(Duke lexuar librin VEPRA 2 “ARSIMI SHQIP NË SUEDI” të Hysen Ibrahimit)
“Se Zoti vet e tha me gojë,/Që kombe shuhen përmbi dhe`,/Po Shqipëria do të rrojë,/Për të, për të luftojmë ne.”
(Nga “Himni i Flamurit”, shkruar nga Asdreni).
Ka shumë libra sot në treg, por njeriu zgjedh të lexojë dhe, kur bindet në bukurinë dhe vlerat, i lind edhe dëshira të shprehet, të komunikojë me lexuesin për mendimet dhe përshtypjet që i krijon leximi i librit. Kështu më ndodhi me “Veprën 2, ARSIMI SHQIP NË SUEDI” të Hysen Ibrahimit, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi dhe Nënkryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë. Libri ka redaktor Prof. Bedri Paci, recensente Prof. Migena Arllati, Lektorë: Prof. Fidan Baliu dhe Prof. Muhamet Ibrahimi. Botues është Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi, kurse shtypja e librit është realizuar në shtypshkronjën “Printing Press”, Prishtinë.
Kjo vepër e re e z. Ibrahimi jo vetëm më mbajti të ndezur kureshtjen nga faqja e parë e deri në fund të saj, por edhe më futi në mendime, madje më emocionoi dhe më bëri të ndjehesha mirë, si me arritjet dhe zhvillimet e mërgatës shqiptare, me përpjekjet e saj të jashtëzakonshme për afirmimin e vlerave kombëtare, për gjuhën tonë të bukur shqipe dhe për traditat, artin dhe letërsinë…Libri më solli natyrshëm në kujtesë Rilindjen tonë Kombëtare, përpjekjet e mëdha intelektuale të atyre burrave të mëdhenj dhe të atyre grave të jashtëzakonshme, që bën aq shumë për atdheun dhe kombin.
Çfarë përmban ky libër i ri i z. Hysen Ibrahimi?
Në kopertinë autori na bënë të ditur se libri i kushtohet arsimit shqip në Suedi, i cili e ka zanafillën qysh nga vitit 1968, me synimin e vetëm që të ruaj gjuhën amtare shqipe. Ndërkaq, ai na shpjegon se “Pushteti okupues ish–jugosllav e ndjeu rëndë hapjen e shkollave shqipe në Suedi…Ishin intelektualët me mbështetje të fuqishme nga prindërit e fëmijëve shqiptarë, që refuzuan në mënyrë demonstrative planet dhe programet e arsimit serb-sllav, duke deklaruar hapur se gjuha shqipe dallon rrënjësisht nga gjuhët sllave dhe se gjuha sllave nuk është gjuhë amtare e tyre”. Z. Ibrahimi shkruan: “Përderisa në vendet e banuara me shqiptarë (Kosovë) mbylleshin shkollat nga pushtuesi serb: me rrahje, helmime, vrasje, burgosje e kërcënime, deri në likuidim fizik, në Suedi lejohej mësimi në gjuhën amtare, jo vetëm për shqiptarët, por për të gjitha pakicat kombëtare, duke iu ofruar kushte të shkëlqyera për mbarëvajtjen e mësimit në gjuhët e tyre amtare”.
Duke u përpjekur shumë për arsimimin e fëmijëve me gjuhën amtare shqipe, intelektualët dhe mësuesit atdhetarë shqiptarë i dhanë edhe një argument tjetër të madh botës së qytetëruar se populli shqiptarë i Kosovës e meritonte plotësisht çlirimin nga okupacioni i egër serb-sllav dhe se Kosova dhe tërë shqiptarët kudo në trojet e tyre, jo vetëm nuk e durojnë dhe nuk e pranojnë pushtimin, por ata janë të aftë që të afirmojnë vlerat e shkëlqyera të një populli vital dhe të lashtë, që u ka rezistuar kohërave, shekujve dhe dyndjeve, që ka ditur të mbijetojë nga këto sulme dhe të ruaj të pacenuar kulturën, gjuhën traditat e tij të shkëlqyera që e radhitin ndër popujt e përparuar të Europës. Dhe, si për të na vërtetuar këtë, z.Hysen Ibrahimi rendit në librin e tij emra atdhetarësh shqiptarë të flakët në Suedi, të cilët që nga viti 1968 kanë punuar dhe luftuar me këmbëngulje për njohjen dhe integrimin e gjuhës shqipe në planet dhe programet shkollore, një dëshirë dhe përpjekje kjo e miratuar dhe e nxitur edhe nga vet shteti i përparuar demokratik suedez. Nëpërmjet këtij libri ai gjen rastin të falënderoj nga zemra dhe t`u shprehë mirënjohjen të gjithë atyre misionarëve të shquar të shqipes, që kanë luftuar pareshtur që shkronjat e saj të ndritin në fletoret dhe mendjet e fëmijëve shqiptarë, që ata të mos e harrojnë kurrë, por ta ruajnë të pacenuar gjuhën e bukur dhe të shenjtë shqipe. Njëherazi, falënderimet e tij shkojnë dhe për Shtetin Demokratik dhe të përparuar suedez, që mbështet dhe ndihmon qytetarët e botës së lirë për afirmimin e vlerave të tyre kombëtare, të gjuhëve, të kulturave dhe të traditave të kombeve të cilëve ata u përkasin.
