Shkak i këtyre pak rreshtave u bë pamja e Memorialit prej bronzi i viktimave te komunizmit në Pragë, i cili si një dramë e fortë përshfaq gjashtë gjëndje të një individi (njeriut) të vetëm në shkallë të ndryshme, të cilat s’janë gjë tjetër veçse faza të shkatërrimit njerëzor në burg. Statujat duken më të “kalbura” sa më larg që janë prej syrit tonë – humbin gjymtyrët dhe trupat e tyre hapen si me shpella dhëmbjesh të mëdha. Simbolizohet me art se si të burgosurit politikë u prekën si nga një sëmundje nga komunizmi dhe u goditën mizorisht.
Kafkiane vërtet! Ndërkaq një shirit bronzi kalon përgjatë qendrës së memorialit në Pragë duke treguar numrin e atyre që gllabëruan kthetrat e komunizmi:
* 205.486 të arrestuar
* 170.938 të internuar
* 4500 të vdekur burgjeve
* 327 të vrarë për arratisje
* 248 të ekzekutuar
Në pllakën e bronzit aty pranë shkruhet:
“Memoriali për viktimat e komunizmit i kushtohet të gjitha viktimave, jo vetëm atyre që u burgosën apo u ekzekutuan, por edhe atyre që iu shkatërruan jetët nga totalitarët.”
Pamja më trishtoi e më nëpërmendi se ne jemi ende të pashkëputur siç duhet si shoqëri nga e kaluara barbare komuniste.
Ish të burgosurit politikë, ata që mundën të mbeten, e kanë bërë detyrën e tyre, edhe për ata që s’janë, me dhëmbje, tronditshëm, me madhështi. Ata jo vetëm i qendruan dhunës së shumëfishtë fizike, mendore e shpirtërore, copërlimit dhe “shpëlarjes së truve”, por dhe e kanë rrëfyer tmerrin, me kujtime, me poezi, romane e drama, me piktura, madje edhe me muzikë, por shpesh të margjinuara dhe të lëna në harresë të qëllimtë.
Ne çfarë bëjmë si shoqēri? Institucionet e saj, akademitë, katedrat, tekstet shkollore, qeveria, parlamenti, presidenca, gjithë makineria e kujtesës kolektive?
Natyrisht dhe është bërë, por më e shumta dhe më e vyera ende nuk është bërë.
Ashtu si në një familje ku perpiqemi te mësojmë fëmijët tanë me prioritete duke iu treguar të kenē nje “To do list” individuale, kështu duhet të funksionojë dhe shoqëria në lidhje me dekomunistizimin në Shqipëri. Kjo kêrkon ndjesën dhe kujdesin, drejtësi, dhëmbje, etj dhe aftësinë që vuajtjen ta shndërrojmë në përvojë, në vlerë, në kujtesë dhe kulturë.
Më konkretisht:
p.sh, kur kerkohet heqja e emrave apo e simboleve të diktatures, duhet kerkuar dhe shkaku. Diktatura komuniste në Shqipëri bëhej me emra personash konkretë, që nga enveri e deri te spiunët e vegjël nëpër lagje, etj, janë dënuar të gjallë e të vdekur.
Bota njeh shembuj konkretë sesi kriminelë nazistë janë gjetur në një anë te globit ku qenë fshehur dhe i kanë çuar në anën tjetēr te globit të përballen me drejtësinë qofshin dhe në moshen 90-vjeçare, se krimi s’ka moshë, as e keqja.
Persekutimin e kam ndjerë në vetë të parë. Jam rritur në një familje të përndjekur, pa ato që quhen triska fronti e jo më tesera rinie e çfarë ishin.
Xhaxhallaret e mi kishin ikur si kundërshtarë të komunizmit. Nga ana e nënës jam dhe mbesa e një të burgosuri politik të ndërgjegjes, Dane Zdravës. Gjyshi im kishte studiuar në Akademine Navale në Napoli, ishte biznesmen i suksesshëm, deputet i kuvendit te Shqipërise e bamirës I madh. Tironsit e vjeter e mbajnë mend të vetmin dyqan mode luksi në Tiranë, ishte i tij, ashtu sikurse beratasit kujtojnë se Ai solli te parën kinema në qytetin e Beratit, kombajnat dhe centralet elektrike, etj.
