Kur erdhi ajo në konviktin tonë,unë u çudita se nuk kisha dëgjuar kurrë këtë lloj emri: Mesovite! Po tek tentova ta pyesja, ma priti një lab: po pse çudite? Ka lindur mes viti dhe ndaj i kanë vënë këtë emër.Ta zëmë në korrik.Po ta kishte Korrike s’do çuditeshe,kurse kështu mënd mbete gojëhapur.Çudia tjetër qe se kjo konviktorja me këtë emër nuk qe pedagogjikase,por gjimnaziste.Atëherë gjimnazi i Elbasanit,porsa u hap për herë të parë dhe godina e tij qe po aty ku qe shkolla jonë.Kjo konviktorja gjimnaziste kishte dhe një shoqe të saj që qe nga Tirana.Mesovitua qe nga Fieri.Kur mora vesh që qe nga Fieri,kërshëria më shtyu që të rëmoja më tutje:qe nga një fshat dhe qe jetime.Babanë e kishte dëshmor,kurse nëna i kish vdekur.Kjo qe arsyeja që qe konviktore dhe ,fill pas këtyre të dyjave,erdhën dhe konviktore të tjera.Por këto qenë që të gjitha në pedagogjike.
Mesovitua qe goxha qëkur erdhi.Kish pak a shumë një zhvillim të parakohshëm dhe një sy nepsqar kish seç lakmonte kur e shikonte.Me mua ndodhi ndryshe.Fare ndryshe.Nuk më la asnjë përshtypje të veçantë dhe,sado që studjonim në një sallë me të (salla e studimit merrte gati treqind vetë,sa ç’qemë),kurrë nuk ia ngula sytë siç ndodhte në atë moshën tonë rinore.Muhabete bënim,domosdo,se qemë nga një anë,por,si të thuash,ja,ashtu,pa bereqet.
* * *
Aty nga mbarimi i vitit të katërt,ndërsa qemë në sallën e studimit,Mesovitua kish dalë siç duket me leje (gjithmonë në katedër rrinte kujdestari që qe mësues që paguhej me rrogë) nga kujdestari për të zbritur poshtë për ndonjë nevojë dhe aq,kur dëgjojmë një bërtitje a ca më shumë një klithmë.-Përjashta,bërtiti kujdestari,dhe ne u derdhëm në drejtim të klithmës.Qesh nga të parët që mbrrita në oborr dhe pashë që Mesoviton e kish mbërthyer një djalosh (qenë të jashtëm që xhëku sulmonin deri në konvikt),u hodhëm në”sulm” (ata,të huajtë qenë nja 4 djelmosha,disi më të rritur nga ne),por mua më ndolli instikti i çobanit.Qeshë bari e shkuar bariut në fshat dhe dija të përdorja mirë shkopin.Këtu nuk bëhej fjalë për shkop,por rrëmbeva një dru koçomareje dhe më t’i mbetem me të atij”sulmuesit”.Druri zbutë arinë dhe jo njerinë.Sulmuesi (e godita sa më hante krahu) jo vetëm e lëshoi “prenë” e tij,por ftoi dhe “trimat” për “luftë”.Po ne qemë bylykë me njerëz dhe ua zbutëm mirë kurrizin,sa mos kujtoheshin dhe të shkelnin më territorin tonë.E shkreta Mesovite qe traumatizuar dhe deshi kohë që ta merre veten.Dhe qe e pafajshme si një foshnjë. “Faji”,në se duhet t’i vëmë një emër,qe vetëm se qe më e zhvilluara me trup,por dhe më e bukura.Se bukuria për një femër,ndonjëherë,është dhe kusur.Se “ujqit”kur sulmojnë në tufë,zgjedhin më të shëndoshën.Qe sherr krejt i beftë,por pati dhe një të mirë:”gangot” nuk i afroheshin më shkollës dhe konviktit që ishte në të njëjtën ndërtesë.Mesovitua,kur u qetua,më falnderoi dhe një falnderim të veçantë më bëri dhe drejtori i shkollës.Për të qenë i saktë,këta”gangot” e kishin bërë si rrugë këtë lloj”sporti” dhe e paguan mirë.I zunë dhe i nxorën në gjyq.Po jo për”sherrin” tonë,po për diku tjetër.
Kur mbaruam maturën unë me Mesoviton nuk u pashë më,se ne,maturantët e pedagogjikes,duhet të niseshim në aksion kulturor dhe mua më caktuan në Shpat.
