Disa burime kombëtare dhe ndërkombëtare lajmesh kanë njoftuar ditët e fundit për një takim në Tiranë që është jo aq i jashtzakonshëm sepse është hera e katërt që mbahet një takim i tillë ndërkombëtar mesdhetar – më heret takime të tilla janë mbajtur në Bari, në Firence dhe në Marseille – por ndoshta dallohet për nga përmbajtja, temat që po diskutohen dhe sidomos për nga pjesëmarrja. (#MED24Tirana –#med24tirana #tiranacity –Losservatore Romano, Vatican news, Radjo Vatikani e tjera).
Takimi MED24 i të rinjve nga disa shtete të Mesdheut, sipas lajmeve, nga Maroku, Algjeria, Tunizia, Egjipti, disa vende të Lindjes së Mesme, Turqia, Armenia, Gjorgjia, Rumania, Greqia, Kroacia, Kosova, Malta, Franca, Italia, Spanja dhe Shqipëria. Të rinj me përkatësi fetare e kulturore të ndryshme po diskutojnë dhe po reflektojnë (nga 15-21 shtator) mbi kulturën e dialogut, paqës dhe drejtësisë në të ardhmen, në vendet e brigjeve të Mesdheut – “Mare Nostrum”, por dhe Detit të Zi — me temën: “Shtegtarë të shpresës. Ndërtues të paqës”.
Duket se Shqipëria mund të jetë përzgjedhur për një takim të kësaj natyre si një vend që tani konsiderohet, botërisht, të pakën për nga bashkjetesa fetare, e njohur tanimë, në radhët e shqiptarëve, si një vend vlerash bashkjetese e tolerance fetare. Pritet që të rinjt nga vendet mesdhetare, gjatë qëndrimit të tyre në Tiranë e Shqipëri, të përjetojnë vlerat e diversitetit fetar dhe jetesës në paqë midis feve të ndryshme në trojet shqiptare. Përveç të rinjve nga këto vende të lartëpërmendura, thuhet se po marrin pjesë edhe ipeshkvinj të këtyre vendeve me qëllim që të inkurajohet dialogu dhe bashkpunimi midis udhëheqësve fetarë dhe përfaqësuesve të rinisë, të mbledhur këto ditë në Tiranë, nga vendet mesdhetare – për të folur mbi sfidat e përbashkëta por edhe mbi mundësitë për krijimin e një hapësire ose atmosfere për një kulturë më të madhe solidariteti midis tyre, me qëllim promovimin e paqës dhe shpresës në vendet që përfaqësohen në MED 24, në kryeqytetin e shqitarëve.
Njoftohet gjithashtu se përveç Tiranës, pjesmarrësit në MED24 do të vizitojnë edhe Shkodrën e Fierin, ku do të informohen për krimet e komunizmit kundër fesë dhe klerikëve, në përgjithsi, nga regjimi totalitar sllavo-bolshevik dhe do të takohen edhe me përfaqsues institucionesh të Shqipërisë, nga të cilët do të informohen edhe për rolin që luan Shqipëria në promovimin dhe ruajtjen e paqës në rajon dhe në Mesdhe.
Në takimin e vitit të kaluar (MED23) në Marsej të Francës, kishte marrë pjesë edhe Papa Françesku, por ndonëse ai gjëndet në vizitë në disa shtete të Azisë jugore, udhëheqsi i Kishës Katolike, iu dërgoi një video mesazh pjesmarrësve shqiptarë dhe të huaj në takimin MED24 në Tiranë, duke shënuar kështu edhe 10-vjetorin e vizitës së tij në Shqipëri – e para vizitë e tij në një vend evropian, si udhëheqsi shpirtëror i Kishës Universale Katolike. Papa Françesku iu drejtua pjesëmarrësve të takimit MED24 në Tiranë me temën “Shtegtarët e shpresës, Ndërtues të Paqës” –paqeja ndërtohet – indiferenca vret — me një videomesazh: Videomesazh i Papës për Med24 në Tiranë: paqja ndërtohet, indiferenca vret – Vatican News.
Takimi Med 24 në Tiranë po mbahet nën kujdesin e Sh.T Imzot Arjan Dodaj i Arkipeshkvisë Tiranë-Durrës
Foto galeri
Në fjalën e tij, Papa iu drejtua të rinjve pjesëmarrës në MED24 në Tiranë, duke iu referuar, fillimisht, martirëve të fesë nën regjimin diktatorial komunist, duke i porositur të rinjt: “Të dini të ecni në gjurmët e martirëve.
