Shkrimtari Bardhyl Berberi rrëfen dramën e një familje artistësh. Burgosja në moshën 15-vjeçare, i më të voglit nga 5 vëllezërit Darova, dhe ndikimi i Mehmet shehut në faljet dhe dënimet e tyre
Bardhyl Berberi
Është shuar para pak ditësh vëllai i pestë i orkestrës famoze Mentar Darova . Pak kohë para se të ndahej nga jeta ai na ka treguar kalvarin e vuajtjeve të familjes së tij. Fama e një orkestre me emër në qytetin e Pogradecit, e njohur ndryshe në opinionin e gjerë si “Bitëllsat e Pogradecit”, në vitet` 50 – 60 ` e përberë nga 5 vëllezërit Dorava dhe familjarë të tyre, jo vetëm që nuk do të “zbuste” njollën e persekutimit nga lidhja e djalit të vogël 15-vjeçar me Ballin Kombëtar në Luftën e Dytë Botërore, por do të kujtonte udhëheqjen e kohës për të urdhëruar ndëshkimin e tejskajshëm të kësaj familje thotë pjesëtari i këtij grupi Mentar Darova pak ditë para se të ndahej nga jeta. Ja si e tregon dramën e familjes së tij Mentar Darova xhezbandisti i famshëm i orkestrës famoze, si dhe humoristi krejt i veçantë gjatë interpretimit të skeçeve në Estradën Profesioniste të Pogradecit.
Sapo kishte mbaruar lufta. Ishte viti 1946 e në kinemanë “Morava” të Korçës, në bankën e te akuzuarve, ngjitet një i ri 15-vjeçar. Është Dylber Dorava. Akuzohet nga qeveria e re komuniste se gjatë luftës është bashkuar me rininë e Ballit Kombëtar, në kampin kundërshtar të partizanëve. Dënohet me 101 vjet burg. Edhe pse Muhamet Dorava, vëllai i madh i tij kishte qenë partizan në luftën Nacionalçlirimtare, masa e dënimit për 15-vjeçarin qe e rëndë; për të burgim i përjetshëm, ndërsa për familjen nisin internimet, vuajtjet e më pas burgosen dhe ata. I rikthyer këto ditë në Pogradec pas shumë vitesh Mentar Darova në moshë të thyer rikujton ato ditë të vështira të 6 dekadave më parë.
Kishte vetëm pak kohë që Dylberi ishte dërguar në burgun famëkeq, kur në këtë kamp shkon për vizitë Mehmet Shehu. Mes të dënuarve, Shehut i bie ne sy një djalë i vogël, trup imët, të cilin e pyet: “Po ti, mor djalë, sa vjet je dënuar?”
“101 vjet “- i përgjigjet Dylberi, Mehmet Shehut.
“Pse kaq shumë?”- pyet kryeministri.
“E dinë ata që më kanë dënuar!”- i kthen përgjigje 15-vjeçari, duke e parë drejt në sy Mehmet Shehun. Mehmet Shehu urdhëron ulje të dënimit për 15-vjeçarin; nga 101 vjet, në 25 vjet burg. Sapo mbaron 10 vjet burg, e lirojnë, dhe Dylberi, në vitin 1956, vjen në Pogradec, pranë familjes. Martohet dhe lind tre fëmijë, ndërkohë që për shkak të biografisë, caktohet të punojë në Hotolisht të Librazhdit në një lokal buzë rrugës, si bufetier. Dylberi bën një lutje, që të vijë në Pogradec të kujdeset për fëmijët se i kishte të vegjël. E sjellin ne Pogradec, por përkohësisht. Sapo vjen në Pogradec, i japin dënimin tjetër me 20 vjet burg “Për agjitacion e propagandë”.
