(Ish sportistja e shquar Marieta Pronjari Zaçe tregon për jetën e saj, për ish-basketbollistin e Kombit, Tepelenasin e shquar Kushtrim Zaçe dhe fëmijet e tyre)
Është rast unikal që të kesh përpara si në ekran dy yje, dy bashkëshortë, dy Mjeshtra të Merituar të sportit shqiptar.
Eshtë një nga intervistat që më jep shumë dhimbje, ngase kemi qënë tifozë të çmendur, në se do te flisja në gjuhën popullore, pas sportistit të Kombit, të ndjerit Kushtrim Zaçe i cili ndërroi jetë para disa muajsh. Ai u largua herët nga kjo botë…
Marieta Kushtrim Zaçe, le të më fali Marieta që e vendosa aq pranë saj emrin e Kushtrimit, superstarit të sportit shqiptar, unë e kishja të pamundur t’i veçoja këto yje, ngase Yjet gjithmonë rrinë bashkë dhe ndriçojnë botën që ka aq shumë nevojë…
Marieta Zaçe qysh në moshën 15 vjeçare fitoi titullin: “Mjeshtre Sporti” dhe në moshën 18 vjeçe fitoi titullin “Mjeshtre e Merituar”. Eshtë e para vajzë shqiptare që ka fituar titullin më të lartë sportiv “Mjeshtre e merituar Sporti’’, në vitin 1968.
Ajo pati në krah një bashkëshort shëmbullor, një djalë Tepelene të pashëm, dhe superyllin e Partizanit, që me koshat e tij nga pozicioni anësor, por edhe luftën në tabelë ku dilte gjithmonë fitues, ngrinte peshë Pallatin e Sportit me brohorrima dhe fishkëllima gjer ne qiell…
Marieta Pronjari Zaçe nga viti 1964-1974 ka thyer 31 rekorde kombëtare dhe për shumë vite ka qënë kampione kombëtare në garën e kërcimit së larti dhe pesëgarësh. Ka qënë 6 herë fituese e anketës’’ 5 sportistët më të mirë të vitit ‘’të Shqipërisë si dhe fituese e anketës sportive ‘’10 sportistët më të mirë të shekullit‘’në Shqipëri.
Për karrierën e saj në fusha të tjera, që ka përsëri sukses dhe për të mos humbur kurreshtjen tuaj do t’ja lemë bisedës sonë më poshtë…
Yjet qendrojne bashke ngase Bota e çakerdisur ka nevoje me shume per drite…
PYETJE: Zonja Marieta për kërshërinë time dhe të lexuesve le ta fillojmë bisedën tonë nga fëmijëria juaj, si ka qënë ajo dhe a ëndërronit që një ditë do të bëheshit kaq e famshme?
MARIETA ZAÇE: E quaj vehten me fat që kam lindur në qytetin e bukur te Korçës dhe me shumë tradita për arsimin, kulturën dhe me një histori të pasur në këto fusha sepse besoj se kam marrë shumë nga kjo kulturë.
Jam femija i dyte i familjes Pronjari dhe njëra nga tre motrat. Fëmijëria ime besoj se ka qënë si e shumë fëmijve të brezit tim, veçse ajo ndryshoi kur babai im ndërroi jetë kur unë sapo i kisha kalur 5 vjetët.
Të ishe jetime në atë periudhë kuptohet ishte e vështirë sidomos për nënën time, e cila tashmë me tre vajza 3, 5, dhe 9, dhe ajo vetëm 29 vjeçe i duhej të përballonte jetën dhe të kryente tashmë edhe rolin e nënës dhe të babait. Kujtoj nga fëmijëria ime se nëna ishte për ne, ajo që përpiqej me të gjitha fuqitë e saj, madje edhe duke sakrifikuar nga vetja, që ne të mos e ndjenim, por edhe të mos dallonim që ishim pa baba as në shkollë, por edhe në shoqëri. Në edukimin tone nëna insistonte që rezultatet e mira në shkollë dhe sjellja ishin ato që ne do të na mundësonin të bëheshim të zonjat për jetën.
