Në ndeshjen e zhvilluar në Camp Nou, argjentinasi bën gjithçka vet përballë francezëve të Lyon duke shënuar dy gola dhe duke asistuar në dy të tjerë për Pique dhe Dembele. Golin tjetër për katalanasit e shënoi Coutinho. Lyon ishte i pafuqishëm të ndalonte sulmet e vendasve që gjetën avantazhin me anë të Messit në minutën e 18-të. Pesë herë fituesi i Topit të Artë ktheu në gol një 11-metërsh të fituar nga Suarez. Në minutën e 31 ishte Coutinho që dyfishoi rezultatin. Në pjesën e dytë Lyon guxoi të sulmonte dhe ngushtoi shifrat në 2-1 me anë të Tousart. Në 12 minutat e fundit, Messi thelloi rezultatin në 3-1 dhe tre minuta më vonë shërbeu një asist për Pique. Në minutat e fundit kishte kohë edhe për një gol të pestë, këtë herë ishte Dembele i futur në fushën e lojës në pjesën e dytë. Edhe në këtë rast ishte Messi ai që shërbeu për francezin. Me dy golëshin e shënuar, Messi i përgjigjet rivalit të tij Cristano Ronaldo që një natë më parë kishte shënuar një tripletë kundër Atletico Madrid. Messi kryeson listën e golashënuesve të Champions League me tetë gola.
Në takimin tjetër të zhvilluar në Allianz Arena mes Bayern Munich dhe Liverpool, të “Kuqt” e drejtuar nga Jurgen Klopp treguan edhe njëherë se finalja e arritur sezonin e kaluar nuk ishte rastësi. Dy gola të Sadio Mane dhe një gol i Virgil van Dijk i dhanë fitoren 1-3 Liverpool duke i siguruar një vend mes tetë ekipeve çerekfinaliste. Për Bayern golin e vetëm e shënoi mbrojtësi i Liverpool, Joel Matip, i cili në përpjekje për të larguar një top të futur në zonë nga Gnabry, e shty atë në portën e tij.
Shorti për çerekfinalet e Champions League do të hidhet nesër në Nyon të Zvicrës, në orën 12. Kujtojmë që në çerekfinale nuk përjashtohet mundësia e përballjes së ekipeve të të njëjtit shtet, duke parë që mes tetë ekipeve janë katër skuadra angleze
Komentet