Të njohim dhe të nderojmë personalitet tona
Ende pa nisur realizimin e këtij shkrimi nderimtarie për këtë personalitet himariot, na erdhën në kujtesë dy fjalë të urta popullore kuptimplotë në funksion të rubrikës: “Të njohim dhe të nderojmë personalitet tona”: “Dardha bie nën dardhë” dhe “Ku ka rrjedhë do pikojë”. Pse pikërisht këto shprehje? Po Shoqata Atdhetare – Kulturore “Labëria” – “Nderi i Kombit” vlerësoi prof. dr. Lekë Gjiknurin, (pas vdekjes), me titullin “Personalitet i Shquar i Labërisë”, për kontributet e tij të dukshme në arsimin kombëtar dhe veçanërisht për punën kërkimore-shkencore aq të devotshme, me vëzhgim me pjesëmarrje në terren ndër hapësirat tokësore ujore/ lumore e detare të Shqipërisë e veçanërisht të krahinës së madhe etnografike të Labërisë, jo vetëm në shërbim të mjedisit gjeografik të pastër e të virgjër, me florë e faunë të shëndetshme e të begatë. Shoqata “Labëria” ka atdhetarizmin si lajtmotiv, por me një mjedis të ndotur, pa dashuri për mjedisin, nuk mund të kesh dashuri për Atdheun. Pa ruajtur mjedisin të pastër nuk je atdhetar i kulluar.
Parë në këtë rrafsh, data e 4 prillit 2021 do të shënohet në kalendarin e Historikut të Shoqatës “Labëria” si dita e Profesor Lekë Gjiknurit. Vlerësimi ekologjik që ai i ka bërë zonës bregdetare të Vlorës e Himarës është një pasuri orientuese jo vetëm për studiuesit e fushës, amatorët, por edhe për banorët e Vlorës e Labërisë, që ta duan, ta mbajnë dhe ta ruajnë të pastër e të pasur shtëpinë e tyre, mjedisin ku jetojnë, veprojnë e punojnë.
Veprimtaria e nderimit të prof. Lekës u zhvillua në qytetin bregdetar të Vlorës, ku morën pjesë figura të shquara të shkencës dhe mjedisit, pedagogë të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, mësues dhe veprimtarë shoqërorë.
Lekë Gjiknuri lindi më 18 gusht 1938 në një familje atdhetare, arsimdashëse dhe mësimdhënëse në Kudhës të Himarës. Babai i tij, Panajot Gjiknuri ishte emërdëgjuar në arsimin shqip në prefekturën e Vlorës, sepse ai ka qenë nga themeluesit dhe mësuesit e parë të shkollës shqipe në krahinën e Himarës. Ai qe dhe një thesar për shprehjet e vjetra dhe fjalët e urta popullore, njeri me integritet dhe burrë patriot i Bregut. Edhe i biri, Leka vijoi udhën e tij në kohë të reja me profil të lartë. Edhe pse jetoi pak, punoi dhe veproi shumë në dobi dhe në të mirë të vendit, sidomos të ruajtjes dhe mbrojtjes së mjedisit natyror. Në tetor 2001, pas një sëmundjeje të rëndë dhe të pashërueshme, iku në përjetësi në moshën 63-vjeçare, ende shumë shpejt, duke lënë pas një arsenal të pasur shkencor, që nuk mundi vetëm fizikisht ta vinte në jetë shërbimin e kësaj trashëgimie diturore në funksion të vendit. Leka, pasi kreu arsimin fillor në vendlindje dhe arsimin e mesëm në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë, në vitin 1957 filloi studimet e larta për biologji në Sofje, të cilat i përfundoi më vitin 1962 në Universitetin e Tiranës në degën Biologji-Kimi. Mbështetur në përgatitjen dhe rezultatet me të cilat përfundoi studimet universitare, qysh prej vitit 1962 u emërua asistent dhe më pas pedagog në Katedrën e Zoologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës (FSHN), ku me ndonjë ndërprerje të vogël, punoi deri në fund të jetës (2001). Në vitin 1981 fitoi gradën shkencore “Kandidat i shkencave” e më pas “Doktor”. Në vitin 1985 merr titullin “Docent” dhe në vitin 1994 titullin akademik “Profesor”. Duke qenë pedagog dhe shef i kabinetit të Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës për një kohë të gjatë, ish-studentët e tij, kolegët dhe miqtë e kërkimit shkencor pohojnë se ai ishte një shkencëtar i fushës dhe luftëtar me shpirt për mbrojtjen e mjedisit.