Isha një fëmijë i gjallë dhe që merrja pjesë në shumë aktivitete të shkollës qoftë ato artistike, por edhe sportive, megjithëse nëna nuk kishte aspak dëshirë që ne të merrnim pjesë sidomos në aktivitete që zhvilloheshin jashtë rrethit tone.
Ishin vitet 63 -64 kur zhvilloheshin shumë aktivitete sportive ndërmjet klasave dhe më të mirët konkurronin pastaj ndërmjet shkollave. Në një nga këto aktivitete ku behej edhe seleksionimi dhe perzgjedhja e elementit për të marrë pjesë në ekipin e qytetit të Korçës unë dola fituese në disa gara sportive të atletikës së lehtë dhe menjëherë më regjistruan në ekipin përfaqësues të ‘’Skenderbeut’’ megjithse mosha ime nuk ishte as 13 vjeç. Të gjithë fëmijët kanë ëndrra për të ardhmen e tyre si dhe dëshirojnë të shprehen për drejtimin që mund të marrin në të ardhmen, kuptohet me llogjikeën e moshës.
Unë, por edhe familja ime asnjëherë nuk e kishte menduar që e ardhmja ime do të ishte e lidhur me sportin për vetë faktin, se jo vetëm mësoja mjaft mirë, por çfaqja prirje në shkencat ekzakte, pse jo, ëndërroja të bëhesha mjeke ose mësuese.
Por falë talentit dhe shpërthimit në rezultate sportive pa mbushur akoma 14 vjeç, pas konkurrimit në një aktivitet me të rriturit ku dal me rezultat të barabartë me rekormenen e gares së kërcimit së larti, u përcaktua edhe drejtimi im në karrierën profesionale. Pas një grumbullimi me ekipin kombëtar në vitin 1965 ( vetëm 14 vjeç) nënës sime dhe mua më propozuan të qëndroja në teknikumin e Fizkulturës, sepse do kisha shume më tepër shanse për t’u realizuar si sportiste e nivelit të lartë.
Njëheresh do ishte mundësia të stërvitesha me tranjer më të mire si dhe kushtet për t’u bërë një sportiste e mirë do ishin shumë më të mëdhaja.
Edhe pse nuk e kisha menduar asnjëherë se do të bëhesha një sportiste e një niveli të tillë, rezultatet e para shumë shpresëdhënëse më krijuan besimin se unë do kisha të ardhme në sport. Gjithësesi kjo gjë u arrit krejt natyrshëm, hap pas hapi si rezultat jo vetëm i talentit të çfaqur, por edhe i një pune të madhe, të vullnetshme e me plot sakrifica e drejtuar edhe nga nje tranjer i madh, Taqo Duka..
PYETJE: Ju keni fituar titullin më të bukur të sportit në moshën e adoleshencës, kur ishit vetem 15 vjece, si jeni ndjerë për këtë dhe keni pasur pengesa në drejtime të ndryshme për t’ju futur rrugës së sportit, qoftë dhe pse ishit e gjinisë femërore?
MARIETA ZAÇE: Ajo që më motivoi dhe më krijoi besimin që unë të vazhdoj me shumë përkushtim sportin e atletkës ishte thyerja e tri herë rekordit të të rriturave në garë e kërcimit së larti pa mbushur ende 15 vjeçe. Pas këtij momenti e ardhmja ime sportive u konsolidua dhe unë çdo vit përmirësoja vazhdimisht rekordin tashmë jo vetëm në garën e kërcimit së larti, por edhe në gara të tjera, po në këtë moshë unë u bëra mjeshtre sporti , titull që sportistë të tjerë e fitonin me shumw vështirësi. .
Natyrisht ishin vitet kur shoqëria shqiptare ishte ende e dominuar nga mentalitete patriarkale dhe paragjykime. Gjithësesi vajza dhe gra të tjera kishin vite që luftonin nëpërmjet pjesëmarrjes në aktivitetet publike dhe ato sportive që ky mentalitet të ndryshohej. Dhe sporti, rezultatet e larta sportive, që nderonin vëndin, si dhe qëndrimi korrekt i shumë vajzave dhe grave emanciponin çdo dite shoqërinë shqiptare .
Më vjen mirë që edhe unë kam qënë pjesë e këtij grupi shoqëror.