Me shumë interes në këtë libër janë fjalën e redaktorit të librit prof. Bedri Paci, i cili nënvizon dukshëm qartësinë e librit të mbështetur në dokumente dhe fakte. Ai shprehet se “Pikërisht kjo magji stolis dokumentet mbi ngjarjet në mërgatën shqiptare në Suedi për kultivimin, zhvillimin dhe mbajtjen e gjuhës së shenjtë shqipe, në mënyrë të organizuar dhe gjithëpërfshirëse, në këtë vend nordik skandinav”. Kurse prof. Migena Arllati, në recencën e saj, ndër të tjera vë në dukje se “Vet autori i këtij libri është një nga bijtë më të devotshëm në ndihmesën e dhënë për kombin shqiptar. Ai ndihmoi çështjen shqiptare nga kënde të ndryshme, duke nisur thjesht si një emigrant, madje si një intelektual, për të arritur deri te kontributi Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” një rrugë e gjatë kjo, në të cilën ai u tregua një shqiptar me zemër të madhe, një njeri me energji të pasosura ndaj kombit, me përkushtim dhe dinjitet të pashembullt”.
Shqiptarët në mërgim luftëtarë të dijes
Qysh në faqet e para të librit mësojmë se “Në Suedi filluan mësimin në 262 strehimore dhe në lokale të shkollave suedeze ku ishin shqiptarët…” Janë këto vende, ku mërgata shqiptare ka bërë përpjekjet e saj maksimale për ta ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditën shqiptare përmes arsimit. Për të na bindur për këtë të vërtetë, z. Hysen Ibrahimi shpalos listën e vendeve ku është mbajtur mësimi plotësues i gjuhës shqipe, e ku vihet në dukje roli i veçantë i misionarëve të parë të shqipes, por, ai rendit edhe emrat e 470 punëtorëve të arsimit, që dhanë kontributin tyre të madh dhe që me të drejtë i cilëson Heronj në librin e tij.
Dr. Ibrahim Rugova dhe Hysen Ibrahimi
Nga sa na shpjegon autori i këtij libri, por edhe nga njohja që kam personalisht për arsimin shqip në Suedi, futja dhe integrimi i gjuhës shqipe në shkollat suedeze, kishte të bënte në radhë të parë me qartësimin e faktit se shqiptarët janë një komb më vete, kanë gjuhën dhe kulturën e tyre dhe se propaganda ish jugosllave mashtronte kur ngulmonte të krijonte përshtypjen e rreme te shteti suedez se “shqiptarët janë jugosllavë” dhe se “gjuha e tyre është serbishtja”. Në “favor”, propaganda serbe-sllave, kishte “faktin” se pasaportat e shqiptarëve ishin nga ish shteti jugosllav. Dhe, pikërisht këtu qëndron një nga meritat më të mëdha të intelektualëve dhe mësuesve shqiptarëve, sepse ata, jo vetëm sqaruan dhe qartësuan entet shkollore dhe ato botuese suedeze, se nuk janë jugosllavë, por janë shqiptarë, se kanë gjuhën e tyre, e cila ishte tepër e veçantë, një gjuhë e lashtë e familjes indoevropiane, dhe, se, serbët, të cilët i zbuan shqiptarët me dhunë nga vendlindja e tyre e lashtë, po kërkonin në mënyrë të paturp dhe me arrogancë që, edhe aty në emigracion, konkretisht në vendet skandinave, të silleshin me shqiptarët përsëri si pushtues, si okupues të gjuhës, kulturës, traditave, besimeve. Këtu, shkëlqyen në Suedi burra si Begzad Beqiri, Sadulla Zendeli-Daja, Faredin Isai, Bedri Paci, Osman Ahmetgjekaj, Fetah Bahtiri, Ramadan Rexhepi-Osmani, Nimet Nesim, Ahmet Bella, Remzi Rashidi, Bajram Maloku, Hidajete Zhuta, Xhelal Ademi, Shpëtim Fida, Ismail Rugova, Ibrahim Egriu, Faruk Berisha, Kosovë Rezh Bala, Nuhi Fetiu, Mexhid Selmani… Dhe, siç shkruan z. Hysen Ibrahimi, më pas vijnë gjeneratat e viteve 90-të, ku dhe u themelua Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” – dega Suedi (LASH) ku kryetar i parë i saj u zgjodh Ramadan Shala dhe, pas gjashtë muajve, u zgjodh Bedri Paci.
- Hysen Ibrahimi vlerëson shumë kontributin e kolegëve: Muhamet Shatri, Ramadan Shala, Osman Ahmetgjekaj, Fetah Bahtiri, Beqir Sadiku, Nazmi Shabani, Shyqyri Abazi, Ilaz Bicaj, Kimete Miftari, Shpend Koleci, Samir Hajdari, Xhevat Topalli, Enver Sojeva, Ejup Ramadani, Shemsi Kahrimani…Ndërkaq, ai veçon punën profesionale në fushën e arsimit dhe mbështetjen e kontributin e veçantë të Ministrit të Arsimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës (në ekzil) Muhamet Bicaj, të Rexhep Osmanit, Meriman Braha e të tjerë. Duhet të nënvizojmë se në atë kohë, në të gjithë Suedinë vepronin në dobi të arsimit shqip edhe rreth 200 degë të këshillave të prindërve, shoqata kulturore shqiptare, punëtorë të arsimit në të gjithë nivelet.
Këto e të tjera që do të shkruajmë në vazhdim mendoj se e bëjnë këtë vepër, një dokument unik dhe historik për gjuhën shqipe në mërgatë. Ndërkaq, i jep rëndësi këtij vlerësimi edhe fakti se, gjithçka e realizuar, nuk ishte një punë e përciptë, por e mirë menduar, e koordinuar veçanërisht për programet dhe tekstet shkollore, edhe me Ministrinë e Arsimit të Suedisë, edhe me Ministrinë e Arsimit të Republikës së Shqipërisë.
Gjuha ruhet atje ku shkruhet
Në faktet dhe dokumentet në vazhdim, z. Hysen Ibrahimi, duke i qëndruar korrekt realitetit dhe historisë, përmend shumë emra mësuesish dhe atdhetarësh të shquar që nuk reshtën përpjekjet e tyre që të afirmojnë vlerat shqiptare, ndërkohë që u kujdesën që fëmijët doemos të mësonin shqipen, ta shkruanin dhe ta lexonin, dhe duke u nisur nga parimi se gjuha ruhet atje ku shkruhet, ata e konsideruan këtë pjesëmarrje dhe angazhim si një detyrë të shenjtë.