Prof. Lekë Gjiknuri ishte dhe ngelet në Kujtesën Universitare dhe në Krenarinë e Dritës një shkencëtar i formatuar, pedagog i talentuar dhe qytetar aktiv në mbrojtjen e mjedisit. Atij i shkon shprehja: “Njeriu mund të rrojë gjatë apo shkurt. Rëndësi ka çfarë ka lënë mbrapa përveç nostalgjisë tek familjarët, të afërmit dhe miqtë”. Ai la vepër të madhe, e cila shpërblehet me paharrimin dhe nderimin e merituar, ndoshta dhe të vonuar.
Dëshiroj të përçoj tek lexuesi disa mesazhe që na bëjnë më të mirë në rrafshin e kulturës dhe respektit qytetar:
- Lekë Panajot Gjiknuri ishte dhe mbetet dritan i bukur atdhetar.
Kështu duhet të jetë mësuesi, pedagogu, shkencëtari, kuadri, çdo profesionist që ka mundësi të bëjë mirë dhe ndjen përgjegjësi për përparimin e vendit tonë dhe dritërimin e Atdheut. Prof. Leka ishte dritan i diturisë, ishte i bukur në shpirt, në fizik, në vlera morale, i ndershëm dhe atdhetar i spikatur pashfaqshëm. Këtë e vërejtëm edhe tek filmi dokumentar “Lekë Gjiknuri, shkencëtari dhe luftëtari i mbrojtjes së mjedisit”, realizuar me aq dashuri humane, kulturë shkencore, profesionale dhe qytetare nga prof. Xhemal Mato, nën kujdesin e “Shoqatës për Ruajtjen e Mbrojtjen e Mjedisit Shqiptar” me gazetaren Jerida Sakaj, më dhjetor 2020. Ndershmërinë profesionale, virtytet njerëzore dhe vlerat shkencore të tij i dëgjuam në fjalët e bashkëshortes së tij Liri Gjiknuri, mbresat e kujtimet e kolegëve të tij, Profesorëve Ferdinand Bego, Dhimitër Haxhimihali, Spase Shumka, Aleko Miho e Jamarbër Malltezi. Këtë e vërejtëm edhe paraqitja që bëri mësuesi veteran Ahmet Demaj, kryetar i Shoqatës “Labëria” për degën e Vlorës apo tek fjalët e vlerta të Profesorëve Besnik Bare, Et’hem Ruka, Aleko Miho, Leonard Topuzi, Roland Zisi e Ago Nezha, si dhe i biri i Profesorit deputeti Damjan Gjiknuri.
Duke kërkuar në katalogun online të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, gjetëm 57 regjistrime bibliografike, nga të cilat 34 janë në bazën e të dhënave libra me tekste universitarë dhe monografi shkencore, ku ai shfaqet si autor apo bashkautor me emra të tillë si Luan Memushi, Ethem Ruka, Tefta Rexha, Zyri Bajrami, Kastriot Misja, Fotaq Lamani, Aleko Miho, Robert Papajani, Estef Haxhialushi etj. Për formimin shkencor dhe pedagogjik, aftësitë organizuese dhe ndjenjat patriotike prof. Gjiknuri u ngarkua me përgjegjësi dhe detyra të rëndësishme në fushën e arsimit, shkencës dhe ato shoqërore. Në vitin 1972 është nismëtar i Ekspeditave Studimore Nënujore. Është bashkautor i Atlasit të Biologjisë së Përgjithshme në dy vëllime (1979). Tekstet universitare të përgatitura prej tij janë kryesisht biologjikë, zoologjikë dhe hidrobiologjikë. Ai shquhej si një lektor i pasionuar, mjaft i qartë e konkret. Fillimisht u aktivizua në drejtimin e punëve praktike laboratorike në zoologji. Për herë të parë hartoi Praktikumin për pjesët e lëndës (viti 1974, 408 faqe), e cila çoi, padyshim, në përmirësim të dukshëm sasior e cilësor të punëve laboratorike. Atij iu besua drejtimi i zhvillimit të leksioneve në lëndën e Biologjisë së përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë. Së bashku me prof. Tefta Rexhën, me një punë këmbëngulëse, pasion e përkushtim, mbështetur në arritjet më të fundit, mundën jo vetëm të përgatitnin leksione të nivelit të lartë, por edhe të hartonin më pas tekstin mësiomor përkatës (535 faqe), i cili dallohet për informacionin dhe përmbajtjen bashkëkohore. Pas prof. Islam Zekos, duke qenë ndër më të përgatiturit dhe me eksperiencë në katedër, iu besua