Edhe nënën të cilën fillimisht e kisha kundër aktivizimit tim në sport, pasi unë fillova të arrij rezultate pozitive në sport, por pa neglizhuar aspak mësimet dhe me qëndrimin korrekt në shoqëri, arrita ta bëj për vete dhe mbeshtetësen time .
Si pengesa gjatë karrierës sportive unë do të evidentoja më shumë kushtet e jetesës dhe ato të stërvitjes të krahasura me ato të sportistëve të vendeve të tjera më të cilat ne konkurronim, ishin shume herë më të këqija.
PYETJE: Çfarë ka pasur më shumë bezdi vajza e re, sportistja Marieta, kur shkonte kalldrëmeve të Korçës, meqënse keni qënë tepër e njohur?
MARIETA ZAÇE: Jam larguar nga qyteti im i lindjes sapo mbusha 14 vjeçe, dhe kuptohet vija vetëm kur kisha pushimet e shkollës apo kur zhvilloheshin garat e kampionatit të atletikës së lehtë. Sa here vija ndjeja një kënaqësi të veçantë për bukuritë e këtij qyteti, për klimën dhe pastërtine e tij, për kalldrëmet, sidomos për borën në ditët e dimrit.
Nga një fëmije, unë tani shënoja rezultate të larta, të cilat më nderonin jo vetëm mua, tranjerin tim dhe familjen time, por edhe qytetin e lindjes ku shpërtheu talenti im dhe vendin duke konkuruar si e bararbartë me vende te tjera të Europes .
Ndjeja vështrime normale që tregonin vlerësim dhe simpati, pse jo dhe admirim nga moshatarët për arritjet e mija. Shpesh mëtakonin dhe uronin për rezultatet çka më jepnin nje kenaqësi të veçantë , por edhe më motivonin për të vazhduar më tej rrugën e nisur .
PYETJE: Ju jeni bashkëshortja e të ndjerit Kushtrim Zaçe, njërit prej sportistëve më të famshëm të Kombit, mund të na thoni se si jeni njohur me të?
MARIETA ZAÇE: Kam qënë dhe ndjehem shumë e nderuar që pata fatin të njihem e të jetoj me një person si Kushtrim Zaçe, për gati 40 vjet, një jetë shumë të pasur sa bashkëshortore po aq edhe sportive. Mjediset sportive ishin ato ku ne u pamë për herë të parë dhe ku lindi dashuria jone. Dashuri me shikim të parë e quante Kushtrimi, një alkimi e fortë qysh në fillim e cila erdhi dhe u forcua ndër vite.
Unë isha në kulmin tim si atlete, ndërsa Kushtrimi, pas nje talenti të shfaqur ne vendlindjen e tij Tepelenë e me vonë në Durrës, kishte filluar shkëlqimin e tij tashmë me ekipin e Partizanit. Ishte Kushtrimi ai që e tregonte mjaft bukur këtë moment vendimtar të jetës sonë, duke i dhënë edhe disa ngjyra poetike, shpirti i të cilit ishte lindur si i tillë.
Lindi një dashuri e cila sa erdhi u konsolidua dhe u pasurua me ardhjen në jetë si fillim djali ynë Henri dhe më pas vajza Megi.
Shpesh në familje e diskutonim takimin ton si një fat që Zoti desh e na bashkoi njeri nga Tepelena dhe une nga Korça. Ishim shumë të rinj ai sapo kishte mbushur 22 vjeç dhe une sapo i kisha kaluar të 20 vjetët. Vlera e familjes tonë qëndroi në mirëkuptimin dhe mbështetjen që ne i dhamë njëri tjetrit në mënyrë që jo vetëm të mos pengonim nëarritjen e rezultateve te sejcilit në fushën e vet , por u bëmë motivimi i njeri tjetrit.
Dua të kujtoj këtu se ne na mungonte edhe ndihma qe të tjerët kanë pasur nga familjet e tyre pasi të dy i kishim larg. E quaj vehten me fat qe u njoha dhe lidha jetën me Kushtrimin tepelenas, me të cilin ndërtuam nje familje që ishte për ne gjeja më e shenjtë.
