Gjuhëtari Dr. Skender Gashi, i cili ka disa dekada që jeton e punon në Vjenë, pas një përvoje në Institutin Albanologjik të Kosovës, sjell në një punim të tij gjetje interesante për prejardhjen e emrave të fiseve Kelmend e Krasniqi. Po e botojmë të plotë:
I. KELMEND
Kelmend, përkatësisht Malësia e Kelmendit quhet një krahinëz në Malësinë e Madhe, në veriperëndim të Shqipërisë, në skajin verior të Alpeve Shqiptare, përkatësisht Bjeshkëve të Nemuna. Sipas shtrirjes së vjetër fisnore, Kelmendi kufizohet me njësitë territoriale të Hotit, Kastratit dhe Shalës në jug, me Gashin e Krasniqen në lindje, kurse në veri me Vasojeviqët, Kuçin, Triepshin dhe Grudën. Banorët e këtij fisi, banojnë kryesisht rreth dy burimeve: të lumit Cem, Vuklit dhe Selcës dhe lumit të Vermoshit. Komuna e Kelmendit sot ka 6344 banorë, të përqendruar në katundet: Vermosh, Lëpushë, Selcë, Tamarë, Brojë, Kozhnje, Nikç dhe Vukël. [Dom Nikë Ukgjini, Vështrim i shkurtër historik për fisin e Kelmendit, (Internet)].
Prejardhja e fisit Kelmend, sipas traditës gojore
Shumica e atyre që u morën me prejardhjen e këtij fisi, në mungesë të dokumenteve të shkruara, sollën shpjegime të mbështetura mbi gojëshënat popullore. Kështu, [Po ai, po aty.] françeskani Bernardo nga Verona (Itali), i cili për shumë vite kishte qenë misionar në hapësirën e banuar nga kelemendasit, në relacionin e dërguar „Kongragates për Ungjillzim” në vitin 1663, shkruante: „nuk është e lehtë të thuhet nga e ka origjinën ky fis, por është bërë zakon me thënë se kjo popullsi është pasardhëse e Kuçasve ose e fqinjëve të tjerë”; Arqipeshkvi i Shkodrës (1656-1677) e më vonë i Shkupit (1677-1689) Pjetër Bogdani, në relacionin e vet të vitit 1685 dërguar Selisë së Shenjtë, ndër të tjera shkruante se „sipas gojëdhënës, i pari i kelmendasve ka ardhur nga rrjedha e epërme e lumit Moraça” që, sipas N. Ukgjinit,
[Po ai, po aty.] d.m.th. nga hapësira e banuar nga fiset e vjetra shqiptare kodrinore [Pipëri, Kuçi, Vasojevići, Bratonošići/Bratonožići, Bjelopavlići (Palabardhët)] etj. Albanologu i shquar Zef (Giuseppe) Valentini, pas shumë versionesh, për si më të besueshmin e mban variantin sipas të cilit kelmendasit rrjedhin nga fisi i vjetër Kodrinor shqiptar i Kuçit dhe se ky i fundit rrjedh nga fisi Berishë, të cilin në dokumente e gjejmë që në vitin 1242 (khs. për këtë nën Berisha).
Mendimet e shfaqura më lart, „mbështeten” edhe nga tri variante të traditës gojore. Sipas variantit, kushtimisht të parë, pararendësi mashkull i kelmendasve paska qenë martuar me një bijë të fisit të Kuçit i cili djalin e parë të lindur e paska pagëzuar Kelmend. Sipas një varianti të traditës gojore, këtij Kelmendit i paskan lindur shtatë djelm, nga të cilët pastaj rrodhën shtatë (?!) barqe: Selca, Vukli, Untajt, Martinoviqët e Bukova në Dukagjin (të Veriut të Shqipërisë) dhe Llapi në malet e Kosovës, [Kruja e qarku i saj bërthamë e Shqipnis mesjetore, (titulli i origjinalit: Zwei Urkunden aus Nordalbanien, Zeitschrift für slawische Philologie, Bd. 21, Berlin 1899), Dr. Ludwig v. Thallóczy, Diaspora shqiptare në Vëzhgime iliro-shqiptare, përpiluem prej Shkodër, 2004, fq. 196.] ndërsa sipas një varianti tjetër ky pararendës paska pasur 7 ose 4 djem.
