Azem Hajdari u përball me vdekjen që në momentin e parë kur doli në krye të protestave të studentëve. Të gjithë shqiptarët e kujtojnë kohën kur thuhej se, do të vritej njeriu me xhupin e zi. Që nga ajo kohë deri më 22 mars 1992, Azem Hajdari ka kaluar disa prita, pa llogaritur provokimet e shumta gjatë fushatës elektorale. Mjafton të kujtojmë vetëm faktin që në periudhën e zgjedhjeve të 22 marsit ’92, në shtëpinë ku banonte Azem Hajdari, tek “Rruga e Kavajës”, përballë PD-së, tek Kisha Katolike, 10 ditë para fitores së 22 marsit, i vjen një pako në shtëpi, në të cilën ndodhej një kokë gjeli e prerë dhe një letër e shkruar me gjak: “Azem Hajdari, je i dënuar me vdekje”. Kjo letër nuk ishte gjë tjetër veçse një vazhdim i paralajmërimeve dhe i vendimit që ishte marrë për vrasjen e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdarit, e cila u realizua me ekzekutimin e tij më 12 shtator 1998, para selisë së Partisë Demokratike. Ekzekutimi u krye pas pesë atentateve të bujshme gjatë një viti të rikthimit të së majtës në pushtet.
Në qershor të vitit 1997, në Shkallnuer të Durrësit, Azemi tentohet të vritet me bombë. Atentati dështoi.
Në gusht të vitit 1997 në Sarandë, në Qafën e Buallit, bandat e krimit i zënë pritë.
Më 18 shtator të vitit 1997, nga njerëz që përdorën deputetin socialist Gafurr Mazreku, Azemi goditet për vdekje me 5 plumba në Kuvend.
Më 14 shkurt 1998, organizohet prita e Milotit nga forcat e policisë, duke qëlluar me breshëri plumbash në makinën e tij, ku përveç 14 vetëve, ndodhej edhe djali i tij 14-vjeçar.
Më 3 qershor 1998, në kohën që po mbështeste luftën në Kosovë, me një grup deputetësh si Pjetër Arbnori, Jozefina Topalli etj., Azemit iu organizua një atentat nga forcat e policisë, të cilat e mbajtën të rrethuar 3 orë. Qindra plumba derdhen nga armët e zjarrit mbi makinën e tij. Ai njoftoi Qendrën, por nuk i erdhën në ndihmë, ndonëse ishin në dijeni për veprimet. Azemi i shpëton një prite ku dhjetra policë goditën me mitraloza e armë nga më të ndryshmet deputetin Azem Hajdari dhe grupin e tij të shoqërimit, duke ngelur i plagosur ish-drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Bardhyl Pollo.
Më datën 12 shtator 1998, pas një mitingu të fuqishëm në Fier, i cili dha sinjalin e fitores, ku ishte edhe nënkryetari i PD-së, sot Presidenti Bamir Topi dhe politikanë të tjerë, pasi kthehet në Tiranë, rreth orës 21.15, përballë selisë së PD-së, vritet pabesisht nga dhjetra breshëri plumbash, i rrethuar nga disa makina policie.
Në këtë atentat morën pjesë 125 vetë, nga këta 25 me uniformë policie. Dy prej tyre, megjithëse të deklaruar e dënuar për vrasje, madje kishin bërë vrasje edhe brenda policisë 4 muaj më parë, qëllimisht ishin veshur e graduar, për të marrë pjesë në këtë vrasje.
I pashpjegueshëm qe fakti se, edhe pas vrasjes së Heroit të Demokracisë, nuk u ngrit asnjë post-bllok në të gjithë Shqipërinë.
Lajmi për vrasjen e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari, u publikua nga të gjitha mediat kryesore në botë, nga stacionet televizive më prestigjioze të botës dhe vdekja e tij u cilësua si një humbje e madhe për demokracinë në Shqipëri.
Vlerësimet nga më të ndryshmet për figurën e këtij Heroi, që në moshën 28-vjeçare përmbysi një nga regjimet më diktatoriale në botë, përmbyllen me cilësimin e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, i cili e konsideroi vrasjen e Azem Hajdarit si “Vrasja e Shekullit”.