PYETJE: Ju u lidhët me një djalë të pashëm Tepelene, pra erdhët nuse në këtë qytet të bukur dhe me shumë histori, si jeni ndjerë pranë tepelenasve dhe traditave të tyre, çdo të veçonit më shumë si nje vajze e rritur në qytetin e Korçës?
MARIETA ZAÇE: Duke jetuar në Tiranë unë ndoshta nuk arrita të eksploroj në të gjitha dimensionet vlerat e Tepelenasve siç i njihni ju . Por ajo që unë kam ndjerë në kontaktet me pjesëtarët e familjes së bashkëshortit tim, të afërmit e tij miqtë dhe shokët më bënë mua që edhe unë të ndihem si pjesë e Tepelenes për të cilën bashkeshorti im ishte krenar, për historinë e saj , për karakteristikat që kanë qytetarët e Tepelenës dhe për vlerat njerëzore që trasmetoheshin nga brez ne brez.
Unë ndoshta kam qënë ndër nuset e (vajzat ) e para, që pas lindjes së djalit të lahem në lumin e Vjosës, të eksploroj e të vizitoj vëndet e mrekullueshme ku Kushtrimi kishte kaluar fëmijërinë e tij dhe kishte formuar karakterin e tij shume burrëror.
Kalaja e Tepelenës përbënte simbolin e historisë, trimerisë dhe qëndresës së këtij qyteti. Tepelena kishte shume gjera të përbashkëta me Korçën përsa i përket rregullit, pastërtise dhe nikoqirllëkut në familje.
Mikëpritja, respekti dhe shume tradita të tjera me vlera unë i hasja tek miqtë të afërmit e Kushtrimit që ishin bërë pjesë e arritjeve tona .
Unë e vlerësoj shumë qytetarinë dhe dashamirësinë që tregoi Keshilli i Bashkise së qytetit të Tepelenës, e cila nderoi me titullin ‘’Qytetar nderi i Tepelenës’’ Kushtrimin në vitin 2008. Ishte nje kënaqësi e madhe e tij dhe për këtë ju jemi mirënjohës drejtuesve vendorë.
E kuptoj dhe e ndjej që e keni shumë të vështirë ndarjen e papritur të bashkëshortit tuaj në muajin Gusht të vitit që kaloi, cili është pengu i Kushtrimit dhe për rrjedhojë dhe tuaji?
Ndarja e papritur nga jeta e Kushtrimit, ka qënë një humbje e paimagjinueshme për mua, ka qënë një dhimbje tejet e madhe dhe një tronditje e fuqishme përfshiu të gjithë qënien time. Për mua, fëmijër tanë, të afërmit, por edhe për të gjithë ata që e njihnin Kushtrimin ka qënë e pabesueshme që ai të largohej nga jeta në këtë mënyrë. Të tjerët, por edhe unë shihnim tek ai karakteristikat e një burri fisnik dhe të fuqishëm, që nuk do te epej kurrë pavarësisht sëmundjes. Ai e dinte mirë genetikën e familjes së vet dhe gjithmonë e përmendte që zëmra do ishte ajo që nëse do mund t’i ndodhte gjë, por kurrë nuk diti të ankohej. E donte jetën, por edhe me krenarinë e tij, e sfidonte atë. Ne të dy bënim plane të cilat nuk shkonin shumë larg, por edhe një dhjetë vjeçcar do donim të jetonim së bashku . Do ishim gjyshër të mirë , do të ndihmonim fëmijët tanë dhe dëshironim të jetonim duke lëvizur, sepse na pëlqente të organizoheshim dhe të leviznim si në qytete të ndryshme po ashtu edhe tek të afërmit tanë që janë ne emigracion . Të dy kemi punuar shumë dhe tani ishim vitet e fundit të punës , ne mendonim që obligimet tona i kishim mbyllur dhe ishim të kënaqur me ato ç’kishim realizuar. Tani prioriteti yne do të ishte e ardhmja e fëmijve dhe ne do investonim për ta. Por harrova, ai kishte një dëshirë të madhe të ndërtonte qoftë edhe një shtëpi të vogël modeste në Tepelenë buzë Vjosës ose aty ku ishin tokat e të parëve te tij që ende nuk kanë marrë asgje. Vitet e fundit të jetës ai donte që së bashku të shkonim atje ….Ne Tepelenë, ose pjesën më të madhe të kohës ta kalonte aty ………………
PYETJE: Si dy bashkëshortë shembullorë dhe dy yje të sportit cilat janë gjërat më interesante që do t’i kujtoni gjatëgjithë jetës suaj?