Po u ditka që 4 nga këta janë kryeparët e mëvonshëm të vëllazërive shqiptare Selca, Vukli, Nikli dhe Boga, të cilat gjatë sundimit osman qenkan ngritur në rang bajraqesh, që ekzistonin deri në shek. XX. Në atë kohë Selca kishte 400 shtëpi, Boga 70, Vukli rreth 100 dhe Nikli rreth 150 shtëpi. [Dom Nikë Ukgjini, Vështrim i shkurtër historik për fisin e Kelmendit, Internet]
Sipas variantit, kushtimisht të dytë të traditës gojore, i pari i fisit të kelemndasve, mendohet të ketë qenë një bari i quajtur Klement, që ishte rrogëtar i një katunari të pasur (zotërues grigjash të dhenëve) në krahinëzën e Triepshit, i cili qenka martuar me të bijën e të t’zot.
Më vonë, ky kelemendas bashkë me të shoqen e quajtur Bubei të fisit të Kuçit dhe me 20 kokrra dele, u zhdorgj në hapësirën që më vonë do të quhet Kelmend dhe, së fundi, sipas versionit kushtimisht të tretë, po u besuaka se themelues i fisit të Kemendit na paska qenë një abat katolik italian i quajtur Amati ose Clemente, që duket të jetë fare pak e besueshme.
Përkitazi me historikun e këtij fisi ka disa gojëdhëna edhe tek malazezët (sot) sllavë. Sipas njërës nga këto gojëdhana, fisi i kelmendëve shqiptarë dhe i Ceklëve (Ceklinjani) të Crnojevića rijeka qenkan farefis/kushërinj. Kjo sepse, sipas gojëdhanës së shënuar nga Mark Milani, pararendësi kelmendas i quajtur Lekë i Ceklanëve dhe i dy vëllazërive të tjera të malazezëve, tani të serbizuar, qenka i ardhur nga Shqipëria dhe i martuar me një vejushë nga vëllazëria e Piperëve (përkatësisht nga Hercegovina).
Këto vëllazëri s‘mund të merren vesh me njëri-tjetrin sepse kelmendasit e ardhur qenkan serbizuar. [sipas Mirko Barjaktarević, Predanja o zajedničnom poreklu nekih crnogorskih i nekih arbanaških plemena, në Projekat Rastko Skadar: Stanovništvo slovenskog porijekla u Albaniji.] Sipas një gojëdhane të vetë Kelmendasve, këta qenkan pasardhës të Nikollë Kelmendit Mendjeprehtë.
Mendime rreth prejardhjes së emrit
Në recensionin e tij për veprën e Milan Šufflay, Srbi i Arbanasi (Njihova simbioza u srednjem veku); Dr. Viktor Novak e shfaqte mendimin se emri Kelmendi i fisit të shqiptarëve lidhet me emrin e fortifikatës Klementiana, për vendndodhjen e së cilës autori nuk thotë gjë. Një kështjellë e quajtur Klementiana, që ishte rindërtuar nga perandori Justinian ishte, sipas Procopii Cesariensis (i lindur në Cesarea të Palestinës nga fundi i shek. V dhe i vdekur në fillim të shek. VI) [Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, Tiranë, 2002, fq. 440.] në hapësirën e Epirus Nuova (Epiri i Ri) e cila në periudhën bizantine e shenjonte hapësirën e njohur si Gegni/Gegëri. Studiuesi i mirënjohur i historisë së Shqipërisë së Veriut Milan Šufflay kujtonte se kështjella Clementiana gr. Κλεμεντιανα do të ketë qenë dikund përgjatë rrugës romake midis Shkodrës Pukës e Prizrenit, përkatësisht në pikën doganore të Shën Shëlbuemit/Shën Spasit në brigje të Drinit dhe se në shek. XVII nga kjo kështjellë e mori emrin edhe fisi i fortë i Klementinëve/Kelmendëve, [M. Shufflay, Serbët dhe Shqiptarët,fq. 88.] ndërsa dijetari serb Vladislav Popović, kujtonte se kjo kështjellë duhet të këtë qenë në hapësirat e krahinëzës Kelmendi ose në veri të Liqenit të Shkodrës.
[Dom Nikë Ukgjini, si në ref. 203.] Këtë identifikim e pranonin edhe P. Skok [sh. Zum Balkanlatien IV, Zeitschr. für romanische Philologie, LIV, 1934, fq. 439] e N. Jokl. [në punimin e tij të ruajtur në dorëshkrimin e përkthyer shqip në Institutin e Gjuhësisë në Tiranë, Studime Ballkanolatine, fq. 19.]
