Mandatin e tij si president i Shqipërisë, Ilir Meta, e kishte nisur me një vizitë në Kosovë, të parën jashtë vendit. Mandatin po e përmbyll sërish më një vizitë në Kosovë.
Presidenti Meta i cili këtë fundjavë përmbyll mandatin, tha të premten se Kosova ka dëshmuar që është faktor i paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon dhe është e përkushtuar për marrëdhënie të mira me fqinjët, ndërsa bëri thirje për një marrëveshje me njohje të ndërsjellë me Serbinë.
“Mezi presim të duartrokasim një marrëveshje që çon jo vetëm drejt normalizimit por edhe njohjes reciproke të Serbisë edhe të Kosovës është interes i gjithë rajonit tonë. Asnjë vend nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian pa zgjidhur çështje të tilla dhe ky është në interesin e të dyjave dhe është në interesin e të gjithë neve”, tha presidenti Meta.
Presidenti Meta tha se Kosova ka bërë përparime të rëndësishme drejt demokracisë ndërsa kërkoi më shumë bashkërendim ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë posaçërisht për çështjen e Gjykatës së Posaçme për krime lufte në Hagë.
Të enjten në mbrëmje parlamenti i Shqipërisë miratoi një rezolute, që i konsideron të pabaza pretendimet e ngritura në vitin 2011 nga një raport i asamblesë së Këshillit të Evropës, sipas të cilit gjatë luftës në Kosovë është kryer trafik organesh njerëzore nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Autoritetet në Shqipëri thanë se do të kërkojnë nga Këshilli i Evropës rishikimin e rezolutës së vitit 2011 duke qenë se të gjithë hetimet e deritanishme nuk kanë nxjerrë asnjë provë apo fakt të tillë.
Presidenti Meta tha sot se çdo rezolutë apo akt kundër akuzave të Dick Martyt është e rëndësishme dhe pozitive.
“Kosova dhe Shqipëria duhet të koordinojnë çdo ditë me njëra tjetrën dhe jo vetëm me njëra tjetrën por edhe me fqinjët tjerë por sidomos Shqipëria dhe Kosova sepse nuk është thjesht çështja e një procesi kundër drejtuesve të UÇK-së, ai është një proces kundër shtetësisë së Kosovës, ai është një proces kundër pavarësisë së Kosovës, ai është një proces kundër forcimit të pozitës së brendshme dhe ndërkombëtare të Kosovës dhe ne duhet të koordinojmë çdo ditë në mënyrë që shtetësia e Kosovës të forcohet akoma edhe më tej”, tha ai.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se parlamenti i Shqipërisë ka shprehur atë që secili shqiptar kudo që jeton e ka thënë deri më sot.
“Unë besoj që ju konfirmimin tonë sa i përket pastërtisë së luftës çlirimtare, karakterit të luftës sonë çlirimtare e keni dëgjuar çdo ditë dhe nuk mund të prisni përshëndetje speciale për një ditë të veçantë sepse qëndrimi ynë për pastërtinë e luftës çlirimtare është i çdo ditshëm, është në çdo veprim tonin, është në çdo punë tonën, është në çdo frymëmarrje tonën”, tha ajo.
Raporti i ish të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, i cili përmban akuza ndaj ish anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë, ishte baza e themelimit të Gjykatës së Posaçme për krime të luftës në Hagë.
Gjykata që njihet me emrin Dhomat e Specializuara, u themelua në vitin 2015, ndërsa nisi procesin e parë gjyqësor në shtator të vitit 2021.
Aktualisht në pritje të proceseve gjyqësore ndodhen udhëheqësit më të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Komentet