Ishin vitet ’70, kur Shqipëria gëzonte kulmin e miqësisë me Kinën. Dylberi gjen në tavolinën e tij në bibliotekë, ku shkonte shpesh, disa revista kineze. “Këto revista kineze m’i hiq se nuk i shoh dot me sy”, – i thotë ai punonjësit të bibliotekës. Aty e dëgjon rastësisht një mësues matematike që kishte qenë edhe bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe e spiunon. Dylberi rivihet përsëri ne pranga dhe rinis jetën e qelisë. Del përsëri para trupit gjykues, ku e dënojnë edhe me 10 vjet të tjera burgim. Këtë radhë dënimi është “Per agjitacion dhe propagandë kundër vijës së partisë e pushtetit popullor”. Këtë radhe, “seriali ” i vuajtjes së dënimit për muzikantin Dorava nuk është burgu i Burrelit, por ai i Spaçit të Mirditës. E bën kohën e burgimit ditë me ditë në këtë ferr. Ditën që do të dilte nga burgu i Spaçit, sapo e përcjellin shokët e tek ndahet me ta, në afërsi të daljes së korridorit të qelive, pa prangat në duar, i afrohet një gardian dhe i thotë: “Të kërkojnë pak në zyrën e drejtorit të burgut për të firmosur diçka!”. Përballet me një të papritur të dhimbshme. Sapo futet në zyrën e drejtorit pa, se përveç titullarit, aty ishin dhe dy policë që kishin pranga të hapura në duar. Teksa dy policët i rivënë përsëri prangat Dylber Doraves, drejtori, i ngritur në këmbë, i thotë: “Do të bësh edhe 10 vjet të tjera dënim se ke bërë agjitacion dhe propagandë në burg!”.
Loja fatale e fatit
Këtë radhë dënimi ishte pa gjyq. Kështu Dylberi kreu në këtë burg edhe 10 vjet të tjera, duke mbushur plot 30 vjet burg. Teksa tregon këtë moment të rëndë për vëllanë e familjen e tyre, Mentari, risjell bisedën e çastit që pati me të vëllanë për këtë moment. “E pyeta vëllanë si e përballove shtesën tjetër prej 10 vjetësh burg, kur ishe përgatitur për të dalë nga ai ferr”, -pohon Mentari . Ndërsa fjalët e të vëllait ishin: “Nuk më bëri përshtypje, isha i përgatitur për gjithçka prej tyre, ndonëse nuk e prisja që në momentin e kalimit të pragut të ferrit të Spaçit të më rivinin prangat e sapohequra e të më dënonin edhe me 10 vjet të tjera burgim!” Por për muzikantin që u fut në burg në moshën 15 vjeç e doli andej i thinjur pas 30 vjetësh, edhe vitet e mëvonshme, përfshirë ato të fillimit të demokracisë në vend, nuk qenë të mbara. Atë, siç tregon mes lotëve Mentari, e ndoqi fati tragjik. Dylberi, me vizë në xhep për të shkuar tek tre fëmijët e tij në Kanada, së bashku me bashkëshorten, vdes papritur, duke iu shuar jeta pa parë asnjë ditë të bardhë.
Rikthimi i përmallshëm i të vetmit vëlla që jeton
Sapo makina del sipër, në Qafën e Thanës e shfaqet pamja e kaltër e liqenit, si në një ekran filmi, Mentar Darova zhytet i tëri në një meditim të thellë me syrin pranë xhamit të makinës. “Kam mall e brengë për qytetin tim të lindjes”, thotë. Sapo mbërrin në qendër të qytetit drejtohet me një hap të shpejtë drejt Turizmit të vjetër, vështron lulishten, te vendi ku ishte dikur podiumi i orkestrës me famë në vitet 50 – 60, orkestër që tronditi jo vetëm Pogradecin, e të gjithë Shqipërinë, por që bëri famë edhe jashtë kufijve. Me syrin e malluar ai vështron vendin ku ka qenë salla e vjetër e shfaqjeve, por ajo mungon, është prishur. Mentar Darova është i vetmi vëlla që jeton nga pesë vëllezërit Darova. Edhe pse i ka kaluar të tetëdhjetat dhe ka vite që nuk duket në sken e as në ekran, imazhi i tij na vjen në kujtese si një formë dashurie për mjeshtrin e madh të xhazit, i cili ishte pjestar i asaj orkestre të madhe që ngriti vëllai i tij i madh Muhamet Darova. Dikur Pogradeci mburrej me liqenin, me koranin e famshëm, por edhe me orkestrën e madhe të vellezërve Darova që i kaloi kufijtë e Shqipërisë. “Jeta jonë është një kalvar i mundimshëm çnjerëzor, burgje, internime e ndëshkime, por muzikën nuk e vunë në pranga, ajo na lidh e na mban të pandarë me njerëzit, qytetin”, -vazhdon tregimi i Mentar Doravës.