Një regjion me emrin e Kelmendëve përkatësisht, ndoshta, me emrin e vazhduar Clementiana të shek. VI dhe si rezultat i banimit pa ndërprerje të tij nga shqiptarët, dëshmohet tek kah fundi i shek. XV. Në defterin osman të regjistrimit të kryefamiliarëve të sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485, përmendet nahija e quajtur Klementa, [S. Pulaha, Defteri …, fq. 431, 434.] e cila edhe asokohe (si edhe sot) përfshinte pesë katunde (khs. më lart). Në kuadrin e saj binin asokohe katundet Selçishta (Selca e sotme) e Içpaja në kuadër të të cilave ishin përfshirë katunet/vëllazëritë (gjithsesi shqiptare) Gjonoviq, Leshoviq, Muriq dhe Kolemadi (SG: *Goljemadi *Golemadi nga një *Gojëmadhi) emri i së cilës nuk është ruajtur) nga të cilat (vëllazëri) ishte sajuar katundi i përbashkët Içpaja i tyre, i ndarë në katër njësi sipas kaznecëve [ Në historinë dhe në gjuhën e shqiptarëve kjo fjalë është ruajtur në trajtën kasnec.
Sado që nuk kam kompetencë profesionale, i jap vetes të drejtë të mendoj se kjo fjalë e shqipes nuk mund të ndahet nga nocioni knez i cili nëpër shkrime kishtare serbe të shek. 13-15 shenjonte kryeparin vllah të katunit/katundit i cili e kishte funksionin e ndërmjetësit midis bashkësisë blegtorale dhe pushtetit.] (të quajtur Marashi, Niku, Stepani e Lula) që ishin në krye të tyre. Detyrë e këtyre ishte, përveç të tjerash, që të kujdeseshin dhe ta ruanin rrugën që kalonte prej kalasë së Shkodrës në tokën e Petrishpanit e dilte në Altun-ili, (Juniku me rrethinë) si dhe rrugën që kalonte prej kalasë së Medunit në malet e Kuçit dhe zbriste në Plavë.
Sipas një burimi të vitit 1497 të fisit të organizuar mirë të kelmendëve ishin 152 shtëpi. [Sipas Dom Nikë Ukgjini, Vështrim i shkurtër historik për fisin e Kelmendit (në Internet)] E gjithë kjo tregon se as në këtë rast nuk mund të flitet për një vëllazëri, fis apo regjion që do ta kishte vetëm një pararedës, përkatësisht që „biologjikisht” do të ishte vetëm i kelmendasve.
Në një burim latin, emri i fisit të Kelmendëve qenka shënuar po në vitin 1485 si Clemente, ndërsa hapësirën e banimit të këtij fisi dijetari italian Baldacci e shënonte në vitin 1890 si Clementiana. [Poai, poaty.]
Ka një mendim sipas të cilit Clementiana antike dhe Clemente/Klementa e shek. XV mund të identifikohet me „Fortesa e Kelmendit” në kryeqendrën e Kelmendëve, përkatësisht në Selcë. [Poai, poaty. ] Ipeshkëvi i Tivarit Marin Bici (Marino Bizzi) njoftonte në vitin 1610 përkitazi me Kelmendasit se ata ishin popoli quasi tutti latini, e di lingua Albanese e Dalmata „pothuaj se të gjithë katolikë që flasin shqip e dalmatisht, përkatësisht sllavisht”.[sipas wikipedia.org/wiki/Kelmend_region]
Përsa i bie prejardhjes së emrit Kelmend të fisit, nuk ka mbase dyshim që emri i këtij të jetë i pandashëm nga emri Clementiana i kështjellës (e ndoshta edhe i regjionit) të periudhës biznatine, përkatësisht i shek. VI që gjithsesi lidhet me emrin personal latin Clemens. Mbetet të shihet nëse emri i kështjellës bizantine ka lidhje me ipeshkëvin e katërt (ose papës) të Romës ( ? – 101) Clemens.
Për këtë fundit dihet/thuhet se u lind, [Dom Nikë Ukgjini, si më sipër.] në Romë në shekullin 1 dhe vdiq, po në Romë ose në Krim, në vitin 101. Qysh i ri e përqafoi krishterimin dhe shumë shpejt u shqua sa që Shën Pjetri e propozoi për pasardhës të tij. Sado që i ishte ofruar posti i papës, ky e refuzoi atë meqë ende nuk e ndjente veten të pjekur për atë post. Tek në vitin 90 e pranoi postin e ipeshkëvit (të katërt me radhë) të Romës.
Sipas legjendës, perandori i Romës e syrgjynoi Clemens-in në një mermerthyerëse në Krime dhe pas një mrekullie që lidhet me emrin e tij, perandori urdhëroi që Clemnens-i t’i varet në qafë një spirancë dhe të fundoset në Detin e Zi. [Nga http://kirchensite.de/index.php?myELEMENT=78545]
Nuk është mbase pa peshë historike rrethana që Kelmendasit e kanë mbajtur Clemnens-in për Shenjt dhe mbrojtës-patron të fisit gjatë gjithë historisë së tyre dhe këtij ia kushtuan edhe tempujt e lutjes, përkatësisht kishat e tyre.
