VOAL – Më 3 shtator, ditën e enjte, Voice of Albanians (voal.ch) ndoqi nga afër vizitën e kancelares së Republikës Federale Gjermane Angela Merkel, e cila zhvillohej me ftesë të Presidentes së Konfederatës Zvicerane Simonetta Sommaruga. Qëllimi i vizitës ishte thellimi dhe zgjerimi i marrëdhënieve midis dy vendeve fqinje në tri rrafshe: atë dypalësh, atë evropian dhe atë ndërkombëtar. Në aspektin dypalësh bisedimet u përqëndruan në energjinë, komunikacionin dhe transportet, në aspektin evropian u përqëndruan në situatën ekonomike dhe sociale të kontinentit, në aspektin ndërkombëtar u diskutua për krizën në vendet në kufijtë mesdhetarë dhe lindorë të Evropës, si dhe veçanërisht për krizën aktuale të refugjatëve. Nga pala zvicerane, në delegacionin e kryesuar nga zonja Sommaruga merrnin pjesë nënpresidenti dhe Këshilltari Federal Johann N. Schneider-Ammann, Këshilltarja Federale Doris Leuthard dhe Këshilltari Federal Didier Burkhalter.
Kancelarja federale e Gjermanisë Angela Merkel u prit me nderime ushtarake në Münsterplatz të Bernës. Mikpritësja e saj Simonetta Sommaruga do të ishte përkrah saj gjatë gjithë vizitës së zonjës Merkel. Dhe mediat do të ndaleshin në analiza përtej faktit se kemi të bëjmë me dy zonja. Mediat do të nënvizonin se të dyja janë rritur në mjedise fetare. Zonja Sommarua është rritur në një mjedis katolik, ndërsa zonja Merkel ishte bijë e një kleriku protestant. Njëra ishte doktore në fizikë, tjetra kishte studjuar për piano. Por me gjithë ndryshimet, të dyja dallohen për zellin që iu hyjnë thellë dosjeve që kanë në tryezat e tyre, duke mos iu shpëtuar as imtësitë më të vogla. Një paralele tjetër midis tyre, gjithnjë sipas mediave, është se të dyja janë tejet të vetëkontrolluara në paraqitjet dhe në veprimet e tyre. Sommaruga nganjëherë jep përshtypjen se asnjë lëvizje nuk e lë në dorë të fatit. Në paraqitjet publike ajo peshon çdo fjali dhe është shumë e vëmendshme për mënyrën si priten fjalët e saj. Spontaniteti nuk është në natyrën e saj. As vetëkontrollit të zonjës Merkel nuk i shpëton asgjë. Madje edhe në situata të vështira, ajo mbetet e qetë. Vetëkontrolli i tyre është i tillë që nuk e ngre peshë publikun e pranishëm. Por forca e tyre qëndron në analizën e fakteve pa emocione. Tek të dyja gjithashtu është i pagabueshëm instinkti ndaj pushtetit. Në ndryshim nga Merkeli, duket se Sommaruga ka një busull të fortë politike dhe ideologjike, mbi bazën e së cilës hidhet në veprim. Merkel e bazon suksesin e saj në lëvizjet taktike, nëpërmjet të cilave synon të sigurojë mbështetjen e shumicës.
Kush e ndjek nga afër zonjën Merkel shikon politikanen e aftë që t’i zhdukë në mënyrë të natyrshme distancat me të tjerët. Kështu do të ishte në Münsterplaz si gjatë parakalimit të rojave të nderit, ashtu në mes të publikut të thjeshtë. Ajo takohej me njerëzit, iu jepte autografë, bënte selfie, me një buzëqeshje të lehtë karakteristike. E gatshme për t’iu gjendur gjithë atyre njerëzve që e thërrasin pa pushim “Frau Merkel! Hello Frau Merkel!”. Ka të njëjtin ton të ecjes, të gjesteve, të lëvizjeve, të shprehjes së zëri si në çastet solemne, edhe në atë të zakonshme. Nuk ka një dallim mes zyrtaritetit dhe jozyrtaritetit të saj. E tillë do të ishte edhe në konferencën e shtypit të zhvilluar në Bernerhof, edhe në takimin në Universitetin e Bernës. Të vetmet mjete të saj janë humori, ironia për të krijuar atmosferë, dhe veçimi i fjalëve nga njëra tjetra për të nënvizuar rëndësinë e atyre që thotë dhe vendosmërinë e asaj që po i flet ato fjalë.
Në konferencën për shtyp të dyja zonjat ishin të një mendjeje se vitet e fundit marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira dhe miqësore janë thelluar në mënyrë të ndjeshme. Presidentja Sommaruga deklaroi se për Zvicrën dhe Gjermaninë është privilegj të jenë të lidhura nga vlerat politike, ekonomike dhe kulturore të përbashkëta. Në vijim të votës së 9 shkurtit 2014 Këshilli Federal i përkushtohet synimit për të trajtuar në mënyrë autonome emigracionin dhe për të ruajtur e konsoliduar politikën dypalëshe me Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, delegacioni i Këshillit Federal e informoi zonjën Merkel lidhur me gjendjen e konsultimeve me Komisionin Evropian. Zonja Sommaruga deklaroi se BE-ja i respekton përcaktimet zvicerane, por në kohën e sotme të gjithë duhet ta kuptojnë përtëritjen dhe konsolidimin e mënyrës dypalëshe të bashkëpunimit, nëse kërkohen rezultate.
Shqetësimi më urgjent i palëve bashkëbiseduese ishte sfida e emigracionit, sidomos rritja e madhe e kërkesave për azil në të gjithë Evropën. Për këtë, Zvicra dhe Gjermania konfirmuan objektivin për një politikë panevropiane dhe të soldaritetit në aspektin e refugjatëve. Të dyja palët nënvizuan pikëpamjet e njëjta për krizën në Ukrainë dhe mbështetjen ndaj rolit ndërmjetësues të OSBE-së.
Zvicra gjatë bisedimeve ka ngulmuar për një politikë sa më të njësuar evropiane për klimën, energjinë dhe transportet. Është trajtuar çëshja e aeroportit të Zyrihut dhe zhurmës së shkaktuar nga trafiku ajror. Kancelarja Merkel u ftua të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të hapjes së galerisë bazë të Shën Gotardit, e cila do të jetë qershorin e ardhshëm. Në këtë kontekst, delegacioni zviceran ka kujtuar rëndësinë e zgjerimit të pranisë gjermane në aksin Veri-Jug. Në aspektin e situatës ekonomike dhe financiare ndërkombëtare u përmend ndër të tjera mundësia e një pjesëmarrjeje më të madhe të Zvicrës në Finance Track të Grupit të 20 vendeve të industrializuara (G20). Më 2017 Gjermania do të marrë presidencën e G20.
Komentet