E megjithë vlerësimet si një ndër vrasjet e mëdha politike në Evropë, të dhëna nga stacionet EURO-NEWS etj., dhe provat e mjaftueshme për organizimin e kësaj vrasjeje politike, ende drejtësia shqiptare nuk e ka zgjidhur këtë çështje, duke vënë para përgjegjësisë organizuesit dhe vrasësit.
14 shtatori
14 shtatori është revolta më e madhe që ka njohur populli shqiptar në historinë e tij shumëshekullore. Mbi 100000 shqiptarë, me fytyrat e nxira nga dhimbja dhe me një zë, morën pjesë në mitingun madhështor për përcjelljen e Heroit të Demokracisë, në mbrojtje të asaj demokracie për të cilën luftoi me aq zjarr e patos lideri i tyre, Azem Hajdari.
14 shtatori është shpërthimi i vrullshëm, uragani i fuqishëm i zemërimit të një populli, të cilit i kishin marrë simbolin, dritën që i ndriçonte rrugën, frymëzimin dhe shpresën për të ardhmen, i kishin vrarë ëndrrën, i kishin penguar rrugën drejt demokracisë, drejt idealit, drejt Evropës.
14 shtatori është manifestimi i përmasave të tilla të mëdha, i denjë për figura të tilla legjendare të kalibrit të lartë si Azem Hajdari, duke na sjellë ndërmend jetën dhe veprën e heronjve botërorë të këtij regjistri.
Ajo, më shumë se dhimbje e urrejtje ndaj forcave okulte, ndaj së keqes, ishte manifestim i shpirtit të pamposhtur për liri e demokraci, ishte afirmim i vazhdimit të rrugës së lavdishme që kishte ndjekur idhulli i tyre – Azem Hajdari – që tanimë ia kishin vrarë.
Në këtë kuptim, 14 shtatori ishte revolta e brendshme, spontane, e vetvetishme, më e madhja dhe më kuptimplota në historinë tonë, që i dedikohej një heroi të rallë e të lavdishëm, të përjetshmit Azem Hajdari.
Ngjarjet e jashtëzakonshme si kjo u takojnë vetëm figurave të jashtëzakonshme si Azem Hajdari, me gjurmë të pashlyeshme në historinë e kombit
Kush ishte Azem Hajdari
Lindi me 11 mars 1963
Ishte i Martuar, me tre fëmijë: Kiriadi, Rudina dhe Azemi, i vogël.
1993- Mbaroi studimet ne degën Filozofi në Universitetin e Tiranës
1995- Diplomohet në Fakultetin Juridik, në Universitetin e Tiranës.
1993-1994, Studion gjuhën angleze dhe për filozofi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
1996 – Diplomohet në studimet e Politikës së Sigurisë dhe Mbrojtjes, në Gramish të Gjermanisë, në Universitetet e Organizuara nga Organizata e Atlantikut të Veriut.
Aktiviteti Politik
Dhjetor 1990-shkurt 1991, Udhëheqës i Lëvizjes Studentore që shëmbën diktaturën komunsite në Shqipëri.
Kryetar i Komisionit Drejtues të Partisë Demokratike Shqiptare, partia e parë opozitare pas 50 vjet diktaturë.
1991-1993 Zv/Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, dhe anëtar i Kryesisë së saj.
31 Mars 1991, Deputet i PDSH për Shkodrën
22 Mars 1992, Deputet i PDSH për Shijakun
26 Maj 1996, Deputet i PDSH për Bulqizën
29 Qershor 1997, Deputet i PDSH për Tropojën.
1992-1996, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Rendin Publik dhe SHIK.
Qershor 1997, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Mbrojtjen Kombëtare.
Prej vitit 1995 deri 1998, President i Klubit të Futbollit Vllaznia të Shkodrës
President i Fedreatës Shqiptare të Arteve Marciale Shqiptare.
1990-1998
I bëhen 5 antentate, prej të cilëve dy spktakolare në Selinë e Parlamentit Shqiptar në shtator të vitit ’97, dhe antentatit në Tropojë në qershor të vitit ’98.
