Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta njoftoi mbrëmjen e së premtes dekretimin e zotit Sandër Lleshi si ministër i Brendshëm. Një vendim i cili ishte thuajse i pritshëm, ndërsa më herët gjatë ditës Kreu i Shtetit kishte firmosur nxjerrjen në lirim të gjeneralit. Pasi kryeministri Edi Rama i ripropozoi të premten e shkuar, emrin e zotit Lleshi, presidenti Meta bëri të ditur se shqetësimi i tij në këtë rast lidhej me statusin si ushtarak të tij.
Në një letër dërguar Ministrisë së Mbrojtjes, ku ai kërkonte informacion rreth kësaj çështjeje, Kreu i Shtetit nënvizonte se “Ministri si funksion kushtetues është autoritet civil, dhe kandidatura e zotit Lleshi vjen nga një karrierë e gjatë ushtarake” e për pasojë “emërimi i tij në detyrën e ministrit të Brendshëm, paraqet një problematikë themelore kushtetuese”. Sipas zotit Meta, “ushtaraku i shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhet ose të emërohet në detyra të tjera shtetërore dhe as nuk mund të kandidojë e as të zgjidhet ministër apo deputet pa hequr dorë më parë nga detyra”.
Zoti Lleshi është liruar nga detyra e zëvendës shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë në vitin 2013 dhe është nxjerrë në lirim me dekret të presidentit të atëhershëm Bujar Nishani. Ai ju drejtua gjykatave, dhe Apeli administrativ i dha të drejtë në 2017 duke kërkuar rikthimin e tij në detyrë si dhe që ministria e Mbrojtjes t’i japë pagën deri në ditën e emërimit të ri. Ndërkohë çështja ka përfunduar në Gjykatën e Lartë, ku nuk është mbyllur ende.
Përmes një letre dërguar presidentit, zoti Lleshi shpjegoi se pas vendimit të Apelit, i ka kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes zbatimin e tij, porse ministria e ka dërguar çështjen në Gjykatën e Lartë. Ai shprehej se nuk mund të konsiderohet ushtarak aktiv duke qenë se “të tillë quhen ata që shërbejnë në Forcat e Amatosura dhe mbajnë uniformë”. Zoti Lleshi nënvizonte se me pranimin e propozimit për ministër i Brendshëm ka vendosur të heqë dorë nga karriera ushtarake, pavarësisht se vendimi i Gjykatës ja ka dhënë këtë mundësi dhe se me kërkesën drejtuar presidentit heq dorë nga të drejtat që i burojnë nga vendimi i Apelit. Por duket se presidenti i ka qëndruar mendimit se zoti Lleshi gëzonte ende statusin e ushtarakut, e për pasojë ministria e Mbrojtjes i është drejtuar me kërkesën për dekretimin e lirimit të tij.
Kryeministri Rama, gjatë gjithë kohës ka këmbëngulur se presidenti kishte shkelur Kushtetutën kur kishte refuzuar propozimin e parë me arsyetimin se nuk kishte “krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin”. Ndërsa, kur u shfaq problemi i statusit të ushtarakut, ai u shpreh i keqardhur pse sipas tij, zoti Meta nuk e kishte ngritur këtë çështje, që më herët, duke bërë të mundur që të shmangej “krisja e parë”.
Mbrëmë pas dekretimit të zotit Lleshi, kryeministri u shpreh se ky ishte “një shembull kuptimplotë i faktit se edhe kur duket, sikur krisjet janë të pariparueshme a thyerjet të pashmangshme, ka gjithmonë një rrugëzgjidhje nëse ka vullnet të mirë”.
Komentet