Duke folur në konferencën për arsimtarët e gjuhës amtare shqipe në Landskrona 11-12 maj 2006, “Miku i Madh i Shqiptarëve” Ullmar Qvick(Kvik), mes të tjerave shprehet: “Sot dihet se një përqindje e madhe nga shqiptarët në Suedi nuk do të kthehen në vendlindje. Të pranosh këtë fakt kërkon një realizëm të dhimbshëm. Të jesh mërgimtar do të thotë humbja e vazhdueshme e atdheut… Fati i mërgimtarit është të jetë i ndarë dysh. Nga ana tjetër përvoja dhe ndërgjegjja, të fituara me aq shumë mundim bile vuajtje, kanë vlerën e vetë, dhe kush e di, mërgimtari ndoshta mund të durojë furtunat e jetës më me lehtësi se vendasi?! Kurse, kur flet për gjuhën, ai nënvizon: “Shkencëtarët kanë dëshmuar se njohuria e mirë e gjuhës së prindërve është kyçi i mësimit të gjuhës së dytë, të tretë etj. Me fjale të tjera: Nëse themeli është i shëndosh, mund të ndërtohet shtëpia e njohurive për shkollën dhe për jetën”.
Duke u udhëhequr edhe nga këto koncepte shkencore, Shteti Suedez ndihmon dhe mbështet mërgimtarët, që fëmijët e tyre jo vetëm të mos e harrojnë gjuhën e vendit nga vijnë, por edhe ta mësojnë e përvetësojnë atë në baza shkencore, gjë që mund të bëhet vetëm në shkollë. Në këtë kuadër, janë emocionuese faqet e librit ku z. Hysen përshkruan përkushtimin e rrallë të kryetarit të LASH-it prof. Bedri Paci, i cili i mbështetur edhe nga të tjerë intelektualë dhe mësues atdhetarë që përmenden në këtë vepër, arriti të vendoste kontakte dhe marrëveshje të shkëlqyera me Entin e Lartë Shkollor, veçanërisht me zonjën Maj Beijer-Drejtoreshë e Entit të Lartë Shkollor në Ministrinë e Arsimit të Suedisë. Me emocion përshkruhet gjithashtu, shpërndarja e librave në të gjitha strehimoret dhe komunat, ku zhvillohej gjuha shqipe.
Siç është vënë në dukje, edhe nga artikuj të tjerë kushtuar kësaj vepre, autori krahas dokumentacionit të pasur faktik të z. Bedri Paci, është mbështetur edhe në Këshillat e Prindërve, te mësuesit e përkushtuar shqiptarë, që shpjegonin gjuhën shqipe, por edhe te komunitetet e bashkatdhetarëve, që ishin shumë të interesuar që fëmijët e tyre të mësonin doemos gjuhën shqipe, gjuhën e lashtë, gjuhën e prindërve, gjyshërve dhe stërgjyshërve brez pas brezi të tokës dardane ilire.
Nga libri “Ju dua më shumë se veten!”(botuar në 2015)që ia kam kushtuar leksikografit, poetit dhe atdhetarit Sadulla Zendeli-Daja, rikujtoj gjithnjë ato që më ka treguar vetë Sadulla Zendeli-Daja, për hapjen e shkollës së parë shqipe në qytetin Nybro të Suedisë. Edhe z. Hysen Ibrahimi i ka marrë intervistë direkt Dajës dhe, ja se si e shpjegon ai atë ngjarje të madhe: “Në Nybro, – nis Daja,-shkollë shqipe të regjistruar nuk kishte. Fatkeqësisht fëmijët shqiptarë ishin të regjistruar në shkolla të ashtuquajtura shkolla serbo-kroate, ku merrnin pjesë fëmijët e nacionaliteteve: serb, kroat, maqedon, bosan etj. Në këtë vend pashë se shpirti i bashkatdhetarëve ish i etur për gjuhën dhe kulturën e tij të trashëguar brez pas brezi nga të parët tanë. Atëherë zgjodha nga bashkatdhetarët tre persona, që do të kërkonin hapjen e shkollës shqipe në qytetin Nybro, dy persona në qytetin Emmaboda, dhe dy persona të tjerë në qytetin Kalmar. Në Nybro kish më shumë nxënës shqiptarë që merrnin pjesë në shkollën jugosllave. Pas bisedës me Drejtorin e Seksionit të Arsimit në Nybro zotin Harald Magnusson, ai ra dakord që katër drejtorët e shkollave nëntëvjeçare të mblidheshin në klasën e arsimtarit serb dhe të bisedohej me nxënësit shqiptarë sa e zotëronin gjuhën serbokroate dhe atë shqipe. Në këtë mbledhje duhej të merrja pjesë edhe unë.
Filloi mbledhja në prezencën e nxënësve të shkollës jugosllave, ku merrnin pjesë tetë nxënës shqiptarë.
Zoti Harald Magnusson urdhëroi arsimtarin e gjuhës serbokroate të bisedonte dhe të pyeste fëmijët shqiptarë: Sa ata dinin gjuhën serbokroate dhe sa atë shqipe?
Arsimtari serb pyeti një nxënës shqiptar:
“-Kakosi ljepi Lulzime!” (Si je, bukurosh Lulzim!).
Përgjigja ishte:
– “Nuk di!”-u përgjigj ai shqip
Pyeti edhe një vajzë, edha ajo tha: “-Nuk di”.
