Burimet zyrtare, pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore në Tiranë, pohojnë përsëri shifra alarmante të maturantëve që kanë aplikuar për të vazhduar studimet e larta jashtë vendit. Rreth 8000 maturantë dëshirojnë të largohen nga vendi përballë 24 mijë të tjerëve që do të studiojnë në Shqipëri, pra rreth 1/3 e nxënësve. Ndoshta jo të gjithë do të arrijnë të largohen, por shqetësuese mbetet dëshira e tyre për të ikur, që duket si një trend i ri, i kthyer tashmë në një modë për të rinjtë shqiptarë. Pse po ndodh kjo dukuri?
Shpesh dëgjojmë të thuhet nga të rinjtë, por edhe nga të rriturit, se në Shqipëri nuk ia vlen të jetohet. Një nga arsyet më kryesore të këtij konfirmimi është patjetër shkollimi dhe e ardhmja e fëmijëve. Asnjë shoqëri nuk mund të ecë përpara pa një sistem të zhvilluar arsimor të të gjitha niveleve, duke filluar nga arsimi fillor deri tek universitet. Formimi i nxënësve arrihet hap pas hapi, i shtrirë në kohë, sepse nuk mund të kemi studentë të shkëlqyer, kërkues të niveleve shkencore të dijes, nëse nuk studiohet në mënyrë sistematike dhe mbi të gjitha, nëse nuk je edukuar me dashurinë për dijen. Megjithë të drejtën që kanë për të kërkuar më të mirën, këta të rinj nuk mund të katapultohen në universitetet e vendeve të zhvilluara europiane dhe më gjerë, pa patur bagazhin e duhur të njohurive dhe mbi të gjitha metodën e punës. Nxënësve tanë, fatkeqësisht në shumicën e rasteve, iu mungon vullneti dhe dëshira për të studiuar, pa u lodhur, për orë, ditë dhe vite të tëra. Cilët janë fajtorët në këtë rast? Sigurisht janë shumë faktorë që ndikojnë, por le të evidentojmë më kryesorët, që ndikojnë në shoqërinë tonë:
– Familja, si baza e edukimit të vlerave dhe tipareve të personalitetit të çdo individi. Shpesh, prindërit, edhe pse duan t’u japin modelesa më të mira, edukojnë tek fëmijët e tyre pasivitetin dhe dëshirën për t’i marrë gjërat të gatshme nga të tjerët. Kjo nuk ndihmon në formimin e sjelljeve të qëndrueshme dhe dëshirën për të ecur përpara me forcat e veta.
– Shkolla, si agjencia e parë dhe më kryesore e socializmit, nuk nxit vlerat bashkëpunuese dhe tolerante, por ambicien egoiste “për të dalë i pari”. Ajo nuk po edukon frymën bashkëpunuese mes nxënësve, duke keqkuptuar konceptin e konkurrencës. Kjo shpesh sjell si pasojë humbjen e vetëbesimit dhe dëshirës për të vazhduar përpjekjet nga një pjesë e madhe e nxënësve. Nga ana tjetër, mësuesit e vendosin shpesh autoritetin, jo përmes dijes dhe prezantimit të vlerave bashkëkohore, por pozicionit që kanë. Mungesa e një tradite të mirëfilltë kulturore në mënyrën e të menduarit të hapur, kritik dhe të drejtpërdrejtë, i bën raportet e tyre me nxënësit të ngurta dhe aspak bashkëpunuese, duke mos frymëzuar mendim krijues dhe aq më pak mbështetje të talenteve dhe prirjeve të gjithsecilit. Kështu, po rritet një brez pasiv, egocentrik, që përpiqet t’i largohet përgjegjësive, i paaftë të përshtatet me kërkesat e reja të tregut të punës dhe pa iniciativën për sukses. Një problem shqetësues dhe faktor i rëndësishëm në formimin e nxënësve janë mjediset shkollore dhe infrastruktura, të cilat nuk ofrojnë kushte të përshtatshme, që nxënësit të ndjehen mirë dhe t’iu stimulohet të nxënit. Klasa janë me shumë nxënës, të pa pajisura me mjete didaktike të nevojshme dhe aq më pak mund të bëhet fjalë për mjete bashkëkohore, përmes të cilave nxënësit përvetësojnë përveç njohurive mësimore edhe ato të teknologjisë digjitale, aq të domosdoshme për kohën.