MARIETA ZAÇE: Nëse shkurt do të përmblidhja jetën tonë, do thosha dy njerëz të dashuruar me njeri tjetrin që me kalimin e viteve krijuan një simbiozë vlerash dhe aftësish të përbashkëta që nuk dihej se ku fillonin e mbaronin të njerit apo tjetrit, sepse të gjitha veprimet tona ishin aq të sinkronizuara e të mirëkuptuara nga njeri tjetri.
Ishim të dy të realizuar në jetë , ishim të kënaqur nga ajo ç’kishim arritur dhe ishim modestë dhe të dashur me njerëzit dhe sportdashësit.
Kjo ishte dhe një ndër cilësitë më të mira të Kushtrimit, që dinte të respektonte dhe të respektohej.
Kemi qënë një çift që gjatë jetës ka provuar suksesin, vlerësimin, por si shumica e shqiptarëve krahas të parave ka provuar edhe problemet e ndryshme që u përballën shqiptarët në jetën e përditëshme në periudhën e tranzicionit si papunësinë edhe emigrimin, por di që cdo gje e kemi përballuar me shumë dinjitet .
Kushtrimi ishte nje talent i madh por ai arriti këtë përvojë ta përcillte tek breza të tërë të rinjsh ku bënte pjesë edhe djali i tij i cili u bë në sajë të trajnimit të tij lojtar i ekipit kombëtar qysh 18 vjeç.
Jeta sportive ka qënë shumë e bukur (pjesa e rezultateve) dhe për të dy ka pasur shumë gjëra interesante sidomos pjesëmarrja në aktivitete ndërkombëtare .
Për fat sot unë kam një libër i cili bën fjalë për gjithe jetën time, karrierën sportive dhe ate profesionale e politike. U arrit me këmbënguljen e Kushtrimit dhe me dëshirën e mirë të një shkrimtareje të re me shumë talent, Evis Qaja quhet, nga Korça, të botohet ky libër që unë e jap vetëm për miqtë ku do jeni dhe ju Kozetë. Për jetën e Kushtrimit do e shkruaj une një libër, sepse ai ka nje jetë shumë interesante, por edhe të vështirë deri në një moshë, por ka pasur dhe një shkëlqim të rrallë në sport .
PYETJE: Ju keni dy fëmijë të mrekullueshëm, (nipa apo mbesa), a deshironi t’i edukoni ata t’i futen rruges së sportit dhe a ka ëndërr Marjeta që në një të ardhme nipi apo mbesa të jenë si Kushtrim Zaçja apo si vetja?
MARIETA ZAÇE: Henri dhe Migena ( Megi ) i thonim pas daljes së filmit ‘’Dhe krillat shtegëtojnë”.
Janë 2 fëmijët tanë të cilët na kanë pasuruar jetën, shpirtin, na kanë dhënë një kënaqësi shumë të madhe si prindër. Janë fëmijë që kanë mesuar mjaft mirë në shkollë dhe sot kanë ndërtuar jetën e tyre. Vajza e cila për nga profesioni nuk iu bashkëngjit fushës së sportit, por asaj ekonomike, e martuar na dha kënaqësinë e të bërit gjyshër me nje nip qe i ngjan nga syte gjyshit të tij (dhe vajzë ). Kushtrimi arriti ta gëzojë nipin e tij i cili do të mbushte vitin, një ditë pas largimit të tij nga jeta. Ai thurrte ëndra për rritjen e nipit për edukimin e tij pse jo, mendonte edhe se si do ta bënte nëpërmjet sportit një djalë të fortë fizikisht.
Do ishte një realitete i bukur, që nipat apo mbesat t’i ngjajnë gjyshit të tyre në fisnikërinë, në mënçurinë dhe llogjikën e tij dhe mbi të gjitha në modestine dhe shpirtin e madh të tij.
PYETJE: Në karrirën tuaj si pedagoge, si shefe e Katedrës, cilat jane disa nga momentet më të bukura me studentët tuaj?
