Libri “Kanuni – dëshmi e qenësishme e ligjësive të lashta të jetesës së njeriut tonë” i prof. Anton Nikë Berishës, që po e promovojmë sot, në shikim të parë, ka një strukturë heterogjene, por pas një analize të shkurtër kuptojmë se të gjitha pjesët e librit, që nga parathënia e autorit, e deri te shtojca 1, ku përfshihet parathâne e Gjergj Fishtës dhe punimet e Atë Pashk Bardhit dhe të Faik Konicës për Atë Shtjefën Gjeçovin dhe shtojca 2, ku jepen disa mendime të zgjedhura nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, kanë një lidhshmëri organike dhe i ndihmojnë lexuesit t’i ofrohen më lehtë kuptimësisë mbi të cilën është ngritur ky libër dhe idesë së autorit që përmes tij t’i ofrojë një varg mendimesh e burimesh të shumta refrerenciale mbi Kanunin, mbi rëndësinë dhe lashtësinë e tij.
Me Kanunin janë marrë autorë e studiues shqiptarë e të huaj dhe ai edhe sot vazhdon të cytë kërshërinë për të mësuar më tepër mbi shumëdimensionalitetin juridik, filozofik, etno-sociologjik të tij. Jo pak autorë janë marrë edhe me shtresat konotative dhe vlerat letrare të Kanunit, prandaj me të drejtë Eqrem Çabej, qysh në vitin 1935, në veprën “Elemente të literaturës dhe të gjuhës shqipe”, e përfshiu Kanunin në antologjinë e vlerave letrare të përzgjedhura si literaturë ndihmëse për nevojat e shkollave.
Kanuni i maleve, siç përdoret më dendur ky togfjalësh, ndonëse në shikim të parë lidhet me emrin e Lekë Dukagjinit, ai megjithatë është shumë më i vjetër se kjo figurë historike e mesjetës shqiptare. Këtë e dëshmon dhe ky mendim i Edit Durham-it: “Ligjet dhe kanunet që i atribuohen Lekës, duket qartë se janë më të hershme se shekulli XV, para kohës kur thuhet se ai ka jetuar”.
Nënshtresat jo vetëm kuptimore, por edhe filozofike e gjuhësore të Kanunit të Lekë Dukagjinit, sipas kësaj që u tha më sipër, zbulojnë jetëgjatësinë e një sistemi parajuridik tepër të lashtë, atëherë kur të drejtat zakonore nuk rregulloheshin nga shteti, i cili nuk ekzistonte si formacion në kuptimin e sotëm, por nga njerëzit e ditur, ose pleqtë e mençur, të një krahine, apo të një krahu etno-kulturor. Edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit sigurisht që është derivat i një mendimtarie elitare popullore që bazohej mbi substratin sociologjik e juridik të shqiptarëve nëpër shekuj.
Si një barkod antropologjik Kanuni, për shekuj me radhë, arriti të kodifikojë marrëdhëniet civile në mes të njerëzve, në rrethana e situata nga më të komplikuarat, dhe ky kontribut i atribuohet edhe Kanunit të Lekë Dukagjinit, i cili kësaj radhe bëhet shkas dhe nxitje për studiuesin Anton Nikë Berisha që t’i ndriçojë disa nga vlerat më të qenësishme të Kanunit, dëshmi e një pasurie të madhe të trashëguar nëpër kohë, po dhe t’i sjellë përsëri për lexuesit e sotëm pikëpamjet e atë Gjergj Fishtës, atë Pashk Bardhit dhe Faik Konicës për Kanunin dhe për Shtjefën Gjeçovin.
Siç dihet, për herë të parë Kanuni Lekë Dukagjinit u mblodh, u sistemua dhe u botua prej Atë Shtjefën Gjeçovit në vitin 1933, i cili kishte një formim solid kulturor e intelektual mbi problematikat filologjike, teologjike, arkeologjike dhe juridike. Jemi në kohën kur mendimi shqiptar kishte krijuar një shtrat të vetin si të eksplikimit ashtu edhe të lirisë së shprehjes, për tema e probleme që ishin të pranishme në gazetat dhe në revista e atyre viteve. Rrjedhojë logjike e kësaj atmosfere kulturore është edhe vetë parathënia e atë Gjergj Fishtës në botimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit nga atë Shtjefën Gjeçovi, të cilën prof. Berisha e sjell në formën burime në librin e tij që po e promovojmë sot. Me këtë mbase dëshmohet edhe vendimi i autorit t’i japë jetë rëndësisë së koleksionimit të mendimit shqiptar mbi Kanuni e Lek Dukagjinit, duke e përzgjedhur parathënien e atë Gjergj Fishtës si nektarin, ttë them, historik.