Arsimtari serb i tha drejtorit se këta nxënës vijnë nga Kosova dhe kanë një dialekt tjetër të serbokroatishtes, kurse ne i kemi në klasë që tua mësojmë gjuhën letrare serbokroate.
Unë rrija i qetë, sepse i njihja mashtrimet e serbëve. Fëmijët që ishin nxënës në atë klasë, ishin bijë emigrantësh të ardhur nga Struga, Ohri, Gostivari, Tetova dhe Kosova.
Drejtori Harald Magnusson m`u drejtua mua:
-Ju zoti bibliotekist, bisedoni shqip me fëmijët shqiptarë!
Shihja gjatë gjithë kohës fëmijët në klasë se si reagonin dhe iu drejtova me një përplasje duarsh që t`i zgjojë se m`u dukën sikur flinin në mendimet e tyre fëmijërore.
Të gjithë drejtuan vështrimet nga unë.
– “Unë jam shqiptar dhe flas shqip. Nëna ime e ka emrin Kadime, motra ime e ka emrin Lindita, gjyshi im e ka emrin Zenel Gurra. Unë njoh baballarët dhe nënat tuaja, Adilin, Isenin, Qenanin, Ramizin, Hamitin, Selajdinin, Nurjetin… A më kuptoni mua, se ju kështu bisedoni në shtëpi gjuhën shqipe! Ju e keni parë flamurin shqiptar me shqiponjën dykrenore?
-Po! Po! Edhe ne kështu folim në shtëpi, – tha një vajzë. – Atje larg, ku ne e kemi shtëpinë te gjyshi e gjyshja, na ka lindur një motër e vogël, por ata nuk na lënë që ajo ta ketë emrin Liridonë.
Me fjalët e kësaj vajze, m’u duk sikur armiku qet me armë zjarri e unë nuk kam dhimbje, por një dëshpërim që më nxiste të qajë…
-Dilni, ecni këtu, këtu afër meje, t’u shoh, se qenki shumë të mirë!
Tetë nxënësit dolën nga bankat, m`u afruan dhe filluan të më kapnin për duarsh. Aq rëndësi kisha, aq shtypje në shpirt, sa nuk më ra pika e gjakut në tru a zemër e të piskas si i çmendur.
Drejtori Harald Magnusson, duke iu drejtua arsimtarit serb, ngriti dorën, tregoi me gisht dhe i tha:
“-Prej nesër fëmijët shqiptarë nuk do të vazhdojnë në klasën serbokroate. Ata do të kenë shkollën e vet shqipe, gjuhën që e flasin në shtëpi”.
Dolëm në korridor, ku ndodheshin gazetarët e gazetës “Brometern”.
Më 5 mars 1975 ata shkruan: “Ambitiös skolbibliotekari undervisa även i albanska” (Bibliotekisti ambicioz ligjëron edhe në gjuhën shqipe) 5 mars 1975. Shkolla shqipe u hap më vete me arsimtarin Sadulla Zendeli -Daja…”
Atë ditë, nga gëzimi, shqiptari Ali Zhuta theri demin e tij, për ta festuar hapjen e shkollës shqipe. Kurse, po ato ditë, Ambasada Jugosllave në Suedi, nëpërmjet ambasadorit të saj, e kërcënoi Sadulla Zendeli-Dajën, madje e privoi që, për 20 vjet, i ndalohej kthimi në vendlindje.
Natyrisht që raste, episode dhe ngjarje si ajo që përmenda më sipër, ka pasur shumë në ato kohë, ndaj dhe z. Hysen Ibrahimi jo vetëm vë theksin aty ku duhet, por edhe përgëzon, mbështet dhe u shpreh mirënjohje të thellë këtyre luftëtarëve të arsimit shqip, që nisur nga ndjenja të larta atdhetare, kanë sakrifikuar që fëmijët e mërgimtarëve të arsimohen doemos në gjuhën shqipe. Duke qenë se edhe vet autori i këtij libri ka qenë në ballë të këtyre përpjekjeve, ai i ka dhënë më shumë jetë dhe gjallëri librit, duke përshkruar edhe veprimtarinë e tij si Kryetar i Këshillit të Prindërve për komunën e Bastadit, që nga fillimi i mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Në këtë pozicion, ai ka mbledhur një material mjaft të çmuar dhe të hollësishëm, i cili i ka shërbyer edhe si nxitje dhe frymëzim për këtë libër me rrezatim të gjerë kombëtar.
Ndërkaq, mësojmë se shqiptarët nga Kosova kanë ardhur në Suedi në fillimin e viteve 60 dhe ishte një numër shumë i vogël, kurse ka pasur shqiptarë nga Shqipëria me një numër simbolik e që kanë ardhur në Suedi menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore (1945-46). Grupet e shqiptarëve ardhur nga Kosova ishin ata të viteve 60-të, kurse grupi i dytë, ishin të ardhur të viteve 1970 e më shumë pas vitit 1981, gjatë dhe pas demonstratave që nisën në Kosovë. Ata të gjithë kishin kërkuar strehim politik dhe ishin pranuar nga shteti suedez.
Dokumentet faktike në libër janë të shumta, të larmishme dhe njëra më interesante se tjetra, por unë po përmend këtu Lajmin e madh se shkolla e parë shqipe në Suedi u hap në vjeshtën e vitit 1968 në Malmö, duke vazhduar me mësuesit e shquar të shqipes Bejzat Beqiri, Faredin Isai; Sadulla Zendeli-Daja( në Nybro, Emmaboda, Kalmar -1975), të cilët iu kundërvunë makinerisë sllave, demaskuan pretendimet e tyre raciste dhe ishin model të organizimit të mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Përshkruhet në libër me shumë emocion drejtori i shkollës suedeze Karlec Ejderbrand, i cili udhëhiqej nga parimi që: “Unë çdo ditë, kur zgjohem në mëngjes, i lutem Zotit të më mundësojë të bëj ndonjë vepër të mirë, ky është qëllimi dhe dëshira ime”.
