Gjykata e Tiranës shqyrtoi sot masat e arrestit për 8 të ndaluarit në protestën e të dielës, një tubim spontan pas shembjes së Teatrit Kombëtar mëngjesin e asaj dite.
Prokuroria kishte kërkuar që 2 prej tyre të mbaheshin në arrest shtëpie dhe 6 të tjerë të hetoheshin në gjendje të lirë pas akuzave për tubim të paligjshëm dhe kundërshtim të policisë.
Gjykata vendosi masat për Erik dhe Endrit Mërtiri me arrest në shtëpi me afat deri më 3 qershor, detyrim paraqitje Bojken Abazi, Kastriot Qema, Romeo Lilo, Ledion Xhoxhaj, Burim Tafilica dhe Sokol Ndoja.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi se “të gjitha arrestimet, ndalimet dhe procedimet për mbrojtjen paqësore të Teatrit Kombëtar janë vetëm politikë dhe duhen liruar”.
Zoti Meta i bëri këto komente kur tetë të arrestuarit gjatë protestës të të dielës dolën para Gjykatës së Tiranës për masën e sigurisë.
Presidenti Ilir Meta, deklaroi se “shembja e Teatrit Kombëtar asgjësoi përfundimisht çdo iluzion për ekzistencën e shtetit të së drejtës në Shqipëri”.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit po organizon një tjetër tubim proteste në orët e pasdites, duke kërkuar hetime për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe për dhunën ndaj pjesëtarëve të saj, që u përpoqën të shnagur rrëzimin e ndërtesës deri në dialog për restaurimin e ndërtesës historike.
Protestave të qytetarëve u janë bashkuar edhe partitë e opozitës me veprimtarët e tyre nën parrullat “Poshtë Diktatura!”, duke akuzuar qeverinë se po shfrytëzon masat e mbylljes prej pandemisë për të kryer akte arbitrare, duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet.
Kryeministri Edi Rama mohoi që të ketë patur dhunë nga policia dhe shtoi se nuk ka ndonjë arsye për të patur hetime as për Teatrin as për forcat e rendit.
Socialistët kanë premtuar një teatër të ri në truallin e Teatrit historik Kombëtar, ndërsa për Aleancën e Teatrit kjo është një aferë e madhe korruptive, prapa të cilës qëndrojnë grupe ndërtuesish për të ngitur kulla në qendër të kryeqytetit.
Komentet