Nga ky shkrim i Fishtës kuptojmë se nisur nga disa analiza antropologjike, bëhet klasifikimi në pesë shkallë i kulturës dhe i qytetërimit të popujve. Sipas këtij klasifikimi, Fishta shqiptarët i rendit në shkallën e tretë, që ka si karakteristikë kryesore realizimin e së mirës së përbashkët. Kjo kulturë mund të quhet legjendare ose heroike sepse: “gjithkund zotëron parimi i lirisë, i nderit e burrnisë”: “Kshtû populli i malevet t’ona met i vetmuem edhè i shkputun prej kontaktit me vise shqyptare mâ të gjytetnueme. Këta të shkputun u vertetue edhè mâ teper neper autonomí, qi ktyne malevet u a njofti sundimi otoman. Prandej mund të pohohet se të gjith zhvillimi gjytetnues i tyne mvarej prej parimevet fetare kristjane e të ndonji tradicjonit, trashigue prej ndoʼi kulture të hershme e të shueme”.
Ndërkaq, elemente të egërsisë përmbajnë vetëm shkalla e katërt dhe e pestë e klasifikimit. Duke gjetur në Kanunin e Lekë Dukagjinit edhe reminishenca përngjasuese me sistemet juridike evropiane, Fishta vë në dukje se Drejtësia që jep Kanuni krahasohet me drejtësinë e çdo gjykate evropiane, qëllimi i të cilave është “me pshtue shoqninë prej nji elementi të rrezikshëm, përndryshe nuk asht barbar”. Si i tillë, ligji kanunor është i dobishëm, sepse ka karakter parandalues ndaj krimit të vrasjes: “Bje fjala: kanibali mytë nji njeri, por edhè gjykatsi europjan myutë njeri: a thomë na se të dy janë njâ barbarë? Jo; pse Kanibali mytë nierin per me i hanger mishtë, e prandej âsht barbar; ndersá gjykatsi europjan mytë njerin, as per me i hanger misht, as per me shfrye mnín e vet në tê, por per me pshtue shoqnín prej nji elementi të rrezikshem, e prandej nuk âsht barbar. Per ne e marrshim pra punen në pikpamje psihologike, un tham se puna e gjakut në Shqypní nuk âsht nji argument per me percaktue barbarsín e egersín e kombit shqyptár; por âsht rezultati i do mndorjeve, qi nuk mvaren prej shpirtit të ktij kombi”.
Në anën tjetër, rëndësia e studimit të Fishtës merr një peshë domethënëse duke ia atribuuar Kanunit edhe disa vlera të tjera për faktin se aty përcaktohen edhe rrugët që duhen ndjekur për zhdukjen e gjakmarrjes dhe si i tillë Kanuni është edhe një pararendës i të drejtës moderne, sepse disa gjëra që i gjejmë në Kanun, sot përfshihen në kushtetuta të ndryshme të shteteve evropiane e botërore. Fishta shkruan: “Fjala kanûn s’ká dyshim, se etimologisht rrjedhë prej fjalet greqishte «kanón», qi don me thânë : mastár – njajo vegel drunit a e ndonji brumit tjeter, qi vien me terhjekë viza të ndrejta. Metaforikisht shenjon shtillin e ligjvet gojdhânse e të pa kodifikueme, mbas të cillave hecte dikúr hullija e jetës e e veprimit të popullit shqyptár”. Në këtë mënyrë lexuesit i bëhet e ditur etimologjia e fjalës Kanun, shpjegim ky i domosdoshëm për të gjithë ata që duan të depërtojnë pak më thellë në materien jo vetëm juridike, por edhe gjuhësore, filozofike e antropolgjike që ngërthen ai.
Nëse e marrim të mirëqenë faktin se përpos Kanunit të Lekë Dukagjinit, studiuesit e të drejtës zakonore shqiptare kanë identifikuar edhe disa kanune të tjera siç janë: Kanuni i Skënderbeut, Kanuni i Labërisë, Kanuni i Dibrës, Kanuni i Lumës etj., atëherë një pyetje e logjikshme që imponohet me këtë rast është se ku e ka burimin gjithë ky interesim i autorëve e studiuesve tanë e të huaj pikërisht për Kanunin e Lek Dukagjinit.
Përgjigjen më të natyrshme e ka dhënë autori këtij libri, prof A. N. Berisha, teksa thekson se shumica e studiuesve pajtohen me faktin se Kanuni i Lekë Dukagjinit i mbledhur dhe i shtjelluar nga Shtjefën Gjeçovi, është përmbledhja më e plotë dhe më e rëndësishme e së drejtës zakonore shqiptare, pa lënë anash dhe disa variantet që Gjeçovi i la në dorëshkrim.