Dokumentet origjinale kanë vlerën e xhevahireve
Një përshtypje të veçantë më kanë bërë në këtë libër dokumentet dhe “procesverbalet origjinale të Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri”, dega Suedi, shumica e të cilave të mbajtura me kujdes të madh nga prof. Osman Ahmetgjekaj, i cili me këtë vëmendje dhe përkujdesje të veçantë ka dhënë një kontribut mjaft të çmuar për dokumentimin e arsimit shqip në Suedi. Ato janë procesverbale të takimeve e mbledhjeve, vendimeve që janë marrë, thirrjeve që janë bërë, urimeve që u janë shprehur mësuesve, nxënësve dhe prindërve, vendime të ndryshme, vërtetime, lista me emra mësuesish, nxënësish, emra të prindërve donatorë për shkollën, vlerësime: fleta nderi dhe dekorime, dokumente që shprehin falënderime dhe respekt ndaj Shtetit Suedez, që është kujdesur të plotësojë çdo kërkesë të Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë. Duket se, duar të shkathëta dhe të kujdesshme, nuk kanë lënë asgjë pa shënuar e shprehur, dhe mendoj se ia ka vlejtur. Edhe ne sot, edhe brezat që do të vijnë, do të mësojnë saktë dhe deri me hollësi përpjekjet e paraardhësve të tyre atdhetarë për të ruajtur dhe programuar gjuhën shqipe në shkollat suedeze, që ajo të përdoret gjerësisht, edhe e folur, edhe e shkruar, të mos harrohet por t`u trashëgohet brezave…Teksa lexoj dhe rilexoj këto procesverbale dhe dokumente autentike, i japë edhe një herë të drejtë dhe mbështes plotësisht redaktorin e librit z. Paci, i cili e quan magji këtë praktikë që i jep shumë vlerë, vërtetësi dhe bukuri këtij libri të çmuar. Nëpërmjet tyre pasqyrohet përkushtimi i madh, sakrificat dhe lufta e pandërprerë që fëmijët doemos të mësojnë gjuhën shqipe. Ndaj dhe me të drejt z.Ibrahimi vlerëson një për një me emra kontribuuesit dhe atdhetarët e mëdhenj, që me përkushtim të plotë iu janë gjendur shkollimit dhe arsimimi të fëmijëve shqiptarë në Suedi e tërë Skandinavinë. Autori i ka fotokopjuar shumë prej këtyre dokumenteve e fotografive origjinale pa asnjë retush dhe lexuesi mund t`i shohë ato qartë si në formë dhe në përmbajtje, duke mësuar nëpërmjet tyre, kohën kur janë shkruar, kush i ka shkruar, kujt i janë dërguar, kulturën e të shkruarit dhe dinjitetin e mësuesve, atdhetarëve dhe intelektualëve që përbënin LASH. Por mëson realisht sesi këta intelektualë, nuk e gjetën asgjë shtruar, por gjithçka e krijuan me punë dhe vendosmëri, jeta duhej jetuar me dinjitet. Doemos që lexuesi emocionohet kur ndjek rrëfimin e sinqertë të z.Paci: “Këtu u vendosa, bleva një tokë dhe ndërtova shtëpinë. U mirëprita shumë mirë nga vendasit, suedezët, që po ashtu si unë, në këtë pjesë veriperëndimore të komunës së Vellinges, në V. Ingelstad, ku edhe 40 familje të tjera kishin blerë tokë. Ishim të gjithë të rinj dhe unë ndjeva një ngrohtësi, një afrim gjatë tërë kohës, pa vërejtur asnjë dallim se isha i huaj…”
Motive të fuqishme që kanë në themel atdhetarizmin
Libri krijon emocion në çdo kapitull të tij, lexuesit i mbetet në mendje dashuria e shqiptarëve për gjuhën e bukur shqipe, për arsimimin e fëmijëve, gjithnjë duke ngulmuar se “Ku ka familje shqiptare, organizohet shkolla shqipe” dhe, se “Lufta për gjuhën amtare-detyrë e shenjtë e çdo mërgimtari.”
Autori tregon kurdoherë, me korrektesë mbështetjen e madhe të Shtetit Suedez, siç është për shembull rasti me Entin e Lartë Shkollor të Suedisë për botimin e herëpashershëm të teksteve shkollore në gjuhën shqipe, por dhe mbështetjen e shumë e shumë intelektualëve dhe zyrtarëve të tjerë suedezë, që përmenden në librin e z. Ibrahimi, të cilët, meritojnë respekt dhe mirënjohje të thellë për gjithçka kanë bërë në mbështetje të mërgimtarëve shqiptarë dhe fëmijëve të tyre. Natyrisht që, me modestinë e tyre, këta njerëz human dhe të zotë, kur i vlerëson, buzëqeshin me dashamirësi dhe tërë respekt të sjellin në bisedë Nënë Terezën, si të duan të na thonë: “Ju jeni një komb i madh dhe i shquar, sepse nga gjiri i popullit tuaj keni nxjerrë një grua madhështore:NËNË TEREZËN, NOBELISTE dhe SHENJTORE, nga e cila, sot mëson dhe frymëzohet e gjithë bota”. Ndërsa, sa kam parë në shkollën “Fjardingskolan” të qytetit të Boråsit, ku punon mësues, poeti, përkthyesi dhe atdhetari Sokol Demaku, dhe ku mësojnë edhe shumë fëmijë shqiptarë, rektori i asaj shkolle, suedezi Per Kettisen mban me respekt dhe krenari në zyrën e tij një bust të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ai dhe mësueset suedeze Annette Ekelund dhe Sonja Persson, tregoheshin të interesuar që nxënësit shqiptarë të kishin për lexim edhe libra për fëmijë në gjuhën shqipe, por edhe ngulmuan për ndonjë përkthim të veçantë nga shqipja në suedisht, që nxënësit ta lexonin librin edhe shqip, edhe suedisht. Kurse, me nismën e Sokol Demakut dhe mbështetjen e drejtorisë së shkollës “Fjardingskolan”, si dhe komunës së Borasit, u arrit binjakëzimi i shkollës “Fjardingskolan” me shkollën “Demokracia” të qytetit të Durrësit në Shqipëri, që u pasua me veprimtari të shumta arsimore e kulturore disa vjeçare, si dhe këmbim përvojash.
