metën, nuk dolën. Ata fituan dhe Meta surprizoi me katërfishim e rezultatit. Por Meta gjithsesi kusuret i kishte mbi kurriz. Nuk dimë ç’ka shtuar, por ato që ka pasur mjaftojnë për t’ia prishur gjumin Ramës, i cili, nuk dimë nëse mendon që Meta është më shumë i dëmshëm apo i dobishëm tashmë. Qëndrimi apo raportet e tij me Metën, u kanë hapur udhë edhe teorive konspirative për tradhtira pas shpine dhe presione verbale edhe përmes të tillave histori, të cilat ai shpesh nxiton t’i përgënjeshtrojë duke thënë se raportet e tij me Metën janë më të mirat që kanë qenë ndonjëherë.
Ky është fotografimi i politikës shqiptare, e cila qartësisht lundron në ujërat më të pista në këtë vend.
Kjo politikë, me shembullin e vet, ka treguar se e shkatërron drejtësinë dhe shtetin për t’i shpëtuar ndëshkimit. Për interesat e veta ka treguar se pështyn e lëpin sa majtas-djathtas, sa herë t’i duhet, pa u skuqur e pa u brerë asnjë grimë në ndërgjegje.
Qeveria ka nisur një sërë reformash, për të cilat vetë Rama nxiton të thotë se po mban erë shtet. Ndëshkimi i vjedhjes së energjisë, jo me sekserët që vjelin borxhet, por me forcën e ligjit, ndalimi i ndërtimeve pa leje apo kuturu, ndëshkimi i informalitetit etj., janë shenja që tregojnë se shteti edhe këtu mund të ndërtohet.
Por paqartësitë e Ramës në lidhje me Metën, që herë-herë duken si frikë për mbajtjen e qeverisë e herë-herë si varësi prej tij, e zbehin besimin se ata që ndryshe e përdorin shtetin për vete e ndryshe për të tjerët, do të mund të bëjnë një shtet të së drejtës për të gjithë.
Në një intervistë të fundit, ambasadori gjerman Hoffman, i pyetur në lidhje me deklarimet e kryeministrit Rama për lodhjen e BE-së nga zgjerimi, tha: “Nuk jam i bindur lidhur me nevojën e të filozofuarit mbi lodhjen nga zgjerimi. Do ta konsideroja shumë të rëndësishme të treguarit kujdes, ndaj të gjitha atyre proceseve që do ta bënin një shtet kandidat të pjekur”.
Pikërisht atë shtet duan të gjithë shqiptarët. Por, a do të jetë ai një shtet për të gjithë, apo një shtet i atyre që kanë pushtetin për të tjerët?
Komentet