Një element tjetër që e bën Kanunin e Lekë Dukagjinit të ketë një status të veçantë të drejtës zakonore shqiptare, ndërlidhet me faktin se në vitin 1933, kur u botua teksti i Kanunit, gjakmarrja ishte ende aktive në skenën e shqiptarëve, ndërkohë që mekanizmat shtetërorë për shuarjen e kësaj plage nuk po e jepnin rezultate duhura. Pra, burimi kryesor i anarkisë shoqërore e shpirtërore ishte shteti që nuk i kryente detyrat që i përkisnin dhe kjo e kishte detyruar Fishtën të konstatonte: “…ligjet për me kên vërtet të dobishme por të drejta e të ndershme, do të jenë të gjashme, due me thanë të preme pas pshihes e nevojave të njimendeta të popullit…Kështu kan punue të gjitha kombet e qytetnueme”
Qysh në titullin e librit “Kanuni – dëshmi e qenësishme e ligjësive të lashta të jetesës së njeriut tonë”, prof. Berisha shtron disa prej tezave kryesore që pritet të elaborohen mbi Kanunin dhe raportin e tij me njeriun shqiptar, aq më tepër kur prof. Berisha, Kanunit i atribuon qenësinë e dëshmisë, atëherë kur nuk kanë ekzistuar kode civile, ose nuk janë zbatuar, dhe për rrjedhojë, Kanuni ka qenë një rregullator i normave dhe i sjelljeve individuale e shoqërore.
Përmes këtij studimi, Berisha ka ndriçuar disa nga qenësitë dhe vlerat kryesore të Kanunit të Lekë Dukagjinit si trashëgimi shpirtërore që gjallëroi dhe u bart shekuj me radhë përmes mënyrës gojore, duke e parë dhe vëzhguar nga këndvështrime të ndryshme dhe duke e lidhur edhe me pjesë të tjera të trashëgimisë sonë shpirtërore dhe artistike, fjala vjen, me mikpritjen, me këngët kreshnike dhe me dukuri të tjera, që njeriu ynë i përdori në të kaluarën dhe që disa, në formë të pjesshme, mbërritën edhe në ditët tona.
Ndonëse Kanuni në jetën e sotme moderne është i pazbatueshëm për shkak të rrethanave krejtësisht të pafavorshme juridike që ia ngushtojnë atij dukshëm fushëveprimin, megjithatë për studiuesit Kanuni ende mbetet një dëshmi e vlefshme historiko-antropologjik, ku raportet konfliktuale në mes të njerëzve si dhe jeta civile në përgjithësi, në periudhat më të hershme historike, nuk do të mund të zbërtheheshin sikur të mos ekzistonte një pjesë e dokeve zakonore shqiptare të sanksionuara përmes Kanunit.
Pra, falë edhe këtij libri të prof. Anton Nikë Berishës i afrohemi një mase kritike të nevojshme për të parë nga afër vlerat e Kanunit si trashëgimi shoqërore e shpirtërore, si vlera filozofike, juridike e letrare.
Edhe popujt e tjerë i kanë kanunet e veta dhe secili prej tyre ka veçantitë dhe ngjyrimet autentike, ndërkohë që Kanuni i Lekë Dukagjinit është pasqyrë thellësore e botëkuptimit, e karakterit sociologjik, e etno-psikologjik të shqiptarëve… Ose, siç do të shprehet Atë Gjergj Fishta në parathënien e tij se edhe popujt e tjerë, siç ndodhi me arbrit – shqiptarët, në kodet e tyre i brumosën cilësitë e karakterit të tyre, për arsye se një fis, një shoqëri ose një shtet quhet i lirë dhe i qëndrueshëm kur ka ligjet e përftuara në bazë të veçantive psikologjike dhe të nevojave të veta të mirëfillta.
Se kjo dukuri ishte pjesë e jetës së grupeve dhe fiseve, dëshmohet nga kjo e dhënë hebreje: Kur e zunë Krishtin dhe ia çuan Pilatit, që ta gjykonte, siç thuhet në Ungjill, ai u tha: “Merreni, pra, ju vetë dhe gjykojeni sipas ligjeve tuaja”.
Ata që para se t’i kenë njohur nga afër shqiptarët, nëse kanë rastisur ta lexojnë Kanunin e Lekë Dukagjinit, nuk e kanë pasur pastaj vështirë të skanojnë në imagjinatën e tyre imazhet për shqiptarët, sepse më mirë se Kanuni asnjë vepër tjetër nuk mund ta shpalosë nga brenda botën shpirtërore, psikologjike e shoqërore të shqiptarëve.