[Për besnikërinë e kelmendasve ndaj papëve të Romës, ka edhe një shënim që rrjedh nga viti 1636. Në një relacion për kelmendasit dërguar Selisë së Shenjtë në vitin 1636, nga At Bonaventura, thuhet se kur serbët e fesë ortodokse, të ardhur në tokat kelmendase për të shpëtuar nga barbarizmat e ushtrisë turke, filluan ta fyenin papën, kelmendasit mikpritës i kërcënuan serbët se do t´i përzinin nga territori i tyre fisnor.]
Në dritën e kësaj rrethane mund të dalë i drejtë mendimi i etnografes angleze Edhith Durham[Kolec Topalli, Lashtësia e Krishterimit ndër Shqiptarë sipas Dëshmive të Gjuhës Shqipe, në: Krishtërimi ndër shqiptarë, Simpozium Ndërkombëtar, Tiranë, 16-19 Nëntor 1999, Shkodër, 2000, fq. 409.] e cila emrin e kësaj krahine e lidhte me antroponimin Klement të ritit katolik të krishterimit. [wikipedia.org/wiki/Kelmend_region]
Në të gjitha gjuhët e popujve të besimit perëndimor/roman të krishterimit, ky antroponim ndeshet i shkruar në trajtat me C (lexo: K), përkatësisht Clemen, Clement, Clemente dhe me K, Klement e Kliment. Nën këtë trajtzë e shënojnë edhe kishat ortodokse sllave.
Varianti shiptar Kelmend është trajtë e metatetizuar e emrit latin Clemens i cili e ka kuptimin „i butë; i mëshirshëm”, përkatësisht „i Buti, i Mëshirueshmi”. Përdoret edhe si emër femëror Clementina/Clementine, që konsiderohet femërorizim i emrit mashkullor Clemens/Clement. Bartës i emrit Clemens ishte edhe ipshkëvi i Romës gjatë viteve 92-101 të erës sonë, i cili mbahet edhe për shenjtor. Kremtja e tij është [sipas http://www.bautz.de/bbkl/c/clemens_i_p.shtml] më 23 nëntor.
Kujtoj që, në rrafshin e shkoklimit të prejardhjes së këtij emri, bën të shqyrtohet mundësia që ndoshta së pakut emri femëror Bute që edhe ashtu dëshmohet për në Malësinë e Madhe – kah kishte e ka Kelmendas – të jetë përkthim shqip i emrit latin femëror Clementina/Clementine.
Dëshmia më e vjetër e emrit Kelmend në trajtën Clement në funksion të patronimit rrjedh nga viti 1353 kur në një burim venedikas, mbase pikërisht në kështjellën Clementiana apo afër asaj, dëshmohet edhe një dominus Georgius fulius Georgii Clementi de Spasso „Gjergji, i biri Gjergj Klementit nga Spasi”. [sipas Dom Nikë Ukgjini, Vështrim i shkurtër historik për fisin e Kelmendit, (Internet)]
Duke qenë se kemi të bëjmë me një individ vendës dmth. të Shën Spasit, ka arsye të besohet se ky variant, fundja edhe i shënuar në një burim të huaj, nuk do të ketë qenë në përdorim tek vendësit.
Kjo për shkakun se varianti Kelmend (Klement) i këtij antroponimi në funksion të patronimit, rreth 130 vite më vonë, përkatësisht në defterin osman të regjistrimit të sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485, dëshmohet në katundin Selçishta (ish katuni Bukmir) kur ishte regjistruar kryefamiliari Gjon-i, i bir i Klemend-it (Kelmend-it), ndërsa në katundin Içpaja (ish katuni Gjonoviq) të nahijes Kelmenta dëshmohet një Vuk-u, i bir i Kelmend-it; Deda, i bir i Kelmend-it që ishte i falur dhe Stepani, i bir i Kelmend-it i një familjeje tjetër. [S. Pulaha, Defteri i regjistrimit të sanxhakut të Shkodrës i vitit 1845, Tiranë, 1974,fq. 431, 433.]
Emigrimi i Kelmendasve
Si edhe Shkrelasit (sh: më poshtë) Kelmendasit u shtërnguan, për shkak të rezistencës së përhershme kundër pushtuesve osmanlinj dhe sidomos pas disfatës së ushtrisë austriake në anën e së cilës merrin pjesë mijëra Kelmendas e shqiptarë të tjerë dhe serbë, të lëvizin jo vetëm përbrenda tokave të banuara nga shqiptarët, porse edhe vise të huaja. „Pas këtij dështimi më 4 tetor kelmendasit dërguan një përfaqësues në shtabin austriak tek feldmarshali Sekendorf për të kërkuar si mjet shpëtimi, emigrimin në Banat-Vojvodinë.