Teksa shkruaj këto radhë për mësimin e gjuhës shqipe në emigracion, sjellë në kujtesë një thënie të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare:“Shqiptarët janë krijuesit dhe bartësit e një prej gjuhëve themelore të njerëzimit. Gjuha jonë vazhdon ta ketë vendin e saj të paluajtshëm midis dhjetë gjuhëve më kryesore të botës.”
Mendoj se me të drejtë Z.Ibrahimi, nënvizon që: “Të drejtat e pakicave kombëtare në Suedi janë model për botën perëndimore, sidomos në arsim”, ndërkohë që “Shteti i Suedisë e kishte të rregulluar me ligj mësimin plotësues të gjuhës amtare për secilin komunitet”. Ndaj ai vlerëson dhe falënderon shoqërinë dhe Shtetin Suedez, të cilët me koncepte tërësisht demokratike dhe me respektimin e të drejtave të emigrantëve për t`u arsimuar në gjuhën e tyre, për të folur dhe shkruar, mbështetnin gjerësisht nismat e atdhetarëve shqiptarë. Kështu, duke iu referuar librit, del se në vitet 1992/93 numri i nxënësve shqiptarë ishte 10 mijë. Midis dokumenteve të shumtë, po zgjedh të citoj një shkresë që i dërgon arsimtarëve kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë prof. Bedri Paci dhe kryetari i Këshillit pedagogjik Prof. Ibrahim Egriu, të cilët, ndër të tjera shkruajnë: “Meqenëse po afron mbarimi i vitit shkollor 1994/1995, njëherit ju përshëndesim dhe ju urojmë për punën tuaj fisnike, morale dhe atdhedashëse. Të arsimosh fëmijët në gjuhën amtare është një punë e shenjtë. Ju arsimtarë të nderuar, keni dhënë dhe po jepni një kontribut fisnik, human dhe atdhedashës, në mbajtjen e kultivimin e gjuhës amtare. Për këtë ju nderoni veten tuaj dhe kombin që i përkisni, të jeni krenar për angazhimin tuaj.”
Madje, me nismën e atdhetarëve shqiptarë dhe mbështetjen e vendasve suedezë, u arrit që “Kudo ku ka familje shqiptare-organizohet shkolla shqipe.” dhe në vijim të kësaj rruge, shkruhet se “Enti i Lartë Shkollor i Suedisë për sivjet ka botuar 50 mijë ekzemplarë tekste shkollore në gjuhën shqipe.”(Ky lajm është i muajit shtator të vitit 1995).
Entuziazmohemi me seriozitetin dhe përkushtimin e madh atdhetarë të mësuesve shqiptarë, të cilët edhe në kushtet e emigracionit organizonin deri kuvende, konferenca shkencore, seminare, takime të rëndësishme etj, gjithnjë në dobi të arsimimit të fëmijëve shqiptarë. I tillë është edhe Kuvendi i katërt i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri” dega Suedi, mbajtur në Jönköping, më 28 tetor të vitit 1995, ku u vlerësua puna e madhe atdhetare e mësuesve shqiptarë për arsimimin e fëmijëve dhe detyrat për të ardhmen. Në vazhdim u mbajt edhe Kuvendi i pestë zgjedhor i LASH-it dhe, më pas, të tjerë kuvende, takime, seminare përgjithësuese, si dhe të tjera veprimtari dobiprurëse për arsimimin e fëmijëve të mërgimtarëve shqiptarë. Në këto veprimtari, siç dokumentohet në libër, kanë qenë të ftuar dhe kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë, specialistë dhe studiues të arsimit, jo vetëm nga Suedia, por edhe nga Kosova dhe Shqipëria, duke dhënë edhe ata ndihmesën e tyre të vyer për ecjen gjithnjë përpara dhe pa pengesa të arsimit shqip në Suedi.
Po aq interesante janënë këtë libër edhe korrespondencat mes intelektualëve shqiptarë apo dhe institucioneve arsimore suedeze, kur vihen në dijeni shkollat, mësuesit, prindërit për Plan-Programet e shkollave dhe Këshillat Pedagogjike, për librat e botuar në shërbim të mësimit të gjuhës shqipe, fjalorët dhe doracakët e përvojave që ndihmonin punën e mësuesve, ftesat, thirrjet për takime, mbledhje dhe kuvende, raporte, informacione, lista me emra mësuesish dhe nxënësish, skenarë shfaqjesh artistike dhe kulturore, letra dhe kartolina urimi për festat kombëtare… Emocionuese shfaqet në një kopertinë një vajzë e vogël që qëndis flamurin kombëtar dhe që shoqërohet me tekstin:“Të gjithë shqiptarëve kudo që janë, “Doruntina” ua uron 28 Nëntorin-Ditën e Flamurit.”