– Shoqëria jonë, që nuk e ka në kulturën e saj pranimin e mendimit ndryshe, aq që më tepër të fëmijëve dhe të rinjve. Tendenca e konformizmit me idetë dhe opinionet e të tjerëve, iu heq atyre mundësinë të shprehen dhe të veprojnë në mënyrë autonome, duke mësuar edhe përmes gabimeve.
– Politikat për zhvillimin e arsimit, tentojnë por nuk arrijnë, sepse ndryshimi duhet të fillojë që në qelizë, nga kurrikulat e vjetruara dhe programet mësimore, që kanë dekada të tëra pa u ndryshuar dhe ku nxënësit nuk e gjejnë më veten, duke iu humbur interesi. Ndryshimi duhet të vazhdojë me tekstet shkollore, të cilat nuk ofrojnë informacion bashkëkohor në përshtatje me nivelin dhe kërkesat e brezit tëri.
Shkolla dhe i gjithë sistemi arsimor duhet të jetë pasqyrim i ndryshimeve që ndodhin në shoqëri, jo vetëm atyre me natyrë ekonomike, por veçanërisht në aspektin psiko-social të të rinjve shqiptar, të interesave dhe dëshirave të tyre për një të ardhme ndryshe. Një arsim që do t’i çoj më pranë kulturës europiane dhe t’i largojë çdo ditë e më shumë nga moshatarët e tyre që jetojnë dhe shkollohen në ato vende. Ky brez i ri ka nevojë të drejtohet në rrugën e duhur, me ndihmën dhe bashkëpunimin e mësuesve dhe profesorëve të tyre, të cilët duhet t’iu ndriçojnë mendjen drejt një të ardhme më të mirë për veten dhe shoqërinë. Por, kjo nuk mund të ndodh me këtë nivel profesional dhe dije që ofrojnë universitete tona. Siç ka theksuar profesori dhe sociologu i mirënjohur, me një përvojë të pasur në fushën akademike dhe kërkimin shkencor, prof. dr. Fatos Tarifa “…Mendjet e njerëzve janë aseti më i madh i çdo shoqërie. Por, deri më sot, universitetet shqiptare kanë dështuar në misionin e tyre për t’i zhvilluar plotësisht kapacitetet humane e intelektuale të studentëve të sotëm, jo vetëm sepse shumë prej studentëve nuk mësojnë sa duhet, por, në radhë të parë, sepse dijet që ata marrin në shkollën e lartë janë të varfra e të vjetruara”.
Shkolla duhet të ofrojë të gjitha oportunitetet, që të rinjtë të përgatiten për tregun e punës, që të jenë të aftë të konkurrojnë me sukses dhe ndershmëri si brenda edhe jashtë vendit. Në përpjekje për të hedhur sado pak dritë mbi vështirësitë që të rinjtë tanë hasin gjatë shkollimit të tyre, si dhe për të njohur më nga afër perceptimet, bindjet dhe dëshirat për të ardhmen, intervistuam një ish-maturante, që sot studion jashtë vendit, Ergi Papaj.
Aida Zhupa: Ergi, si fillim të falenderoj që pranove të bësh publike mendimet e tua, si ish maturante dhe si studente. Përvoja jote mund të jetë me vlerë dhe në kohën e duhur, për shumë maturantë që përfunduan shkollimin e mesëm këtë vit, por edhe për familjet e tyre, që ndoshta janë akoma në dilemë për të vazhduar studimet në Shqipëri apo jashtë vendit. Besoj se e di që janë rreth 8000 maturantë, që kanë aplikuar jashtë vendit, një shifër kjo shumë e lartë krahasuar me numrin e studentëve që do të studiojnë këtu. Megjithëse, jo të gjithë arrijnë ta realizojnë këtë dëshirë, shqetësuese mbetet dëshira për të ikur, që duket si një lloj mërgimi nga vendlindja. Kjo është e dhimbshme, sidomos për ne, prindërit dhe brezin më të rritur. A mendon se zgjedhja e tyre është e drejtë?
Ergi Papaj: Duke ju uruar shumë suksese moshatarëve të mi kudo që kanë vendosur të vazhdojnë studimet, ju falenderoj edhe juve për ftesën. Me shumë dëshirë do ta jap opinionin tim për këtë çështje. Për sa i përket pyetjes tuaj, mendoj se është vendim i drejtë. Të njëjtën zgjedhje kam bërë edhe unë me familjen time, pasi arsimi i lartë është ndër të vetmet investime kohore e financiare në jetë, nga i cili del gjithnjë i fituar.