Kështu, në nëntor të vitit 1737, një grup i madh i këtij fisi, së bashku me disa nga fiset të tjera të Malësisë së Madhe, rreth 4000 vetë, u dërguan në rajonet e Rudnikut, Nishit, Mitrovicës, Sremit, Karlovcit. Në vitin 1738, për shkak të sulmeve barbare turke në Valjevë, u masakruan dhe robëruan 3000 shqiptarë dhe serbë. Kjo bëri që disa nga malësorët të kthehen në trevat e veta të okupuara, një grup t’i bashkangjitej ushtrisë austro-hungareze, kurse një pjesë tjetër të mbetet në Serbi, ku më vonë në vitet 1749-55 u përqëndruan në banim të përhershëm në fshatrat Hritkovci, Nikinci dhe Jarak.
Në këto vende kelmendasit qëndruan dhe ruajten deri në gjysmën e dytë të shek. XIX gjuhën dhe etninë e tyre. Megjithe ambientin orthodoks serb përreth, ata mbetën katolikë. Sipas regjistrimit të vitit 1900 këto fshatra numëronin 4438 banorë shqiptarë, kurse sipas një kronike në vitin 1921, në Hritkovc flisnin akoma 5 vetë shqip dhe në Nikince vetëm 4 vetë.” [Sipas Historia e Kelmendit, wikipedia].
II. KRASNIQ/KRASNIQE
Shpjegimi sipas traditës gojore
Sipas një sqarimi, të mbështetur mbase mbi traditën gojore, do të rezultonte sikur të gjitha vëlazëritë, barqet e familjet Krasniqi, kahdo që këto të jenë përbrenda hapësirës etno-linguistike të shqiptarëve na e paskan për pararendës, birin e tretë Krasni Lazri-n të Geg Lazri-t, „i biri i Lazër Keqit, i ardhur (S.G: në vitin 1520) nga Bosnja („natyrisht tokë dikur ilire që flisnin shqip”) e që u vendos në mes dy njerëzve vendas që i gjeti në Hot. Familja e Geg Lazrit u shtua aq shumë, sa shumica e popullsisë së Hotit kanë për trung Gegë Lazrin.
Ndërsa autoktonët, dy banorët që u gjetën në vitin 1520 gjinden në Locnikaj (Locaj) e Koje, ku në vitin 1911 numronin 12 shtëpi, që martoheshin me Hotin Tjetër, ndërsa Hoti në mes vehtes jo. (Duhet sqaruar se Lazër Keqi pati edhe tre djem të tjerë, Piper Lazri, Vaso Lazri e Krasni Lazri, nga ku e kanë origjinën fiset e Piperit dhe Vasojeviqit, të sllavizuar tani, ndërsa Krasniqja e sotme rrjedh nga Krasni Lazri (shqiptare, por i myslimanizuar).” [Nga Wikipedia, HOTI]
Të po kësaj prejardhjeje do të duhej të ishin edhe njësitë Nikaj dhe Merturi.
Banorët e Nikaj/Mërturit, sipas E. Lafe-s „nuk formojnë një njësi etnike. Nikajt e quajnë veten vëlla me Krasniqen (sot myslimanë) dhe prej andej kanë ardhur në viset që mbajnë sot, kurse Mërturasit janë shkëputur nga vëllezëritë e tyre në jug të Drinit.
Atdheu i parë i gjithë fisit të Mërturit ka qenë rrafshnalta e Dukagjinit mesjetar, kurse fisin e Krasniqes tradita popullore e bie ë ardhur nga anët e Malit të Zi.” „Këto fise u shpërngulën për në viset që mbajnë sot duke kërkuar kullota për tufat shumë të mëdha (siç thotë gojëdhana) të bagëtive të tyre. […]” konstaton E. Lafe [E folmja e Nikaj-Mërturit, Studime Filologjike 3/1964 fq. 109.]
Duke qenë Nikaj e Mërtur dy fise të ndryshme, ata lidhin krushqi ndërmjet tyre, po shpesh herë edhe me Shalën. Përbrenda fisit nuk martohen kurrë se quhen që të gjithë motra e vëllezër. Me Krasniqen nuk lidhin krushqi, se është musulmane, po edhe sikur të ishte katolike, Nikaj e Krasniqe nuk do të martoheshin se janë një fis.
Në Nikaj dhe Krasniqe ka qarkulluar gojëdhana sipas së cilës, Nikajt dhe Krasniqja janë fise vëllezër. Thuhet, madje, se paskan lidhje gjaku edhe me fisin shqiptar të Hotit dhe me Vasojeviqët e Malit te Zi.” (khs. më lart) e me Merturin, sadoqë për këtë të fundit thuhet se pjesa më e madhe e tij është pjesë e Krasniqes e përzjerë porse edhe me pjesëtarë të Shalës, të cilat u formuan në një pjesë të territorit të Pultit të Epërm dhe që tradicionalisht janë quajtur „fise”. ose „bajraqe”.