Guximi i tyre është dëshmi e gjallë, që mund të frymëzojë më shumë impenjimin tuaj për t’i rezistuar gjithë dhunës, e cila e shpërfytyron njerëzimin, siç bëri e Lumja Marie Tuci, kur ishte vetëm njëzet e dy vjeç”.
Marie Tuci, simbol i vuajtjeve dhe martirizimit nën regjimin komunist të Shqipërisë –“simbol i guximit dhe i dëshmisë së gjallë”, ashtu e cilësoi Papa Françesku, martirën mirditore.
Foto galeri
Papa Francesku vazhdoi të përshëndesi pjesëmarsit e takimit MED24 në Tiranë, duke iu referuar atyre si, “Të dashur miq, të dashur të rinj shqiptarë dhe mesdhetarë”. Ai u kujtoi atyre vizitën e tij në Shqipëri dhjetë vjet më parë. “Është gëzim për mua t’ju shoh të mbledhur në Tiranë, dhjetë vjet pas vizitës sime në vendin tuaj të dashur, më 2014: Nuk harroj, eh!, dhe më kujtohet ai udhëtim i paharruar, gjatë të cilit munda të takoj popullin tuaj, një popull me shumë fytyra, por i bashkuar nga guximi. Siç u thashë atëherë të rinjve, “Ju jeni brezi i ri i Shqipërisë”, Tiranë, 21 shtator 2014). Shtoj sot, të dashur të rinj nga pesë brigjet e Mesdheut: ju, brezi i ri, jeni e ardhmja e rajonit të Mesdheut”, u tha Papa Françesku të rinjve shqiptarë dhe atyre nga mesdhetarë, të mbledhur në Tiranë deri më 21 shtator, 2024.
“Jemi të gjithë shtegtarë të shpresës”, vazhdoi Papa mesazhin e tij drejtuar të rinjve në takimin MED24 në Tiranë, “duke ecur në kërkim të së vërtetës dhe duke e jetuar fenë përmes ndërtimit të paqës. E paqja duhet ndërtuar…Zoti i do të gjithë njerëzit dhe nuk bën dallim mes nesh. Vëllazërimi ndërmjet pesë brigjeve të Mesdheut, që ju po e krijoni, është përgjigjja – përgjigjja! – përgjigjja më e mirë, që mund t’u japim konflikteve dhe indiferencave, që vrasin. Sepse indiferenca vret! Mësoni së bashku të interpretoni shënjat e kohës. Kundrojeni larminë e traditave tuaja si pasuri, një pasuri e dëshiruar nga Zoti. Uniteti nuk është uniformitet, dhe ndryshimet mes identiteteve tona kulturore dhe fetare janë dhuratë e Zotit. Rrituni në respekt të ndërsjellë, siç dëshmojnë paraardhësit tuaj”, ka thenë ndër të tjera Papa Françesku në mesazhin e tij të martën në takimin MED24 në Tiranë.
Foto e disa pjesëmarrësve në MED 24 në Tiranë, Foto: L’Osservatore Romano
Foto galeri
Papa Françesku përfundoi mesazhin e tij drejtuar të rinjve shqiptarë dhe mesdhetarë në takimin e Tiranës duke i porositur që të kujdesen për Mesdheun, brigjet e të cilit i bashkojnë: “Mesdheu ju bashkon, ju bashkon si një kopsht i bukur për t’u kultivuar.
Ruajeni frymën e shërbimit në të gjitha rrethanat, kujdesuni për çdo krijesë, që u është besuar duarve tuaja…të jeni shtegtarë të palodhur të shpresës dhe të ndiqni shenjat e Zotit, në mënyrë që Mesdheu të rigjejë fytyrën e tij më të bukur: atë të vëllazërimit dhe të paqes.
Pjesëmarrsit e rinj 20-32 vjeç, që vijnë nga të pesë brigjet e Mesdheut dhe kanë fe e kultura të ndryshme në takimin MED24 në Tiranë duke dëgjuar video-mesazhin e Papa Françeskut
E të mos jetë më varrezë”, ka përfunduar Papa Françesku porosinë e tij për të rinjt shqiptarë, në 10-vjetorin e vizitës së tij në Shqipëri, por edhe drejtuar përfaqsuesve të rinisë nga vendet mesdhetare të mbledhur këto ditë në Tiranë, për takimin e radhës, MED24 kushtuar temës: “Shtegtarë të shpresës, ndërtues të paqes” — në shërbim të drejtësisë dhe paqes, si themele për të ardhmen e Mesdheut ose –Mare Nostrum– Deti ynë, siç e kanë quajtur dikur romakët e vjetër.