Valentina Madani – Gjeneral Sandër Lleshi u propozua nga kryeministri Edi Rama për postin e Ministrit të Brendshëm ditën e shtunë, por presidenti Ilir Meta ende nuk ka firmosur dekretin. Në këtë mënyrë Fatmir Xhafaj do të vazhdojë të mbetet ministër i Brendshëm, të paktën edhe për disa ditë. Kjo pasi presidenti nuk i dha mundësi Kuvendit që të votonte dje për zëvendësimin e tij me gjeneral Sandër Lleshin, i propozuar nga kryeministri Edi Rama për të qenë ministri i ri i Brendshëm. Pavarësisht pritshmërive të shumicës qeverisëse se kreu i shtetit do ta bënte dje shpalljen e dekretit, kjo gjë nuk ka ndodhur. Ndaj Kuvendi shtyu votimin në një moment të dytë, sapo presidenti ta ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese. Kryetari i Partisë Demokristiane, bëri të ditur dje se stafi i presidentit foli dje për probleme kushtetuese që e pengojnë dekretimin e z.Lleshi.
“Unë di që stafi juridik i presidentit ka gjetur probleme kushtetuese që e pengojnë dekretimin e tij, po shihen me frymë përgjegjshmërie. Presidenti në parim ka qenë dakord, por dokumentet që ka në dispozicion…. Ka një problem që shpresojmë mos të jetë serioz. Nuk e di çfarë problemi, por edhe ta dija nuk do ta thosha. Ministri i Bren-dshëm është figurë politike dhe duhet të jetë e tillë. Vendosi një ushtarak për ‘urdhëro si urdhëron’. Nuk është profil politik. Ministri duhet të hartojë ligje dhe drejtojë politika. Unë e njoh, nuk kam asnjë vërejtje për formimin, mund të ishte ministër i Mbrojtjes apo Drejtësisë, por jo i Brendshëm, pasi do të dështojë. Ai është i ngjyrosur me ngjyrën e rilindjes. Dështimi i këtij ministri do të jetë spektakolar”,-tha Nard Ndoka.
Arsyeja
Që prej të dielës mbi tavolinën e Presidentit të Republikës Ilir Meta ndodhet kërkesa e kryeministrit Edi Rama për dekretimin e gjeneral Sandër Lleshit si ministër i Punëve të Brendshme. Megjithëse kanë kaluar disa ditë nga kjo kërkesë e kryeministrit Rama, ky dekret ende nuk ka marrë firmën e kreut të shtetit. Vonesa e Presidentit Meta për dekretimin e Sandër Lleshit duket se ka një shkak. Burime nga presidenca konfirmojnë për ‘GSH’ se shkak për këtë vonesë është bërë pikërisht detyrimi që lind nga zbatimi i nenit 98 i Kushtetutës, i cili përcakton se “ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organeve të shoqërive fitimprurëse”. Nisur pikërisht nga fakti se ministri i ri i propozuar mban gradën madhore “gjeneral” në forcat ushtarake, mësohet se Presidenti i Republikës i ka kërkuar informacion Ministrisë së Mbrojtjes cili është statusi real dhe ligjor i Lleshit në radhët e ushtrisë. Kjo pasi, siç bëhet e ditur, ky nen i Kushtetutës nuk lejon që ministri i Brendshëm të jetë njëkohësisht edhe një ushtarak me grada madhore në ushtri.
Afati
Gjithsesi pritja e Presidentit të Republikës nuk mund të zgjasë edhe për shumë ditë, pasi Kushtetuta i ka vendosur atij një afat të caktuar për të dekretuar ministrin e ri. Pikërisht Neni 98 i Kushtetutës përcakton se “ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve”. Duke patur parasysh se propozimi i Ramës në presidencë ka mbërritur të shtunën më datë 27 tetor, atëherë sipas këtij përcaktimi kushtetues, Presidenti Meta ka afat edhe dy ditë për të dekretuar emrin e Lleshit si ministër i Brendshëm. Vetë Kushtetuta nuk i lë shumë hapësirë Presidentit të Republikës në rastin e dekretimit të një ministri. Ndryshe nga rasti i dekreteve të ligjeve, në rastin e ministrit Kushtetuta nuk parashikon mundësinë e kthimit të emërimit të propozuar nga kryeministri. Ndaj nisur pikërisht nga ky përcaktim, pritet që kreu i shtetit të dekretojë emërimin e Sandër Lleshit brenda dy ditëve të ardhshme. Gjithsesi marrja e detyrës prej tij mbetet vetëm për javën tjetër, kjo pasi duhet të mblidhet Kuvendi për ta votuar. Burime nga PS bënë të ditur se nuk përjashtohet mundësia edhe e thirrjes së Kuvendit në një seancë jashtë radhe, për shkak se nuk mund të lihet vendi pa ministër të Brendshëm për një kohë të gjatë. Deri atëherë në bazë të ligjit themeltar ministër i Brendshëm do të mbetet Fatmir Xhafaj, pavarësisht se largimi i tij nga qeveria është dekretuar prej të shtunës nga Meta.
Neni 98
1. Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve.
2. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi
Neni 103
1. Ministër mund të caktohet kushdo që ka cilësitë për deputet.
2. Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organeve të shoqërive fitimprurëse.
3. Anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit
Komentet