Pasi ta kemi lexuar këtë studim të prof. Anton Nikë Berishës, duhej t’ia njohim meritën kryesore për vënien dhe shtjellimin në një vend të disa burimeve që na shërbejnë si rrugëtregues për të kuptuar qenësitë e Kanunit, shtresat dhe lashtësinë e tij, për arsye se siç e thotë Berisha, në thelb Kanuni I Lekë Dukagjinit është një motërzim (variant) i Kanunit të maleve. Këtë e dëshmon dhe ky mendim i Bernardin Palajt, njëri nga njohësit më të mirë të së drejtës zakonore shqiptare se Kanuni i Lekë Dukagjinit është shtesë e vonshme e Kanunit të maleve.
Ky libër i prof. Berishës, jo voluminoz për nga numri i faqeve, por tepër i ngjeshur për nga faktografia, në vazhdim sjell “Shënime biografike mbi átë Shtjefën Konstantin Gjeçovin” nga Atë Pashk Bardhi dhe “Ca kujtime mbi átë Gjeçovin” nga Faik Konica.
Duke bërë fjalë për vizitën që ai i bëri atë Shtjefën Gjeqovin në Gomsiqe të Mirditës bashkë me atë Gjergj Fishtën, Konica shkruan: Na tregój një dorëshkrìm nj’a dymij faqesh, sudiím i palodhur e i hollë ku kish mbledhur, radhitur e ndritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e Mesme, mendime të cilat ngjan t’i kenë rrënjët shumë përtej Kohës së Mesme.
Nisur nga ky dhe faktet tjera, Konica nuk ngurron të japë këtë vlerësim për atë Shtjefën Gjeqovin, duke e cilësuar atë si një nga njérëzit më të lartë që ka patur Shqipëria. (gazeta Dielli”, 18 mars 1930, nr. 5156, f. 2.)
Për ta përmbyllur këtë vrojtim timin mbi librin “Kanuni – dëshmi e qenësishme e ligjësive të lashta të jetesës së njeriut tonë”, të prof. Anton Nikë Berishës, na imponohet një argument shtesë që e bën këtë libër të rëndësishëm sa i përket përsiatjeve përmbajtësore që dalin prej tij, e që lidhen para së gjithash me një pasuri të pashtershme mendimesh mbi Kanunin e Lekë Dukagjinit nga autorë e studiues të ndryshëm, ku spikasin sidomos atë Gjergj Fishta e Faik Konica, dy emra këta të mëdhenj të kulturës shqiptare, të cilët prof. Berisha i bën bashkë dhe i kontekstualizon në një rrafsh të natyrshëm interpretimi mbi vlerat e shumanshme të Kanunit të Lekë Dukagjinit.
Dhe kur jemi te interpretimi ia vlen të shkëpusim edhe një mendim të Fishtës nga parathënia e tij e që jep një sqarim mjaft argumentues mbi bashkëjetesën e Kanunit me administratat e huaja, sidomos me atë Otomane, sepse jo pak njerëz kanë shprehur habinë se si ka mundur të veprojnë instrumentet juridike të Kanunit në një kohë kur populli shqiptar ishte i pushtuar nga të huajt: Kúr prá nji popull mâ i fortë pushton nji tjeter mâ të vogel a mâ të ligshtë, po kje se aj mâ i forti nuk e pushton atê mâ të ligshtin, per me e mbajtë rob; por, per me lehtsue neper ktê sa mâ plotsisht zhvillimin moral e materjal të vetin e të këtij, zakonisht populli pushtues i a lên të pushtuemit ligjët e doket, mbas të cillave ky kje sundue, mos tjeter, dér në nji kohë, në të cillen interesja e perbashktë e të dyve mos t’u a kshillojë ndrrimin e tyne.
Medjè Turku, per interpretim të Kanunit, ngrefi në Shkoder nji zyre të posaçme, “Xhibalin”, krejt m’vedi e të pamvarshme prej Prefekturet të Vilajetit.
Nëse kemi parasysh një thënie të prof. Anton Çettës, i cili vlerat e Kanunit i lidh me disa ideale etnike dhe estetike të stërgjyshërve tanë, atëherë edhe ky libër i prof. Anton Nikë Berishës është një mundësi e mirë për t’i kultivuar këto ideale, por në një kontekst modern që do t’u hynin në punë studiuesve dhe brezave në ardhje.
Shkup, 17 maj, 2023