zhvillimi i lëndës së rëndësishme të Zoologjisë së Parruazorëve, ku mësimdhënia nga ana e tij dhe mësimnxënia nga studentët ishte në rritje të dukshme, cilësisht të ndjeshme. Kjo duket edhe në tekstin përkatës të hartuar prej tij, i cili ishte ndër më cilësorët e degës së biologjisë (viti 1994, 500 faqe), me informacion të zgjeruar bashkëkohor edhe i dalluar për trajtimin metodik, gjuhën e qartë dhe të pastër. Duhen faqe e faqe të tëra gazete të pasqyrosh jetëshkrimin shkencor të profesor Lekës në Universitet, punën e tij kërkimore-shkencore me mbi 20 publikime me vlera teorike dhe oraktike, të botuara brenda dhe jashtë vendit, të cilat përbëjnë një bazë për studimet e mëtejshme faunistike detare apo mbi 12 referate dhe kumtesa mbajtur në aktivitete shkencore ndërkombëtare (kongrese, konferenca) në Ballkan, Evropë e më gjerë. Autor i shumë artikujve shkencorë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaj, i monografive shkencore të fushës dhe teksteve të arsimit universitar, nismëtar dhe flamurtar i ekspeditave shkencore për botën nënujore të dy deteve tona dhe Mesdheut, duke u kujdesur shumë për statusin e specieve, Profesor Lekë Gjiknuri, në qenien e tij njerëzore mishëronte tre visare të larta, perla morale dhe intelektuale, që përfshihen në trinitetin: Atdheu, Dituria, Nderi.
Prej vitit 1982 e deri në në vitin 1990, ai ka drejtuar katedrën e Zoologjisë dhe për disa vite Këshillin Shkencor të Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Institutit të Peshkimit, Durrës. Ka qenë anëtar i Redaksisë së Buletin Shkencor të FSHN dhe i Redaksisë së Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (FESH).
Në vitin 1995 është zgjedhur anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe në vitin 1997 deputet në Kuvendin Popullor e njëkohësisht nënkryetar i Komisionit të Shëndetit e Mjedisit pranë tij. Aftësitë drejtuese të prof. Gjiknurit u shprehën shpesh edhe në drejtimin politik, si deputet ose këshillat në qytetin e Tiranës. Ai ishte patriot, jetonte me përparimet, hallet e shqetësimet e vendit të tij. Këto cilësi që e shoqëruan atë gjithmonë, u theksuan më shumë gjatë kohës si deputet. Duke shfrytëzuar shpesh forumet drejtuese, shohim shpesh përkushtimin e tij për zgjidhjen e shumë çështjeve të lidhura me mësimdhënienose mbrojtjen e mjedisit. Shpesh është dalluar tek ai shpirti i “rebelit”, i cili karakterizohej nga një kurajë e madhe për të kritikuar ndaj shqetësimeve të vërejtura. Bashkëkohësit mund të kujtojnë diskutimet nga tribuna parlamentare, ku spikatin debatet për vendosjen e paragrafëve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e burimeve natyrore në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, për hartimin dhe miratimin e shumë ligjeve të ndryshme mjedisore. E madhe ka qenë ndihmesa e dhënë, gjithashtu, në anëtarësimin e Shqipërisë në shumë Konventa Ndërkombëtare me karakter mjedisor. Në kujtesën e botës universitare, akademike dhe mjedisore, prof. Lekë Gjiknuri do të mbahet mend si pedagog i talentuar, shkencëtar i formuar, si patriot me kurajë për të thënë pa ndroje fjalën e duhur në çdo çast. Jo vetëm familjarët, kolegët, ish-studentët, por edhe shoqëria civile, patjetër Vlora dhe Labëria që e nderoi birin e saj është krenare dhe merr më shumë përgjegjësi tek kujton përpjekjet e tij për progresin e shkencës dhe mbrojtjen e mjedisit në Shqipëri. Ai la pas një trashëgimi të kurajos, urtësisë dhe integritetit çka përbëjnë një barrë të rëndë për t’u mbajtur nga të gjithë pasardhësit e qytetarët shqiptarë.