Kujtoj rrëfimet në shtëpi me zë të ulët sesi Moma, stërgjyshja ime heroinë bënte një javë rrugë me kalë për t’i çuar ushqime të birit (gjyshit tim) të burgosur në kampin e punës në Maliq të Korçës me Profesor Arshi Pipën e shkrimtarin Mitrush Kuteli e intekektualë te tjerë e nga kleri katolik.
Isha vetëm 11 vjeçe e rrija në shtëpinë e gjyshit në Berat, kur në vjeshtën e 1979-s ia mbrriti policia sërish. Pashë me sytë e mi sesi gjyshin e arrestuan, më përqafoi me pranga në dorë dhe u ndame për të mos u parë më kurrë.
Pas dy muajsh, nje fillim dhjetori, u njoftuam se ai nuk ishte më.
Dhimbje e nepërkëmbje nga 1979 deri në 2002, e kërkuam kudo, nëper regjistra e varreza duke paguar ku të mundnin. Pasi u ndjemë të pa shpresë e vendosëm të tërhiqeshim të lodhur, nje ditë në Tufine, njeri nga grupi ynë, Çimi, nipi i tij, prisni, tha, le të kërkojmë dhe tek ai pirg dheu atje tej, ku është ulur ai pëllumbi.
E kishte dërguar Hyu të na ndihmonte, se me qeverinë s’po behej dot gjë. Hoqëm këmbët e zemrat zvarrë e shkuam atje ku pëllumbi i bardhë po na thërriste…
U gjend. E njohëm nga diçka e paprishur e tij, në veshje dhe korp. E përcollëm me dinjitetin që i takonte atij burri te lartë, te respektuar e te dashur nga të gjithê…
Im At rrëfen se nuk e harron, ishte rreth 12 vjeç, kur i çonte bukën nënës se tij Pashakos, ku hapeshin themelet e fabrikës së Çimentos ne Vlorë. Atehere nuk kishte makineri e Nënoja e tij, jona, hapte kanal me lopata. Nuk kishin fuqi që baltën e nxjerrë ta hidhnin mbi pirgun e madh, te krijuar dhe mbushnin duart me baltën e nxjerrë dhe e hidhnin përtej. Ajo ishte bijë dhe nuse familjesh të pasura e që kishin dhënë per vendin. Si gjyshja ime janë plot nuse te reja dikur nga fisi im e familje te tjera, kudo, internineve sidomos, të detyruara të punonin kanaleve me baltë e gjak.
Po nëpërmend gjyshen e tim biri, Atjonit, dhe asaj i është dashur të ecë zbathur për të mbrritur tek i biri, Visari, në burgun e Spaçit, para se të perëndonte dielli se më pas nuk lejoheshin takimet. Visari e ktheu në poezi ndodhinë, nënat që ia kalojnë diellit.
Ai na e tregoi burgun me romanet e tij te fuqishëm. Të kërkosh thjesht heqjen e emrave, nga trashëgimtarët e atyre emrave, më duket sikur thjesht thuhet e perseritet mekanikisht: “I’m sorry for your loss”, në anglisht tani per t’u pëlqyer perëndimorëve. Keqardhja shtohet kur shoh se keto nisma përkrahen dhe nga intelektuale që jam e bindur se nuk e dinë kujt i sherbejnë punët gjysmake, sepse ato qe e iniciojnë e dinë mjaft mirë se ku do të mbrrinë me gjysmën tjetër te iniciativave si fondotintë në lëkurën e rrudhosur të së tashmes.
E në fakt e humbura mbetet gjithmonë ajo- Shqipëria. Por jo pergjithmonë, nëse ka ende shqiptarë. Me dije, me kulturë, me drejtësi e mëshirë dhe me bekimin e Zotit. Të mos vuajë më njeriu, por statujat e tij si në memorialin e Pragës.
Komentet