Dëshmi të antroponimit Krasniq
Në defterin e v. 1455 për në katundin e zhdukur Sharanik (që unë e identifikoj me kompleksin Sharaniku në hapësira të katundit Jezerc të Ferizajt), është evidentuar edhe krafamiliari i quajtur Krasniq. [Oblast Brankovića, Opširni katastarski popis iz 1455. Godine, Sarajevo, 1972, red. Hamid Hadžibegić, Adem Handžić e Ešref Kovačević, fq. 129.] Ky ishte vëlla i Radihna-s, të birit të Variq-it i cili e kishte të birin Stanisha, që edhe vetë ishte kryefamiliar. Në katund kishte një kryefamiliar Ivko, për të cilin është thënë shprehimisht se ishte vllah. Këtu ishte edhe një pop Gjurica dhe një protobor i quajtur Radislav.
Ka mundësi që, në bazë të trajtës së emrit, vllah të ketë qenë edhe kryefamiliari skamnor Lazor-i. E, pra banorët e Jezercit e mbajnë veten për të fisit të Gashit. Po në defterin e v. 1485, për në katundin Banjë të Istogut janë dëshmuar kryefamiliarët Radiç Krasniq-i dhe bashkëkatundari i tij i quajtur Krasiq-i, i bir i Bogdanit. [sh. S. Pulaha, Defteri …, 271, 272.]
Po u nisëm nga mundësia e ekzistimit të një teme emërore Kras,-a, të së njëjtës prejardhje do të jenë edhe emrat e zgjeruar me prapashtesa të ndryshme të këtij antroponimi dhe pikërisht emrat e dëshmuar:
Më 1330:
Krasa, kurse i biri Beroje, banor i Çabiqit; Krasal-i, gjyshi i Stan’ko-s, në Tropojë dhe Radoslavъ Krasilovikъ; banor i katundit Serosh. [Miloš S. Milojević,. Dečanske Hrisovulje, Beograd, 1880, fq. fq. 24, 28, 47, 126, 128.]
Më 1455:
Krasil- i bir i Nikoll-ës, në Zaskok, Ferizaj. Në katund ishin edhe banorët Mirko Arbanas e Dimitrij Arbanas; Krasiva, e vejë në katundin Pasjan të Gjilanit dhe Bogdan-i, i bir i Krasimirit në katundin Rahovicë të Ferizajt. [Oblast Brankovića …, fq. 127, 168, 184, 185.]
Më 1467-1468
Dimitri, i bir i Krasës, (transliterimi maqedonas: Dimitri, sin na Krase) kat. Gorno Hvalishte, ndodhej 3 km. Llarg nga kt. i sotëm Stençe, në verilindje të Gostivarit;. Todor-i, i bir i Krasimir-it, kat. Pallqishtë, në jug të Tetovës; Denko, i bir i Krasimir-it, ban. i kat. Barovo, në jugperëndim të Shkupit; Denko, i bir i Krasimir-it, ban. i kat. Barovo, në jugperëndim të Shkupit. [khs. Turski Dokumenti za istorijata na makedonskiot Narod, Opšien popisen Defter Nr. 4 (1467-1468), red. nga Metodija Sokoloski e Dr. Aleksandar Stojanovski), Shkup, 1971, fq. 324, 361, 426.]
Më 1485:
Kraso-i, i bir i Rajkos, në Shekullar [ Šekulari, mal e regjion midis Andriejvicës e Velik-ës në Mal të Zi. Aleksandar Loma; Toponimija Banjske Hrisovulje, SANU, Beograd 2013, fq. 235. e pranon mendimin e shfaqur nga të tjerë sipas të cilit ky emër rrjedh nga fjala shqipe shekullar (kjo vetë nga lat. secularis) „sekular“ që në këtë rast shenjon një pronë që nuk i përkiste ndonjë kishe apo manastiri.] të nahijes së Budimles, Mal i Zi. [S. Pulaha, Defteri, fq. 412.]