12 Shtator 1998, Azem Hajdari vritet nga njerëz me uniformë policie përpara selisë së Partisë Demokratike Shqiptare.
Para 17 vjetësh dora vrastare e një klike kriminale ekzekutoi udhëheqësin e Lëvizjes Studentore të vitit ’90
Pjesë nga deklaratat e Azem Hajdarit një javë para vrasjes në media dhe në mitingje të ndryshme
“Mund të vrasin disa nga ne, por jo idealet tona”
Në një intervistë dhënë grupit anglez të Helsinkit, botuar për herë të parë në “RD”, pas vrasjes, më 5 tetor 1998, Azem Hajdari ndër të tjera shprehet: “Mund të vrasin disa nga ne, por jo idealet tona”.
Më 4 shtator 1998, një ditë pas largimit të përfaqësuesit të zyrës së NATO-s nga Shqipëria: “Si kryetar i Komisionit parlamentar të Mbrojtjes, denoncoj klikën në pushtet për politikën e izolimit, në të cilën ai po e zhyt Shqipërinë. Duke shprehur keqardhjen time më të thellë, njëkohësisht shpreh edhe mirëkuptimin tim për vendimin që mori NATO, për të larguar përfaqësuesin e zyrës së saj të instaluar në Ministrinë e Mbrojtjes… Duke bërë direkt përgjegjës për këtë vendim qeverinë, theksoj se NATO nuk largohet nga Shqipëria për çështje sigurie, sepse NATO është e kudondodhur në mbrojtje të vlerave të saj, në kohë paqeje e lufte. NATO me këtë vendim tregon se, nuk i beson kësaj qeverie, e cila ka instaluar krimin e organizuar, trafikun e organizuar, korrupsionin e organizuar, prandaj është shpallur si qeveria më e korruptuar në Evropë”…
Në mitingun e Durrësit më 7 shtator 1998, lideri i Lëvizjes Studentore të ’90-ës deklaroi se, “Revoltat antidiktatoriale do të përmbysin komunistët në pushtet, të cilët erdhën me djegie, vrasje, dhunë, shkatërrime dhe vjedhje, një vit më parë.
Një ditë para se ta vrisnin, Azem Hajdari kishte deklaruar në mitingun e Lezhës më 11 shtator 1998 se, “Populli në mbarë Shqipërinë është ngritur në këmbë për të rrëzuar qeverinë”. Ai përshëndeti qëndrimin e fundit të SHBA në përkrahje të PD, e cila kishte kërkuar lirimin pa kushte të gjashtë ish-funksionarëve të saj, të burgosur politikë nga klika në pushtet.
Ndërsa, paraditën e 12 shtatorit 1998, në mitingun e Fierit, Azem Hajdari, lider i dhjetorit ’90 që drejtoi protestat e para mbarëpopullore për rrëzimin e diktaturës komuniste në Shqipëri, brohoritet nxehtësisht nga mijëra demokratë të Fierit. Para tyre ai deklaroi: “Kjo qeveri nuk e ka të gjatë… “
Para 17 vjetësh dora vrastare e një klike kriminale ekzekutoi udhëheqësin e Lëvizjes Studentore të vitit ’90
Figura e Azem Hajdarit lartësohet në memorien e çdo qytetari
Para 17 vjetësh dora vrastare e një klike kriminale ekzekutoi Azem Hajdarin, simbolin e pluralizmit në Shqipëri, një nga udhëheqësit e Lëvizjes Studentore të vitit ’90 që solli rrëzimin e diktaturës komuniste. Azem Hajdari u lind në 11 mars 1963 në qytetin e Tropojës, në skajin verilindor të Shqipërisë. Pas përfundimit të shkollës së mesme në qytetin e tij të lindjes, ai vijoi studimet në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike në Universitetin e Tiranës, ku dhe u diplomua për filozofi në vitin 1993, ndërsa në vitin 1995 u diplomua si jurist. Në vitet 1993-1994, ndoqi kualifikimin pasuniversitar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për gjuhë angleze e filozofi, ndërsa në 1996 për politikat e sigurisë e mbrojtjes, në kuadrin e NATO-s, në Garmisch-Partenkirchen në Gjermani. Në dhjetor të 1990, ai ishte një ndër udhëheqësit e Lëvizjes Studentore për shembjen e diktaturës komuniste në Shqipëri, ndërsa në vitet 1991-1993 nënkryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, e para parti opozitare pas gati 50 vjet diktaturë komuniste. Deputet i PD-së në katër legjilslatura, Azem Hajdari, ka qenë anëtar i Kryesisë së kësaj partie dhe në vitet 1992-1996 kryetar i Komisionit Kuvendor për Rendin Publik dhe SHIK-un. “Qytetar Nderi” i pothuajse të gjitha bashkive e komunave të Shqipërisë, si në Tiranë, Vlorë etj., në vitin 2002 Azem Hajdari u nderua me Urdhrin “Nderi i Kombit”, ndërsa në vitin 2003 me Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Azem Hajdari u shqua për vetitë e tij, që në fillimin e Lëvizjes Studentore të vitit 1990 për të vazhduar më pas me veprimtarinë e tij politike, duke mbetur në kujtesën historike si një udhëheqës me vlera të rralla demokratike e patriotike. Heroizmi i tij nisi me vrullin studentor të vitit 1990, ku ai u shqua përpara të gjithëve me forcën dhe guximin e hekurt për t’i dhënë fund regjimit komunist në Shqipëri. Dëshirës së tij të zjarrtë për të mposhtur izolimin në këmbim të lirisë iu bashkuan me dhjetëra mijëra studentë, intelektualë, profesorë e pedagogë, të cilët nën moton e një Shqipërie si gjithë Europa, shembën muret e diktaturës për ta bërë Shqipërinë vendin e demokracisë.