Vend të dukshëm zënë në këtë libër veprimet aktive të intelektualëve dhe luftëtarëve atdhetarë shqiptarë për mbështetjen e Luftës Çlirimtare për pavarësinë e Kosovës, kontributet dhe veprimtaritë e tyre aktive në tubime dhe demonstrata, në thirrje dhe protesta për sensibilizimin e opinionit suedez dhe atij botëror, duke treguar me fakte dhe argumente sesa e drejtë ishte ajo luftë çlirimtare që, Kosova, më në fund të shkëputej nga vargonjtë e okupatorëve serb-sllav dhe të fitonte dhe ajo mëvetësinë dhe lirinë si të gjithë kombet e përparuara dhe të qytetëruara të Europës dhe të botës. Janë këto faqe plot ndjenjë dhe emocion, të dokumentuara dhe të shkruara me gjuhë të qartë e frymëzuese, ashtu siç zhvillohej dhe vet veprimtaria e shqiptarëve atdhetarë në Suedi.
Hysen Ibrahimi, lider aktiv i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” të Suedisë.
Edhe herë të tjera kam shkruar për Hysen Ibrahimin, po kur e shoh në lëvizje të vazhdueshme në të gjithë trojet shqiptare dhe në mërgatë, nuk mund të rri pa shprehur mendimin tim të ngulitur thellësisht në kokë se, ai, është një lider aktiv i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” të Suedisë. Së bashku me anëtarë të kryesisë, ai, pa u lodhur dhe pa u tërhequr nga vështirësitë, organizon veprimtari të vazhdueshme promovuese, veçanërisht për propagandimin e “Thesarit Kombëtar”, i cili është i botuar deri në numrin 9 dhe vijon në numrin 10 e në vazhdim.
Veprimtaritë që ai drejton fokusojnë edhe shumë aspekte të tjera të jetës së shqiptarëve. Ata promovojnë libra, organizojnë veprimtari të traditës, kulturore dhe artistike, festivale dhe konkurse, takime, kuvende dhe konferenca, nderojnë dëshmorët dhe veteranët e arsimit, u qëndrojnë pranë shpirtërisht familjeve të tyre, krijojnë dhe vendosin lidhje e bashkëpunime me shoqata dhe organizata të tjera simotra, bëjnë plane dhe marrëveshje kulturore dhe arsimore me institucione shtetërore në Suedi, Kosovë, Shqipëri, duke i shërbyer afirmimit të vlerave kombëtare shqiptare, ngjarjeve të mëdha dhe aspekteve humane që preokupojnë shqiptarët në Suedi dhe më gjerë.
Si dhe vepra të tjera të z. Hysen Ibrahimi, edhe Vepra 2, do t`i tregojë kohëve përpjekjet e mëdha, të mundimshme dhe të jashtëzakonshme, që kanë kryer mësuesit shqiptarë, që edhe në kushte të emigracionit, kanë bërë ç`është e mundur që gjuha jonë e shenjtë të zërë vendin që i takon, të gjallërohet dhe të zhvillohet, e mbi të gjitha të ruhet e trashëgohet nga një brez tek tjetri si një gjerdan margaritarësh të vyer. Mendoj se kjo vepër e z. Hysen Ibrahimi, si dhe shumë vepra të tjera të tij, ashtu dhe veprimtaritë e shumta dobiprurëse, do të shërbejnë edhe si një HISTORIK i drejtpërdrejtë i arsimit shqip në Suedi.
Mirënjohje popullore “kalorësve” të arsimit shqip në mërgatë
Duke u shprehur për gjuhën shqipe dhe arsimin në mërgatë, doemos që na vijnë ndërmend rilindësit tanë, dhe, me sa po shohim, ato çfarë bëjnë sot atdhetarët shqiptarë, sigurisht në kushtet të tjera, përafrohen me ato punë të mira dhe përpjekje që bënin ata, atëherë, veçanërisht për rruajtjen, përhapjen dhe konsolidimin e gjuhës së bukur shqipe, për transmetimin e traditave më të mira të popullit tonë te brezat e rinj. Rilindësit, atëherë, ngritën lart frymën e dashurisë dhe të ndërgjegjes kombëtare, përgatitën shpirtërisht dhe diturisht popullin shqiptarë për çlirimin nga okupacioni i rëndë osman, e njëherazi mbrojtjen nga copëtimi dhe babëzia e fqinjëve lakmitarë. Ata ngritën peshë në këmbë kombin shqiptar me vargjet e “Himnit të Flamurit”, që fillojnë me strofën: “Rreth flamurit të përbashkuar,/Me një dëshirë me një qëllim,/Të gjithë Atij duke u betuar,/Të lidhim besën për shpëtim.” Dhe që përfundojnë me strofën: “Se Zoti vet e tha me gojë,/Që kombe shuhen përmbi dhe`,/Po Shqipëria do të rrojë,/Për të, për të luftojmë ne.”