- Shoqëritë janë shtiza të qytetërimit
Gjatë kërkimit të burimeve referenciale për jetëshkrimin e profesor Gjiknurit, por edhe gjatë ligjëratave që mbajtën oratorët në veprimtarinë nderuese të Vlorës për Ikonën e Mjedisit të Pastër Shqiptar, na tërhoqi vëmendjen fakti që ai ka qenë edhe veprimtar i shquar shoqëror për mjedisin natyror të virgjër, duke u shfaqur vetevetiu një atdhetar natyral i kulluar. Prej vitit 1991, kur u krijua “Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri” (PPNEA=Protection and Preveservation of Natural Environment in Albania) ka qenë themeltar dhe, deri sa rrojti, drejtues i kësaj shoqërie qytetare të dobishme. Ai bëhet kështu një figurë e spikatur e lëvizjes mjedisore shqiptare. Përpjektjet për ruajtjen e mjedisit u bënë mbizotëruese për një periudhë të gjatë dhe shoqata fitoi shpejt edhe një reputacion të madh në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare. Shumë aktivitet me karakter ndërgjegjësimi informues, por edhe me karakter zbatues mjedisor, janë fryt i bashkëpunimit me fondacione ose shoqata joqeveritare fqinje ose më gjerë, në të cilat spikat figura e prof. Gjiknurit. Gjatë kësaj periudhe ai bëhet anëtar ose i deleguar në disa organizma ndërkombëtare mjedisore të dëgjuara si Ligatinat Ndërkombëtare (1991), në Komitetin e bentosit të CIESM (1992), EUCC (1993), GLOBE Europe (1998), MEDWET(1998). Viti 2021 shënon 30-vjetorin e themelimit të kësaj shoqërie shkencore e qytetare. Siç mund ta imagjinojmë, ka ekzistuar një kohë kur PPNEA ka qenë vetëm një lëvizje, e cila mblodhi njerëz të apasionuar për të ruajtur mjedisin natyror në Shqipëri. Fillesat e PPNEA i gjejmë në veprën e Profesorit të nderuar Lekë Gjiknuri, që integroi çështjet natyrore në mesin e diskutimeve publike në një kohë të vështirë tranzicioni, siç ishin fillimvitet ’90. Prof. Gjiknuri ishte njeri i jashtëzakonshëm, qyetar aktiv në mbrojte të mjedisit dhe një figurë me vlera publike. Çdo anëtar i këtij detashmenti shkencor e humano-natyror ka ndjekur e ndjek me devotshmëri shembullin që Profesori la pas, duke u përpjekur për të luftuar po njësoj si ai e për të arritur qëllimin përfundimtar të një harmonie të qëndrueshme midis shoqërisë njerëzore dhe mjedisit natyror.
Parë në rrafshin qytetar, kthehemi në kohë dhe kujtojmë rrënjët tona të dritës, shoqëritë shqiptare në kohën e Rilindjes Kombëtare, që nga vitet 30 të shek. XIX-1912, përpjekjet për organizimin e shoqërive kulturore dhe çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe, lëvizjet letrare dhe botimet shkencore, klubet kombëtare, çeljen e shkollave shqipe dhe përhapjen e mësimit shqip (ato që kërkonte koha për të fituar Pavarësisë e Shqipërisë. Kujtojmë ideologët e parë të lëvizjes kombbëtare Naum Veqilharxhi dhe Jeronim de Rada, Zef Jubanin e Thimi Mitkon, Kostandin Kristoforidhin e Hasan Tahsinin, Tre Vëllëzërit Frashëri e Jani Vreton, Elena Gjikën e Pashko Vasën, Asdrenin e Mjedën, Çajupin e Gjeçovin, Koto Hoxhin, Pandeli Sotirin e Petro Nini Luarasin e gjithë ata bij e bija të ndritura e shqiponja lirie që fluturuan për hapësira me dritë të Shqipërisë me Ismail Qemalin, Fan Nolin e “liberatorët” e Kombit. Kujtojmë shoqëritë që u bënë vatra të ndezjes së ideve kombëtare dhe përhapjes së tyre në mbrojtje të të drejtave të popullit shqiptar, prpogandimit të ideve çlirimtare dhe të mendimit të përparuar të kohës si “Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip” në Stamboll, “Bashkimi” “Agimi”, “Drita”/ “Dituria”, “Dëshira”, “Vëllazëria”, “Besa-Besën”, “Shoqëria e mësonjëtoreve shqiptare “Përparimi”, “Shoqëria e grave “Yll’ i mëngjesit”, “Shoqëria e Zezë për Shpëtim” etj. Edhe në krahinën e Vlorës, sidomos mbas shpalljes së Pavarësisë e para Luftës së Vlorës, për një organizim më të mirë të lëvizjen kombëtare u krijua shoqëria kombëtare e arsimtarëve, me mësues përparimtarë e aktivistë të shquar si Halim Xhelo, Naqe Konomi etj. Në vitin 1917 Halim Xhelo u caktua sekretar i krahinës së Mesaplikut dhe përfitoi nga rasti e situata për të krijuar një vit më vonë, më 1918 në Mesaplik shoqërinë “Shtizat e qytetërimit”, që prof. Bardhosh Gaçe e quan qeliza e parë e një shoqërie përparimtare me mësues të zonës, por që shoqëria pati shtrirje të gjerë dhe matanë Lumit të Vlorës, e cila para autoriteteve dhe censurës së kohës u propagandua si mbrojtëse dhe ndihmëse e arsimit të të varfërve dhe të vobektëve dhe u kundërshtua nga arsimtarët italianë. Pra, me gjithë ngjyrën e një organizate kulturore, Shoqëria “Shtizat e qytetërimit” zhvilloi një aktivitet të mirë politik e patriotik jo vetëm në krahinën e Vlorës, por edhe gjetkë. Veprimtaria e saj ra në sytë e pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, prandaj Halimi me shokë, sa për sy e faqe, bënë sikur e shpërndanë dhe në vend të saj krijuan në vitin 1919 në Brataj në organizatë të re që e quajtën “Mbrojtja shkollore”, fillimisht me rreth 30 arsimtarë atdhetarë, edhe nga Gjirokastra, Tepelena, Mallakastra, Kurveleshi etj., e cila merrej gjoja vetëm me veprimtari arsimore, por ajo u krijua “në mes të maleve të blerta për qëllimet e bashkimit e përparimit”…
- Mesazhi i mësueses time Liri Gjiknuri
Liri Gjiknuri është një pedagoge e nderuar për lëndën e matematikës, sot në pension. Ajo është dhe bashkudhëtarja e devotshme e familjes së Profesorit, që e kujton atë si bashkëshort shembullor, por njëkohësisht ka qenë edhe mbështetjsa e tij në punën e gjatë shkencore e shoqërore. Në vitet 1975-’79, fisnikja tërë nur Liri Gjiknuri më ka dhënë mësim në Tiranë. Ndoshta nga që mësuese Liria na e bënte matematikën tërheqëse dhe të bukur, mua më pëlqente “Mbretëresha e shkencave”, dhe merrja nota të mira në këtë lëndë, sa që mësuesja më aktivizonte me skuadrën e saj edhe në konkurset e ndryshme që zhvillonte në Tiranë klasa apo shkolla jonë me gjimnazet e tjera të kryeqytetit. Ajo na fliste me shumë admirim për profesor Lekën dhe na thoshte se, aq sa ishte i dashur dhe i pakursyer në dhënien e dijes, kur të jepte mësim aq ishte i rreptë dhe kërkues kur të pyeste për mësimin. Ai nuk lodhej duke bërë punë të diferencuar me studentët, ai ndjente kënaqësi kur ndihmonte studiuesit e rinj dhe vërente që ata do të ecnin. Ai që të falte aq shumë dashuri e dije, nuk mund të të toleronte dot kur nuk ishe i përgatitur për lëndën.
Një tjetër mesazh lexova nga kujtimet e mbresat e mësuese Lirisë. Ajo u shpreh: “Po, po, punonte, shkruante, hapte libra, studionte dhe në shtëpi punonte, sa dhe i ati i fliste: Si shumë u lodhe Lekë, mos puno kaq shumë!” dhe Leka ka punuar që nga viti 1961, që kur mbaroi e mori diplomën e deri në vitin 1994, kur ka marrë titullin “Profesor”, dmth, i thonë 35 vite punë që të marrësh një titull, kurse tani e marrin për katër, pesë vjet titullin profesor”…
35 vite pune për të marrë titullin “Profesor”! Në këtë gjendja, përvoja qytetare na këshillon të përdorim emërtimin e vogël të kartonit profesor dhe emërtimin e madh nderues Profesor. Komentet e tjera s’vlejnë.
Komentet