MARIETA ZAÇE: Për mua vitet me të bukura ngelen të karrierës profesionale.
Të jesh pedagog i një brezi të ri i cili ka aspirata të qarta për të ardhmen e tij dhe synon të bëhet educator i një brezi tjeter te ri përbën një obligim serioz për kualifikimin e vazhdueshem timin. Të qënit koherent me zhvillimet e fushës që mbulon, të përcjellësh këto njohuri tek brezi më i ri dhe të ndërtosh ura komunikomi të mira me ta besoj se është dhe kënaqësia më e madhe . E kam ndjerë këtë sadisfaksion gjithmonë, por sidomos tani pas humbjes së njeriut më të dashur, e kam përjetuar këtë ndjesi kur shume, nga ish studentët dhe studente të Kushtrimit apo dhe të mij më kanë dërguar me dhjetra mesazhe sa ngushëlluese, po aq edhe inkurajuese, por edhe vlerësuese të cilat më kanëprekur shumë, më kanë bërë të qaj, pse jo edhe të ndjehem mirë për vlerësimet që i bëjnë Kushtrimit, familjes tonë. Për mua ka pasur shumë momente të bukura gjatë periudhes si pedagoge, e cila kulmon me pjesëmarrjen tone të përbashkët në ndryshimet e mëdha të vitit 90. Momente të rëndësishme unë do vlerësoja dhe rritjen profesionale gjatë karrierrës si pedagoge e cila reflektohej në mësimdhënie, por edhe këtu nuk mund ta le pa përmendur mbështetjen e Kushtrimit.
PYETJE: Ju jeni një sportiste e famshme, përse iu futët politikës? Ju jeni zgjedhur dy herë deputete në Parlamentin Shqiptar, mendoni se zëri juaj në Parlament ka ndikuar në shumë gjëra për ndryshim dhe ku konkretisht?
MARIETA ZAÇE: Ndryshimi i sistemit në Shqipëri bëri që një pjesë e madhe qytetarësh dhe intelektualë burra dhe gra të shprehnin angazhim si fillim në politikë. Por jo të gjithë e vazhduan atë gjatë këtyre viteve me të njëjtin intesitet, dhe e përballuan konfliktualitetin e saj.
Aq më tepër për ngarkesën që ka një grua shqiptare shtuar përgjegjegjësitë familjare që mbajnë brenda familjes si dhe kushtet e vështira jo rrallë herë të jetesës, bën që angazhimi I gruas në politikë është për tu vlerësuar.Ne te gjithë kemi qënë aktorë të rëndësishëm të ndryshimeve politike në Shqipëri dhe ishte fat që në atëperiudhe si pedagoge bashkë me studentet ishim në ballë te kësaj lëvizjeje .
Angazhimi im politik ka ardhur në mënyrë krejt të natyrshme jo si një qëllim i synuar. E pranova këtë angazhim si nje obligim qytetar për të dhënë kontribut si fillim në fushën time sepse edhe figura ime publike e krijuar nga sporti do më ndihmonte në këtë drejtim. Dhe në fakt pas vitit 1996 unë kam qënë e zgjedhur në strukturat drejtuese të Partisë Demokratike, dhe për shumë vjet si Kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas Shqiptare.
E zgjedhur si deputete në dy legjislatura (1996-1997 dhe 2001-2005 unë nuk kam pasur të njëjtin rendiment dhe të njëjtin pjekuri politike. Në mandatin tim të dytë unë isha shumë më e qartë për rolin dhe kontributin që duhej të jepja dhe besoj se e kam bërë mirë rolin për mbrojtjen e të drejtave të gruas në Shqipëri si dhe përmirësimit të statusit të saj sidomos për përfshirjen më të madhe të saj në vendimmarrje dhe për fuqizimin ekonomik të saj.
Mendoj se kam qënë një zë, që periodikisht kam ngritur zërin për respektimin e të drejtave të gruas , për luften ndaj diskriminimit dhe dhunës karshi saj.
Kam zhvilluar interpelanca me të gjithë ministrat që mbulonin çështjen e shanseve të barabarta për barazinë gjinore, për problemet e dhunës e trafikimit, të papunësisë varfërisë etj. Por numri i grave në parlament ka qënë shumë i vogël dhe ne nuk arritëm dot që çështjen e gruas ta bëjmë çështje të gjithë shoqërisë.