Drama e një familje artistësh
Drama e 5 vëllezërve Darova, djem të një familje të njohur intelektuale të një mësuesi të nderuar si Nevruz Darova, të cilët lufta nacionalçlirimtare i renditi në dy kampe të ndryshme, menjëherë pas çlirimit të vendit, i nënshtrohen një persekutimi të egër, me vite të gjata burgimi e internime të njëpasnjëshme. Fama, si muzikantë të talentuar, si krijues të orkestrës që bëri emër në Shqipëri e më gjerë, ku Darovajt cilësoheshin si “Bitellsat e Pogradecit”, i kujton Mehmet Shehut prejardhjen e tyre dhe urdhëron shtimin e kalvarit të persekutimit. I rikthyer në Pogradec pas viteve të gjata mungesë, tashmë në moshën e pleqërisë, Mentari vazhdon të tregojë episodet e një drame të dhimbshme që kaloi familja e tyre në diktaturë. Ishte një nga dramat më të dhimbshme, dramë, e cila ka lënë gjurmë të pa riparueshme në jetën e Darovajve.
Peripecitë e një jete të vështirë
Pas dënimit të Dylberit me burg, familja Darova zhvendoset nga banesa ku ishte, në një kasolle me baltë në lagjen “Kulleiri” të Korçës. Vëllai i madh i familjes, Muhameti, shpërngulet për në Durrës, ku merr më pas edhe pjesëtarë të tjerë të familjes Darova; babanë, nënën, motrën e tyre të vetme, Lavdien, si dhe vëllezërit Agimin, Mentarin dhe Ilirjanin, më të voglin. Duke qenë orkestrantë cilësore, të katër vëllezërit punojnë te lokali “Vollga”, me shumë emër në atë kohë në Durrës. “Ishim si në mrekulli, kanë qene tre vitet më të bukura të jetës sonë, ku ne arritëm majat e filloi të rritet reputacioni i orkestrës sonë”, – pohon Muhameti. Kështu, Muhameti që ishte drejtues i grupit, i binte fizarmonikës, Agimi në kitarë, Mentari në xhaz dhe Ilirjani në kontrabas. Por krejt papritur një dite lajmërohen, se duhet të largohen, jo vetëm nga “Vollga”, por edhe nga qyteti i Durrësit, si persona te padëshiruar. Ishte një shefe kuadri nga Korça, kujton Mentari , që i ishte qepur “me gurë në trastë” familjes Darova. Largohen për në Kavajë në një lokal të thjeshtë, si tip mejhane. Por vetëm 2 javë, se shefja e kuadrit nga Korça kishte dërguar relacion që të përziheshin edhe nga Kavaja. “Mbetëm me plaçka në kurriz, pa të ardhura për bukën e gojës, e ashtu si nomadët, shkuam, në Elbasan”, -tregon ai . Fillojnë punë në një lokal në qendër të pazarit. Lokali po frekuentohej dhe muzika pëlqehej shumë. Në kohën kur krijohet turizmi i vjetër i Elbasanit, orkestra e vëllezërve Darova kaloi në sallën kryesore të turizmit. Ata vazhduan gati 5 vjet punë në turizëm, duke thyer një tabu. Filluan të kërcejnë çiftet elbasanase në sallë. Por këtë traditë, kujton i moshuari Darova, e nisi së pari një skuadër basketbolli nga Shkodra që kishte ardhur për të zhvilluar ndeshje në Elbasan. Shkodranët u ngritën në vallëzim dhe kjo bëri që të ngrihen edhe çifte elbasanase. “Vjen në Elbasan Drejtori i Përgjithshëm i Turizmit të Republikes, na thërret e na thotë, se duhet të shkoni në verë në Pogradec dhe në dimër në Elbasan”,- shton më tej muzikanti i moshuar. Pogradeci ishte qytet turistik dhe kishte shumë te huaj si specialistë çekë dhe rusë që punonin në gjeologji dhe miniera. Në Pogradec orkestra filloi shpejt të bëhet e dashur për të gjithë. Ndër frekuentuesit e parë e të rregullt, çdo natë, ishin të huajt e shumtë që ishin në Pogradec.