Në fundshekullin XV:
Në regjistrimin e fundshekullit XV dëshmohen edhe kryefamiliarët e quajtur: Radovan Krasmir-i, banor i katundit Mramor të Prishtinës; Krasimir-i, i bir i Tolic-ës, banor i lagjes Plakanic të qytetthit të Janjevës; Krasmir-i, ardhacak e Kostandin Krasmir-i – banorë të katundit të paidentifikuar Kallogjerçi (ndoshta Kallugjerica midis Zajçevcit e Gllogovicës të krahinës së Gallapit) që përmendet bashkë me katundet Arbanashka Petrila e Poroshticë sot ende në Serbi të Jugut në të cilin (katund) kishte banorë me emra shqiptarë. [I. Rexha, Regjistrimi vendbanimeve dhe i popullsisë së kazasë së Novabërdës sipas defterit të fundshekullit XV, Vjetar XXVII-XXVIII i Arkivit Kombëtar të Kosovës, Prishtinë, 2002, fq. 111, 120, 142.]
Në dritën e shembujve të sjellur më lart, rezulton se emri Kras gjatë shek. XIV -XV dëshmohet në trajtat Krasa, Krasal, Kras-il; Kras-iv, Kraso, Kras-mir, Kras(i)-mir, Kras-iq dhe Krasn-iq, ndërsa në funksion toponimi Kraste–niq e. Krasti–niq.
Një gjë që duhet vërejtur këtu është kjo që mbiemri në trajtën Krasniq nuk ndeshet i ruajtur tek popullata serbe e vjetër e Kosovës. Tek malazezë të ardhur si kolonë në Kosovë, ky mbiemër ndeshet vetëm në trajtën Krasić: Kësi mbiemri mbajnë psh. 2 familje në Gjurakovc. Njëra nga këto qenka e ardhur qëmoti nga Kuqët e Malit të Zi; [Svetozar Stijović, Onomastika Istoćkog dela Metohijskog (Pećkog) Podgora, Onomatološki prillozi I, SANU. Beograd 1979, fq. 309.] një vëllazëri malazeze e ardhur në katundin Brestovik të Pejës[Svetozar Stijović, Onomastika zapadnog dela Metohijskog (Pećkog) Podgora, në Onomatološki prilozi, III, SANU, Beograd, 1982, fq. 221. ] dhe tri familje të ardhura në Klinë nga katundi Gremnikë i kësaj komune. [Mileta Bukumirić, Onomastika dela Prekoruplja omedjena rekama Mirušom, Belim Drimom i Klinom, Onomatoločki prilozi, II, Beograd, SANU, 1981, fq. 314.]
Rrethana që 2 familjet malazeze të Gjurakovcit e kanë ruajtur traditën se e heqin prejardhjen nga regjioni i Kuqit në Mal të Zi sikur i hap udhë supozuimit se emri familiar Krasić e ka po atë vlerë kuptimore që e ka edhe emri i kryehershëm Kuqi (edhe) i këtyre dy familjeve. Më mirë se gjithkund tjetër kjo hipotezë do të mbështetej edhe nga zhvillime jashtëgjuhësore përkatësisht nga fenomeni i ditur historikisht i asimilimit në këtë hapësirë të shqiptarëve në sllavë siç ka ndodhur psh. me vetë Kuqët dhe me vëllazërinë e Palabardhajve që sot quhen Bjelopavlići. Emri i parë Kuqi, në dritën e shembullit të emrit Krasić të familjeve malazeze do të jetë përkthim nga emri i kryehershëm shqip kuq në kras(n)i me të njëjtën vlerë kuptimore si edhe kuq,-i i shqipes.
Mbiemri sllav krasni me kuptimin „i kuq” ndeshet shumë më rrallë ndër sllavë të jugut, tek të cilët më dendur përdoret varianti črljen [khs. psh. mikrotoponimin črьljena gruka që ndodhej në kufinj të katundit Zheravina, [khs. Hrisovulja cara Stefana Dušana koiomь osniva rnonastirь Sv. Arhangela Mihaila i Gavrilja u Prizrenu godine 1348 ? Glasnik Društva Srbske Slovesnosti 15, Beograd, 1862, fq. 310: ,,Selo žeravina […] a megja mu […] na varšine kukjè […] ot pistula u reku, u gladru. i nizь gla’dru u črьljenu gruku nizь gruku.”] në brigje të lumit Drin midis Prizrenit e Kuksit dhe në vitin 1348 ishte pronë e manastirit të shenjtorëve Mëhill e Gabriel të Prizrenit. Në pjesën e dytë të këtij emri I.