Në këtë hapësirë dhe në këtë mision të madh historik të rilindësve, pa dyshim që mbeten kurdoherë të ndritshëm ata që sakrifikuan aq shumë: Naum Veqilharxhi, Jeronim De Rada, Konstandin Kristoforidhi, Pashko Vasa, Hasan Tahsini, Ismail Qemaili, Zef Jubani, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, Naim Frashëri, Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni), Pashko Vasa, Gavrill Dara (i riu vazhdues i traditave atdhetare të babait dhe gjyshit), Luigj Gurakuqi, Nikolla Naco, Zef Serembe, Ndre Mjeda, Mihal Grameno, Cerciz Topulli, Risto Siliqi, Andon Zako Cajupi, Teodor Haxh Filipi (Dhaskal Todri), Zef Skiroi, Thimi Mitko, Elena Gjika (Dora d`Istria), Gjergj Fishta, Fan Noli, Faik Konica, Parashqevi, Gjerasim dhe Sevasti Qiriazi, Petro Nini Luarasi, Iliaz Pashë Dibra, Ali Pashë Gucia, Sheh Mustafa Tetova, Ymer Prizreni, Sulejman Vokshi, Jani Vreto, Zija Prishtina, Mehmet Ali Vrioni, Haxhi Zeka, Idriz Seferi, Isa Boletini, Ded Gjo Luli…Mundi i tyre u shpërblye me lirinë dhe pavarësinë e fituar më 28 Nëntor të vitit 1912, por ata krijuan një literaturë të jashtëzakonshme dijesh dhe kulture, ku i tregonin popullit vendin që zinte në historinë e kombeve, lashtësinë, traditat, përfaqësuesit e mëdhenj të betejave të dijes, të kulturës dhe qytetërimit, ata u treguan shqiptarëve lashtësinë e gjuhës së ëmbël shqipe, e vlerësuan dhe i kënduan asaj, e lartësuan dhe e vendosën në piedestalin më të lartë dhe të meritueshëm. Vlerat e rilindësve janë të jashtëzakonshme në të gjitha drejtimet. Përveç të tjerash ata përgatitën dhe nxorën nga arkivat e historisë një literaturë të madhe, që si projektor i fuqishëm drite ndriçonte errësirën dhe tregonte rrugën e dijes dhe përparimit, duke shkundur prapambetjen dhe pluhurin e harresës, duke rigjallëruar jetën e kombit dhe kujtesën historike, ata çelën shtëpi botuese, nxorën gazeta dhe revista, botuan libra dhe vepra të tjera arti, shkruan për shkencën dhe arritjet intelektuale të një populli të pamposhtur në shekuj, që bashkë me pushkën për mbrojtjen e atdheut, mbante dhe penën e ndritur, që zgjonte ëndrra dhe përfytyrime, që nxiste fëmijët, të rinjtë e gjithë popullin për arritje gjithnjë e më të mëdha. Me punë titanike ata gjallëruan jetën, duke rinxjerrë në skenë ilirët e lashtë, nxorën në dritë përfaqësuesit e mëdhenj të të parëve tanë, por i kujtuan popullit edhe të kaluarën e afërt: Epokën Historike dhe Legjendare të Gjergj Kastriotit Skënderbeut…Ata shkruan Himnin e Flamurit, vunë bazat e shkrimit të shqipes nëpërmjet Abetareve dhe tubimeve të mëdha shkencore dhe gjuhësore me jehonë të madhe, shkruan libra dhe fjalorë, e bënë të njohur kombin tonë në botë me diplomatët e tyre të talentuar. Ata shtruan trasenë e një rruge të ndritshme që fton edhe sot këdo që dëshiron të ecë në ato gjurmë dhe të kontribuoj për Kombin.
Faktet dhe eksperiencat po tregojnë se në atë rrugëtë ndritshme po ecin dhe mërgimtarët tanë, atje ku jetojnë dhe punojnë në të gjithë vendet e botës. Të mbështetur nga shtete të përparuara e demokratike, ata kanë ngritur Shoqata Shkrimtarësh dhe Artistësh, botojnë libra dhe revista, gazeta dhe vepra arti, ata kanë çelur portale me nivel të lart shkrimor, ku shqiptarët e shpërndarë nëpër botë bashkohen intelektualisht dhe shprehin fjalën e lirë, idetë, mendimet dhe eksperiencat e tyre, por ata angazhohen dhe ndihmojnë në forcimin e lidhjeve rreth një boshti të madh kombëtar. Ka midis tyre poetë, prozatorë, publicistë, kritikë, studiues, botues, kompozitorë, këngëtarë, piktorë, skulptorë, ilustrues, valltarë, kërcimtarë, instrumentistë, historianë, gjeografë, inxhinierë të fushave të ndryshme, mjekë, shkencëtarë, krijues të zhanreve të ndryshme, të cilët, të gjithë i bashkon Kombi, malli dhe dashuria për t`i qëndruar atij gjithnjë pranë, në jetën e tij, në hallet dhe problemet, në brengat dhe vështirësitë, duke ndihmuar secili me sa mundet. Me shembullin e tyre, ata nxitin mendimin e lirë, krijimtarinë letrare e artistike, zhanret e tjera të artit, shkencat, gjithnjë nëpërmjet edukimit të vlerave atdhetare, traditave të shkëlqyera të popullit tonë në shekuj, eksperiencave më të përparuara që njihen sot në botë. Duke u mbështetur në truallin nga ata vijnë, motivet e tyre krijuese janë tërësisht kombëtare, në to spikatin vlerat më të mira shqiptare në të gjitha fushat e jetës dhe të zhvillimit.
Historia nuk harron
Ndër këta njerëz me shumë vlera, them me bindje se është dhe autori i librit “Vepra 2 Arsimi Shqip në Suedi”, biri i Mitrovicës trime Hysen Ibrahimi, së bashku me shokët dhe kolegët e tij të shquar, anëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Papa Klementi XI Albani”, Suedi, i cili vepron dhe sakrifikon gjithnjë duke mbështetur në devizën e tij: “Vetëm duke i kufizuar dëshirat e tua, mund t`ua plotësosh dëshirat të tjerëve”.
Të gjitha sa shkruan z. Hysen Ibrahim në këtë vepër të re shkrimore, që bart vlera të mëdha, normalisht mund të realizoheshin nga institucione shtetërore, nga njerëz që paguheshin, nga zyrtarë, studiues dhe specialistë, përfaqësues shtetëror. Por, protagonistët e këtij libri, këta luftëtarë shpirtmëdhenj e zemër-bukur, nuk kanë kërkuar dhe nuk kërkojnë asgjë në këmbim, as pagë, as honorarë dhe as shpërblime të tjera për punët e kryera. Ata e kanë kryer gjithçka me vetëdije, me mendje dhe me zemër, të udhëhequr nga motive të mëdha dhe të fuqishme, që i frymëzon natyrshëm kombi i ynë i shenjtë. Ndaj, si një qytetar i Shqipërisë, kam dëshirën t`i quaj ata Rilindës Modern, bijë të denjë të popullit shqiptar. Historia dëshmon dhe nuk harron…
Komentet