Mund të na flasësh pak për shkollimin tënd të deritanishëm?
Sigurisht. Që nga arsimi fillor e deri në arsimin e mesëm të lartë, unë kam studiuar në institucione private, falë mbështetjes së vazhdueshme të familjes time. Përveç përkushtueshmërisë më të madhe të mësuesve ndaj një numri të vogël të nxënësve në klasa dhe hapësirave të shumta për fëmijët, duhet të theksoj se avantazhet kurrikulare që ofrohen në sistemin arsimor shqiptar janë të pakta. Studimet e larta vendosa t’i vazhdoj jashtë Shqipërisë, në një universitet në Europës.
Me sa shihet ke zgjedhur arsimin privat, pra familja ka investuar shumë edhe financiarisht…
Po, dhe ju jam shumë mirënjohëse që më kanë besuar në këtë investim. Për mua, prindërit e mi kanë qenë shembulli më i mirë, nga i cili kam mësuar. Ata janë gjendur gjithnjë aty për të më mbështetur. Unë përpiqem vazhdimisht t’ua shpërblej me rezultate sa më të larta, megjithëse duket thuajse e pamundur të kompensosh një sakrificë të këtyre përmasave. Mendoj se ishte zgjedhja e duhur, sepse arsimi privat, sidomos gjimnazi, më ka përgatitur në shumë aspekte për studimet e larta.
Mund të na rendisësh disa prej tyre?
Sigurisht, megjithëse duhet të theksoj se kjo nuk vlen për të gjitha shkollat private në Shqipëri. Mund ta nis që nga stafi i kualifikuar i mësuesve. Kështu, në gjimnazin e New York-ut, ku përfundova shkollën e mesme vitin e kaluar, një pjesë e mirë e mësuesve kanë qenë gjithnjë të gatshëm të ndihmojnë nxënësit në kapërcimin e vështirësive të çfarëdolloj natyre. Tek shumë prej tyre shihej qartë pasioni për lëndën, që reflektohej edhe në arritjet e tyre profesionale. Për mua ky pasion për punën ka qenë gjithnjë frymëzues dhe shembullor. Por, pavarësisht përzgjedhjes shumë të mirë të stafit pedagogjik, kurrikula zyrtare, e miratuar nga institucionet përkatëse, linte gjithnjë për të dëshiruar. Pra, ne mësuam në këto shkolla aq sa lejonin programet mësimore. Këtu qëndron, sipas mendimit tim, edhe problemi kryesor.
Mund të na e shpjegosh më qartë këtë problem?
Sipas mendimit tim, programeve mësimore, ku bazohet mësimi i të gjitha niveleve të arsimit në Shqipëri, i ka kaluar koha. Ato nuk iu japin nxënësve atë që iu nevojitet për të qenë konkurrues në tregun e punës. Kurrikulat arsimore shqiptare nuk janë të zhvilluara sipas standardeve ndërkombëtare dhe kjo ua bën studenteve shqiptarë më të vështirë arritjen e kërkesave të univesiteteve jashtë vendit.
Po arsimi i lartë?
Pikërisht kjo ishte arsyeja që u largova nga Shqipëria. Nëse deri në arsimin e mesëm bëra të pamundurën për të qenë në nivelin e duhur bashkëkohor të njohurive, si në gjuhët e huaja, teknologjinë e informacionit, por mbi të gjitha në vullnetin për të studiuar dhe zhvilluar aftësitë e të nxënit, për arsimin e lartë mendoj se nevojitet përgatitje e një tjetër niveli. Ky stad i ri cilësor i dijeve nuk mund të arrihet pa praninë e pedagogëve të përgatitur dhe profesionistë në fushën e tyre dhe të një programi që të ketë në balancë optimale dijet akademike dhe ato praktike. Me pak fjalë, shkollat e larta brenda vendit nuk i pajisin studentët me njohuritë dhe aftësitë e duhura për të qenë konkurrent në tregun e punës.
Pate vështirësi në përshtatjen me kërkesat e universiteteve atje?
