E nderuar Familja Kupi,
Në emër të Partisë “Lëvizja e Legalitetit” dhe të gjithë Legalistëve shqiptarë, ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta dhe të përzemërta për humbjen e njeriut tuaj të dashtun dhe ikonës së rezistencës kundër diktaturës komuniste, të ndjerit Fatbardh Abaz Kupi.I lindur dhe rritur në një familje patriotike dhe biri i kryepatriotit Gjeneral Abaz Kupit, i ndjeri Fatbardh Kupi mishëroi qysh në moshë të re vlerat fisnike të të parëve të tij dhe të gjithë atyre që kishin vendosur të mbronin me vetëmohim dinjitetin e tyre, emrin e të parëve të tyre si dhe të atyre që ata përfaqësonin.Gjatë jetës së tij, Fatbardh Kupi nuk bëri asnjë mëkat për të merituar vitet e burgut, internimet dhe torturat përgjatë më shumë se 50 vitesh. Përkundrazi ! Ai ishte pinjolli i një familjeje atdhetare dhe nacionaliste, ishte i biri i Heroit të Rezistencës së 7 Prillit ‘39 kundër pushtimit të vendit, ishte një njeri me karakter, besë e burrni, ishte i dashur për farefisin, miqtë dhe dashamirët dhe i mëshirshëm ndaj kundërshtarëve, ishte një bashkëshort dhe prind shembullor. Por mbi të gjitha, Ai ishte një atdhetar i pamposhtur dhe një shqiptar i ndershëm që besonte në vlerat e lirisë dhe demokracisë.
Dhe pikërisht, për këta arsye, ata që dhunuan atdheun dhe kombin tonë për një gjysmë shekulli dhe që përfaqësonin anti-vlerat e shqiptarizmit dhe patriotizmit, shkatërruan kaq shumë jetë shqiptarësh tëndershëm dhe të pafajshëm, ndër të cilat atë të të ndjerit Fatbardh Kupi dhe të familjarëve të tij.Por i ndjeri Fatbardh Kupi, në traditën e të parëve të tij, diti tu rezistojë pa u përkulur asnjëherëkundërshtarëve të vet politikë si dhe armiqve të familjes dhe të kombit shqiptar. Ai rezistoi duke u mbijetuar kryelartë vuajtjeve dhe dhimbjeve të pallogaritshme sepse ishte i bindur se qëndresa e vet ishte e drejtë dhe se diktatura komuniste do të perëndonte një ditë e bashkë me të edhe mitet dhe gënjeshtrat e tyre kundër nacionalistëve dhe patriotëve shqiptarë. Sikur për të jetësuar shprehjen e shkrimtarit francez të fillim-shekullit të kaluar, Henri Jeanson, kur thoshte se “Kemi vetëm një liri: lirinë për të luftuar për të fituar lirinë”, Fatbardh Kupi luftoi gjithë jetën e tij derisa triumfoi dhe u çlirua nga prangat e diktaturës komuniste në fillim të viteve 90.
Ndonëse forca dhe vendosmëria e vet e mundësuan të përjetojë fundosjen e regjimit komunist, i ndjeri Fatbardh Kupi e kishte kuptuar se demokracia shqiptare ishte e cunguar dhe e kurdisur mbrapsht. Ai arriti të shijojë lirinë dhe demokracinë e plotë vetëm kur u bashkua në SHBA me familjarët e vet prej të cilëve ishte ndarë 60 vite më parë dhe ku jetoi vitet e fundit të jetës së tij.
Për legalistët shqiptarë dhe për të gjithë ata që besojnë në vlerat e lirisë dhe demokracisë, rezistenca e të ndjerit Fatbardh Kupi ndaj diktaturave fashiste, naziste dhe komuniste; dashuria e tij për liri, demokraci e drejtësi; përkushtimi i tij ndaj Atdheut dhe Kombit; besnikëria e tij ndaj legjitimitetit dhe Mbretit, janë dhe do të mbeten shembuj frymëzimi në përpjekjet tona të përditshme derisa të realizojmë amanetin e Gjeneral Abaz Kupit, të patriotëve të tjerë dhe të gjithë atyre që sakrifikuan jetën e tyre për Shqipërinë.Në këto ditë zi e pikëllimi për Familjen Kupi dhe mbarë familjen legaliste e nacionaliste shqiptarë, ju shprehim edhe njëherë ngushëllimet tona më të thella për humbjen e të ndjerit Fatbardh Kupi.
I paharruar qoftë kujtimi i Tij.
Sulejman Gjana
Kryetar i PLL
Komentet