Çastet e jetës së shkurtër i bëri të përjetshme
17 vjet më parë u nda nga jeta në mënyrë tragjike një prej figurave më të ndritura të historisë së pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri. Natën e 12 shtatorit 1998, vrasësit u shfaqën në formën e djallit dhe goditën pa mëshirë. Ata ia kishin menduar vdekjen prej kohësh. Vdekja i erdhi e vrazhdë. I ishte afruar kushedi sa herë, por pa e frikësuar. Atë natë të 12 shtatorit, erdhi me mot të keq. Duhej të binte shiu dhe të fikeshin dritat. Edhe në errësirë, Azemi mendonte për dritën. Ai ishte në betejë me lirinë e kufizuar. Dhe vdekja thonë se është e ëmbël dhe e ndershme kur vdes për liri, ndaj Azem Hajdari ishte një dhuratë e madhe për mbarë shqiptarët dhe në mënyrë të veçantë për demokratët anembanë vendit, të cilët me 12 shtator të 1998-ës, e qanë si një hero dhe sot e kujtojnë si një martir të demokracisë.
Çastet e jetës së shkurtër i bëri të përjetshme. Familja e tij sot ngre kokën lart dhe kujton një të vërtetë: Azemi vazhdon të zotërojë… Thjesht, vetëm iku. Fëmijën e vogël e la në barkun e bashkëshortes. Azemi i vogël s’e njohu dot të atin. Rudinën e pengoi e ëma ta shihte të vdekur. Ajo duhej ta mbante mend vetëm të gjallë. Kiri e pa të rrëzuar me shpresën se do të ngrihej, ashtu shtatlartë siç kishte ndodhur edhe në atentatet e tjera. Kurse Fatmira, s’e la dhembjen që t’i mundë, por kujtoi buzëqeshjen e Azemit që trembte çdo lot dhe frikë, kur i përcolli nga selia e PD-së drejt shtëpisë.
Azem Hajdari u shqua për vetitë e tij, që në fillimin e Lëvizjes Studentore të vitit 1990 për të vazhduar më pas me veprimtarinë e tij politike, duke mbetur në kujtesën historike si një udhëheqës me vlera të rralla demokratike e patriotike, për të cilat atij i është dhënë, pas vdekjes, edhe Urdhri i lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Presidenti i Republikës.
Azem Hajdari do të mbahet mend si kalorës i lirisë dhe do të mbetet modeli i politikanit të ri për të guxuar e për të mbrojtur vlerat që ai beson.
Figura e Azem Hajdarit mbetet në memorien e gjithsecilit si një njeri i veçantë e i papërsëritshëm, vetitë e të cilit i përkasin një heroi kombëtar. Natyrisht që vitet kalojnë shumë shpejt, por Azemi mbetet në memorien e gjithsecilit, sidomos të miqve dhe të shokëve të tij. Një njeri shumë i veçantë, me një karakter të fortë, gati-gati të papërsëritshëm. Kjo është arsyeja që ne e kujtojmë Azemin jo vetëm në përvjetorin e rënies së tij, por në çdo moment tjetër kur flitet për heronj. /

Halil RAMA
REXHEP POLISI
Komentet