Në prag të zgjedhjeve kam thënë se, sikur të rritej opozita, do të kërkoja me gëzim ndjesë publike për pesimizmin e thellë që kam treguar kur kam folur e shkruar se grushti gradual institucional i shtetit që ka kryer Rama ka instaluar një regjim që ka eliminuar çdo mundësi jo vetëm rrotacioni, por edhe rritjeje. Këto zgjedhje fatkeqësisht e provuan në mënyrë edhe më dramatike se më parë tezën time pesimiste.
Këto ditë kam dëgjuar shumë të përdoret nga disa termi “operacion kirurgjikal”– në kuptimin e një manipulimi pa lenë shenja. Mendoj se është një term i gabuar, që tregon shkallën, në të cilën e kemi humbur ndjeshmërinë demokratike. Sepse regjimi nuk ka bërë një operacion prej kirurgu, por një ndërhyrje prej kasapi, shenjat e së cilës ulërasin gjithandej.
Për ndërhyrje prej kasapi flet vetë marrja e 53 të bashkive, çka ngre menjëherë dyshime nëse ky vend është demokraci.
Për ndërhyrje prej kasapi flet edhe rritja e përqindjes të votuesve në raport me opozitën për një parti që ka mandatin e tretë dhe që në shumë komuna qeveris për më shumë se tri mandate.
Për ndërhyrje prej kasapi flet edhe gjuha elektorale e Kryeministrit me kërcënime se nuk do të japë asnjë kacidhe për komunat që do të votojnë për opozitën.
Për ndërhyrje prej kasapi flasin edhe disa rezultate me përmbysje spaktakolare për një kohë fare të shkurtër – si ai i Shkodrës dhe Kamzës.
Për ndërhyrje prej kasapi flet edhe fakti se burgjet votojnë 99% për partinë në pushtet.
Për ndërhyrje prej kasapi flet edhe arrestimi dy ditë para zgjedhjeve i kandidatit opozitar të Himarës, Beleri, që provoi se policia dhe prokuroria e reformës në drejtësi, tashmë mund të konsiderohen pjesë plotësisht e integruar e bandës që qeveris për të vjedhur dhe vjedh për të qeverisur.
Për ndërhyrje praj kasapi flasin edhe bëmat ep jesëve të tjera të bandës si Gjykata e Apelit, Kolegji zgjedhor, KQZ-ja dhe KASI-i, që e zhveshën opozitën reale nga sigla, emri dhe flamuri, duke i zhvatur bashkë me to edhe financimin, kohën televizive, komisionerët, numëruesit e me radhë.
Ky shkrim do të dilte shumë i gjatë nëse do të vazhdoja të rreshtoja treguesit e kësaj kasaphane. Por nuk është ky synimi i tij. Synimi i tij është të polemizojë me disa (të shumtë) që, në vend se të merren me kasapin dhe kasaphanën, merren me viktimën e hanxharëve dhe thikave të tij. Midis tyre dalloj tri kategori: njërën që e bën në funksion të synimeve të Ramës, për t’i dhënë goditjen përfundimtare opozitës së vetme që e rrezikon akoma, në mënyrë që të livadhisë i patrazuar në narkoshtetin që ka krijuar; një tjetër që thjesht synon të marrë lidershipin e opozitës për hesape personash që nuk merakosen fare se do të shërbejnë si fasadë demokratike e narkoshtetit; dhe një pjesë të dëshpëruarish të sinqertë që shfryjnë mërzinë e humbjes sipas asaj shprehjes: “s’ke ç’i bën gomarit dhe i bije samarit”.
E pra, të gjithë këta bashkohen në tezën, që ka pushtuar ekranet e mediave, se përgjegjëse për këtë humbje është opozita; se sikur ajo të mos ishte e përçarë, sikur të mos kishte në krye non-gratën, Sali Berisha (që disa e përkthejnë: sikur të kishte mbështetje amerikane), kjo humbje nuk do të kishte ndodhur. Disa i shtojnë listës së shkaqeve edhe ndarjen administrative, edhe sistemin elektoral duke na përçuar mesazhin se, sikur të rregulloheshin këto probleme, do ta kishim të garantuar rrotacionin. Të gjithë harrojnë ose bëjnë sikur harrojnë deri edhe faktin se këta probleme – duke filluar që nga përçarja e opozitës e me radhë – janë vepra të mirëmenduara të regjimit për të përjetësuar qëndrimin e tij në pushtet. Të gjithë harrojnë ose bëjnë sikur harrojnë se argumenti “non grata” bie ndesh me faktin se non gratat e Ramës korrën një fitore spektakolare në këto zgjedhje.
Me këtë nuk dua të them se s’duhet të merremi me problemet dhe limitet e opozitës. Dua të vë në dukje se ky lloj diskursi nxjerr në plan të dytë ose dhe zhduk fare nga ekranet problemin e problemeve: atë se fakti që Edi Rama, për të fituar, detyrohet t’u vjedhë e blejë votën atyre, që sipas tij dhe atyre të diskursit nuk i do populli (pasi non grata) tregon se çfarë mund të jetë në gjendje të bëjë ai (së bashku me non gratat e tij) sikur të ndërtohej një opozitë që do ta donte dhe besonte populli. E pra, këto zgjedhje na treguan se po të ndihet i rrezikuar në pushtet Rama dhe banda e tij do të bënte gjithçka për ta nxjerrë nga loja, deri edhe mjete nga ato që nuk i kemi parë akoma të përdoren deri më sot. Rasti Beleri ishte një paralajmërim i kësaj për të gjithë.
Prandaj gjykoj se diskursi i parë post elektoral duhet të nisë nga analizimi dhe denoncimi i kësaj kasaphane me vetëdijen se viktimë e saj, humbësi i vërtetë, nuk është opozita, por populli shqiptar dhe e ardhmja e tij. Edhe vetë diskursi se çfarë duhet të bëjë opozita – që mendoj se ka shumë për të bërë – duhet të nisë nga kjo analizë dhe kjo vetëdije./PANORAMA