Dëgjonin me endje virtuozitetin e vëllezërve Darova, të cilët ekzekutonin mjeshtërisht edhe shumë pjesë të huaja nga më të njohurat. Pas dy vjetësh pune në Turizëm, me krijimin e estradës profesioniste të qytetit, vëllezërit Darova kalojnë edhe në orkestrën e estradës edhe ne orkestrën e turizmit. “Në sajë të vëllezërve Darova, estrada profesioniste e Pogradecit arrin majat dhe bëhet një nga estradat më të mira të vendit – tregon Mentari – se atë kohë, në orkestër bashkëngjitet edhe një klarinetist i talentuar, Jashar Nazifi. Ky i fundit u harmonizua plotësisht me vëllezërit Darova. Madje Mentar Darova, përveç që i binte xhazit, luante në skeçe me një humor të jashtëzakonshëm, duke i dhëne estradës një kolor tjetër. Në vitet ‘60 estrada me vëllezërit Darova arrin kulme të papara. Në një nga turnetë, në 20 dite shfaqje që dha në Tiranë në sallën e Teatrit Popullor, nuk gjeje dot biletë për të parë shfaqjen.
Shkodra u vuri emrin “Bitëllsat e Pogradecit”
Sukseset e njëpasnjëshme të orkestrës së Pogradecit në të gjitha rrethet e vendit, një muzikë që dilte disi nga “hulliri” i kohës, pëlqehej e kërkohej masivisht nga rinia. Por vetë kjo muzike, e veçanërisht njolla biografike e prodhuesve e interpretuesve të saj, bënë që udhëheqja e kohës të ishte dyfish vigjilente për të frenuar “muzikën e shfaqjet e huaja”, si dhe për të dënuar muzikantët e talentuar Dorave. Muhameti, por dhe shumë bashkëkohës, kujtojnë se në një nga turnetë e gjata të estradës së Pogradecit nëpër Shqipëri, pikërisht koncertet në Shkodër, do t’i pagëzonin këto artistë të talentuar “Bitëllsat e Pogradecit!”. “Ishte një vlerësim i spektatorëve për ne, ishte një emër i pazyrtarizuar, të cilin e dëgjonim kudo që shkonim, bënim gjithçka për muzikën e për të kënaqur dëgjuesit tanë, ndonëse e dinim se “dara” e ndëshkimit nga shteti i kohës po na torturonte keq e më keq”, – kujton sot artisti i moshuar.