Popović e gjente fjalën shqipe. gryk/ë,-a , ndërsa në të parën mbiemrin serb. črljen, čr‘ljen ,,i kuq”. Për I. Popović- in ky emër e ka vlerën kuptimore të rus. ,,krasyne verxi” – ,,maja e kuqe”.] [khs. K voprosu o proishoždenii slavjan severnoj Albanii, Slavjanskaja filologija, Sbornik statej 1, Moskva 1958, fq. 201.] Pa dashur të këmbëngul se edhe këtu kemi të bëjmë me përkthim sllav të emrit Kuq, po sjell dëshminë e fundshekullit XV kur në katundin Gorna Pozharan, përkatësisht sot Pozharan midis Ferizajt e Gjilanit, është evidentuar kryefamiliari Bozhidar-i, i bir i Çerven-it. [I. Rexha, Regjistrimi …, fq. 159.] që mund ta përmbajë adjektivin sllav črven ,,i kuq”, i ndeshur edhe në mikrotoponimin *Črьvena jablьka në lokativin sllav kь črьvenoi jablьce ,,tek Molla e Kuqe ” që në vitin 1330 [khs. Dečanske hrisovulje …, fq. 128.] ishte pikë kufiri e katundit Manastirc të Ferizajt.
Emri Kras- në oikonimi:
1455: Krasmirovci [Oblast Brankovića …, fq. 146.] Katundi i sotëm Krasmirovc në komunën e Gllogovcit, As në vitin 1455 e as sot në këtë katund nuk kishte e nuk ka kryefamiliar me emër apo mbiemër Kras-. [Por, pothuaj se të gjitha vëllazëritë aktuale të këtij katundi : Bunjak, përkatësisht Mehmeti, Salihu, Neziri, Haziri, Ahmeti, Sadriu mbahen për të fisit të Krasniqes. [sipas J. Osmani,. Vendbanimet e Kosovës 15, Drenica, Prishtinë, 2005, fq. 74.]
1455: Krajsalić/Krasalić. [Oblast Brankovića …, fq. 60.] Në katund, [sipas J. Osmani,. Vendbanimet e Kosovës 15, Drenica, Prishtinë, 2005, fq. 112.] nuk ka kryefamiliar me emër apo mbiemër Kras-. Këtu jetojnë vetëm vëllazëritë Rexha e Mehmeti, për të cilat J. O. nuk tregon të cilit fis janë por, në këtë katund është edhe mikrotoponimi Fusha e Krasaliqit.
Mendime për prejardhjen e emrit
Është shfaqur mendimi, mbase duke u mbështetur tek etimologjia popullore e ruajtur në traditën gojore të shqiptarëve, se emri Krasniq, Krasniqe e paska burimin tek një antroponim *Krast që po rrjedhka nga fjala sllave hrast „lis, dushk, qarr, shpardh, valanidh” bot. Quercus L. [Për nënllojet e këtij druri khs. Ilia Mitrushi, Srurët dhe shkurret e Shqipërisë, Triranë, 1955, fq. 353-370.] dhe për si toponim e paska kuptimin „vend me lisa, lisnajë, bungajë”. [Avdyl Sula, Fiset shqiptare, në Ardhmeria.info, përkitazi me librin e Ibrahim Kadri Malajt ,,Tropoja në breza”.] „dushkajë”.
Kjo etimologji do ta gjente njëfarë mbështetje tek rrethana që emri i hapësirës së banuar nga fisi i Krasniqëve është shënuar në shek. XVII nga Frang Bardhi (1635?) si Crastenigeia (Krasteniqëja) ndërsa nga relatori durrësak Shtjefën Gaspri (1671) si Crastinichia (Krastiniqja). [Kolë Luka, Rreth Toponimisë së Trevës së Pjetërshpanëve në Shekujt e Parë të Sundimit Osman (shek. XV-XVII), Studime Filologjike, Tiranë, 2/1977, fq.140,141, 147. Se tek shqiptarët ishte në përdorim ]
Jo vetëm për si mundësi, emri Krasniqe i regjionit dhe ai Krasniq i „fisit” të shqiptarëve ka më shumë mundësi të rrjedh nga mbiemri/adjektivi sllav kras-, krasni në kuptimin „i kuq” i përhapur gjerë në gjuhët bija të sllavishtes: khs. pol. „krasa, „ngjyrë (e kuqe)”, tek polakët e Rusisë nga rus. krasny kraska, krasnowrona; krasny e kraśny; etj. [Aleksander Brückner, Słownik etymologiczny jezyka polskiego, Warszawa, 1974, fq. 264.] Si i këtillë, emri Krasniqe/Krasniq mund të jetë, me shumë gjasë, korelat semantik i emrit shqip të „fisit” e të regjionit Kuçi/Kuqi, sadoqë nuk ka asnjë dëshmi se Kuçët/Kuqët të jenë quajtur ndonjëherë Krasniq apo anasjellts.
Po të jetë kështu, do të duhej të shkoklohet çështja përse tek emri Krasniq/Krasniqe duhet të përmbahet adjektivi sllav (që ndeshet në rusishten e në gjuhët sllave të pjesës lindore të Europës), i cili nuk dëshmohet porse në gjuhët sllave të Jugut.
Komentet