* * *
Kur mora emërimin në rrethin e Fierit,më caktuan rreth 25-30 km larg.Mora shkresën dhe ka qenë 1 gusht 1959 kur gjeta shkollën ku më emruan.Atje gjeta,së pari,drejtorin(ky m’u prezantua kur pa shkresën time) dhe,veç tij,qe dhe një femër.Kjo qe mësuese pak me stazh siç shihej.Drejtori qe një burrë mbi 30-vjeç.me një lartësi mesatare,me fytyrë të hequr (sa thoshje se tërë jetën ka ngrënë thekër!),me ca flokë të drejtë e të krehur me kujdes.Qysh në fytyrë,dukej se nuk qe njeri i keq,por dashamir,siç dhe e tregoi koha.Kjo,mësuesja,qe tunduese,me faqe të kuqe,një hundë me majë,qe lyer e pudrosur dhe,kur ecte,tundte me supe e me vithe.Në dukje,kish nevojë për fre.Sa më pa mua,ashtu riosh e mustaqe pa dirsur,sa më dha dorën,u tregua”esnafe” e thekur,njëri nga gishtat e saj(ai i mezit),lozi mbi pëllëmbën time sikur të qe një konfidente e njohur prej kohësh.Quhesh Lie!!! Të ngrëntë lia,Lie!- i thoshte një grua që ia njihte huqet.Tek po binim dakord për lëndët që do jepja(qeshë emëruar në shkollë 7-vjeçare),kur trokiti dera dhe hyri…po kush?Doravetë:Mesovitua!!! Uaaaa!-bëri sa më pa mua dhe m’u hodh në qafë.-Këtu të paskan siell?- pyeti.Sa mirë! Unë,- tha,- këtu jam rritur dhe ndaj kërkova t’më emëronin këtu. Drejtori ndiqte “intimitetet” tona,kurse ajo Lia që”e ngrëntë Lia!” shikonte si me tallje.
Filluam mësimet dhe unë,fillimisht,jepja edhe gjuhë,edhe mathematikë,edhe kimi(epo me të mesme qeshë dhe mund të jepje çdo lëndë) dhe,pas dy muajësh,kur erdhi një koleg tjetër,mbajta vetëm gjuhën dhe pjesën tjetër e plotësoja me”dajthtësitë”,si fizkulturë dhe muzikë.
Mesovitua jepte në fillore dhe muhabetet i kishim sa vinte dhe më mirë.
Një ditë,drejtori që ishte beqar,më thotë në intimitet:
-Ore,ke gjë me Mesoviten ti,se dridhu-fshtillu dhe të dy. Drejtor,-i them,- ne me të njihemi prej kaq kohësh dhe,me gjithë hiret që ka ajo,mua kurrë nuk më ka shkuar mëndja asaj ane.Jemi bërë aq shokë,sa më vjen turp që ta mendoj këtë gjë.-Po mirë,- shtoi ai,- a të mbetet hatri ty sikur t’i propozoj unë?
-Fare,- i thashë.Po pranon a jo,kjo është punë tjetër.
Dhe ja një ditë prej ditësh,drejtori u fejua me Mesoviten.
-Epo të trashëgohen!
Unë qeshë si më intimi në këtë “davet”.
* * *
Kishin një muaj e ca të fejuar dhe,siç besonim,në behar do hanim dasmën e tyre.Më duket se qe prill,kur u ndava prej të dyve dhe,ndërsa çifti do merrte rrugën për në shtëpinë e Mesovites,unë për në shtëpi.Rruga e miqëve të mi qe e gjatë dhe kalonte në një pyll që,edhe ditën qe si një kurorë e gjelbër ku mezi shihje një copëqiell.Pak a shumë do bënin nja 20 km rrugë dhe 10 km nga këto nëpër pyll.
-Do kënaqen si çift i ri që janë,- mendoja.
Të nesërmen,me të mbrritur në shkollë,e takova drejtorin dhe i them:
-Eh,bëre ndonjë çikë qejf apo jo?Të paktën do jesh shqepur me të puthura!
-Pse ç’më kujton ti mua?Axhami.Po unë do ta marrë grua.Si mund t’i bëj ato”karagjozllëqe?!”
-Ore,- i thashë,-po në pyll të ha ujku ditën dhe jo natën?Po nuk e pate puthur,puthu me Milon,pse përralla më tregon.
Kur takova Mesoviton,kjo qe bërë katran,si të kish bërë ndonjë faj dhe që atë ditë,u nda prej drejtorit.Më bënte leksione pedagogjike rrugës si të isha nxënëse,- më shpjegoi ajo.