Dënimi i dytë nga Mehmet Shehu, i vëllezërve Dorava
Krahas vendasve, shtetasve te huaj qe punonin ne Pogradec, kujton muzikanti 85-vjeçar, fama e orkestrës kishte bërë që nga Tirana të udhëtonin shpesh drejt qytetit bri liqenit edhe përfaqësi të shumta diplomatike në Shqipëri, apo dhe delegacione që vizitonin vendin tonë. Në një vizitë të shkurtër në Shqipëri, kujton Mentari vijnë e qëndrojnë disa ditë në Pogradec e ndjekin orkestrën edhe kryeministri çek e ai bullgar. Shoqëroheshin nga Mehmet Shehu, kryeministër i asaj kohe. Dy kryeministrat miq, pas një koncerti të gjatë e duartrokitje, afrohen e përgëzojnë orkestrantët Dorava për kënaqësinë që u falën. Aty kryeministri çek i thotë Mehmet Shehut: “Në Shqipërinë e vogël gjetëm një orkestër të madhe!”. Ndërsa kryeministri bullgar i asaj kohe, në sy e prezencë të Mehmet Shehut, pasi u jep dorën muzikantëve, duke na përshëndetur, i thotë Mehmetit: “Ke një orkestër të madhe internacionale, koleg!” Dhe në këto çaste, vazhdon tregimin Mentari, Mehmeti më thotë mua duke tundur kokën: “Ju jeni ata të Starovës (bejlerët)?!”.
“Jo, jemi nga Pogradeci”, – i përgjigjet vëllai i madh Muhameti . Nuk kaloi as një javë, vazhdon tregimin muzikanti i moshuar, kur filloi “tërmeti”. “Na thërret sekretari i ideologjisë, një farë Todi Kokoneshi dhe na thotë se nuk kemi me nevoje per ju, do te përgatitim talente te reja. Ju duhet te shkoni të punoni në prodhim në ndërmarrjen bujqësore”, – kujton Mentari. Urdhri i partisë çohet menjëherë në vend; të katër vëllezërit dërgohen në prodhim në gjirin e klasës punëtore. Muhameti shkon në zyrë te Kryetari i Komitetit, Avni Vercuni dhe kërkon të largohet nga Pogradeci. Niset në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës të takojë ministrin Thoma Deliana, të cilin e njihte që kur kishte qenë në Elbasan, sekretar i parë i këtij rrethi. Ai tregon se Deliana e pret mire, por i thotë se në Pogradec nuk mund t’ju kthej, por shko në Rrëshen drejtues muzike. Aty, shkoj!
Vëllai i madh, Muhameti
“Pas dy vjetësh transferohem në Laç, aty e marr me vete edhe gruan”, -shton ai. Me tekst të Gjok Becit, Muhameti kompozon një këngë për vinçieren që bëhet këngë shumë popullore dhe transmetohej në radio çdo ditë. Pas dy vjetësh pune ne Laç, papritur e thërret ish – sekretari i Parë i Partisë së Krujes, Tahir Minxhozi, i cili e emëron si shef muzike në Shtëpinë e Kulturës. Më pas Muhameti tërheq edhe vëllanë tjetër, kitaristin Agim Darovën. Ndërkohë që unë thotë Mentari ika sa më larg në Gjirokastër. Vëllai tjetër, i vogli, Ilirjani, internohet në Tepelenë. Ndërkohë që nga Pogradeci, kujton Mentari vinin çdo ditë letra nga Komiteti i Partisë, ku thuhej se “ne i hoqëm dhe ju i mbani në orkestër ata të deklasuar!”. Por duhet thënë se edhe atëherë kishte njerëz të mirë si Tahir Minxhozi, në atë kohë Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë, ne qëndruam në Krujë më qetë si të deklasuar që ishim, ku ruajmë respektin më të madh për Krujën e banorët e saj, që në një farë mënyre, na lehtësuan disi nga goditjet e diktaturës dhe lufta e pamëshirshme e klasave në vitet e egra të diktaturës”, -përfundon muzikanti i njohur 85-vjeçar, vëllai i madh Dorava. Është një kalvar i stërmundimshëm i “Bitëllsave të Pogradecit”, ku me gjithë shkëlqimin e talentin e tyre të jashtëzakonshëm, vuajtën krahas burgimeve, internimeve, edhe rrënimin e tyre shpirtëror nga diktatura komuniste. Mentari jo vetëm një xhezbandist (baterist ) i madh, por dhe një aktor i përkryer.
Komentet