Këtë rrugë të filluar në Parlamentin Shqiptar unë e vazhdova me shumë përkushtim edhe në vitet 2005-2009 kur isha në detyrë ekzekutive në Ministrinë e Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.
Gjatë këtij mandati me angazhimin tim maksimal në organizimin dhe drejtimin e grupeve të punës me të cilët realizuam hartimin e ligjit per barazinë gjinore dhe dokumentin programor strategjik për barazinë gjinore dhe kundër dhunës në familje, janë instrumenta mbi të cilët po operohet për ndryshimin e kesaj situate per gruan në Shqipëri.
Në këtë kontekst unë dua të theksoj se merita ime qëndronte në krijimin e një fryme bashkëpunimi me të gjithe aktorët dhe faktorët që kishin role dhe pergjegjesi në përmbushjen e ketyre objektivave, gjë e cila në shumë fusha nuk ka qënë e lehtë .
Si rezultat i këtyre politikave dhe angazhimit të shumë zonjave të nderuara në lëvizjen e gruas sot në Parlamentin shqiptar është dyfishur numri i grave parlamentare, ka më shumë gra në pozicione vendimmmarrëse etj , por mbetet ende shume për të bërë në drejtim të fuqizimit ekonomik të saj dhe luftën kunder dhunës .
PYETJE: Keni miqësi me deputetet gra të opozitës dhe kë do të veçonit konkretisht?
MARIETA ZAÇE: Jo vetëm në periudhën kur kam qënë antare e parlamentit, por edhe më parë kam pasur nje marrëdhënie shume korrekte dhe dashamirwse me gratë e gjithë forcave politike,ku përfshihen edhe ato të forcës së majtë politike . Ne si gra të përfshira në politikë gjatë këtyre viteve zhvillonim shumë aktivitete dhe trajnime të cilat na jepnin mundësinë jo vetëm të njiheshim më mirë më njera tjetrën, me konceptet dhe qëndrimet politike të njera tjetres, por njëherësh ne arrinim të respektonim vlerat e njera tjetrës brenda konceptit si kundërshtare politikë, por jo si armiq.
PYETJE: Po Kushtrimi e pëlqente politikën?
MARIETA ZAÇE: Kushtrimi kishte interes për politikën, kishte nuhatje politike dhe ishte një këshilltar i mirë kur kishte informacionin e duhur dhe njihte mirë labirinthet e politikës.
Ai nuk kishte dëshirë të merrej me të, sepse ishte shume i drejtë dhe i ndjeshëm ndaj padrejtësive dhe si duket kishte besim tek përkushtimi im dhe ndihej mirë kur më mbështeste mua. Ai besonte tek aftësitë dhe gjakftohtësia ime të cilat do të më ndihmonin mua të kontribuoja me sukses në politikë, pasi këtë rol ma lehtësonte edhe të qënit person public nga fusha e sportit.
Por ai besonte se unë mund tja dilja edhe sepse njihte mirë seriozitetin dhe përkushtimin kur merrja pergjegjësi, kishte besim tek idealizmi, dhe aftësia e veçantë e komunikimit tim me njerëzit .
PYETJE: Ëndërron Marieta Kushtrim Zaçe që një ditë të bëhet Presidente e Shqipërisë, pasi deri tani nuk rezulton asnjë grua në këtë detyrë kaq të rëndësishme kombëtare, ose të paktën a mendoni se ka ardhur koha për një grua që të ketë vizion për të ardhmen e Shqipërisë?
MARIETA ZAÇE: Por unë kam bindjen e plotë që në Shqipëri ka kapacitete të tilla grash që me shumë përgjegjësi, përkushtim dhe profesionalizëm, do të mund të drejtojnë apo të kenë vizionin për të ardhmen e Shqipërisë.
Tashmë kjo tabu është bërë realitet në disa vende të botës, pse jo edhe në Shqipëri …
PYETJE: Ju falënderojmë zonja Zaçe për intervistën.
MARIETA ZAÇE: Ishte kënaqësia ime zonja Zylo!
Komentet