Sigurisht, kjo është e pashmangshme për këdo që ndryshon vend dhe sidomos kur vjen nga një vend si Shqipëria me problemet në fushën e arsimit siç i parashtrova më lart. Përsa i përket degëve të shkencave sociale, një hapësirë të konsiderueshme të vështirësive e zë përshtatja e mentalitetit me të cilin jemi rritur. Muajt e parë, mua si studente e ardhur nga Shqipëria, m’u desh të mësoja se si të interpretoja leksionet dhe pyetjet që na drejtonin pedagogët, në mënyrën e duhur. Pra, për mua, vështirësia akademike ishte përshtatja me vetë mënyrën e të menduarit jashtë kornizave që na cakton Shqipëria.
Do t’ua këshilloje këtë largim edhe studentëve të tjerë?
Varet nga shumë aspekte dhe rrethana. Gjithçka ka avantazhet dhe disavantazhet e veta. Ne studentet jemi shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri dhe secili prej nesh i bën zgjedhjet bazuar mbi karakterin dhe komoditetin e tij. Unë, përderisa e kam zgjedhur edhe vetë këtë rrugë, ua këshilloj të rinjve, për shkak edhe të shumë përfitimeve të tjera jo akademike, siç janë njohja me kultura të reja dhe aftësia për t’u përshtatur me situata krejtësisht të ndryshme nga ato që jemi mësuar në Shqipëri. Mëson të bëhesh i pavarur dhe të ecësh me këmbët e tua. Por, kuptohet,nëse kanë mjaftueshëm dëshirë dhe vullnet, sepse mbijetesa në një vend të huaj është vërtetë shumë e vështirë.
Kujt i referohesh në këtë rast me vështirësi?
I referohem mungesës së ngrohtësisë që të jep familja dhe shoqëria në vendin tënd, të cilat andej nuk i gjen dot askund. Po ashtu, jetesa është e shtrenjtë dhe të duhet të përballesh çdo ditë me shpenzime të paparashikuara, gjë që të detyron të kërkosh me doemos një vend pune për t’i mbuluar sadopak këto harxhime. E nëse gjen një vend pune, ruajtja e rezultateve maksimale në shkollë bëhet gjithnjë e më e vështirë, për shkak të kohës së pamjaftueshme.
Do të rikthehesh në Shqipëri, pasi të kesh kryer studimet?
Tani filloj vitin e dytë bachelor dhe kam akoma shumë rrugë përpara, por mund të them se nuk dua ti humbas kontaktet me vendin tim edhe pasi të mbaroj studimet. Kisha shumë mall kur u ktheva këtë verë, më mungojnë vërtet të gjithë. Në Shqipëri gjen njerëz të dashur, të komunikueshëm dhe nuk ndjehesh asnjëherë vetëm. Por këto mungesa, malli dhe vetmia janë ato vështirësi që duhet t’i kapërcejmë dhe që na bëjnë më të fortë. Por, megjithatë, nuk jam e sigurtë nëse do të gjej një të ardhme këtu, për fushën ku do të specializohem në vazhdim.
Siç mund ta gjykoni edhe nga kjo intervistë të rinjtë tanë po luhaten mes dashurisë për vendin e tyre dhe dëshirës për t’u larguar, sidomos për mungesë të mundësive që iu jepen për punësim. Për ta mbyllur këtë artikull sensibilizues, theksojmë edhe njëherë, se është e trishtueshme dëshira e të rinjve për t’u larguar nga Shqipëria, fakti që mezi presin të ikin nga ky vend, që siç shprehen rëndom “nuk bëhet”, pa dashur të pranojnë se janë ata vetë që do ta bëjnë dhe askush tjetër. Janë ata shpresa e vetme për të ngritur nivelin ekonomik dhe social – kulturor të Shqipërisë. Janë ata e ardhmja e këtij vendi, që ka nevojë për frymë të re, për energjinë dhe forcën e tyre për të jetuar. Ata do ta ndërtojnë një Shqipëri ndryshe, me botëkuptim të ri, pa komplekse dhe paragjykime, ashtu siç janë vërtetë të rinjtë tanë.
Për këtë duhet të kuptojmë të gjithë, se çelësi i zgjidhjes nuk është ikja “arratisja” nga Shqipëria, por puna me vullnet dhe pasion, për t’u arsimuar dhe rritur nivelin e dijeve çdo ditë. Më pas vjen suksesi, shija e të cilit është kudo e njëjtë, por kënaqësia dhe mirënjohja që merr është më e madhe kur ti e investon në vendin tënd, pranë familjes, të dashurve dhe miqve të tu.
Komentet