Eh, drejtor leksioni,eh! Shkoi e vate dhe fejesa.Unë me Mesoviton veç grurë hesapi.Dhe mos më pandehni se qeshë”evliha”.Jo,mor burazer,leksionet ia kisha lënë shkollës unë.
Sapo kisha filluar dhe studimet me korrespodencë dhe Mesovitua më thotë:
-Bëj kërkesë dhe shko në universitet se për 4-vjet të mbaj unë me të gjitha shpenzimet.Dhe,sado që më bëri këtë ofertë,unë hiç.Vazhdova ashtu me korrespodencë.Një ditë të shtune (se të shtunave shkoja në shtëpi),më tha:-Kalo andej nga shtëpia ime se do të jap një trastë me ftonj.E kishte shtëpinë mu buzë rrugës ku duhet të kaloja.Hapa portën e oborrit dhe trokita në derë.E hapi(duket më priste dhe më shihte nga dritarja) dhe qe në fill të këmishës.Një fshat që dukej,nuk do kallauz.Kur e pashë ashtu,më feksi një fakt nga historia e Romës.Matronat romake nuk e kishin për gjë që të bëni banjo në sytë e skllvevërve.Tek do hidhja atë çapin e”fundit”,dëgjoi xha Trushin që u kolllë:-Dhaskal,hajde se e kemi rrugën bashkë.Mesovitua më zgjati trastën me ftonj dhe ika si një qen i rrahur.Me Xha Trushin.Ky hidhte lundrën.
* * *
Vitin tjetër unë u martova.U martova?Martesë i thënçin.Unë e rrëmbeva nusen time dhe,për çudi edhe pas 50-vjetësh,e kam në shtëpi.U martova dhe u transferova.Mesovitua mbeti atje.Në fshatin ku u transferova,ndaja dhe shtypin.Kur lexoj në gazetë”Bashkimi” që filan organizatë rinie kish bërë këtë dhe atë,se kish një sekretare të zonjën,shoqen Mesovite Dushaku!E rilexova prapë se thashë mos e kisha parë gabim.Jo.Ajo qe:shoqja ime,Mesovitua! Po Mesovitua as që vinte në mbledhje,vetëm në ato të këshillit pedagogjik,kurse tani qenka bërë aktiviste,sa shkruan korrepodenti i rrethit.Më breu kurreshtja,kur takoj një ish koleg dhe e pyes:-More,po kur qenka bërë ajo,Mesovitua,kaq aktiviste?
-Aha,- tha,- pse nuk e ke marrë vesh ti?
-Çfarë të marrë vesh?
-Mesovitua u fejua dhe këtë muaj martohet me shokun Sefedin?
-Me kë,atë nënkryetarin e komitetit?
-Pikërisht,- më tha.
Eh,Mesovite!Mesovite!U bëre,tak-fap,Kryevite!
* * *
Kur u martua ajo me shokun Sefedin,mua më mori brinjë më brinjë:më transferuan 60 km larg familjes.Aha,- i dhashë karar,-tani të takoj Mesoviten dhe t’i qaj hallin. Kush ka hall,vjen dhe të gjen.E takova dhe,pasi e urova që të trashëgohen,drejt dhe tek halli.Se gjuha shkon tek dhëmb dhëmballa.
-Moj Mesovite,- i thashë,- thuaj atij “agait” tënd që ta mbajnë pak dorën,se tani jam dhe me fëmijë dhe 60km larg është si internim.
Dhe ajo:
-Papi,të kam dalë nga borxha:të thashë që shko në universitet se të mbaj unë,ti hodhe shqelma.Po unë e mbarova me korrespodencë,- i
thashë.
-Je egoist ti Papi.Jo vetëm egoist,por ti vuan nga”strabizmi”.Nuk sheh mirë nga sytë.Ke kohë që “vuan” dhe”kura” do të të bëjë mirë.Në atë shkollë ku do vesh,janë të gjithë burra dhe do”shërohesh”.Se shikon larg ti,afër të bën dëm!!!
Tani e kuptova ku ma hidhte “mëgojzën”,Mesovitua,shoqja ime. Po nuk mbaroi me kaq.Më tha:-Sapo lexova “Xha Gorion”.Ti,me siguri e ke lexuar.
E,pra,-foli ajo,në faqen e fundit,Xha Gorioj del në një kodër dhe,pasi hedh vështrimin mbi Parisin,thotë:-Tani do t’i lajmë hesapet bashkë!
Dhe iku…Mesovitua,shoqa ime…”hakmarrësja” ime…
*Emrat janë mistifikime
Tiranë,10 shkurt 2024