Mërgim Mavraj është një ndër shtyllat kryesore në Kombëtare. Prezenca e tij në çdo ndeshje pa dyshim është tejet e rëndësishme. Pavarësisht se dha një kontribut të madh për realizimin e ëndrrës së shqiptarëve, në kualifikimin në Europian, mbrojtësi kuqezi nuk mundi të festonte me shokët e tij në kryeqytet.
I është dashur një kohë e gjatë të linte pas dëmtimin në gju e t’i kthehej fushës së blertë për t’u rikthyer në urdhrat e Peter Stogerit dhe Xhani De Biazit.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, 29-vjeçari flet për rikthimin tek ekipi i parë dhe për shortin e 12 dhjetorit… Ndër të tjera, sqaron dhe situatën e krijuar ditë më parë nga shtypi gjerman në lidhje me Kardinalin.
Shtypi gjerman ka shkruar se jeni dëmtuar gjatë ndeshjes së fundit me U21, në çfarë shkalle?
Nuk jam dëmtuar shumë, vetëm kam çarë buzën. Kam marrë goditje me bërryl dhe më është fryrë buza nga goditja që mora dhe ka mbledhur gjak. Në ato momente nuk ishim të sigurt, pasi dyshonim mos ishte dëmtuar hunda, pasi brenda dhëmbit kam pasur dhimbje të madhe ndaj dola nga loja. Por nuk është asgjë e rëndë.
Kur do të ktheheni të luani me ekipin e parë?
Kam luajtur ndeshjet e para me U21 që të rikuperohesha plotësisht. Ishin ndeshje më shumë testuese, për të parë se sa i fortë është gjuri për të luajtur 90 minuta. Kjo faza e testeve mbaroi, tani do të sulmoj për ekipin e parë.
Përpara disa ditësh, “Express.de” ka shkruar që nuk i keni dhënë dorën Kardinalit. Pse e bëtë këtë?
Ka qenë ditën e martë, pati ardhur një Kardinal afër fushës stërvitore. Kjo ndodhi pas stërvitjes në fakt dhe unë isha i sëmurë me grip, i ftohur. Pashë që ishin grumbulluar shumë njerëz, rreth 3040 persona së bashku me shokët e skuadrës. I pashë dhe mendova mos të qëndroja jashtë, pasi po binte shi, kështu që hyra brenda. Zakonisht neve na presin shumë njerëz jashtë fushës, pas stërvitjes, për të marrë autografe, për të bërë foto… Kështu, unë ika nga grupi pa e ditur fare kush ishte aty. Pastaj, kur hyra brenda, erdhën dhe shokët e tjerë të ekipit e më thanë që të dilja jashtë pasi kishte ardhur Kardinali dhe “ka dëshirë të të përshëndesë dhe ty”. Unë dola jashtë dhe e takova, njëkohësisht kërkova falje, duke i thënë se “nuk e dija se ishit ju sepse nuk do të isha larguar”. Kështu gazetarët kanë bërë një shkrim të vogël, pasi kanë dashur të provokojnë pakëz, por të nesërmen e sqaruan këtë pjesë, kur Kardinali thotë që “e kam takuar Mavrajn dhe kemi biseduar”. Nuk jam i befasuar fare që gazeta “Express” ka botuar një lajm të tillë, pasi kam eksperiencë me ta siç ishte dhe për varrimin e babait tim dhe që mundohen ta ulin pak imazhin tim fetar. Shpresoj që dhe ata njerëz të kenë frikë pak Zotin, që të dinë të respektojnë fenë e tjetrit.
Më 12 dhjetor, Shqipëria mëson shortin. Kë do të preferonit në grup dhe kë do të donit të shmangnit?
Të jem i sinqertë, për mua nuk ka rëndësi kush është, pasi dy skuadra do të jenë 100% shumë të forta. Të luash kundër Spanjës, Anglisë, Francës, Gjermanisë apo Italisë nuk ka shumë dallim. Është detyrë e madhe për ne të përballemi me secilën. Meqenëse jetoj në Gjermani, do të ishte një prestigj tjetër të luaja kundër saj, ndoshta dhe një dëshirë e imja personale. Në aspektin tjetër, është një sfidë shumë e madhe të luash me kampionen e botës. Po të na qëllonte në grup Austria apo Hungaria, do të ishte më mirë për ne. Sidoqoftë, ne do të jemi gati për këto sfida në verë dhe do t’i marrim ashtu siç shorti do të na qëllojë. Ne do të përgatitemi maksimalisht për të gjitha. Gjithsesi shortit nuk i besohet. Edhe FIFA-s e UEFA-s i janë ngatërruar “telat” paksa. Mos vallë do të bëjnë ndonjë gabim?! Cili do të jetë objektivi i Shqipërisë në Europian? Pikësëpari duhet ta shijojmë këtë moment. Të jemi pjesëmarrës në këtë event që ndiqet kaq shumë, është një privilegj për ne. Të jemi në mesin e skuadrave më të mira në Europë, është kënaqësi. Është një moment fantastik që shumë njerëz e kanë ëndërruar dhe nuk duhet të kemi presion të madh. Duhet të kontribuojmë me këto vlera që na kanë sjellë deri këtu. Ata që na njohin ne si grup, si komb, e dinë mirë që në çdo sfidë që kemi, në çdo betejë që luajmë, futemi për ta fituar. Nuk dorë zohemi asnjëherë, pavarë sisht se përballë kemi skuadra me cilësi më të mëdha, por dhe ne kemi karakteristikat tona që na kanë sjellë në këtë sukses. Mendoj që shumë skuadra nuk dëshirojnë të na kenë në grup, e shumë prej tyre kanë respekt ndaj nesh. Objektivi për mua personalisht do të jetë shijimi i ndeshjeve, momentit. Me shumë vullnet dhe krenari, të mundohemi që të krenojmë popullin tonë edhe në Francë, siç bëmë gjatë kualifikueseve.
Përse nuk ishit te festa e kualifikimit që u bë në kryeqytet dhe as te mbrëmja gala ku ishin të pranishëm të gjithë futbollistët kuqezinj?
Te ndeshja me Serbinë kam qenë. Pastaj, ditën e diel kur Shqipëria luajti me Armeninë, u detyrova të kthehesha në Gjermani pasi kisha disa teste për të bërë te mjeku. Ndërsa te mbrëmja gala nuk më lejoi klubi, sepse kishim miqësore me ekipin dhe ata kishin dëshirë të luaja disa minuta. Kur mora ftesën, u kërkova leje për të ardhur. Kisha vërtet dëshirë, por skuadra nuk më lejoi të vij.
Komentet